Me Shtetet e Bashkuara nën drejtimin e presidentit Donald Trump që bëjnë presion për arritjen e një paqeje, gjërat mund të arrijnë në një krizë deri këtë verë, kur rezervat e armëve të miratuara nga Kongresi për Ukrainën të mbarojë. Megjithatë, larg nga sjellja e paqes, një ndërprerje e ndihmës ushtarake nga ana e SHBA-së për Ukrainën mund të sjellë, në fakt, një përshkallëzim në luftime.
Nga Richard N. Haass
Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës vazhdon e pandërprerë. Asnjëra palë nuk është në pozitë të arrijë objektivat e saj të deklaruara përmes forcës ushtarake. Por tani ka gjithashtu edhe një aktivitet të rëndësishëm diplomatik.
Ukraina ka rënë dakord për një armëpushim 30-ditor, kryesisht për të rregulluar marrëdhëniet me administratën e presidentit amerikan Donald Trump, marrëdhënie e cila u tensionua shumë gjatë një konfrontimi në Zyrën Ovale më 28 shkurt midis Trump dhe presidentit Volodymyr Zelensky. Rusia hodhi poshtë propozimin e armëpushimit, duke sugjeruar (por jo zbatimin) një ndalim për të sulmuar infrastrukturën energjetike. Të dyja palët treguan gjithashtu një gatishmëri për të pranuar një armëpushim në Detin e Zi, por me Rusinë që e lidh mbështetjen e saj me një lehtësim të sanksioneve, nuk është aspak e qartë se kur – apo edhe nëse – një armëpushim i tillë i kufizuar do të fillonte, aq më pak se çfarë do të përfshinte ai.
Hapa të tillë të pjesshëm, nëse zbatohen, mund të jenë një rrugë drejt diçkaje më domethënëse. Por është të paktën po aq e mundur që hapat e pjesshëm të mos çojnë në një marrëveshje paqeje gjithëpërfshirëse. Rusia mund ta vazhdojë luftën edhe nëse Deti i Zi nuk do të ishte një teatër aktiv.
Pyetja më e madhe mbetet politika amerikane. Administrata Trump ka përdorur një kombinim presioni dhe stimujsh për të bindur të dy palët të ndalin luftën. Por qasja e saj ka qenë e anuar drejt ofrimit të përfitimeve për Rusinë, ndërkohë duke ushtruar një presion shumë të madh ndaj Ukrainës.
Për të qenë të qartë, është me vend që Rusisë t’i ofrohen disa stimuj. Kjo mund të përfshijë një gatishmëri për të rifilluar kontaktet e nivelit të lartë dhe për të ripajisur me staf ambasadat, mbështetje për një lehtësim të kufizuar të sanksioneve nëse plotësohen kushte të specifikuara dhe lejimi që Rusia të mbajzë në tryezë objektivat e saj afatgjata për Ukrainën.
Ajo që nuk është e pranueshme është të përqafohen qëndrimet e gabuara ruse, siç janë pretendimet e saj për Krimenë, Donetskun, Luhanskun, Khersonin dhe/ose Zaporizhzhian bazuar në rezultatet e referendumeve të paligjshme të mbajtura nga forcat pushtuese ruse. Tjetër gjë është që i dërguari i Trump në Kremlin, zhvilluesi i pronave, i kthyer në diplomat rishtar, Steve Ëitkoff, të karakterizojë qëndrimin e Rusisë dhe tjetër gjë është që ai ta miratojë atë si të tijin.
Më gjerësisht, nuk ka asnjë arsye të mirë për të prezantuar konsideratat e statusit përfundimtar në këtë pikë. Qëllimi tani për tani duhet të jetë një marrëveshje armëpushimi, jo një traktat i përhershëm paqeje. Në këtë rast, ambicia e tepruar ka të ngjarë të jetë armiku i së mundshmes.
Për të arritur një ndërprerje të armiqësive, marrëveshja duhet të jetë sa më e pastër dhe e thjeshtë. Vetëm dy elementë janë thelbësorë për një armëpushim të qëndrueshëm: një ndërprerje e të gjitha armiqësive dhe një ndarje e forcave, në mënyrë ideale me një kontigjent paqeruajtës mes tyre.
Çdo gjë tjetër, duke përfshirë disponimin e territorit dhe të popullsisë, duhet të lihet për negociata për statusin përfundimtar. Tani për tani, të dyja palët duhet të lejohen të armatosen ose të bien dakord për marrëveshje sigurie me palë të treta. Nuk duhet bërë asgjë për të përjashtuar masat që do të mbështesin një armëpushim. Rusisë duhet t’i lejohet të mbajë trupat e Koresë së Veriut në territorin e saj. Ukraina mund të ftojë forca nga vendet evropiane.
Ajo që është thelbësore është që SHBA-ja të vazhdojë të ofrojë mbështetje ushtarake dhe inteligjence për Ukrainën. Një mbështetje e tillë është mënyra e vetme për të bindur presidentin rus Vladimir Putin se një vonesë e mëtejshme nuk është në interesin e tij dhe është thelbësore për aftësinë e Ukrainës për të penguar agresionin e ri rus edhe nëse ka një marrëveshje armëpushimi. Por ajo nuk duhet të jetë e pakufizuar: një ndihmë e tillë e SHBA-së ka arritur në rreth 40 miliardë dollarë në vit për tre vjet – një nivel që ka të ngjarë të mjaftojë për të ardhmen e parashikueshme.
Qëllimi duhet të jetë t’i japet Ukrainës ajo që i nevojitet për të penguar dhe për t’u mbrojtur kundër agresionit rus, jo për të çliruar tokat e saj. Të pohosh, siç bëri Ëitkoff, se nuk ka arsye për t’u shqetësuar për një agresion të ri rus nuk është serioze. Në fund të fundit, lufta aktuale është pushtimi i dytë i Rusisë në Ukrainë që nga viti 2014, kur ajo aneksoi ilegalisht Krimenë. Duke pasur parasysh synimet e Putinit, ajo që ka rëndësi janë aftësitë.
Çështjet mund të precipitojnë deri në verë, kur rezerva e armëve të miratuara nga Kongresi për Ukrainën të mbarojë. Administrata Trump do të duhet të vendosë (nëse nuk e ka bërë tashmë këtë) për lidhjen midis marrëdhënieve të sigurisë me Ukrainën dhe diplomacisë amerikane.
Ndërsa përpiqemi të kuptojmë se çfarë do të zgjedhë të bëjë administrata, marrëveshja e shkurtit 2020 që administrata e parë Trump nënshkroi me talebanët duhet të na bëjë të reflektojmë. Marrëveshja u negociua pa pyetur partnerët afganë të Amerikës përmes bisedimeve të drejtpërdrejta me talebanët, duke hapur rrugën për marrjen e shpejtë të Afganistanit nga talebanët një vit e gjysmë më vonë. Mund të shpresohet vetëm se çmimi që presidenti Joe Biden pagoi, brenda dhe jashtë vendit, për zbatimin e marrëveshjes së Trump do ta shtyjë Trump-in të mendohet dy herë përpara se të braktisë Ukrainën në një fat të ngjashëm.
Trump duhet të ketë gjithashtu parasysh se braktisja e Ukrainës nuk do të sillte paqe. Zelensky, i cili është më i popullarizuar se kurrë në shtëpi (në sajë jo të vogël të takimit famëkeq të Zyrës Ovale) me gjasë s’do të zgjidhte asnjë armëpushim apo traktat paqeje sesa të komprometonte interesat thelbësore të Ukrainës. Ajo mund të vazhdojë të luftojë në një formë ose një tjetër për vite me radhë duke përdorur armë të prodhuara në vend dhe të importuara nga Evropa dhe Azia – dhe, pa kufizimet e SHBA-së si kusht ndihme, madje mund të tundohet të veprojë në mënyrë më agresive në zgjedhjen e objektivave brenda Rusisë.
Në të njëjtën kohë, Rusia ka shumë të ngjarë ta shohë ndarjen e SHBA-së nga Ukraina si një mundësi për të bërë presion apo edhe për përshkallëzim ushtarak. Larg nga sjellja e paqes, një ndërprerje e ndihmës ushtarake nga ana e SHBA-së për Ukrainën mund të sjellë në fakt një përshkallëzim në luftime.
Rreziqet janë të mëdha dhe jo vetëm për Ukrainën. Ajo që do të ndodhë me Rusinë do të ketë një efekt të rëndësishëm në të ardhmen e Evropës, mbi faktin nëse Kina do të përdor forcën kundër Tajvanit, apo Koreja e Veriut kundër Koresë së Jugut, dhe mbi mënyrën se si SHBA-ja perceptohet si nga miqtë ashtu edhe nga armiqtë e saj në mbarë botën.
Diplomacy Is the Newest Front in the Russia-Ukraine war
Lini një Përgjigje