Si mund të na shpëtojë Aristoteli?

2 Prill 2025, 11:41Blog TemA

Si mund të na shpëtojë Aristoteli?

Nga Antara Haldar, Project Syndicate

Në analizën e tij se çfarë është një jetë e mirë, Aristoteli ofroi një kornizë jashtëzakonisht aktuale për epokën e konfuzionit moral dhe fragmentarizimit qytetar në të cilin jetojmë. Ai do ta kishte kuptuar që përtej gjithë dallimeve tona të dukshme, qëndron një dëshirë e përbashkët për domethënie, përkatësi dhe dinjitet.

Gjatë një prej fjalimeve të tij në vitin 1995, ku paraqiste “Vizionet për Shekullin e 21-të,” astrofizikanti i njohur Karl Sagan theksoi brishtësinë e qytetërimit njerëzor, nisur nga prania jonë thuajse e parëndësishme në kozmos. E ardhmja jonë, paralajmëroi ai, varet plotësisht nga aftësia jonë për të mësuar të jetojmë së bashku me mençuri dhe përulësi.

Por, qartazi nuk e kemi kuptuar mesazhin. Tre dekada më pas, “pika e zbehtë blu” që është planeti ynë, gjendet e përçarë nga trazirat gjeopolitike, ndërsa shpresa e fundshekullit të 20-të për një liberalizëm global në rritje, është venitur. Përballë një pasigurie kaq radikale, zgjidhja më e mirë mund të jetë rikthimi tek gjërat më elementare. Dhe nuk ka udhërrëfyes më të përsosur se sa Aristoteli për të eksploruar pyetjen më të thellë nga të gjitha, se çfarë është një jetë e mirë. “Politika” dhe “Etika Nikomakiane”, na ofrojnë një kornizë jashtëzakonisht të përshtatshme për epokën e konfuzionit moral dhe përçarjes qytetare në të cilën jetojmë.

Ndryshe nga tradita liberale moderne, e cila lartëson pavarësinë individuale, Aristoteli nisej nga një premisë tjetër: qenia njerëzore nuk është një njësi e pavarur dhe izoluar brenda vetes, por kafshë sociale, mirëqenia e së cilës varet nga kultivimi i virtyteve brenda një komuniteti politik. Të jetosh mirë nuk do të thotë thjesht të bësh atë që dëshiron; përkundrazi, kërkon kultivimin e karakterit përmes një edukimi të përjetshëm dhe angazhimit në jetën e përbashkët qytetare. (Nuk është rastësi që joshja nga shumica e nacionalistëve dhe populstëve të kohëve tona vjen pikërisht nga fakti se ofrojnë një vizion të jetës së mirë).

Këndvështrimi aristotelian është në kontrast të thellë me libertarianizmin që ka përkufizuar të djathtën tradicionale prej një kohe të gjatë (të paktën deri së fundit), por edhe me politikat ekspresive të identitetit të së majtës. Aristoteli na kujton se liria nuk është thjesht mungesa e kufizimeve dhe se drejtësia nuk është vetëm shpërndarje e barabartë e të drejtave. Sipas tij, liria e vërtetë është aftësia për t’u vetëqeverisur me mençuri dhe etikë në lidhje me të tjerët; dhe drejtësia e vërtetë nuk gjendet vetëm në rregulla abstrakte, por në praktika që u mundësojnë njerëzve një jetë domethënëse, me dinjitet dhe përsosmëri.

Por, kjo gjuhë është zhdukur nga kultura jonë e sotme politike. Ne shkruajmë ligje mbi bazën e të drejtave konkurrese – e drejta ime për të folur, kundër të drejtës tënde për t’u mbrojtur, kundër të drejtë së tyre për të qenë të përfshirë. Por, pa një koncept të përbashkët të qëllimit tonë kolektiv, telos-in tonë, përfundojmë në kurthin e betejave se preferencat dhe identiteti i cilës palë duhet të ketë prioritet mbi të tjerët. Rezultati është “hiperpolitika”: një kontestim moral i pafundëm, pa ndonjë bazë morale.

Aristoteli mund të na ofrojë gjuhën e përbashkët për të cilën kemi nevojë. Ai e shihte politikën jo thjesht si një mjet për shpërndarjen e pushtetit, por si një mënyrë për të kultivuar virtytin (përsosmërinë). Një qeveri e mirëorganizuar jo vetëm parandalon rrezikun, por formon qytetarë të mirë duke ushqyer ndjesinë e përgjegjësisë, arsyen, kurajën, moderimin dhe kujdesin për të mirën e përbashkët.

Tani, krahasojeni këtë koncept me botën e sotme. Institucionet tona, shpesh funksionojnë si tregje ankesash, ku vëmendja, statusi, dhe zemërimi zotërojnë fuqinë më të madhe blerëse. Ekosistemet tona mediatike – veçanërisht ato online – janë krijuar që të nxitin tribalizmin. Sistemet tona arsimore flasin gjithnjë e më pak për formimin moral nga frika se mund të akuzohen si të politizuara. Ndërsa politikanët tanë kanë kaluar nga të qenit modele të karakterit publik, në të kundërtën e saj.

Nga SHBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar, në Indi dhe Hungari, demokracitë po luftojnë jo vetëm me polarizimin, por me një sëmundje edhe më të thellë: shpërbërjen e besimit qytetar, thyerjen e narrativave të përbashkëta dhe humbjen e një qëllimi publik. Ajo çfarë Aristoteli e quante eudaimonia – suksesi inididual përmes pjesëmarrjes në një komunitet të drejtë dhe të mirëorganizuar - është zëvendësuar nga një koncept i cekët që e përkufizon suksesin me pasurinë, viralitetin mediatik, apo pushtet vetjak krejt të pashqetësuar nga ndonjë ndjesi përgjegjësie.

Përqafimi i konceptit aristotelian të politikës dhe jetës së mirë nuk nënkupton kthimin pas në kohë, apo injorimin e progresit të demokracisë liberale bashkëkohore. Ne me të drejtë vlerësojmë të drejtat, pluralizmin dhe mbrojtjen kundër tiranisë. Por, Aristoteli na kujton se asnjë sistem politik nuk mund të lulëzojë pa një qëllim moral që i përgjigjet pyetjes thelbësore: Çfarë lloj njerëzish duam të bëhemi? Çfarë karakteri duhet të kultivojnë institucionet tona? Si mund të formojmë qytetarë, të cilët janë të aftë të ushtrojnë lirinë e vërtetë dhe jo thjesht një lejim të pakufizuar?

Sipas botëkuptimit aristotelian, arsimi nuk lidhet vetëm me grumbullimin e dijes apo të aftësive. Ai lidhet me formimin e karakterit përmes ekspozimit ndaj modeleve, reflektimit etik, dhe pjesëmarrjes aktive në jetën qytetare. Debati politik nuk është thjesht përplasje interesash, por ndjekje e përbashkët e mençurisë praktike mbi mënyrën se sim und të jetojmë më mirë së bashku. Lidershipi shihet jo si performancë, por si kujdestari – një përpjekje për të udhëhequr të tjerët drejt një të mire të përbashkët.

Një politikë e tillë mund të tingëllojë naive në një epokë kaq cinike. Por, ndoshta është pikërisht cinizmi që është shndërruar në një profeci vetëpërmbushëse. Mendjelehtësia e vërtetë është të besosh se mund ta ruajmë demokracinë pa kultivuar ato virtyte morale e qytare, të cilat e mundësojnë atë. Aristoteli kuptoi atë që shumë teoricienë modernë duket se e kanë harruar, se shëndeti i shoqërisë nuk varet vetëm nga ligjet dhe ekonomia e saj, por nga karakteri i njerëzve.

Një tipar përcaktues i kohës tonë është se shumë njerëz të mësuar ta shohin veten dhe të tjerët si përzgjedhës të izoluar – si Homo Economicus – ndjehen të pafuqishëm, të pasigurt dhe të uritur për domethënie. Disa e kërkojnë domethënien te projektet nacionaliste ose identitare, ndëesa të tjerë te suksesi në treg. Por, përtej këtyre shtigjeve të papajtueshme  qëndron dëshira e përbashkët për domethënie, përkatësi dhe dinjitet. Dhe Aristoteli i flet drejtpërdrejt kësaj dëshire, jo duke na ofruar ndonjë zgjidhje teknokrate dhe as ndonjë slogan të njëanshëm, por një vizion moral të politikës si hapësirë për suksesin njerëzor.

Ashtu si arti japonez i kintsugi-t – riparimi i qeramikës së plasaritur përmes arit – aristotelianizmi na mëson se polisi i fragmentarizuar i shekullit të 21-të e ka akoma potencialin për t’u bërë sërish i plotë. Dhe detyra jonë nuk është që t’i fshijmë plasaritjet, por t’i mbushim ato me virtyt, qëllim, dhe një koncept të përbashkët të së mirës kolektive.

1 Komente

  1. S
    S

    GEZUAR BAJRAMIN ,,,AMIN,,

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje