Dje dëgjova thirrjet te Ura e Bënçës: “Nuk blihemi për 5 lekë”!

12 Maj 2023, 22:02Blog Kristo MËRTIRI

Dje dëgjova thirrjet te Ura e Bënçës: “Nuk blihemi

Pesë metra mbi atë Urë historike, është rivendosur një Memorial fare i thjeshtë, gati i padukshëm  mbi një truall të sertë shkëmbor. Pinjollë të fashizmit e shërbëtorë faqezinj të pushtuesit, e shkatërruan dy herë. E ngjallën në fillimvitet ’80 të shekullit që shkoi! E ngjallën kur babai ynë(protagonist kryesor i Grevës Antifashiste të Punëtorëve) sapo kish mbyllur sytë përgjithmonë në Tiranë ! Nuk arriti ta shikonte vetë. Nuk u dha asnjë lajm gjëkundi për atë memorial me rëndësi jo të vogël. Edhe mëmës ia thashë unë, kur isha korrespondent profesionist në Lushnje. Sepse një ditë prej ditësh, zbriti nga treni i udhëtarëve dhe me takoi Kryeinspektori i Kulturës në rrethin e Tepelenës, miku im i paharruar përmetar, Avni Lako. Ndaloi enkas, për të më dhënë “sihariqin” e vendosjes së pllakës. Katër dekada pas asaj Greve të Parë Punëtore, menjëherë pas pushtimit të turpshëm nga Italia fashiste. Ishte 10 Maj 1939…(Në Myzeqe, të parin e të vetmin dëshmitar okular e pjesmarrës aktiv që njoha nga afër, ishte Yzeiri i dashur, babai i gruas së regjisorit të shquar të Radio-Tiranës, Xhelil Aliu. Nuk i harroj sytë e tij të rrëmbushur e plot emocione, kur më rrëfeu për atë protestë të fuqishme dhe për nënën tonë që priti disa vite të fejuarin rebel. Priti të mbaronte burgun, internimin e përndjekjen këmba këmbës. Priti bashkë me vellon dhe kalin e bardhë të nusërisë…).

Por në ditët e para të pluralizmit rrumpallë, atë memorial e zhdukën, duke e coptuar e hedhur në lumin e Bënçës ! E zhdukën falangat e pushtetit gangster të PD-së dhe satelitët e saj politikë të pacipë, e pa pik gjak shqiptari të vërtetë. Nuk e bëra kurrë publike në median e çartallosur e të dehur nga “demokracia” kallpe. Disa veteran, ish-luftëtarë të lirisë dhe bashkëfshatarë që jetonin e punonin në atë qytet erëshumë, nisnin shëtitjen e zakonshme nga këmbët e Kalasë së Ali Pashës dhe ngadalësonin hapat te “Ura e Grevës”. Një lloj pushimi i shkurtër dhe bashkëbisedim vërsnikësh partizanë. Krejt natyrshëm e aspak zyrtar. Rrallë, për të mos thënë hiç, ishte organizuar ndonjë tubim përkujtimor zyrtar. Megjithse historia nuk harron, mban shënim. Babai nuk i ra gjoksit asnjëherë si Antifashist i orëve të para apo si i burgosur politik në qelitë e Kalasë së Gjirokastrës, i dënuar dhe i internuar në guroren e tmerrshme të Shëngjinit, në Lezhë. As bëzajti e të tundëte supet kur e pushuan 3 herë nga puna ca dallkaukë në krye të rrethit ! Madje, ne fëmijët e tij, i mësuam nga Gole Tarifa(Gjoka), në një moment të dhimbshëm: Babai ishte në mes të katër rrugëve e jetonte në një barakë me dërrasa e katrama, kur po hapej Muzeu i Luftës Antifashiste Nacionalclirimtare të Qarkut, në shtëpinë e Enverit në lagjen “Palorto”! Rastësisht ia tregoi Sevua, kushëriri që mbante disa dokumente origjinale në çantë, gjetur nga muzeologu i palodhur, Lefter Dilo. Ndërsa mëma që jetonte e punonte në fshat, në kooperativë(si për të mos u shkëputur nga e bija Frosinë që prehej në Shënmëri), shiste ndonjë thes me lule bliri, kec a qengj në Këlcyrë që ne të mos ndërprisnim shkollimin…

Mirëpo, vitet e fundit, memoriali u rivendos pa bujë e zhurmë, për herë të dytë(!). Nuk kaloi shumë kohë dhe në celularin tim në Tiranë erdhi një foto që më trishtoi jo pak. E dërgonte Moisiu, djali i mësuesit të shquar Dino Islami nga Lopsi, sot pensionist në Vlorë: Pllaka e shkruar ishte dëmtuar rëndë nga duar të pista neofashiste. Për herë të dytë!? Në një kohë, kur djemtë kapedanë të Bashkisë me në krye Tërmet Peçin e Spiro Korën, me veteranët e pasardhësit Sulo Gërbi, Hasan Musta, Bujar Sula, Krenar Progonati bashkë me Naimenë bashkëshorte, Bardhyl Saliaj, Lato Çela etj. qenë mbledhur në një nderim e tubim të posaçëm. Atje ku dëgjohen shpesh vetëm shushurimat e lumit dhe zogjtë këngëtarë. Por ish-Presidenti i Republikës nuk pati nge të ndalonte pak sekonda te ajo Urë ku gjëmon vazhdimisht historia. Ndaloi vetëm 200 metra më larg, te i ashtuquajturi kamp pune internimi. Po kush e priti vallë kryetarin e Shtetit ? Gati asnjë qytetar e banor i Tepelenës së mençur e dinjitoze, që nuk u bënë kurrë “çanakë me dhallë” në duart e njerëzve me pushtet. Si në monizëm dhe në pluralizëm. Se tepelenasit e mi t’i këndojnë letrat që në xhep ! Dinë mirë kë duhet të respektojnë e nderojnë. Pa fanfara e daulle partiake, por me zemrat mbushur me atdhetarizëm të kulluar si dëbora mbi majat e Këndrevicës, Golikut e Trebeshinës. Rivendosja për herë të tretë e Memorialit, më nxiti të mërmërisja atë këngën lapidar:” Vritu, pritu për Flamur,/ Bota hiq e tinë vur !”. Se historia dhe gjaku mëmëdhetar nuk mund të zhbëhen e as të kthehen në ujë…

Te “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, në faqen 321 gjen edhe këtë përcaktim të shkurtër për 40 greva e protesta me rreth 12.500 pjesmarrës. Qysh në fillim theksohet:” Ndër grevat dhe protestat më të rëndësishme gjatë pushtimit Italian ka qenë ajo e punëtorëve që ndërtonin urën e Bënçës në Tepelenë”! Më vonë vijnë të tjerat në Tiranë Shkodër, Vlorë, Peshkopi-Burrel, Selenicë e gjetkë. E para është Ura e Bëncës ! Aty ku gryka e njohur gjëmonte nga thirrjet e prera “Poshtë fashizmi !”. Ishte zëri i vërtetë liridashës, 1 muaj pas Pushtimit. Ishte shpirti i pastër i shqiptarisë llagar. Pa partira e qeverira, pa shoqata e lopata interesi të vockla e meskine. Ishte brezi më idealist që nuk besoj t’i kthehet më Shqipërisë sonë… Te faqja 156, “Historia e Luftës Antifashiste të Popullit Shqiptar, gjen edhe këtë paragraf:” Karakter të hapët antifashist mori greva e punëtorëve të urës së Bëncës më 10 Maj 1939. Punëtorët kundërshtuan kategorikisht të merrnin pjesë në pritjen e ministrit Italian të Punëve Botore dhe të brohoritnin për fashizmin, edhe pse u premtuan nga 5 lekë(!) si shpërblim. Punëtorët e revoltuar kërcyen nga makinat duke protestuar e bërtitur:”Nuk blihemi për 5 lekë !” Ata u sulën kundër zyrave të kantjerit kur një shok i tyre u arrestua si nxitës i këtyre veprimeve” dhe për propagandë të rrezikshme kundër fashizmit. Njëri nga ata që u sul te zyra ku babai rrinte nën pranga, ishte edhe Lipe Kele, shoku i fëmijërisë. Peshtanaku që e ngrysi jetën fukara, por trim e i ndershëm si ai.

Dje, nuk dëgjova fare ulërimat e bërtimat “përgjëruese” nëpër ekrane. Dje, nuk pashë asnjë kronikë parafabrikat nga zyrat e partive me shumicë e pakicë ne vendin tonë. Nuk dëgjova hingëllimat mbi 30 vjeçare nga gjyryku i të njëjtave fytyra politikanësh, që ia kanë sjellë shpirtin në majë të hundës këtij populli hallemadh. Se sa për Sindikatat, këto dolën si shalqinjtë “pa provë”. Drejtuesit e tyre që deri dje ulërinin dhe “përmbysnin” edhe qeveritë me mashtrime sipërore të pashoqe, a e dini ku janë sot ? U shkelin syrin e u nxjerrin gjuhën SPAK-ut, BKH-së e Prokurorisë, si agallarë e pronarë nga verandat e ish- shtëpive të pushimit të punëtorëve nëpër Shqipëri; nga institucionet që dikur kishin zot shtetin e punëtorët ! Hajdutë me cizme e pa cizme. Punëtoria mban gishtin në gojë ! Shteti i së Drejtës po ecën si breshka. Brezi që ngriti e seliti këtë vend të shkrumbuar nga luftrat, po mbaron e shkon në atë botë. Po ne të tjerët ? Të paktën t’i shporrim nga ekranet poltikanët hajdutë të hurit e të litarit ! Bashkë me ndonjë analist të skaduar a të shkalluar. As këtë nuk e bëjmë dot ? Apo edhe votën e kthyem në plackë tregu nëpër ekonominë e tregut !...

Ndërsa te Ura e Bënçës, ka 84 vite që çdo maj sikur çahet kupa e qiellit nga thirrja “Nuk blihemi për 5 lekë!”.(Por bota qesh e tallet kur dëgjon bubullimat elektorale për…blerje votash.). Dhe bari e gjethet janë ndërruar 84 herë. Një tufë e vogël me lule prilli nga lëndinat atje pranë, nuk është tharë ende mbi Memorial. E çoi Hamiti, djali i xha Velos nga Dukaj, para se të shkonte në Bruksel. Miku im i rrallë, që unë e dua shumë. Edhe kur s’ndalon dot, i bie bories së makinës. Si një përshëndetje nderimi që përhapet shpejt e ngrohtë brigje më brigje…

Mbrëmave, mua më qaset Iliri, poeti i vërtetë që ka lindur e është rritur në këto vise. Sikur më flet në emër të Atit nga përtej detit:

               “Me pak erë fëshfërimë,

               Kur ti merr frymë e dihat angështie,

               Me ca gjëmime e litarë vetëtimash,

               Ku varen vetëm breshëri dhe shiu,

     Dhe s’ngjiten e zbresin dot, pavarësisht prej   tundimeve,

               As Ati, as Njeriu … 

7 Komente

  1. T
    Torino

    Brilant!Pergezime....

    Përgjigjjuni
    1. T
      Thanasi

      Te lumte dora Kristo! Respekte per babain tend dhe per te gjithe ata antifashiste qe rreshtuan Shqiperine ne anen e fituesve.

      Përgjigjjuni
      1. n
        nexhip

        Bravo!

        Përgjigjjuni
        1. G
          Go West

          Gjithmone shkrimet e tua kane qene te kendeshme, Kristo, si puna e veres se vertete te bere nga rrushi, por duke kaluar vitet eshte shtuar ne to poezia, dhimbsuria, malli e pse jo edhe protesta e çilter. Vazhdo te na sjellish ligjerime te ngrohta si ky, urime!

          Përgjigjjuni
          1. R
            Rita

            Bukur Kristo. Te lumte Dora. Na ke emotional.

            Përgjigjjuni
            1. A
              Ardi

              Te lumte Z.gazetar nje shkrim brilant.antifashistet duhet kujtuar me respekat.dhe Ty nuk te mungon as dashuria per ta dhe as pena e mprehte.

              Përgjigjjuni
              1. X
                Xhevat Z.

                Sapo lexova këtë shkrim legjendë nga pena jote flori e manxerr junani, i nderuar Kristo. Çdo kohe pjellë heronj, po ka edhe mbetje të kombit që bëhen vegel e të huajt për brashje a për një copë karrike. Lavdia është me të paret. Peripecitë shpirterore që ti dhe gjithë ne që na dhemb shpirti për çdo veprim a keqberje ndaj ketyre figurave simbol të kombit është fyerje ndaj ketij populli që për interesa të Atdheut nuk kursyen asgjë. Po demokratura e sotme ka pjella ogurzeza, të cilet po e marrin reston çdo dite e me teper, po e korrin furtunen mbarekombetare që kane mbjelle. Tashi u duhet te gjejnë nje shpellë si Bin Ladeni ti fshihen nga sytë ketij populli që i kane bërë kaq të zeza. Nderim të perjetshem për babain dhe gjyshin tuaj martirë, si dhe për gjithë deshmoret e ketij kombi.

                Përgjigjjuni

                Lini një Përgjigje