Doni të kthehet Xhonsi?

10 Mars 2026, 12:00Blog Nga Namir Lapardhaja

“Nuk besoj të ketë mes jush ndonjë që dëshiron të na kthehet Xhonsi, apo jo? Është për hirin tuaj që ne ta pimë atë qumësht dhe t'i hamë ato mollë. A e dini se çfarë do të ndodhte nëse ne derrat do të dështonim në detyrën tonë? Xhonsi do të kthehej! Po, Xhonsi do të kthehej!”

I

Në romanin “Ferma e kafshëve” ky fragment është mishërim i asaj se si manipulimi mund të përdoret edhe kaq në mënyrë naive për të kujtuar vazhdimihst frikën e rikthimit të pronarit të vjetër, Xhonsit.

Është kjo pyetje që sa herë kafshët fillojnë dhe dyshojnë në pushtetin e derrave, sa herë lind ndonjë pakënaqësi, sa herë shtohen vuajtjet apo edhe kur rregullat ndryshojnë në mënyrë absurde. Pra, nëse nuk i bindeni pushtetit aktual, rrezikohet rikthimi i një të keqeje më të madhe.

Kemi të bëjmë me një metaforë të qartë propagande të mprehtë politike, sepse frika është një nga instrumentet e vjetra të kontrollit njerëzor dhe kur pushteti nuk ka argumente, ai shpik rreziqe.

II

Ndonëse e njohur metafora orelliane më erdhi ndër mend teksa leoja një analizë të Deutsche Welle-s për Viktor Orbánin në Hungari, i cili e ka ndërtuar pikërisht mbi këtë strategji retorikën e tij të qëndrimit në pushtet. Në diskursin politik të qeverisë hungareze, rreziku ndryshon vazhdimisht: herë janë emigrantët, herë burokratët e Brukselit, herë elitat liberale apo organizatat ndërkombëtare, herë Soros, e tanimë së fundmi vetë Zelenski i Ukrainës.

III

Nuk e di nëse Enver Hoxha e kishte lexuar ‘Fermën e kafshëve’, por një gjë është e sigurt: ai për vite më radhë, që prej marrjes së pushtetit dhe deri në fund, këtë strategji e ushtroi në mënyrë perfekte. Jo se i duhej, por edhe diktatura kishte hipokrizinë e saj formale. Për shembull, sa herë ai do të godiste, krijonte grupe armiqësore, ose sa herë që bënte krahasimin e regjimit të tij i referohej ‘satrapit Zog’. Nuk ishte gjë tjetër veëtm se një version i shqiptarizuar i metaforës orwelliane.

E njëjta metodë manipuluese, vijoi edhe pas rënies së komunizmit, ku narrativa ndryshoi, por mekanizmi ngelet i njëjtë. Demokracia shqiptare shpesh i ka justifikuar dështimet e veta duke iu referuar së kaluarës: tranzicionit, trashëgimisë së diktaturës, apo gabimeve historike.

Mjafton të shohësh politikën e ditës sot, për të kuptuar se si e shkuara apo ‘Xhonsi’ në krye të opozitës shërbejnë për të justifikuar dështimet e së tashmes.

IV

Studiuesit e komunikimit e kanë përshkruar këtë strategji si një formë të manipulimit përmes frikës. Sipas teorive të propagandës politike, frika është një nga mënyrat më efikase për të orientuar opinionin publik. Një shoqëri e frikësuar është më e prirur të pranojë pushtetin e fortë. Një shoqëri e frikësuar pyet më pak, mendon më pak, ankohet më pak, nuk ka kohë të arsyetojë, sepse është frika ajo që mbizotëron gjithçka. Është një mekanizëm i përbotshëm që justifikon politikën, dhunën, agresionin, manipulimin, korrupsionin, mbi mekanizmin e ‘Xhonsve’ të rinj, që edhe kur nuk janë, gjenden lehtësisht, madje edhe kur nuk ekzistojnë, krijohen nga hiçi.