8 Marsi dhe burrat që dhurojnë lule

8 Mars 2026, 19:20Blog TEMA
8 Marsi dhe burrat që dhurojnë lule

Nga Roland Lami

Çdo vit, më 8 Mars, dyqanet e luleve bëjnë xhiron më të mirë të vitit, restorantet rezervohen dhe burrat kujtohen se ekziston një datë në kalendar që quhet “dita e gruas”. Gati duket si një ritual i çuditshëm pasi, një ditë në vit, shoqëria maskiliste shqiptare vendos të jetë e sjellshme, e kujdesëshme madje dhe e ndjeshme. Një lloj armëpushimi simbolik mes mentalitetit patriarkal dhe ndërgjegjes moderne por që ndodh një ditë të vitit.

Nga mënyra sesi festohet kjo ditë e vitit duket sikur 8 Marsi është më shumë një festë e burrave sesa e grave. Burrat dhurojnë lule, bëjnë fotografi dhe ndihen për një moment në paqe me veten. Është një formë e vogël rehabilitimi moral, një buqetë lulesh për të kompensuar një vit të tërë stereotipesh, paragjykimesh dhe paternalizmi të përditshëm.

Në një plan më të thellë psikologjik, ky ritual tregon diçka për mënyrën se si funksionon shoqëria shqiptare. Ne kemi një aftësi të veçantë për të kthyer problemet sociale në festa simbolike. Në vend që të përballemi me pabarazitë reale, ne i mbulojmë ato me gjeste ceremoniale. Lulja bëhet kështu një metaforë e butë për një realitet që shpesh nuk është aq i butë.

Ironia është se shoqëria jonë ka një marrëdhënie paradoksale me gruan. Nga njëra anë, ajo glorifikohet në mënyrë poetike si nëna shqiptare, gruaja e fortë, shtylla e familjes, nga ana tjetër, në praktikë shpesh i kërkohet të mbajë mbi supe një barrë të dyfishtë, të jetë njëkohësisht profesioniste në punë dhe garante e rendit tradicional në shtëpi.

Në këtë kuptim, 8 Marsi është një pasqyrë e vogël e këtij paradoksi. Është dita kur burrat bëhen romantikë për disa orë, ndërsa gratë buzëqeshin me mirësjellje, ndoshta edhe me pak ironi sepse e dinë që të nesërmen gjithçka kthehet në normalitet: në komentet e zakonshme, në stereotipet e zakonshme dhe në atë kulturë të heshtur ku barazia shpesh mbetet një ide e bukur në letër.

Ndoshta për këtë arsye 8 Marsi nuk duhet parë vetëm si festë. Ai mund të jetë edhe një moment i vogël reflektimi për burrat shqiptarë një pyetje e thjeshtë që shkon përtej luleve dhe darkave. Jo çfarë dhurojmë për një ditë, por si sillemi gjatë gjithë vitit.

1 Komente

  1. F
    Fshatari

    Zoti ( Natyra -vartet cfare beson) i ka bere burrat e grate ndryshe qe te kene detyrime te ndryshme. Grate jane bere qe te jene "nena", te lind femije te kujdesen, te jene nga natyra te buta dhe te dashura per ta e te ndihmojne burrin qe eshte bere per pune te renda e siguroj ushqim e kushte per nenen e femijen. Natyra njerezore keshtu ka funksionuar e keshtu fnksionon. Kjo eshte mbi fuqine e disave qe duan te dalin mbi Zotin ( apo Natyren) e te ndryshojne ligjet e Natyres ( Zotit) Eksperimenti i 100 viteve te fundit e tregoj se kjo nuk funksionin. Pavarsisht nga gjoja qellim i mire per te ndihmuar grate, ky eksperiment e beri jeten e guras me te veshtire. Dhe mbi te gjitha shkateroj familjen, bazen e shoqerise njerezore. Jetesa u be me veshtire dhe pavarsisht se tani punojne te dy ( burre e grua) per te ardhura, cmimet e larta e bejne te pamundur jetesen e mire ( kur familja mbaheshe vetem me nje te ardhur ngaburri). Femijet riten te pa edukuar me familje e kujdesin e nenes. Delikatesa dhe bukuria e guras ( kusht themelor per te siguaruar trashigimine e qeniens njerezore. Bukuria e delikatesa terheq burin per familje) ) u shkaterua me gra qe duken si burra. Kush perpiqet tendryshoj ligjet e Natyres (apo Zotit) krijon situata me te renda dhe te rrezikshme per tere shoqerine njereozre.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje