
Në një esse të publikuar disa kohë më parë në Substack-un e tij, Cultural Capital, gazetari dhe shkrimtari britanik James Marriott paraqiste një ide shqetësuese në lidhje me kohën në të cilën jetojmë. Shoqëritë bashkëkohore, shkruan ai, mund të jenë duke hyrë në një epokë post-letrare, ku njerëzit janë sërish të aftë të lexojnë, por ku leximi nuk përbën më mënyrën kryesore nëpërmjet të cilës njerëzit informohen dhe përpiqen të kuptojnë botën rreth tyre.
Për afërsisht tre shekuj, bota moderne është ndërtuar rreth kulturës së shkruar. Librat, pamfletet dhe gazetat kanë krijuar atë që historianët shpesh e cilësojnë si “revolucioni i leximit”, një transformim social-kulturor që nisi në Europën e shekullit të 18-të me përhapjen e shkrimit dhe leximit përtej elitave tradicionale që i zotëronin këto aftësi deri atëherë. Por rëndësia e kulturës së fjalës së shkruar nuk qëndronte vetëm në faktin se tashmë më shumë njerëz do të mund të lexonin, por sepse leximi filloi të riformësonte mënyrën se si njerëzit mendonin.
Fjala e shkruar disiplinon mendimin. Ndryshe nga komunikimi spontan gojor, në momentin që vendos të hedhësh diçka në letër, ti ekspozohesh automatikisht ndaj mospërputhjeve logjike të mendimit tënd dhe, në një mënyrë a një tjetër, detyrohesh t’iu japësh zgjidhje atyre. Po ashtu, të lexosh një tekst në mënyrë serioze, do të thotë të ndjeëksh një linjë arsyetimi nëpër disa faqe, shpesh qindra të tilla, duke i rindërtuar argumentet hap pas hapi. Para, është një proces i gjatë që kërkon durim, kalitje të kujtesës dhe aftësinë për të arritur në përfundime. Ndaj, nuk është rastësi që përhapja e shkrimit dhe leximit koincidoi me epokën e Iluminizmit, shkencës dhe lindjes graduale të formave konstitucionale të qeverisjes. Ajo që shpesh i referohemi si bota moderne, u ndërtua pikërisht brenda këtij mjedisi intelectual të fjalës së shkruar.
Megjithatë, shqetësimi që ngre Marriott në essenë e tij është se pikërisht ky mjedis intelektual mund të jetë duke u shpërbërë në ditët tona. Smartfoni, që u kthye në një teknologji të kudogjendur rreth mesit të viteve 2010, e ka riorganizuar krejtësisht mënyrën se si qarkullon informacioni. Në vend të përqendrimit afatgjatë që kërkon leximi, platformat digjitale shpërblejnë shpejtësinë dhe simulimin emocional. Gjithnjë e më shpesh, njerëzit hasin ide të reja jo përmes argumentave të gjata, por përmes fragmentesh video 30-sekondëshe, apo postime të shkurtra të krijuara për të tërhequr vëmendje dhe jo për t’i ndihmuar njerëzit të kuptojnë një ide të caktuar.
Sipas Marriott-it, rezultat i gjithë kësaj është lindja e shoqërive që, teksa mbeten të afta për të lexuar, humbasin gradualisht aftësinë për të menduar rreth asaj çfarë lexojnë. Kultura që komunikojnë gjithmonë e më shumë përmes imazheve, zërit dhe sinjaleve emocionale në vend të arsyes së argumentuar nëpërmjet shkrimit. Pra, thënë ndryshe, shoqëri që teknikisht dinë shkrim e lexim, por që në aspektin intelektual dhe të mendimit, po rrëshqasin drejt diçkaje që i ngjan kulturës orale.
Për vende që vijnë nga një traditë e gjatë e kulturës së shkruar, një zhvillim i tillë është shqetësuar rreth implikimeve që mund të ketë në mënyrën se si organizohet jeta e vendit, apo bjerrja e institucioneve dhe demokracisë. Për Shqipërinë, nga ana tjetër, pasojat mund të jenë edhe më të çuditshme, duke qenë se kemi hyrë relativisht vonë në epokën e kulturës së shkruar.
Deri në gjysmën e shekullit të 20-të, ne ishim një nga shoqëritë me përqindjen më të lartë analfabetizmit në Ballkan e sigurisht edhe në Europë. Statistikat variojnë, por fundi i Luftës së Dytë Botërore e gjeti Shqipërinë me një shoqëri ku rreth 40% e njerëzve nuk dinin shkrim e lexim. Natyrisht që kishte një kulturë të shkruar, por ajo mbetej e izoluar tek një rreth i ngushtë intelektualësh, që rrallë herë arrinte shumicën rurale të popullsisë që përcaktonte strukturën sociale të vendit.
Regjimi i ashtuquajtur socialista që erdhi në pushtet pas 1945 nisi një nga fushatat më ambicioze të arsimimit, duke përhapur shkolla edhe në zonat më të izoluara të vendit, çka bëri që brenda pak dekadash, Shqipëria të kthehej nga një shoqëri në shumicë analfabete, në një shoqëri ku aftësitë bazë të shkrimit e leximit u bënë thuajse universale. Është i debatueshëm motivi pas kësaj fushate të regjimit diktatorial, që sigurisht kuptoi atë që kolonizatorët e parë kuptuan gjatë përpjekjeve të tyre për të konvertuar popullsitë vendase te kontinentit amerikan në kristianizëm: se është tepër e vështirë, madje thuajse e pamundur, të manipulosh mendjen e një popullsie që nuk di të lexojë. Njerëzit që jetojnë jashtë botës së tekstit mund të joshen me dhurata apo objekte që shkëlqejnë, por vetëm një shoqëri që lexon mund të joshet nga ideologjitë. Jo më kot intelektualët janë përgjithësisht viktimat më të mëdha të varësisë nga ideologjia.
Megjithatë, transformimi intelektual i shoqërisë shqiptare në periudhën e pasluftës ndodhi me një ritëm të jashtëzakonshëm dhe kjo ndoshta ka pasojat e saj. Nëse Europës Perëndimore iu deshën disa shekuj që të realizonte revolucionin e leximit, në Shqipëri ky tranzicion ndodhi thuajse brenda një gjenerate, por zakonet më të thella kulturore që shoqërojnë leximin nuk patën mjaftueshëm kohë të maturoheshin. Ndonëse shkrimi e leximi u përhapën masivisht në Shqipërinë “socialiste,” ato mbetën institucionale, të varura nga shkolla dhe një infrastrukturë kulturore e përqendruar në duart e shtetit. Në momentin sistemi ra në 1990-ën, edhe ngrehina institucionale që e mbante në këmbë këtë kulturë u dobësua në mënyrë thuajse të menjëhershme.
Njëkohësisht, televizioni në fillim dhe interneti e rrjetet sociale më pas, e transformuan sërish peizazhin e informacionit. Aq sa, tani një tjetër statistikë ka nisur të qarkullojë prej koësh dhe që është po aq shqetësuese sa ajo e vitit 1945.
Siç dihet tashmë nga vlerësimi ndërkombëtar PISA i vitit 2025, rreth 60% e të rinjve shqiptarë konsiderohen analfabetë funksionalë. Pra, teknikisht mund të lexojnë atë që shkruhet në një faqe, por kanë vështirësi në interpretimin e teksteve komplekse, apo në nxjerrjen e kuptimit nga pasazhe të gjata.
Kjo ngre pyetjen gati-gati paradoksale: Çfarë do të thotë për një shoqëri që të humbasë aftësinë për të lexuar, fare pak kohë pas përftimit masiv të saj.
Në shoqëri ku leximi ka formësuar jetën intelektuale për shekuj me radhë, humbja e tij përbën shqetësim ndaj ekuilibrit kulturor të vendosur prej kohësh. Zakoni i leximit në këto vende nuk ka qenë thjesht produkt i shkollës apo politikave shtetërore, por pjesë përbërëse e jetës së përditshme për disa gjenerata. Shqipëria, nga ana tjetër, ka ndjekur një tjetër trajektore, ku arsimi mbërriti në mënyrë të beftë dhe të menjëhershme rreth mesit të shekullit të 20-të, me arritje të jashtëzakonshme, por me pak ndikim në zakonet e përditshme të njerëzve. Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, sistemit social që e kish mbajtur në këmbë deri atëherë, i erdhi data e skadencës dhe rrethanat ndryshuan sërish, po papritur sa në post-1945-ën. Vendi hyri në epokën e printit shumë vonë, e jetoi atë me një shpejtësi të pabesueshme dhe sot, nën trysninë e mediave digjitale, rrezikon ta humbasë atë me po të njëjtin ritëm të çmendur që e fitoi.
Nëse ky interpretim është i saktë, atëherë ndoshta nuk po kalojmë nga një shoqëri e maturuar intelektuale në një shoqëri post-letrare. Ndoshta ajo që po përjetojmë është një përshpejtim historik edhe më i çuditshëm: një shoqëri e prekur për pak kohë nga bota intelektuale, e cila rrëshqet drejt një mjedisi të ri ku leximi nuk është më mediumi dominant përmes të cilit përftojmë dije.
Ky është një transformim i rëndësishëm, pasi leximi, përveçse transmeton informacion, disiplinon gjithashtu mendimin. Shkrimi lejon që idetë të fiksohen në letër, ku mund të analizohen dhe rishkruhen nëse është e nevojshme. Argumentet komplekse varen nga aftësia jonë për ta ndërtuar arsyetimin hap pas hapi dhe është jashtëzakonisht e vështirë të ndërtosh një zinxhir logjik nëse nuk je në gjendje ta hedhhësh mendimin në letër.
Komunikimi oral, nga ana tjetër, funksionon krejt ndryshe. Ai shpërblen urgjencën dhe rezonimin emocional. Një histori dramatike e rrëfyer bukur nga një zë karizmatik e tejkalon lehtësisht ndikimin e procesit të ngadaltë të arsyetimit dhe në momentin që leximi e humbet rolin e tij në jetën e përditshme, i gjithë ekuilibri mes këtyre dy mënyrave të të menduarit ndryshon plotësisht.
Kur shoqëritë largohen nga disciplina e argumentit të shkruar drejt komunikimit të dominuar nga zëri, imazhet dhe emocionet, edhe standardet përmes të cilave vlerosohen idetë fillojnë të ndryshojnë. Një nga shembujt më të dukshëm të kësaj është edhe lulëzimi në rritje i “magjikes” në sferën publike. Deri afërsisht një dekadë më parë, shëruesit alterantivë dhe doktorët çudibërës zinin një cep jo shumë të njohur të peizazhit mediatik shqiptar. Mund të shfaqeshin herë pas herë në emisione sensacionale dhe gjithmonë si forma argëtimi, njerëz me të cilët, një mbrëmje i lodhur nga puna, mund të qeshje ose t’i përqeshje për çmenduritë që flisnin. Horoskopët zinin gjithmonë të njëjtin vend në faqet e fundit të gazetave për të ofruar një lloj komforti të padëmshëm për shqetësimet e ditës, por nuk përbënin kurrsesi kornizën serioze përmes së cilës njerëzit interpretonin realitetin.
Sot situata ka ndryshuar dukshëm. Personazhe që ofrojnë terapi mistike apo kura çudibërëse mbajnë vende gjithnjë e më qendrore në hapësirat e medias mainstream. Pretendimet e tyre, nga historia e gjuhësia tek shëndetësia dhe gjeopolitika, qarkullojnë lirisht dhe rrallëherë përballen me procesin e ngadaltë të analziës që kërkonte dikur argumenti i shkruar.
Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se shoqëritë po bëhen më iracionale, por të lë të kuptosh se filtra kulturor përmes të cilit idetë kalonin dikur, është dobësuar ndjeshëm dhe kur transformim ndërthuret me frustrimin ekonomik, pasojat politike mund të bëhen vërtet serioze.
Shqipëria sot përshkruhet si një vend që po jeton kohën e vet më të begatë, ndonëse mund të debatojmë se çfarë nënkupton begatia në të vërtetë. Por, ekonomia dhe konsumi janë rritur dhe integrimi me Europën është thelluar. Megjithatë, krahas kësaj narrative progresi ekziston edhe një realitet tjetër ku një numër gjithnjë e më i lartë njerëzish ndihen të përjashtuar nga këto mundësi të reja. Zona të tëra të vendit që vazhdojnë të zbrazen, ndërsa të rinjtë emigrojnë jashtë. Pabarazia mes zonave urbane dhe rurale, por edhe brenda vetë qyteteve kryesore, mbetet e thellë.
Në rrethana të tilla, është e lehtë që frustrimi i shumicës të kërkojë të shprehet emocionalisht dhe jo përmes shpjegimeve analitike. Nëse krahas kësaj edhe kultura e leximit vazhdon të dobësohet, sfera publike do të bëhet edhe më e brishtë dhe e ndikueshme nga narrativa që mbështeten tek emocioni, pakënaqësia dhe mllefi.
Dhe nuk mund të mos vësh re se si shpesh, figura politike që dikur mudn të shpërfilleshin si kureshtje të çuditshme, sot avancojnë në pozita me ndikim të vërtetë në shoqëri. Spektakli i personazheve të paaftë të thurin një argument koherent, të cilët shkruajnë e votojnë ligje që qeverisin miliona, dikur do të tingëllonte absurd, por tanimë shfaqje të tilla nuk janë normaliteti ynë i përditshëm.
Nga ana tjetër ka gjithashtu forma më të lehta të transformimit konjitiv të shoqërisë, por që sa vjen e bëhen më te dukshme në jetën e përditshme. Shumë mësues dhe punëdhëns raportojnë se një numër i lartë njerëzish e kanë të vështirë të ndjekin edhe udhëzimet më të thjeshta të shkruara. Vështirësia nuk qëndron tek paaftësia për t’i lexuar fjalët, por tek procesimi i sekuencave të informacionit.
Duket sikur kemi të bëjmë me një lloj përmbysjeje ndërbreznore. Shumë shqiptarë, veçanërisht millennials, i kujtojnë ende gjyshërit e tyre – veçanërisht gjyshet, të cilat u rritën në një mjedis rural thellësisht patriarkal – dhe për rrjedhojë shumica nuk mundën të mësonin shkrim e lexim. Megjithatë, ne kujtojmë po ashtu se nëse mund t’iu shpjegoje diçka qartësisht, ato të kuptonin dhe mund t’i ndiqnin udhëzimet. Ndërkaq, sot po ndodh e kundërta. Njerëz që formalisht dinë të shkruajnë e lexojnë, e kanë të vështirë të ndjekin edhe instruksionet më bazike, edhe kur iu shpjegohen në mënyrë të qartë. Nëse shumë prej nesh u rritën me gjyshër që natyrisht ishin burra patriarkalë, mund ta kujtojmë këmbënguljen që vajzat dhe mbesat e tyre duhet të arsimoheshin, pasi edukimi përfaqësonte dinjitet dhe një lloj avancimi në shoqëri. Sot, ndërkaq nuk është e pazakontë të takosh djem të rinj, botëkuptimi i të cilëve – ndikuar nga influencuesit e rrjeteve sociale – është edhe më konservator se ai i gjyshërve apo hera-herës edhe i stërgjyshërve të tyre.
Nëse revolucioni i leximit ndihmoi në hedhjen e themeleve intelektale të qytetërimit modern, sot me gjasë jemi përballë fazave të para të një transformimi, pasojat e të cilit ende nuk i kuptojmë plotësisht.
Kjo nuk do të thotë se po rrëshqasim realisht në një mesjetë të re të errët. Aftësitë tona teknologjike janë shumë më të përparuara se çfarë shoqëri më të hershme njerëzore mund të imagjinonin. Megjithatë, ka një paradoks të pazakontë në zemër të këtij momenti që po jetojmë: për herë të parë kemi akses në dije të pafundhme, e megjithatë zakonet kulturore të nevojshme për ta procesuar atë, po humbasin.
Nëse epoka e shtypit ndihmoi në krijimin e mendjes moderne, epoka pasuese mund ta riformësojë atë mendje në diçka që ngjan frikshëm e antike.
...edhe te re,edhe te erret....????
Prit tani kur te na botojne edhe romane ne gazete!
Bjorn-in e pëlqej, bile edhe në këtë shkrim, por më duket ka një shkarje arsyetimi kur thote që ndërsa komunistët (sipas tij “të ashtuquajturit socialistë) kryen një punë kolosale për arsimimin e popullsisë (të cilën e gjetën analfabete – sipas Runës 40%, sipas të tjerëve deri 90%) motivet për këtë sipas Runës ishin: “se është tepër e vështirë, madje thuajse e pamundur, të manipulosh mendjen e një popullsie që nuk di të lexojë”. Por Mariott në esenë të cilës Runa i referohet në krye të shkrimit thotë të kundërtën. Ishte analfabetizmi që mbante në këmbë feudalizmin (për shkak të mosdijes dhe manipulimit të popullit me vullnetin hyjnor që mbante feudalët në fron) ndërsa leximi e bëri të vështirë manipulimin, pasi i krijoi mundësinë masës të njihte fakte e të formulonte pyetje të hidhura për rregjimin. Pra të jemi të sinqertë, një rregjim komunist që arsimon në masë popullsinë, që ngre universitete, akademi, kulturë (teatro, estrada, 14 filma në vit, festivale teatrore dhe artistike të ndërmarrjeve) dhe që nga ana tjetër i mëson armët gjithë popullsisë dhe bile një kontigjent prej këtyre armëve u lejohej një kategorie të zgjedhur popullsie t’i mbante në shtëpi, një rregjim i tillë, ka nevojë të analizohet më objektivisht, pa syza fanatiku, qoftë ky nostalgjik i të djeshmes apo propagandues mistrec i ekonomisë së tregut me gjithë pasojat që po ndjejmë në lëkurë çdo ditë
Dono o me qenke i ngeshëm!!!
Megjithese i lexoj shkrimet e tua, Bjorn, se ne to gjej disa ide e mendime interesante, ky shkrim me duket pak kontraversal, i tejzgjatur dhe pa i vene pikat mbi i Analfabetizmi u sherben vetem sistemeve e regjimeve te prapambetura e shtypese. Iluminimi mendjes njerezore nepermjet arsimimit e con shoqerine perpara. Pike. Se si do te vazhdoje ky proces me zhvillimet e reja te teknologjise e te inteligjences artificiale, mbetet nje ceshtje per t'u pare dhe nje teme e hapur per diskutim.
Një pyetje kisha: kur je i bindur që 60% e të rinjve janë analfabetë funksionalë, ju vetë për kë shkruani kaq gjatë?? Kë prisni t'ju lexojë? Ata pak që lexojnë e dinë këtë njësoj si ti, por nuk mund të bëjnë asgjë se është fenomen global. Pra zoti Runa ju po i bini daulles në veshin e shurdhër.
INJORANCA, SI GJITHNJE, DO TA ZHYSE BOTEN NE CIKLE TE NJEPASNJESHME, NGA DALLAVERJA NE LUFTE DHE NGA LUFTA NE DALLAVERE!