Polici i fshatit dhe rrugaçi i fshatit

7 Mars 2026, 10:00Blog TEMA
Polici i fshatit dhe rrugaçi i fshatit

Nga Thoma Gëllçi

Në çdo fshat ekzistojnë zakonisht dy mënyra për të mbajtur rregullin. E para quhet ligj. E dyta quhet frikë. E para përfaqësohet nga polici i fshatit. E dyta nga rrugaçi i fshatit.
Nga larg mund të duken të ngjashëm. Të dy ndërhyjnë kur ka zhurmë, kur ka sherre, kur dikush kalon kufirin e arsyes. Të dy u thonë njerëzve: “Këtu ka një rregull.” Por në të vërtetë ata janë dy botë krejt të ndryshme.
Polici i fshatit përfaqëson një rregull që nuk është i tij. Ai është vetëm zbatuesi. Ligji është shkruar diku tjetër, nga njerëz që ai nuk i njeh, në libra që zakonisht janë më të trashë se blloku i tij i gjobave. Kur polici ndalon dikë, ai nuk flet në emrin e vet. Ai flet në emër të një rregulli që duhet të vlejë për të gjithë.
Kjo është forca e tij, por edhe kufiri i tij.
Sepse polici nuk mund të bëjë çfarë të dojë. Ai duhet të justifikojë çdo veprim. Ai duhet të ketë arsye. Ai duhet të ketë procedurë. Nëse gabon, mund të japë llogari. Me një fjalë: policit i kërkohet të jetë i drejtë, edhe kur është i fortë.
Rrugaçi i fshatit nuk ka këto probleme.
Rregulli i tij është shumë më i thjeshtë: ai është vetë rregulli.
Ai nuk ka nevojë për libra, për procedura apo për vula. Mjafton reputacioni. Mjafton që njerëzit ta dinë se kur ai flet, pas fjalës vjen edhe grushti. Në këtë kuptim, rrugaci ka një efikasitet që çdo administratë do ta kishte zili.
Një sherr në kafene mund të zgjasë dy orë nëse zgjidhet sipas ligjit. Me rrugaçin mund të zgjasë dy minuta.
Por problemi është se rrugaçi nuk e ndan drejtësinë nga humori i vet. Sot mund të jetë në anën e të drejtës. Nesër mund të jetë në anën e shokut. Pasnesër në anën e atij që bërtet më shumë.
Rrugaçi nuk ka ligj. Ka vetëm territor.
Ndërsa polici ka një kufizim të rëndësishëm: ai duhet të trajtojë të gjithë njësoj, edhe kur nuk i pëlqen.
Këtu qëndron dallimi i madh mes tyre.
Rrugaçi vendos rend sepse njerëzit kanë frikë prej tij.
Polici vendos rend sepse njerëzit duhet të respektojnë ligjin.
Frika funksionon shpejt, por është e paqëndrueshme. Ligji është më i ngadaltë, por është më i qëndrueshëm.
Në një fshat ku sundon rrugaçi, rregulli varet nga forca e një njeriu. Në një fshat ku sundon ligji, rregulli varet nga një marrëveshje që është mbi të gjithë.
Kjo është arsyeja pse policët mund të ndërrohen, por ligji mbetet.
Ndërsa rrugaçët nuk ndërrohen lehtë. Ata zëvendësohen vetëm kur del një rrugaç më i fortë.
Dhe ky është dallimi i vërtetë mes dy mënyrave të mbajtjes së rregullit:
njëra mbështetet te rregulli që është mbi njerëzit,
tjetra te njeriu që vendos të jetë mbi rregullin.

8 Komente

  1. N
    NACIONALISTI

    POLICI NUK ESHTE VETEM NE FSHAT. POLICI ESHTE DHE NE QYTET EDHE NE ELEKTRIK EDHE NE UJSJELLES EDHE NE NOEDHE E PYLL POLICI ESHTE KUDO. POR PROBLEMIESHTE QE RRUACIN E KANE ME SHUME FRIKE SE POLICI SEPSE RRUGACI MBROHET NGA DREJTESIA

    Përgjigjjuni
    1. P
      Per korrektese

      Nacionalisti. Thomai nuk tha nje gjë. Që Shqipëria është nje fshat i madh, i qeverisur nga disa rrugeçë, disa rrugeçë te hapur, disa te maskuar si deputetë, kryeministër, kryetar partie i opozitës, prokurorë, apo gjykatës. Prandaj, polici i shkretë nuk di çfarë te bëjë - rrugeçë ketej, rrugeçë andej.

      Përgjigjjuni
      1. I
        Irredentisti

        Njaq mend ka Nacionalisti! zoti për Korrektes.

        Përgjigjjuni
    2. K
      Kalesh Tana

      Nacjonalist njė bravo tē madhe ke plotēsisht tē drejt. Respekt pėr komentin tēnd.

      Përgjigjjuni
      1. N
        Nul Moka

        Azem Hajdari i fshatit, të kishe thënë.... Por juve nuk lejohet ta thoni.

        Përgjigjjuni
        1. C
          Cfurku

          -------------Thoma,--------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------por kur nuk e dallon dot------------------------------------------------------------------------------------------------------------------- policin nga rrugaçi--------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------ke ngel në klasë?!!!!.-------------------------------

          Përgjigjjuni
          1. a
            albatros

            Në fshat dhe në qytet, kudo ky raport midis policit e rrugaçit njëlloj është

            Përgjigjjuni
            1. w
              ww

              Zoteri, e para nuk na the me ke je TI, dhe e dyta duket deshe me na thene se kush eshte POLICI I SHqiperise dhe kush eshte Rrugaci, po duket se nuk e ke gjet, AKOMA.

              Përgjigjjuni

              Lini një Përgjigje