Një shtesë për konferencën e Ministres së Shëndetësisë

5 Mars 2026, 18:47Blog TEMA
Një shtesë për konferencën e Ministres së

Nga Dritan Hila


Për shkaqe personale e ndoqa me vëmendje konferencën e shtypit të Ministres së Shëndetësisë dhe meqenëse po e provoj në vetën e parë shërbimin spitalor, çka nuk më bën fare ekspert, më nxitën të them edhe mendimin tim, si konstatues dhe asfare si zgjidhës problemesh.

Si fillim, shërbimi shëndetësor përpara së gjithash ka nevojë për një buxhet minimalisht tre herë më të madh sesa e ka sot. Mjafton të bëjmë një krahasim, ku një vend evropian si Italia shpenzon 2.200 €/për banor, ndërsa ne vetëm 200 €, evidenton hendekun e madh mes dëshirave tona dhe realitetit.

Për shembull, është në të drejtën e pacientëve të kërkojnë gamën e plotë të preparateve, por nëse një imunoglobulinë kushton 180€/2.5 gr dhe të duhen 2 deri në 10 të tilla në ditë, sipas llojit të terapisë, atëherë paguaj kur je i shëndoshë që ta kesh në ditën e hallit. Në të kundërt, mjekët vendosen në dilemën kush është prioritar. Nuk po përmend flebot, shiringat, dorezat, antibiotikët që shkojnë lumë. Rrugëzgjidhja është vetëm rritja e kontributit të individëve të paktën me tre herë dhe diferenca nga buxheti, duke shkurtuar ndoshta investimet në infrastrukturë, që të mundemi të ruajmë krahasueshmërinë me një mjekësi njerëzore.

Ambientet e spitaleve nuk kanë të krahasuar me të shkuarën sa i takon pastërtisë dhe shërbimit hotelier. Koha që kam kaluar në repartin e nefrologjisë, më ka bërë të kuptoj se rregulli dhe pastërtia nuk është rastësi. Vlen kjo edhe për repartet e tjera. Por forca e shefave të shërbimeve deri këtu është. Të tjerat janë probleme sistemike dhe buxhetore.

Bën përjashtim urgjenca, e cila më shumë të kujton një spital ukrainas në vijën e frontit. Krevate të sajuara, të pista, ku ke fat nëse të shtrojnë një letër dhe shpesh herë pacientët lihen në shtretërit e ambulancës që i sjell. Dhe personeli i këtij shërbimi është i pakët dhe nën stres. Kohëzgjatja aty varet nga shtretërit bosh që mund të jenë në pavijone. Urgjenca kudo në botë mbahet si vendi i ferrit sa i takon presionit nga llojshmëria e prurjeve, por ajo shqiptare i tejkalon.

Pa përmendur faktin që tashmë ambulancave duhet t’u ndërrohen amortizatorët pasi duken sikur kanë patkonj në vend të tyre dhe t’u bëhet një riparim i plotë interior.

Personeli i reparteve mjekësore është i pakët. Infermiereve u del koha vetëm të ndërrojnë flebot dhe sa mbaron i fundit i ka ardhur radha të parit. Kjo kompensohet me praninë e të afërmve të cilët jo gjithmonë njohin rregullat e higjienës dhe edukatës spitalore dhe e shumta shërbejnë si zile që të lajmërojnë infermierët për ndonjë hall, duke e rritur më shumë stresin e tyre.

Inaugurimi i spitaleve ka kaluar dhe tani jemi në fazën e zëvendësimit të pajisjeve. Reanimacioni ka probleme me monitorët dhe krevatet ku asnjëri nuk i ka të gjitha funksionet. Personeli i tij pa frikë mund të quhen heronj, por kur vala e pacientëve të mbyt, asnjëri nuk ka çfarë bën.

Koeficienti i shfrytëzimit të krevateve është i tejngopur dhe e kalon shifrën 130% nga 75-80% që duhet të jetë ai normal. Përndryshe pacienti mbetet i magazinuar tek urgjenca. Natyrisht që ekziston varianti i spitaleve private, por aty pagesat janë të tilla që duhet të shesësh shtëpinë dhe shërbimin e merr nga studentë stazhierë ose mjekë që pasi janë lodhur në shërbimin publik, shkojnë te privati.

Pagesat e personelit janë të ulëta kur mendon se sot nuk gjen punëtor krahu të pakualifikuar që nuk kërkon 800 € në muaj. Ndërsa ky është profesion ku punohet mes infeksioneve dhe jashtëqitjeve.

Nuk do të ishte keq të mendohej edhe sistemi italian, ku mjekët mund të zhvillojnë aktivitet privat në ambientet shtetërore kundrejt qirasë, për të shmangur trafikimin e të sëmurëve ose vendosja e një tarife qoftë edhe 10% të asaj që shteti harxhon për një shtrat, që të shkonte në favor të personelit.

Ç’ka m'u duk risi, ishte projekti për shërbimin geriatrik. Me një popullsi në plakje dhe shpesh me familje të përgjysmuara nga emigracioni, ky është urgjent. Dikur fëmijët ishin fondi i shëndetit kur plakeshe. Sot që kanë ikur shumë prej tyre, pensionistët janë në dorë të shtetit.

Edhe kur kanë fëmijë, të moshuar të paralizuar apo që kanë nevojë për rehabilitim, sot janë në ngarkim të fëmijëve, të cilët nëse nuk duan të humbasin vendin e punës, u duhet t’u drejtohen grave që nuk kanë kualifikimin e duhur ose shoqërive të specializuara në këtë fushë por të papërballueshme financiarisht për njeriun normal. Shtëpitë e rehabilitimit tashmë janë një urgjencë e kohës. Si rrugë e ndërmjetme mund të jetë subvencionimi nga shteti dhe bashkitë e punonjësve ndihmës.

Dhe një nga problemet imediate në morinë e problemeve të shëndetësisë është edhe ajo e fizioterapistëve ku rrjeti është i mbushur me magjistarë çudibërës, por që shumë pak kanë njohuri reale për rehabilitimin e personave të dëmtuar.

Mjekësia është fronti i ri dhe më i rëndësishëm i këtij vendi më shumë se çdo sektor tjetër. Nëse nuk duam të largohen dhe të kthehen ata që kanë ikur, fillon nga mjekësia./dritare.net

8 Komente

  1. A
    Agron

    Bravo z.Hila problemin e shèndetèsis e ke trajtuar shumè drejtè unè dotè theksoja sidomos buxhetimin dhe rritjen e detyrimit nga tè punsuarit 2-3 here mè shumè nga sa paguajnè sot,ndryshe gjèndja nuk pèrmirsohet.

    Përgjigjjuni
    1. R
      Roja

      Vlora urgjencen e ka permiresuar ndjeshem Ambulanca te vjen urgjent . Sherbimi i urgjences i shpejte ,i kualifikuar.

      Përgjigjjuni
      1. D
        Doktorri

        Më e forta është propozimi: -- Mjekët të zhvillojnë aktivitetin privat në ambientet shtetërore, kundrejt një qiraje............. - Po cili mjek pranon të paguajë qera . Ata kanë 35 vjet që ushtrojnë aktivitet privat në këto ambiente.

        Përgjigjjuni
        1. S
          Shtoni buxhetin

          Po në Itali nqs një mjek punonte në spital jashtë orarit të punës bënte kontratë me spitalin dhe nga pagesa që merrte nga çdo pacient i jepte shtetit, spitalit 40% të pagesës kurse 60% i mbante vetë sigurisht duke paguar në shtet tatimin mbi fitimim. Kjo Mund të aplikohet dhe këtu. Mjeku la nje sekretare me një numër teëefoni të shpallur dhe ajo orgamizon të gjithë aktivizetin e mbaspunës.

          Përgjigjjuni
          1. D
            Dan

            Pa e vendosur emrin autori, e kuptoj menjëherë nga stili se cili e ka shkruar. Arsimi dhe shëndetësia janë shtyllat kryesore të karabinasë ku jetojmë. Deri tani, kjo karabina është një barrakë mjerane që në çdo moment mund të na bjerë në kokë. Me sa kanë banorë ngelur këtu e me sa janë vjedhur rregullisht pa mëshirë, karabinaja jonë duhet të ishte hotel me 7 yje.

            Përgjigjjuni
            1. V
              Vjosa

              Te pergezoj per shkrimin dhe problemet qe ngre ZOTI HILA . Problemet jane te shumta . Duke e prekur ne vete te pare nje vizit per MELANOM nuk mund te behet me sy te lire .Por mjeku qe beri kete vizite duke mos pasur APARATURAT e duhura nuk mud te vepronte ndryshe .

              Përgjigjjuni
              1. V
                Vjosa

                Te pergezoj per shkrimin dhe problemet qe ngre ZOTI HILA . Problemet jane te shumta . Duke e prekur ne vete te pare nje vizit per MELANOM nuk mund te behet me sy te lire .Por mjeku qe beri kete vizite duke mos pasur APARATURAT e duhura nuk mud te vepronte ndryshe .

                Përgjigjjuni
                1. K
                  Kurizo

                  S ka pse e pergezonin z.Hila! Sikur zbuloj Ameriken! Këto janë probleme që janë “ lakuar “ në të gjitha rasat dhe menyre të vazhdueshme. Midis rjeshtave une shohe që me shumë sesa problemet z.Hila ka dashur të shoreh mirenjohjen për personelin e nefrologjise, dhe mirë ka bëre.

                  Përgjigjjuni

                  Lini një Përgjigje