Dy dëshmorët nga Ishmi e Lazarati, te Pazari i Ri po presin Këshillin Bashkiak  !      

23 Tetor 2022, 16:26Blog Nga Kristo  MËRTIRI

         

Dy dëshmorët nga Ishmi e Lazarati, te Pazari i Ri po presin

                        Mbrëmë, një faqehënë vjeshte e ndritur po binte qetësisht mbi qiellin e Pazarit të Ri në Tiranë. Shitësit e tezgave ambulante nisën ritualin e përnatshëm duke mbledhur mallrat për në magazinat e nëndheshme. Në mëngjes do i nxjerrin prapë me krahë, për t’i cuar në vendin e caktuar…Përballë markatës së peshkut, një udhëtar i vëmendshëm mund të ngadalësojë hapat vetiu dhe të lexojë dy rreshta të thatë në një pllakë përkujtimore gati rrafsh me tokën(!).

Fiks si sot, 80 vite më parë, fashistët italianë dhe shërbëtorët e tyre sahanlëpirës torturuan, masakruan dhe varën në litar një djalosh që sapo kishte vënë brisk në faqe. Ishte komunist i orëve të para, një nga trimat e shquar antifashistë të Njësiteve Guerile të Kryeqytetit, Shyqyri Ishmi. Ishte lule në lule të rinisë. Ishte vetëm 20 vjec !...(Pak metra më tej, nën një skelë të rëndomtë ndërtimi, dy vjet më vonë nazistët gjermanë dhe kallauzët shqiptarë të shitur e të neveritur nga populli i thjeshtë, ashtu të lidhur kokë e këmbë me zinxhirë e gjysëm të vdekur nëpër qelitë e Gestapos, 30 vjecarin Muhamet Gjollesha do e varnin në litar !

Gati 40 vite më parë, unë kam parë një foto origjinale të kësaj skene makabre, aty, në Pazarin e Ri. Nuk më shuhet kollaj nga memoria, bashkë me thirrjen e vetme të tij “Rroftë Shqipëria !”…Thirrje që nuk u dëgjua vetëm në Tiranë, por edhe në Lazarat të Gjirokastrës, në Shkodër e Mat ku ka punuar dhe ku e deshën shumë. Vetëm një budalla a një pinjoll i ishkolaboracionistëve të fëlliqur, mund të guxojë të hedhë baltë mbi ish komunistët e ndershëm e patriotë të thekur !...)

                        Një grup turistësh të huaj kaluan indiferentë. Dy emigrantë shqiptarë të ardhur pas disa viteve në mëmëdhe, ndaluan, dicka tregonin e debatonin me njeri-tjetrin. Pyetën edhe një punëtor me arkën e rrushit mbi sup. –Kush dhe përse e kanë prishur lapidarin e mirënjohur që nga fëminia ? Apo luftojnë me topuz si “antikomunistë” të vonuar ?...

                        -Ore zotëri, ne na thanë se “prishte bizneset”,-u përgjigj disi ironik punëtori tiranas.-Tani thuhet se do e rregullojnë prapë ata të Bashkisë, por unë, vallahi, nuk besoj shumë. Ashtu kanë thënë edhe për ca gjëra të tjera, por asgjë nuk ka lëvizur…

                        Nga sot, rrodhën plot 80 mëngjese 22 tetorësh të larë në dritë e heroizëm. 80 herë ka pikuar vesa e mëngjezit si pika loti, aty, në Pazarin e Ri(të rikonstruktuar). Atëhere vjeshta nuk vinte si sot në pyllin rreth Liqenit Artificial të Tiranës, ku shpesh të duket vetja “si në galeritë e artit”. Atëhere kjo stinë vinte me plumba; barot; pranga; klithma e ura zjarri; qelira; litarë e zinxhira në trekëmbsha etj. Vallë,kujt i vriste sytë Lapidari për dy heronj e dëshmorë të Atdheut ?! N

ga ky veprim i papërgjegjshëm e karcinllëk aguridh(më e pakta), Rustem Peci i paharruar u dëshpërua shumë. Prandaj protestoi hapur e publikisht ! Paska bërë letër edhe Organizata e Familjeve të Dëshmorëve të Tiranës, por deri më sot mërmëritet jo pa zemërim ajo shprehja: Fol, o gur, fol o mur ! Zotërinjtë e Këshillit Bashkiak dhe ata të Bashkisë, nëse marrin pjesë në 80 vjetorin e varjes në litar të 20 vjecarit Hero i Popullit, Shyqyri Ishmi, c’farë do u thonë pjesmarrësve e qytetarëve te Pazari i Ri ? Apo janë coroditur e cmeritur nga Kullat frymëmarrëse e paradhënëse në kryeqytet ? Lapidarët e Dëshmorëve të Lirisë e Demokracisë së vërtetë, janë e do të mbeten përjetësisht Kryekullat e shenjta e të shtrenjta të patriotizmit e heroizmit shqiptar. Se nuk thonë kot: Trimëria dhe Liria janë si nëna dhe bija ! Apo sot në kapitalizmin shqiptar “nuk ka heronj, ka vetëm pehlivanë”?...

                        -Sa herë kaloj te ky vend vakëf dhe kur rastis që pak metra më tej këndon hoxha në minare, kujtoj djaloshin e qeshur Shyqyri Ishmi,-më thosh pardje një miku im, ish pedagog i Historisë, tani në pension.-Pak sekonda para vdekjes, fashistët dhe prapanicalëpirësit e tyre donin të dukeshin si “njerëz të Zotit”(!). Befas shfaqet hoxha. Ashtu i masakruar mizorisht, tregojnë sot e kësaj dite se Shyqyriu ndërhyri menjëherë:”-Largohu, o hoxhë, prej këndej ! Nuk është Zoti që po ma merr shpirtin, por asht fashizmi…”. Ndërsa litari po i shtrëngohej pa mëshirë, mundi të thërriste dy fjalë:”-Poshtë Fashizmi !”.

Aty, te Pazari i Ri, ku dje mjaft fashistë e kuislingë të zinj tradhëtorë “në vend të pushkës zbraznin pjata”, sot ndoshta zbrazen, fshihen, thyhen e lëpihen më shumë nga barkplotët e gushëndriturit prej gjerdanëve të argjendarive brenda e jashtë vendit. Dhe zërat e këputur të lypsarëve cajnë qetësinë e rreme të Pazarit ! Në fund po pyes unë: Nga kush keni frikë ju bij e bija partizanësh, ju nipër e mbesa pasardhës(me tesera të majta e të djathta), ju namuzqarë e pa namuz në Këshillin Bashkiak të Kryeqytetit ?! “Se kush u shit e shkrojti historia”. Ëndrra e bukur kapitalisto-demokratike po rënkon thellë. “Revolucionarët” pasanikë të Polit(h)ikës vazhdojnë të bëjnë thirrje për “revolucion” përmes luksit të tyre të shfrenuar !...Ndërsa vargu kuptimplotë agollian na troket përditë:“ Sërishmi të rënët nga varret kokën përgjakur e conin,/ Nën qiellin me tym, mbi tokën me breshër,/ Dhe grykat e lashta me plagë rënkonin:/-A erdhi ëndrra e madhe që pritëm,vëllezër,/ Në rrugë ka gjemba dhe ndoshta vjen nesër !”…

                        Mirëpo, edhe koha as lidhet e as varet me litar. Dy dëshmorët nga Ishmi e Lazarati, te Pazari i Ri po presin Këshillin Bashkiak të Tiranës !                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                  

12 Komente

  1. M
    MAJAKOVSKI

    Shume Respekte per ju zoti Mertiri. Ky shkrim nuk duhet lexuar pa mendim por duhet lexuar me vlersim dhe reagim popullor. VFLP

    Përgjigjjuni
    1. S
      Shqiptar

      Nje bravo te madhe o patriot i shquar. Zoti te dhente jete e shendet .

      Përgjigjjuni
      1. H
        Himarioti

        Bravo, Z. Mërtiri! Kombi i ynë, sot ka shumë nevojë për zerin e njerëzve të mençur, patriotë dhe të ditur, si ju! Kombi është në rrezik, ndoshta më shumë se asnjëherë tjetër, nga vetpushtimi fashist. Era e fashizmit po frynë mbi kombin tonë; ajo ndjehet kudo, në politikë, pushtet dhe shtet.

        Përgjigjjuni
        1. K
          Kosta

          Jam shume I prekur dhe indinjuar nga papergjejgjeshmeria e ketyre keshilltareve dhe bashkijakut te Tiranes per kete.Mos haroni se jetoni mbi gjakun e ketyre HERONJEVE.

          Përgjigjjuni
          1. K
            Kosta

            Turp per keshilltaret dhe bashkine e Tiranes.

            Përgjigjjuni
            1. Z
              Zeneli

              Si mundet Bashkia e Tiranes te bjere kaq poshte? Nuk mund te shuhet historia, te lavdishmit e rene, me endrat per nje Shqiperi te lire, me idealin e tyre te pavdekshem. Shyqyri Ishmi dhe Muhamet Gjollesha nuk mund te harrohen kurre. Lavdi vepres se tyre. Mirenjohje Kristo!

              Përgjigjjuni
              1. S
                Sopoti

                Jam nje qytetare qe kam gjyshin deshmor dhe 3 partizan ne familjen time. Kam lajmeruar komitetin e veteranevee qe kur filloi te prishet lapidariqe u zevendesua me vone vetem me nje pllake. P roblemi eshte se pllaka ka qene jashte prones se markets se peshkut dhe ishte treguesi i kufijve te prones se Markates e cila ka pushtuar mbi 1000 metra toke rreth e rrotull Prandaj zoti Kristo as mos u mundo fare se nuk ke per te arritur gje ..Pergjigja qe te kane dhene ty eshte artikuluar qe nje vit me pare .nga bashkia . Ndoshta keta nuk zgjidhen më. Si I behet. ? Dhe Lapidari aty eshte ngritur me vendim te nje bashkie te mepareshme se ndryshe tere Tirana duhet te prishet se eshte ndertuar me vendime te bashkive te mepareshme.

                Përgjigjjuni
                1. S
                  Saimiri

                  Shqetesim i drejte, harramet po shkelin mbi gjakun e atyre te rinjve qe para atdheut trimat e ktij vendi nuk vune kerkend. E tmershme. Qeveria duhet te marre vendime konkrete per te perjetesuar vepren e te renve per liri. Ky do te ishte reagimi me i vleresuar. Kristo, shyqyr qe u kthehe ktyre temave te rendesishme. Faleminderit njemij here.

                  Përgjigjjuni
                  1. A
                    Agim

                    Te lumte mendja,zemra e dora Kristo Mertiri! Shkrim antiligji. Bravo te qofte.!

                    Përgjigjjuni
                    1. M
                      Mira

                      O servile te Bashkise se Tiranes, po qe se doni t'i japim voten perseri Erion Veliajt, ne vend te lajkave duhet t'ia lexoni kete shkrim te shkelqyer te gazetarit te lindur Kristo Mertiri.

                      Përgjigjjuni
                      1. D
                        Drina

                        Me Lapidarin fshihet korrupsioni I bashkise me pronarin e Markates ae Peshkut . Eshte vjedhje e hapur e prones publike, Me siguri shume shpejt aty do te ndertohet nje kulle ,me pjestar pronaret e bashkise se Tiranes

                        Përgjigjjuni
                        1. A
                          Ajaz Rustemi

                          Nje shkrime me vlera qe i lumte dora e mendja zotit Kristo Mertirit !

                          Përgjigjjuni

                          Lini një Përgjigje