Nga Gentian Gaba
Në një kohë kur Departamenti Amerikan i Shtetit ka vendosur t’u ndalojë diplomatëve të komentojnë për drejtësinë dhe legjitimitetin e zgjedhjeve në vendet e huaja, një ndryshim i thellë nga misioni normativ i SHBA si promotore e demokracisë, në favor të një qasjeje realiste që fokusohet në interesat e ngushta strategjike, Shtetet e Bashkuara kanë zgjedhur pak ditë më parë të zgjasin edhe për një vit tjetër “Emergjencën Kombëtare” në Ballkanin Perëndimor.
Në sipërfaqe, këto dy zhvillime duken të pavarura.
Dokumenti i Rubio shënon një shkëputje nga tradita Uilsoniane e politikës së jashtme amerikane, që besonte në eksportimin e demokracisë si mjet për paqe dhe stabilitet, në favor të një qasjeje trumpiste, realist-pragmatike, që ngre interesin kombëtar përpara çdo ideali.
Por në realitet, ato përbëjnë dy anë të së njëjtës medalje: një tërheqje nga mbrojtja aktive e demokracisë, e shoqëruar me një qëndrim të ashpër mbikëqyrës në prapaskenë, në emër të interesave strategjikë amerikanë.
Dokumenti i Rubio e bën të qartë: komentet publike mbi zgjedhjet do të kufizohen, përveç rasteve me interes të qartë të politikës së jashtme amerikane. Me këtë logjikë, edhe zgjedhjet më të korruptuara mund të kalojnë pa vërejtje, për aq kohë sa nuk përplasen me interesin strategjik të Uashingtonit.
Por ndërkohë, zgjatja e urdhrit ekzekutiv për Emergjencën Kombëtare në Ballkanin Perëndimor, sinjalizon një tjetër realitet: SHBA vijon ta konsiderojë rajonin si të paqëndrueshëm, të ndjeshëm ndaj ndikimit rus, korrupsionit, destabilitetit dhe rrjeteve të paligjshme të pushtetit.
Në mënyrë paradoksale, SHBA po heq dorë nga retorika morale, por jo nga instrumentet e presionit strategjik në rajon.
Në këtë vakuum të ri moral që krijon heshtja amerikane, procesi i integrimit europian mbetet rruga e alternative që kërkon nga ne standarde të qarta për zgjedhjet, institucionet dhe shtetin ligjor.
Por problemi qëndron se deri tani BE nuk ka shfaqur të njëjtën forcë ndërhyrëse si SHBA. Nuk ka sanksione individuale si ato të Uashingtonit, nuk ka ambasada me peshë vendimtare në opinionin publik vendas si dikur, dhe në shumë raste, i mungon edhe vullneti për konfrontim të drejtpërdrejtë me klasën politike lokale.
Kjo do të thotë se ngarkesa për të mbrojtur demokracinë në Shqipëri do të bjerë më shumë mbi vetë shoqërinë shqiptare, median, opozitën dhe institucionet vendore, në një kohë kur shumë prej tyre janë të delegjitimuar ose inekzistente.
Në këtë kontekst, Shqipëria ndodhet mes një SHBA-je pragamtiste dhe pranë realpolitikës, por e ndëshkon në mënyrë kirurgjikale kur i cenon interesat, dhe një BE-je që të kërkon të bësh reformat vetë, ende e brishtë në ushtrimin e bastunit dhe karotes.
Në këtë realitet të ri, Shqipëria duhet të mësojë të ecë pa patericën morale të SHBA-së, por nën vëzhgimin e saj të ftohtë. Dhe kjo është një sfidë që kërkon karakter, vetëdije qytetare dhe angazhim publik pakompromis, që është në pikëpyëtje përballë një autokrati të mbipushtetshëm si Rama.
Ka një shprehje të bukur në SHBA, që vlen për sovranistët e shfaqur rishtazi në mexhelisin tonë, e që kërkonin ndikim sa më të ulët amerikan në proceset e brendshme, “be careful what you wish for…”, ruaju nga dëshirat, se mund të bëhen realitet…
Sovranistet e pordhes kane vetem nje mision: te shpetojne me cdo kusht kryemafiozin non grata, dhe deri tani ja kane dale per bukuri