
Në vende të vogla si Shqipëria, pushteti politik dhe ritmi i ndryshimeve nuk përcaktohen vetëm nga dinamika e brendshme. Ato ndikohen fort edhe nga konteksti gjeopolitik, i cili sot është vendimtar për të kuptuar se pse Edi Rama mbetet një lider i mbështetur nga ndërkombëtarët dhe pse Sali Berisha, paradoksalisht, është shndërruar në dhuratën më të vyer politike për të.
Bota është futur në një fazë trazirash të thella. Ukraina ka tronditur arkitekturën e sigurisë europiane dhe ka rikthyer logjikën e Luftës së Ftohtë. Irani po tensionon jo vetëm Lindjen e Mesme sepse ndryshimi i regjimit teokratik të Iranit do të ringjall debate strategjike midis fuqive globale. Kërkesat amerikane ndaj Groenlandës cënuan edhe themelet e brendshme të NATO-s. Në këtë panoramë, SHBA dhe Bashkimi Europian kanë një prioritet absolut: të mos hapin fronte të reja atje ku problematikat mund të shmangen.
Ballkani është një nga ato rajone ku historia ka provuar se destabilizimi mund të vijë shpejt dhe të kushtojë shtrenjtë. Prandaj, në këtë moment, për Perëndimin prevalon stabiliteti mbi gjithçka tjetër. Standardet demokratike, problemet e korrupsionit, kapja e institucioneve apo mungesa e konkurrencës reale politike nuk janë zhdukur nga agjenda, por janë shtyrë në plan të dytë. Pra, në kontekstin e tanishëm gjeopolitik testi i perëndimit për Shqipërinë nuk formësohet nga kriteret “a është Shqipëria një demokraci funksionale?”, por nga kriteret në: “a është Shqipëria e qëndrueshme, e parashikueshme dhe e besueshme?”.
Në këtë test, Edi Rama ka kaluar me sukses. Krahasuar me të gjithë drejtuesit e tranzicionit shqiptar, ai ka provuar se është një faktor stabiliteti. Ai garanton vijimësi, kontroll institucional, mungesë krizash të mëdha politike dhe, mbi të gjitha, një linjë të qartë pro-perëndimore. Këtë perceptim e përforcon edhe zhvillimi më i fundit, ku Shqipëria ratifikoi në parlament anëtarësimin në Bordin e Paqes, ndërsa vetë Rama është ftuar personalisht nga presidenti amerikan Donald Trump – një sinjal i qartë se, pavarësisht debateve dhe problemeve të brendshme, ai mbetet një interlocutor i pranueshëm dhe i besueshëm për aktorë kyç në arenën ndërkombëtare. Pra, për SHBA dhe BE, Rama nuk është ideal, por është i njohur, i menaxhueshëm dhe i besueshëm në çështjet strategjike.
Nga ana tjetër, opozita shqiptare është e paralizuar. Dhe kjo paralizë ka një emër: Sali Berisha. Një lider i shpallur “non grata” nga SHBA, i izoluar ndërkombëtarisht dhe i refuzuar nga pjesa më e madhe e shoqërisë shqiptare. Pra, Berisha jo vetëm që nuk është më një alternativë pushteti, por ai është pengesa kryesore që opozita të shndërrohet në alternativë. Lëvizja më e fundit e nisur nga Ervin Salianji dhe qëndrimi përjashtues që mban Berisha ndaj kësaj lëvizje dëshmon qartë edhe në sytë e militantëve se rikthimi i Berishës në politikë ishte dhe mbetet vëtëm për mbijetesën familjare.
Këtu qëndron dhe paradoksi kryesor: ndërsa zhvillimet gjeopolitike nuk varen as nga Rama dhe as nga Berisha, fakti që Berisha qëndron në krye të opozitës është drejtpërdrejt në interesin e Ramës. Kjo sepse, me një opozitë të diskredituar, të përçarë dhe me një lider të saksionuar nga perëndimi dhe me procese në SPAK, Rama nuk ka pse të shqetësohet seriozisht për rotacion politik.
Pra, problemi madhor qe bllokon ndryshimet politike në Shqipëri është Sali Berisha. Themi kështu sepse ndërkombëtarët nuk janë të verbër apo të painteresuar ndaj vullnetit të qytetarëve shqiptarë. Përvoja ka treguar se ata ndërhyjnë dhe reagojnë kur shohin protesta masive dhe një opozitë që arrin të mbushë sheshet, duke dëshmuar qartë se shumica e qytetarëve është e revoltuar dhe kërkon ndryshim. Këtu mund të përmendim Maqedoninë e Veriut në rastin e largimit të Gruevskit apo Rumaninë kur në vitin 2017 Bashkimi Evropian mbështeti hapur protestat massive kundër qeverisë të kryeministrit Grindeanu. Nëse opozita do të demonstronte se ka mbështetje popullore, dhe mbi të gjitha do te ekspozonte një alternativë më të besueshme dhe më të mirë se qeverisja aktuale, atëherë kalkulimi ndërkombëtar do të ndryshonte. Stabiliteti nuk do të identifikohej më me Ramën, por përkundrazi, Rama do të shndërrohej në factor rreziku për stabilitetin duke ndikuar që perëndimi të rishikojë mbështetjen e tij.
Në kushtet aktuale, duket qartë se kryeministri Rama përfiton dyfish: nga konteksti ndërkombëtar dhe nga një opozitë e bllokuar nga e shkuara e saj. Berisha shërben si alibi perfekte për status quo-në. Sa kohë ai mbetet në krye të opozitës, çdo kritikë ndaj Ramës relativizohet, çdo thirrje për ndryshim humbet kredibilitet dhe çdo shqetësim për demokracinë mbetet pa adresë politike.
Nga sa ekspozuam më lart u përpoqëm të argumentojmë se Shqipëria është kapur mes një gjeopolitike që kërkon stabilitet me çdo kusht dhe një klase politike që nuk prodhon alternativa reale. Derisa kjo të ndryshojë, Rama do të vazhdojë të qeverisë i qetë, Berisha do të vazhdojë të mbajë peng opozitën, dhe demokracia do të mbetet një çështje dytësore në sytë e atyre që kanë vendimarrje për fatet e rajonit.
Partia Demokratike po tē ndryshoj emrin e saj nē "Demokratēt", mund tē marrē jetē nē gjeneratat e arrdhēshme.
Pra sipas artikullshkruesit Rama me te vetet do ti kene duart e lira jo vetem per te bere korrupsion sa tu doje e bardha zemer, jo vetem te bejne palle me parate e popullit te varfer, jo vetem te perdorin shtetin kunder popullit opozitar e te bejne zgjedhje farse por edhe te shembe banesat e pronat e qytetareve , te burgose me mijera njerez te pafajshem se riparojne shtepite e tyre personale, tua beje jeten te pamundur shqiptareve me qellim final largimin pergjithemone nga Shqiperia dhe e gjitha ne emer te stabilitetit. I bie qe paskemi qene mire ne regjimin komunist ku stabiliteti ishte 100% i garantuar.