
Nga Marko Caka
Përsa i përket ngjarjeve politike nuk dua të ndalem, se më në fund Himara zgjodhi kryebashkiakun e saj dhe i uroj vetëm suksese. Por ajo që dua të cek është shumë më shqetësuese dhe alarmante se ka të bëjë me shoqërinë tonë dhe drejtimin që po merr me zhvillimin e teknologjisë.
Në këtë fundjavë u ndala në lajmet kryesore të vendit ku jetoj dhe të vendit të origjinës sime, me këtë të fundit ka gjasa që nuk do pushoj së interesuari gjersa të jetë fryma gjallë. Duke bërë krahasimin e këtyre dy vendeve, në SHBA ka ditë që në faqet kryesore të mediave të tyre përveç zgjedhjeve presidenciale, vend të rëndësishëm zënë sukseset e sportistëve amerikanë , të cilët me rezultatet e tyre po dominojnë Lojërat Olimpike. Ndërsa në atdheun tim të dashur lajmi kryesor në të gjitha portalet ishte goditja e një tiktokeri nga një repist i njohur i ndihmuar nga pabesia e një repisti tjetër, siç pretendon viktima se e ka nxjerrë në pritë. Pra pa u futur thelle e thellë duke krahasuar keto dy vende me lajmet e tyre në faqet e para kuptova se shteti më fuqishëm i botës nxjerr sportistë për të fituar cdo kompeticion botëror të radhës, e për të bërë gjithë kombin krenarë por edhe ne shqiptarët si aleatin tonë më të madh që na mund "kundershtarët" historik . Ndersa Shqipëria nuk punon fare për këtë por po "prodhon" si model suksesi elementin kriminal ku përfshihen, repistë, tiktokistë, modelist, fashionist, këngëtarist, blogerist, e sa profesione të tjera që vetëm ata dinë ta etikojnë vetën etyre. Gjithë këta cfarëdo mund të jenë , vetëm artistë nuk janë. Së pari arti nuk ndjell urrejtje, nuk ndan, as nuk shpall luftë, por vetëm bashkon e fal dashuri. Qëkur u shfaq Tik Tok , platforma i dha mundësinë cilitdo me anë të llogarisë së tij të shfaqet apo të shpreh hapur mendimin e tyre të lirë, por edhe nxori në pah anën tjetër të shoqërisë, llumin e saj që prodhon vetëm injorancë që degradon në paranojë me veprimet e tyre banale. Platformat që janë me bazë në SHBA janë shumë të kontrolluara nga ky aspekt dhe nuk lejojnë sharjet e ofendimet, e para për të parandaluar dhunën dhe e dyta për të mos devijuar modelin e shoqërisë nga vlerat edukuese. Ndërsa TIK Tok me bazë në Kinë për hir të fitimit po bën të kundërtën, ka lejuar që platforma e saj të kthehet në një arenë boksi ku përdoruesit e shumtë pasi shahen me orë të tëra, kalojnë në paranojë duke mbledhur qindra mijëra ndjekës, sepse i shohin si mish për top, apo si një gjellë për qentë. Nje dukuri tjetër në TIKTOK është se me anë të lojës live të përdoruesve platforma e tyre është kthyer në një lavatriqe te parave të pista. Grupet kriminale ngado qe jane nëpërmjet live -ve të tiktokereve miq apo familjarë u hedhin me mijëra dollarë gifte, si një mënyrë e re kjo për të pastruar parane e tyre që vijnë nga trafiqet e ndryshme të paligjshme. Dukuri që është parë më përpara nëpërmjet organizimit të eventeve dhe koncerteve të këngëtarëve ku trafikantët ndajnë pjesën me organizatoret vetëm e vetëm që miliona dollarët të përfundojnë në Shqipëri, dhe pse jo pastaj për investimet "strategjike". Kjo metodë kishte filluar qe heras në shtetin fqinj nëpërmjet buzuqeve greke, ku lëmi i parave të pista pastrohej nën komandën trafikantëve (nonove tis nihtas- bandat e natës)
Pra gjithë këta që lartpërmenda që me bëmat e tyre të paranojës duke fituar audiencë, të nesërmen bëhen lajm në faqet e para, dhe pastaj janë të ftuar nderi në emisione televizive që për hir të audiencës vrasin moralin e qytetarëve dhe etikën e gazetarisë. Ata arrijnë të shfaqen edhe tek kanalet më seriozë që dalin duke u qarë e u zhgarravitur si personalitete me histori prekëse. Këta emisione vazhdimisht ftojnë personazhe të ndryshme , mjafton që ka dalë nga formatet e kanaleve të tyre duke na i serviruar si njerëz suksesi. Madje shumë nga këta shprehin dhimbje duke krijuar situata dramatike të tilla, sic ishte njëra që thoshte se për arsye të divorcit të prindërve nuk kam marrë çokallatat nevojshme apo dhuratat në cdo ditëlindje nga babai i ndarë. Ndersa një tjetër i ftuar thoshte se dhimbja me e madhe ishte kur vëllai i madh në një ditë të bukur mori valixhet e i hypi aeroplanit e shkoi në Gjermani dhe na la vetëm me mamanë duke bërë të përlote vetën dhe moderatoren. Deri në këtë pikë ka degraduar shoqëria jonë sa nuk dimë kë histori të qajmë apo kë të gëzohemi. Na bëjnë të harrojmë realitetin që përjeton familja e varfër shqiptare brenda një kasolle që nuk është shumë larg studiove televizive. Realitete që shpeshherë vijnë në emisionin "Kam një mesazh për ty" apo në emisionin "Dua të bëj të lumtur " ku gazetarët shkonin në familjet e ngujuara dhe sillnin realitetin e Shqipërisë ndryshe por që tani ka ndaluar së shfaquri, sepse formatet me rrugaçë të ftuar që skan punuar asnjë ditë kanë më shumë audiencë. Nëse vazhdojmë kështu nuk do të jetë larg dhe për moderatorët do të jetë trend që në studiot e tyre të ftohen më kriminelët, më të korruptuarit dhe më hajdutët. Ndërsa për shoqërinë normale do nisim e të qahemi se përse po e braktisin vendin e tyre. Një sakrificë që bëhet vetëm për fëmijët e tyre, se brezat që vijnë të mos edukohen me ndjenjën se të jesh dikushi në jetë e me shumë para duhet të jesh më i korruptuari apo një hajdut i detyruar.
Të lumtë pena !
Tik tok është bërë tepër problematik ku kushdo shpif e shan kë të doi prandaj druri që hëngri ai të bëhet mësim për ata ndyrësira që hyjnë në jetën e tjetrit .