Iluzioni i kthimit

17 Mars 2026, 12:30Blog Nga Enver Robelli

Një ndër dramat më të mëdha në përditshmërinë e mërgimtarëve është iluzioni i kthimit. I kthimit në atdhe. Një iluzion që vazhdon të mbahet gjallë edhe pas gjysmë shekulli të kaluar larg vendit prej nga mërgimtari e ka origjinën, prej nga vjen vet direkt apo indirekt apo prej nga kanë ardhur prindërit e tij.

Iluzioni i kthimit në tokën e premtuar (e cila ekziston vetëm në ëndrra) kultivohet pandërprerë. Jo vetëm me blerjen e specave në Kosovë për t’i vënë turshi në Zvicër. Apo në ndonjë tubim me këngë e valle popullore, përfshirë Vallen e Shotës. Specat dhe shota - ky është më shumë folklor për anekdota.

Iluzioni mbahet gjallë duke investuar në ruajtjen e traditave konservatore të cilat janë tejkaluar në shumë vendbanime në Kosovë. A është kjo shumica a pakica e mërgimtarëve? E parëndësishme. Fakt është që ekziston një turmë e tillë.
Kur mërgimtari mbetet i lidhur me iluzionin e kthimit, atëherë e pengon veten në integrimin e mirëfilltë në shoqërinë në të cilën jeton me dekada. Njëkohësisht e mban veten në pasiguri të përhershme dhe të pushtuar nga një ndjenjë inferioriteti.

Cila është pasoja e kësaj sjelljeje? Një ekzil i brendshëm. Një investim në fëmijë për të ruajtur tjetërsinë, atë që quhet identitet primar, burimor, i pacenuar nga shoqëria shumicë (zvicerane, gjermane, austriake, etj.). Fokusimi vetëm në identitet primar nënkupton përjashtimin e çdo identiteti tjetër, i cili vetvetiu bëhet pjesë e mërgimtarit sapo të dalë nga banesa a shtëpia.

Murat Kayman, një jurist mendjehollë gjerman (me origjinë turke), i kritikon shumë turq se edhe pas 60 vjet qëndrimi në Gjermani, këtë vend, pra Gjermaninë, e shohin vetëm si pikë karburanti në autostradë, ku shkojnë për t’u shërbyer nëse u duhet diçka, por s’bëhen merak fare për gjendjen e saj. Sepse së shpejti dëshirojnë të kthehem në atdhe.

E vërteta është se nuk kthehen kurrë. Jetojnë me këtë iluzion dhe duke akuzuar të tjerët se po e tradhtojnë atdheun duke u bërë zviceranë, gjermanë, austriakë. Ky tip mërgimtari rrezikon të përfundojë në njeri pa identitet: shqiptar me imagjinatë, zviceran vetëm me pasaportë, por askund tamam qytetar që beson në vlera dhe i kurthuar ekskluzivisht në gjak e tokë. Imagjinatë është edhe kjo: gjaku e toka.

4 Komente

  1. L
    Ladi

    Kjo është e vërtetë. Ama vetëm për mërgimtarin, po jo për fëmijët e tij. Lëre pastaj për nipër e stërnipër. Vepron ASIMILIMI, me ty gjithë kombet, veç izraelitëve.

    Përgjigjjuni
    1. A
      A

      ne cilat vlera? cfare vlerash po gjejne ne kurbet? monetare?

      Përgjigjjuni
      1. A
        Arta

        Qëndrimi i Enver Robellit në këtë shkrim ngre pyetje legjitime, por njëkohësisht lë hapësirë edhe për një reflektim kritik ndaj vetë autorit. Duke qenë se ai vetë jeton prej vitesh në Zvicër dhe, siç dihet, ka ndërtuar jetën dhe investimet e tij aty, lind pyetja: a është e drejtë të gjykohet kaq prerë një pjesë e mërgatës për “iluzionin e kthimit”? Sepse realiteti është më kompleks. Shumë mërgimtarë nuk janë peng i një iluzioni, por mbajnë një lidhje të gjallë me vendlindjen përmes kujtesës, familjes, gjuhës dhe ndjenjës së përkatësisë. Ideja e kthimit, edhe kur nuk realizohet, shpesh është një formë shprese dhe identiteti, jo domosdoshmërisht një pengesë për integrim. Nga ana tjetër, nuk mund të mohohet se një pjesë e mërgatës mund të mbetet e mbyllur në një botë të ndërmjetme. Por përgjithësimi i këtij fenomeni dhe paraqitja e tij si rregull, e jo si përjashtim, rrezikon të jetë i padrejtë. Prandaj, para se të flasim për “iluzione” të të tjerëve, ndoshta duhet të pranojmë se secili e ndërton raportin me atdheun dhe vendin ku jeton në mënyrën e vet. Dhe në këtë raport nuk ka gjithmonë vetëm logjikë – ka shumë ndjenjë, histori dhe sakrificë. Ky debat bëhet më i besueshëm kur përfshin edhe vetëreflektimin, jo vetëm kritikën ndaj të tjerëve.

        Përgjigjjuni
        1. t
          tetovari2

          Të gjithë mërgimtarët e kanë ëndër të kthehen një ditë në vëndlindje por këtë ëndër ua shkrëmoqin politikanët majtas e djathtas!Këta politikanë nuk u ngopën duke vjedhur shtetin!Shteti kur vidhet, nuk ka zhvillim,nuk ka ligj,nuk ka përparim e si atëherë të këthehet mërgimtari!

          Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje