Individualizmi dhe etika e lirisë

16 Tetor 2025, 15:57Blog Sadedin Mezuraj

 

 

1.Tranzicioni postkomunist-sfida e trefishtë

Liria konsiderohet si vlera më e lartë humane dhe përfaqëson themelin mbi të cilin ndërtohet një rend demokratik, i cili garanton dinjitetin njerëzor, të drejtat dhe mundësinë për zhvillim personal e kolektiv. Progresi historik dhe social i shoqërisë njerzore ka si konstante ndryshueshmërinë dhe zgjerimin e gradëve të lirisë së individit në të gjitha dimensionet që nënkupton ky koncept. Sistemet totalitare imponojnë rregullin, uniformitetin, disiplinimin dhe marzhi lirisë reduktohet brënda korrnizës ideologjike, ku gjithçka kontrollohet dhe kufijtë e të lejuarës janë të përcaktuar rreptësisht në aspektin ligjor dhe moral.

Kurse në shoqëritë demokratike në tranzicion, raporti i individit me lirinë mbetet sfidues, plot keqkuptime, abuzime dhe deformime, duke krijuar konfuzion në aspektin teorik e sidomos në jetën praktike, aty ku individi shpaloset si një tërësi marrëdhëniesh me shoqërinë. 

Shqipëria hyri në rrugën e modernitetit demokratik pa ndonjë përvojë apo traditë të konsoliduar historike në ndërtimin e institucioneve demokratike. Ky kalim nuk është vetëm historik, por edhe epistemologjik dhe etik: ai përfaqëson një transformim të thellë në mënyrën se si individët e përjetojnë lirinë, përgjegjësinë dhe kuptimin e jetës në një shoqëri pluraliste dhe demokratike.

Ndërkohë që vendet e demokracive perëndimore kaluan në mënyrë graduale një proçes të gjatë historik të konsolidimit institucional dhe të kultivimit të kulturës qytetare, shoqëria shqiptare u përball njëkohësisht me tri sfida të mëdha: flakjen e trashëgiminisë ideologjike, kulturore dhe institucionale të një regjimi totalitar, represiv dhe izolues, domosdoshmërinë për të ngritur nga themele të reja të një shteti funksional dhe demokratik si dhe përballjen me valën e re të postmodernizmit, e cila mbriti dhe në shoqërinë e hapur shqiptare, si pjesë e një bote të globalizuar. 

Thënë ndryshe, shoqëria shqiptare u fut në rrugën e zhvillimit demokratik pa “semaforët” dhe infrastrukturën institucionale dhe ligjore të nevojshme, për të menaxhuar shpërthimin e vrulleve të vullneteve të lira.

Kjo barrë e trefishtë e ka bërë tranzicionin shqiptar veçanërisht më kompleks, më të vështirë dhe sfidues në jetën e përditshme të qytetarëve. Në këtë kontekst, edukimi me frymën e lirisë mbetet sfida kryesore në procesin e demokratizimit të shoqërisë tonë. Sepse nuk mjafton thjesht që liria të garantohet ligjërisht apo të artikulohet politikisht; ajo duhet të përvetësohet në ndërgjegjen individuale dhe të shndërrohet në normë kulturore.

Në periudhën pas rënies së komunizmit, shoqëria shqiptare ka përjetuar një transformim të thellë dhe të vrullshëm kulturor, ideologjik dhe moral. Në emër të çlirimit nga autoritarizmi totalitar dhe kontrolli disiplinor i shtetit, u shfaq një formë radikale e mosbesimit ndaj çdo forme autoriteti. Fundi i utopisë socialiste dhe diskreditimi shtetit totalitar u shoqërua me delegjitimimin e çdo institucioni që kishte funksionuar si instancë normative: familja, shkolla, ligji dhe morali tradicional.

Në këtë klimë, autoriteti nuk shihet më si burim orientimi apo sigurie, por si kërcënim për lirinë personale.

Ky fenomen, i parë përmes optikës sociologjike, përfaqëson një nga tensionet qëndrore të kulturës postkomuniste: përplasjen mes matrices kulturore kolektiviste të trashëguar, e cila mbështetej mbi vlera të tilla si puna, disiplina, solidariteti, sakrifica dhe përkushtimi ndaj të përbashkëtës dhe kontekstit të ri politik të lirive individuale, të ngritura mbi bazën e modelit neoliberal perëndimor.

 

Ne jemi dëshmitare se si kalimi nga “mbretëria e domosdoshmërisë në mbretërinë e lirisë” në fillim të viteve 90-të u shoqërua me turbulenca sociale, konfuzion, kaos dhe manifestime të lirisë si forma të anarkisë: anarkia demografike, me çvendosjet e pakontrolluara të popullsisë , migrimi brëndshëm dhe emigracioni klandestin në formën e eksodeve masive; anarkia teritoriale, me zaptimin e tokave, trojeve dhe ndërtimeve pa leje; anarkia ekonomike, ku ekonomia e tregut dhe nismat private u konturuan si një lojë pa rregulla të qarta  dhe anarkia morale, ku “piramida” e  vlerat të vjetra morale u vu përballë një realiteti të ri, ku vlera e individit matet me statusin material dhe suksesi shpesh është rezultat i aftësisë për t’u përshtatur me rregulla të paqarta, me normat fluide të një shoqërie në tranzicion (anomia).

 

Ky kalim nga një sistem totalitar të mbështetur në vlera kolektive, drejt një klime individualizmi ekstrem dhe mosbesimi total ndaj çdo strukture autoriteti, ka krijuar një vakum etik, i cili manifestohet në shfaqjen e fenomeneve të reja si krizat identitare, rënia e besimit në institucionet publike, dobësimi i lidhjeve ndërpersonale, patologjitë sociale, shpërbërja e komuniteteve dhe tkurrja e dimensionit social të individit në raportet me kolektiven, publiken dhe shoqërinë.

Në këto tre dekada e gjysmë në rrugën e demokracisë, ka ndodhur një revolucion i vërtetë (por jo aq i qetë) social, kulturor dhe psikologjik dhe duket sikur kemi mbritur në pikën kritike të paradigmës të shpallur nga Margarit Theçer: nuk ka shoqëri, ka vetëm individë!

 

Tani kemi njësi prodhimi por nuk ka më kolektiva, kemi vendbanime por nuk ka komunitete, kemi hapsirë publike por nuk ka veprim publik, si aktivizëm qytetar, përtej domeneve partiake apo ekzibicionizmit të strukturave të shoqërisë civile, të cilat, më shumë se sa nga nxitja e ndryshimit social, interesohen për pasurimin e CV të disa individëve protagonistë.

Émile Durkheim, një nga themeluesit e sociologjisë moderne, paralajmëroi qysh herët se individualizmi i pakufizuar mund të çojë në anomi – një gjendje e boshllëkut normativ dhe mungesës së orientimit etik.

Sot, anomia e mpleksur me kulturën postmoderne, është bërë një gjendje normale: marrëdhëniet janë të përkohshme, vlerat janë subjektive, përkatësitë janë fluide. Kjo nuk është domosdoshmërisht negative, por ka një çmim: humbjen e ndjenjës së përkatësisë dhe të solidaritetit, dobësimin e kohezionit social dhe fragmentimin e shoqërisë.

 

 

2. Relativizmi moral dhe individualizmi neoliberal

 

Postmoderniteti apo moderniteti vonët, tashmë pranohet gjerësisht si një epokë kulturore dhe filozofike, me tipar dallues individualizmin ekstrem, relativizimin e vlerave, shpërbërjen e autoritetit tradicional dhe promovimin e diversitetit dhe pluralizmit të stilit të jetesës. Në një kontekst të tillë, mbetet evident rreziku që liria të perceptohet jo si një përgjegjësi morale apo detyrim ndaj tjetrit, por si liri pa cak, si një mjet për vetë-shprehje dhe vetpërmbushje personale përtej çdo kufizimi të jashtëm.

Kjo qasje prodhon shpesh një individualizëm radikal, ku ndjenja e solidaritetit shoqëror zbehet, duke e bërë të vështirë ndërtimin e një etike të qëndrueshme të lirisë, e cila të mos jetë vetëm zgjedhje personale, por edhe orientuese në harmonizimin e interesave të individit me shoqërinë pluraliste.

Në shoqërinë postmoderne, individualizmi ekstrem, pragmatizmi dhe hedonizmi po çojnë drejt një etikë të “vetërealizimit”, ku e mira përcaktohet nga kënaqësia personale. Ky zhvillim përforcohet nga kultura mediatike dhe konsumiste, që vendos në qendër “veten” si normë absolute. Sociologu Zygmund Bauman, me konceptin e “shoqërisë likuide”, thekson se në postmodernitet, lidhjet sociale janë të paqëndrueshme, angazhimet morale janë të përkohshme dhe përgjegjësia shpesh zhduket në favor të vetëkënaqësisë. Bauman e përkufizon këtë situatë si kalimi nga etika e përgjegjësisë te estetika e kënaqsive të vetes.

Një nga dukuritë më problematike të epokës postmoderne është fluiditeti i kufijve moralë mes të ndaluarës dhe të lejueshmes dhe zhdukja graduale e kufijve të qartë, jo vetëm në kuptimin juridik, por sidomos në sferën morale.

Mbi rrënoja e etikës tradicionale sot kudo valvitet flamuri i relativizmit moral. Në një botë ku gjithkush orientohet nga “e mira dhe e dobishmja”, vlerat e përbashkëta zëvendësohen nga zgjedhjet personale, të legjitimuara jo nga morali universal, por nga dëshira dhe interesat individuale. Nietzsche, qysh në fundin e shekullit XIX, paralajmëroi krizën e vlerave dhe nihilizmin, kur deklaroi se kemi hyrë në epokën “përtej së mirës dhe së keqes”, në një botë ku “Zoti ka vdekur” dhe, bashkë me të, edhe normat morale universale dhe absolute.

Top of Form
 

Ligji, si sistem formal i ndalimit dhe ndëshkimit, është i qartë: ai përcakton çfarë është e ndaluar dhe vendos sanksione për thyerjen e normave të tij. Por përtej zonës që mbulon ligji, shtrihet një hapësirë shumë më delikate dhe e paqartë: ajo e moralit të përditshëm, ku nuk ka sanksione ligjore, por ku sjelljet njerëzore mbartin pasoja për ndërlidhjet sociale, për jetën publike dhe për etikën e jetesës sociale.

Kjo zonë "e ndërmjetme" ka marrë në shoqërinë postmoderne një fluiditet shqetësues.

 

Në mungesë të një sistemi të qëndrueshëm vlerash morale që ndajnë me qartësi të mirën nga e keqja, njerëzit përballen me një kaos kuptimor, ku të lejueshmen e përcakton preferenca personale, interesi pragmatik dhe arritja e suksesit, pavarësisht nga rrugët dhe mjetet. Në këtë gjendje, liria e individit nuk është më e ankoruar në një kornizë morale universale, por është zhvendosur në një terren të paqëndrueshëm, ku çdo vlerë është e diskutueshme dhe çdo ndalim perceptohet si cenim i autonomisë individuale.

Kjo situatë nuk është e pavarur nga zhvillimet kulturore: media, teknologjia dhe kultura pop mbështesin një vizion të botës ku “çdo gjë lejohet për sa kohë nuk është e paligjshme” – por ajo që nuk është e paligjshme nuk është automatikisht etike. Këtu qëndron rreziku i madh: keqkuptimi i lirisë si mungesë kufijsh, dhe jo si përgjegjësi ndaj vetes dhe tjetrit.

Prandaj, në boshllëkun e krijuar nga mungesa e një morali të përbashkët, në mënyrë të pashmangshme janë përvijuar keqkuptimet dhe keqpërdorimet e lirisë, si forma të subjektivizmit etik dhe anarkisë morale, ku gjithçka relativizohet dhe asgjë nuk mund të pretendojë legjitimitet të plotë.

Shoqëria postmoderne është një shoqëri e konsumerizmit emocional dhe simbolik, ku identiteti ndërtohet përmes konsumit, objekteve dhe marrëdhënieve. Në këtë kuptim, hedonizmi postmodern është një formë e “lirisë pa përgjegjësi”, e orientuar nga kënaqësia e çastit dhe jo nga përkushtimi apo detyrimi moral.

Në një botë ku liria individuale është shndërruar në një vlerë supreme dhe konsumimi në mënyrën më të shpejtë dhe të këndshme të përvojës, institucionet tradicionale të edukimit janë vendosur në një pozitë gjithnjë e më të dobët. Familja, shkolla dhe institucionet fetare – që dikur kishin rol themelor në formësimin moral dhe kulturor të individit – nuk janë më burime autoriteti legjitim dhe orientimi moral, por shpesh perceptohen si pengesa për "vetrealizimin" dhe për “jetën e lirë”.

 

Në këtë klimë, fakti që këto institucione kërkojnë një disiplinë të brendshme dhe një orientim drejt përgjegjësisë ndaj tjetrit, përbën një përplasje të drejtpërdrejtë me diskursin e individualizmit dhe mitizimin e lirisë, kulturës konsumeriste dhe narcisizmit obsesiv.

Filozofët e etikës bashkëkohore kritikojnë këtë boshllëk etik postmodern, si një krizë të thellë të arsyes morale. Sipas Alasdair MacIntyre, shoqëria moderne ka humbur "telosin" e saj – qëllimin moral për të cilin duhej të orientohej jeta njerëzore – duke e zëvendësuar me arbitraritetin e zgjedhjes individuale. (After Virtue; 1984)

Postmodernizmi sfidoi narrativat totalizuese (Lyotard), duke përfshirë edhe universalizmin moral kantian. Etika kantiane, e bazuar mbi imperativin kategorik është futur në krizë. Kanti kërkonte një moral universal, i vlefshëm për të gjithë, jo i varur nga ndjenjat, dëshirat apo konteksti kulturor.

 

Etika ekzistencialiste lirinë e koncepton si përgjegjësi të individit në shoqërinë demokratike. Jemi të dënuar me liri-deklaroi Sartre, duke nënkupuar me këtë se njeriu nuk ka asnjë justifikim dhe është i lirë në zgjedhjet e tij, duke marrë përsipër edhe pasojat. Por këtu fillon edhe problem: nëse çdo individ bën zgjedhjet e tij, duke mos respektuar interest e përbashkëta dhe disa parime morale kolektive, pasojat e zgjedhjeve “të lira” kanë impakt në një shkallë më të gjërë, duke dëmtuar shëndetin moral të shoqërisë. Sepse, sikurse paralajmëronte Dostojevski përmes “njeriut të nëntokës”, njeriu nuk vepron përherë me racionalitet dhe për të “dy plus dy nuk bëjnë përherë katër”. Kësisoj, edhe etika ekzistencialiste me predikimin e “lirisë së zgjedhjes” e lë hapur derën e subjektivimit etik dhe nuk e parandalon arbitraritetin dhe katastrofat morale.

 

 

3. A është e mundur etika e lirisë në shoqërinë postmoderne?

Shoqëria postmoderne është një fushë betejash ndërmjet autonomisë dhe zbrazëtisë, ndërmjet lirisë dhe mungesës së kuptimit. Nëse dikur morali dhe përkatësia na ishin imponuar nga jashtë, sot ato janë bërë zgjedhje personale. Por kjo nuk do të thotë se morali ka vdekur. Përkundrazi, sfida e sotme është të rindërtojmë një etikë të lirisë që nuk është as autoritare, as nihiliste, por e aftë të ushqejë bashkëjetesën dhe kujdesin për njëri-tjetrin në një botë gjithnjë e më të fragmentuar.

Morali ka evoluar dhe ndryshuar bashkë me shoqërinë njerzore. Megjithatë, edhe në shoqërinë postmoderne njeriu vazhdon të jetë qënie etike dhe liria, si dimension ontologjik i individit, nuk përjashton gjykimin, përgjegjësinë dhe vlerat morale.

Zigmund Bauman në librin e tij Postmodern Ethics (1993) thekson se etika postmoderne nuk paralajmëron fundin e etikës apo ardhjen e një relativizmi të tipit “çdo gjë lejohet”. Kjo është një pikë e rëndësishme sepse kritika kryesore ndaj postmodernizmit është çështja e relativizmit dhe shmangia e vlerave morale universale.

Sfida thelbësore lidhet me raportin midis individit të lirë dhe shoqërisë: si mund të balancohet liria personale me përgjegjësinë kolektive, për të mos e shndërruar lirinë në egoizëm shkatërrues apo në indiferencë sociale. E shprehur në terma teorikë, pyetja që lind natyrshëm është: a është e mundur të ndërtohet një etikë e vërtetë e lirisë në kushtet e kulturës postmoderne dhe individualizmit ekstrem?

Qasjet sociologjike lidhur me etiken e lirisë dhe individualizmin janë të larmishme dhe ndihmojnë për të kuptuar tensionin mes autonomisë individuale dhe forcave sociale që e formësojnë atë. Duke filluar nga Aristoteli me Etikën Nikomake, tek Kanti me etikën trashendentale të imperativave kategorikë dhe deri tek sociologët dhe filozofët bashkëkohorë (Bauman, Habermas, Levinas, Giddens, Ricoeur, Rawls etj.) shqetsimet për sjelljen morale të njeriut kanë në themel arritjen e një ekuilibri optimal mes individit dhe shoqërisë, duke synuar orientimin e individit të lirë jo vetëm nga interesi por edhe nga virtyti.

Martha Nussbaum flet për etikën e ndjeshmërisë (compassion) dhe e përgjegjësisë, e frymëzuar nga Stoikët dhe Aristoteli.Ajo thekson rëndësinë e emocioneve të arsyeshme, që na lidhin me nevojat dhe të drejtat e të tjerëve. Përballë relativizmit, ajo ofron kriteret minimale universale për dinjitetin njerëzor: arsimimi, e drejta për trupin, shprehja, dashuria, siguria.

Një etikë e re e lirisë duhet të ndërtohet mbi respektin ndaj dinjitetit të Tjetrit, pluralizmin, bashkëjetesën dhe kujdesin për jetën sociale dhe ekologjike. Etika e lirisë sipas Levinas, llogarit fytyrën e Tjetrit dhe ndërtohet bashkë me Tjetrin. (Totality and Infinity; 1969). Etika e lirisë në shoqërinë postmoderne të relativizmit të vlerave dhe diversitetit kulturor mund të ndërtohet përmes diskursit, si etikë dialoguese dhe intersubjektive, pra në etikë që kombinon lirinë individuale me përgjegjësinë sociale, përmes veprimit komunikativ dhe konsensusit racional.

Në këtë realitet postmodern, ku dominon një kulturë fragmentare, e orientuar drejt vetëkënaqësisë, rrezikohet të humbasë kuptimi i lirisë si marrëdhënie me tjetrin, si përgjegjësi ndaj komunitetit dhe si pjesë e një tërësie sociale që kërkon bashkëjetesë, mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë. Në këtë kuptim, liria e çliruar nga çdo normë etike mund të shndërrohet në një formë të re shtypjeje – atë të indiferencës, mbylljes ndaj tjetrit dhe përjashtimit shoqëror.

Në kushtet e postmodernitetit, etika e lirisë nuk është një utopi. Ajo që nevojitet është një etikë e ndërsubjektivitetit, ku liria personale takohet me ndjeshmërinë ndaj tjetrit, ku dialogu moral ndërtohet mbi respekt, arsyetim dhe solidaritet. Vetëm në këtë mënyrë, njeriu postmodern mund ta konceptojë dhe përjetojë lirinë jo si qëndrim “përtej të mirës dhe të keqes” dhe as si nihilist, por si krijues përgjegjës i vlerave që e lidhin me Tjetrin dhe me botën.

Sfida qëndron në rikonceptimin e lirisë jo si një e drejtë absolute, por si një marrëdhënie e ndërlikuar mes individit dhe shoqërisë, ku liria bashkëjeton me solidaritetin, me kufizimet morale dhe me respektin për tjetrin. Etika e lirisë nënkupton vendosjen e një raporti të ri dialektik mes UNË dhe NE, jo përmes imponimit por nëpërmjet një proçesi të thellë edukimi qytetar, ku fëmijët dhe të rinjtë të mësohen të kuptojnë se liria nuk është vetëm mungesë ndalimesh, por edhe vetëkontroll, ndjeshmëri sociale dhe ndërgjegje etike.

 

 

Lini një Përgjigje