Në gazetën “Tema”, të 26 Shtatorit 2025, botova shkrimin lidhur me nenet 181 dhe 178 të Projekt Kodit Penal që vazhdon të jetë objekt diskutimi, ndërsa në këtë shkrim mendova të shfaq disa mendime për tre nene të tjera të këtij projekti (Nenet 174, 176 dhe 177). Në to, bëhet fjalë për lirimin me kusht të të dënuarve.
Për efekte njohje dhe krahasimi, e shikoj të nevojshme ti referohem përmbajtjes së nenit 64 të Kodit Penal në fuqi. Në të thuhet: “I dënuari me burgim mund të lirohet me kusht nga vuajtja e dënimit vetëm për arsye të veçanta nëse me sjelljen dhe punën e tij tregon se me dënimin e vuajtur, i është arritur qëllimi për edukimin e tij.”
Ç’farë duhej kuptuar me ‘arsye të veçanta’? Interpretimet mund të ishin nga më të ndryshmet. Në këtë vështrim, mendoj që dispozita e mësipërme ku flitet për lirimin me kusht duhet të ndryshonte. Vërejtja ose propozimi tim konsiston në faktin se formulimi i nenit 174 të Projektit, për disa kritere është kategorik kur nuk duhet të ishte i tillë:
1. Për ta konkretizuar këtë mendim më duhet që fillimisht, ti referohem nenit 174 të Projektit ku thuhet se e drejta për lirim me kusht u lind të dënuarve që kanë kryer a) jo më pak se dy të tretat e dënimit të dhënë për krime dënuar deri në pesë vjet burgim b) jo më pak se tre të katërtat e dënimit të dhënë për krime dënuar mbi pesë vjet deri në maksimumin e parashikuar nga ligji.
Por, për paraqitjen e kësaj kërkese sipas nenit 174 duhet të jenë përmbushur kriteret e mëposhtme: I dënuari duhet të ketë dhënë prova: Për pjesëmarrjen aktive në programin e trajnimit, ecuri pozitive të sjelljes, të ketë pranuar programin psikologjik të trajnimit duke përfituar prej tij. Të ketë ndërtuar marrëdhënie korrekte dhe konstruktive me punonjësit e sistemit të riedukimit, me të dënuarit e tjerë, miqtë dhe komunitetin, të ketë zëvendësuar dëmin e shkaktuar dhe të ketë bërë përpjekje të vazhdueshme për normalizimin e marrëdhënieve me viktimën, të ketë ndërprerë kontaktet me botën e krimit dhe të japë besim në riedukimin e tij.
Ky formulim në mënyrë kategorike sidomos për disa prej këtyre kritereve, mendojmë se do ta vështirësonin paraqitjen e dokumentacionit që administrata e burgjeve do të duhej ti dërgonte gjykatës. E themi këtë duke patur parasysh se në nenin 176 të Projektit thuhet: “Autoritetet e Institucionit të ekzekutimit të dënimit, shoqërojnë kërkesën (është fjala për kërkesën për lirim me kusht) me raport të hollësishëm që përmban të dhëna të detajuara përsa kërkohet nga përmbajtja e nenit 174”.
Kuptohet, nëse raporti nuk përmban të dhëna të tilla (të hollësishme dhe të detajuara) vendoset ose refuzimi i kërkesës ose çështja kthehet për plotësimin e të dhënave.
Në këtë vështrim bëhet pyetja e thjeshtë, por e llogjikshme: A nuk do të ishte e vështirë për administratën e burgut që të verifikonte në mënyrë të plotë dhe të saktë nëse i dënuari që ka kërkuar lirimin me kusht ka ndërtuar marrëdhënie korrekte dhe konstruktive me familjarët, miqtë dhe komunitetin? Vështirë për të mos thënë e pamundur. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për përpjekjet e vazhdueshme me synim normalizimin e marrëdhënieve me viktimën.
Përsa i përket ç’dëmtimit të dënimit që mund ti ketë shkaktuar viktimës rasti i pamundësisë mund të jetë i përligjur. Administrata e burgut mund ta verifikojë këtë fakt, por e ka të vështirë të konkludojë për shkakun përse nuk është shlyer dëmi. Nuk është gjithashtu e lehtë për administratën e burgut të verifikojë nëse i dënuari ka bërë ose jo përpjekje të vazhdueshme për normalizimin e marrëdhënieve me viktimën.
Ajo që është e prerë dhe e qartë në kriteret e përmendura në nenin 174 të Projektit është rasti kur vërtetohet se i dënuari nuk ka ndërprerë kontaktet me botën e krimit. Mos ndërprerja e këtyre kontakteve e bëjnë të detyrueshme refuzimin e kërkesës nga gjykata.
Lidhur me kriteret e tjera siç janë p.sh ato të pjesëmarrjes aktive në programet e edukimit, marrëdhëniet me punonjësit e sistemit dhe me të dënuarit, sigurisht që janë të rëndësishme, por der në një farë mase ato kushtëzohen edhe nga faktorë të ndryshëm siç mund të jenë: cilësitë individuale dhe psikologjike të të dënuarit, temperamenti, shkalla e kulturës dhe e arsimit, pse jo edhe trajtimi i tyre nga punonjësit e administratës së burgut. Siç dihet, dënimi penal ka për qëllim të ndëshkojë veprën penale të kryer, të izolojë fajtorin për kohën që nevojitet për arritjen e sigurisë publike dhe të ndikojë në riintegrimin e tij. Por në rehabilitimin e të dënuarve ndikon në mënyrë të ndjeshme trajtimi i tyre human, respektimi i dinjitetit të tyre, zbatimi i të drejtave që u garanton ligji.
2. Në projekt, lidhur me lirimin me kusht ka edhe ndonjë çështje tjetër që mendoj se duhet rishikuar. Në pikën 3 të nenit 176 thuhet se: në vlerësimin e përgjithshëm të të gjitha rrethanave të shënuara në paragrafin e parë të nenit 174, gjykata duhet të ketë parasysh edhe “gjendjen e kriminalitetit në vend dhe prirjet në politikën penale të zbatuar nga gjykatat në dhënien e vendimeve për krimet e kryera në përgjithësi”
Bëhet pyetja: A do të ishte i bazuar vendimi i gjykatës që mund të refuzonte kërkesën e të dënuarit për lirim me kusht, me arsyetimin (të themi) se në këtë apo atë periudhë kishte rritje të veprave penale në transport? Prirja e politikës penale, a duhet të ndikonte edhe në vendimin për lirimin me kusht nëse kriteret që kërkon ligji do të ishin të dokumentuara?!
Në nenin 177 të Projektit të titulluar “Refuzimi i kërkesës” thuhet se gjykata përtej rastit kur: “i dënuari nuk ka përmbushur kriteret e shënuara në nenin 174 të këtij Kodi mund të refuzojë zëvendësimin e dënimit me burgim para kohe me kusht kur ka shkaqe të bazuara lidhur me sigurinë publike në vend dhe parandalimin e posaçëm të lidhur edhe gjatë fazës së ekzekutimit të vendimit me burgim”.
Në formulimin e mësipërm mund të ketë lapsus, sepse refuzimi do të ishte i bazuar nëse i dënuari nuk plotësonte kriteret ligjore. Nëse do të arrihej në përfundimin se ai i plotësonte ato nuk do të kishte kuptim refuzimi i kërkesës për shkaqe që nuk varen nga ai ose për çështje të tjera që ai nuk ka ndikuar.
Lini një Përgjigje