Intelektuali në kohën e krizës së vlerave

8 Shtator 2025, 16:15Blog Sadedin Mezuraj

 

Intelektuali në kohën e krizës së vlerave

1.Rrjetet sociale, relativizmi dhe “vdekja” e autoritetit

Në epokën e rrjeteve sociale, të spektaklit medial dhe të relativizmit moral, figura e intelektualit tradicional është vënë në pikëpyetje. Nga një autoritet moral e epistemik, dikur i respektuar si ndërgjegjia kritike e shoqërisë, sot ai shpesh perceptohet si i shkëputur, elitist, madje edhe bashkëfajtor me pushtetin. Në kushtet e demokracisë, pluralizmit dhe për me tepër, në kohën e rrjeteve sociale, ka ndryshuar jo vetëm koncepti mbi “agorën” publike por edhe mbi vetë rolin e intelektualit në shoqërinë postmoderne të informacionit dhe kulturës “post-truth”.

Epoka digjitale ka prodhuar një transformim radikal të komunikimit dhe dijes. Çdokush mund të ketë një zë, një platformë, një audiencë. Demokracia e mendimit të lirë është kthyer në kaos të informacionit, ku opinionet barazohen me faktet. Në këtë kontekst, autoritetet tradicionale (akademike, shkencore, politike) janë zhveshur na aura e figurave të respektuara nga publiku dhe tashmë shikohen me skepticizëm.

Në epokën post-truth, emocioni ka më shumë peshë se argumenti dhe shoqëria moderne ka humbur strukturat që garantonin kuptimin dhe autoritetin. Përvoja gjatë COVID-19, jo vetëm në Shqipëri por edhe në botën perëndimore, tregoi se kriza e mosbesimit tek autoritetet shkencore u bë dramatike, ekspertët u sulmuan, masat shkencore u relativizuan dhe konspiracionistët fituan terren në publik.

Në polifoninë e platformave digitale, kur dija dhe informacioni është demokratizuar, kur çdo qytetar nuk është thjesht konsumator por edhe krijues proaktiv dhe pjesmarrës në diskursin e pastrukturuar virtual, intelektuali shpesh shikohet me skepticizëm, si mbrojtës i sistemit dhe pjesë e elitave të korruptuara. Në vend të tij, në sferën mediatike të ligjërimit publik ka lindur një figurë hibride – analisti gjitholog, një përzierje midis komentatorit politik, ekspertit për çdo gjë dhe argëtuesit mediatik.

Kriza e besimit tek institucionet, mbartëset tradicionale të autoritetit (familja, shkolla, feja, mësuesi, intelektuali) si pjesë integrale e krizës së vlerave dhe anomisë sociale, përtej skepticizmit dhe pikpyetjeve, ka ngritur edhe një pyetje thelbësore: a vazhdon të jetë dhe a duhet të jetë intelektuali një misionar i shoqërisë?

Në librin "Republika", Platoni paraqet idenë e një shteti ideal të ndarë në tre kategori: udhëheqës, prodhues dhe roje. Rojet e Republikës, të cilët ai i përshkruan me metaforën e “qenit besnik”, duhet të janë figura që kanë një natyrë të dyfishtë: të jenë të ashpër me armiqtë dhe të butë me miqtë. Këta “qen-roje” duhet të kenë dashuri për dijen, guxim, ndjenjë drejtësie dhe aftësi për të dalluar të vërtetën.

Kjo qasje e Platonit për “rojet e Republikës” na lejon ta aktualizojmë si metaforë përmes evidentimit të dy tipologjive të intelektualit në epokën digitale:

-Intelektuali-roje, që mbron rendin ekzistues dhe i shërben pushtetit me devotshmëri, si pjesë e establishmentit politk dhe ruajtjen e staus-quosë social-politike

-Intelektuali kritik, që “kafshon” pushtetin përmes kritikës konstruktive, si zëdhënës i vetëdijes qytetare, në mbrojtje të interest publik, i cili, atje ku ka heshtje, ngre zërin kritik dhe  atje ku fshihet e vërteta, drejton gishtin në plagët dhe problemet e sistemit.

Në shekullin XVII, Francis Bacon do të pohonte me forcë se “dija është pushtet” (Knowledge itself is power, Meditationes Sacrae, 1597). Bacon e shihte dijen si mjet për emancipimin dhe kontrollin e natyrës në dobi të njeriut. Për të, dija duhet të përdoret për përparim dhe transformim racional të shoqërisë.

Por Michel Foucault, tre shekuj më vonë, do ta problematizojë këtë lidhje. Në veprat si Discipline and Punish dhe The History of Sexuality, ai argumenton se dija nuk është vetëm pushtet, ajo është një formë pushteti. Dija, sipas tij, nuk është e lirë, neutrale apo thjesht ndriçuese por është e përfshirë në sistemet e kontrollit, disiplinës dhe normalizimit.Në këtë kontekst, intelektuali rrezikon të bëhet pjesë e një mekanizmi të prodhimit të dijes që nuk ndriçon, por disiplinon – siç ndodhte me ekspertët në burgje, spitale, shkolla dhe media.

Jean-Paul Sartre, në kundërpeshë me këtë prani të ftohtë të intelektualit në institucione, propozoi modelin e intelektualit të angazhuar (l’intellectuel engagé), si një figurë publike që merr përgjegjësi për realitetin përreth. Sipas konceptit të tij, intelektuali nuk është ai që di gjithçka, por ai që ndjehet përgjegjës për gjithçka që ndodh në shoqëri. Ai e sheh rolin e tij si zë i së vërtetës, kritik ndaj pushtetit dhe solidar me të shtypurit, duke i dhënë mendimit një dimension etik e politik.

Antonio Gramshi, përmes qasjes marksiste të shoqërisë klasore, e ndante intelektualin në dy kategori: intelektuali tradicional, që pretendon të jetë neutral, por që shpesh shërben klasës në pushtet dhe intelektuali organik, që lind nga një klasë e caktuar dhe shërben për të konsoliduar hegjemoninë kulturore të saj. Gramshi gjithashtu paralajmëronte për rrezikun që intelektuali të bëhet instrument legjitimues i status quo-së, duke e maskuar dominimin me diskurse “të natyrshme”.

Në realitetin shqiptar të tranzicionit përpos intelektualëve –militnatë të pushtetit ose opozitës, dhe intelektualit jashtë pushtetit, ekziston edhe kategoria tjetër e intelektualit akademik, që prodhon dije të thellë e të strukturuar, por qëndron jashtë sferës publike. Kjo kategori intelektuale, prodhuese e dijes afatgjatë, e mbyllur në kullën e studimeve akademike, është e distancuar nga diskursi publik dhe e paartikuluar rreth urgjencave sociale dhe politike të shoqërisë. 

Në një botë që kërkon veprim të menjëhershëm, ky intelektual shpesh shihet si “i pa vlefshëm”. Edhe kur studiuesi akademik, i dominuar nga racionaliteti dhe i kultivuar në një mjedis ku dijet patrashtrohen dhe argumentohen përmes të shkruarit apo debatit konstruktiv me ekspertë të fushës, kur shfaqet në hapsirat mediale televizive, shpesh ndihet ngushtë, viskoz dhe i avashtë, përballë furisë së fjalëve dhe logoresë së analistëve gjithologë, të përshtatur me kamerat dhe ritmin e spektaklit mediatik. 

Në media, ndërkohë, ka lindur një figurë e re: gjithologu – analisti spektakolar, një opinionist që pretendon të flasë për gjithçka: nga konflikti në Lindjen e Mesme te zhvillimet në neuroshkencë. Ky personazh është produkt i shoqërisë së spektaklit (Guy Debord: The Society of the Spectacle, 1967). Pa thellësi teorike, por me aftësi të lartë retorike, ai shpërfaqet më shumë si performues se sa si mendimtar

Neil Postman (AmusingOurselves to Death -1985), ofron një kritikë të thellë të efekteve të televizionit në diskursin publik, duke argumentuar se spektakli argëtues televiziv i banalizon çështjet serioze dhe minon bazën e kulturës demokratike. Postman e sheh vlerën argëtuese të televizionit si një drogë fiktive të kënaqësisë në "Botë e re dhe të Bukur", me anë të së cilës të drejtat e qytetarëve shkëmbehen me argëtimin e konsumatorëve. Në këtë kontekst, gjithologu zë vendin e intelektualit si një figurë e tregut të informacionit dhe jo domosdoshmërisht shprehës i vetëdijes kritike.

 

2. Intelektuali përballë populizmit

 

Në kohët moderne, sfidat me të cilat përballet intelektuali janë më komplekse dhe më të shfaqura se kurrë më parë. Ndër më të rrezikshmet janë populizmi – si një formë e thjeshtuar, emocionale dhe shpesh manipuluese e komunikimit politik – dhe fragmentimi i thellë i opinioneve që rrjetet sociale kanë prodhuar. Në këtë realitet të ri, lind pyetja: a ka ende hapësirë për mendimin kritik, racional dhe të thelluar? A mundet intelektuali të ruajë rolin e tij si ndërgjegje e shoqërisë përballë zhurmës së pandalshme të informacionit të shpejtë dhe ndikimit të populizmit? Përgjigjja nuk është e thjeshtë, por roli i tij, ndonëse i vështirë, është ende thelbësor për një rend demokratik dhe etik.

Populizmi përfaqëson një lloj "anti-intelektualizmi të institucionalizuar". Ai promovon emocione të forta si frika, zemërimi dhe ndarja në NE dhe ATA, duke synuar të margjinalizojë zërat kritikë që vënë në dyshim narrativën e thjeshtuar që ai ofron. Sikurse shprehen studiuesit e kulturës moderne, populizmi ushqehet nga një formë e përgjithshme të mosbesimit ndaj elitave, ku intelektualët shpesh përfshihen si “armiq të popullit”, sepse flasin në mënyrë të ndërlikuar për çështje që populistët pretendojnë t’i zgjidhin me një fjali. Mjafton të shikosh në fb profilet e “albanologëve alternative”, të ndjekur nga qindar besimtarë të miteve nacionaliste ku me një gjuhë të ashpër dhe agresive, derdhet mllef dhe mallkime kundër intelektualëve “tradhëtues të testamenteve të shqipes mesianike”.

Në këtë kontekst, intelektuali përballet me një sfidë të dyfishtë: të ruajë autonominë e tij kritike dhe njëkohësisht të mbrojë vlerat demokratike nga manipulimi emocional dhe diskursi i urrejtjes.

Ndërkohë, rrjetet sociale kanë prodhuar një realitet tjetër, po aq sfidues: fragmentimin ekstrem të opinioneve dhe shpërbërjen e hapësirës së përbashkët të dialogut. Platforma si Facebook, X (ish-Twitter), apo TikTok funksionojnë mbi logjikën e algoritmeve që nxisin polarizimin, jo reflektimin.

Mendimi i thelluar nuk shpërblehet me "like" apo "share", ndërsa mesazhet e thjeshta, shpesh të pavërteta apo të manipuluara, qarkullojnë me shpejtësi marramendëse. Intelektuali përballet me vështirësinë për të bërë të dëgjueshme zërin e arsyes në një ambient toksik ku vëmendja është e shkurtër dhe informacioni është bërë konsum sipërfaqësor. Siç thotë Umberto Eco, rrjetet sociale u kanë dhënë të drejtën e fjalës një ushtrie idiotësh, që më parë flisnin vetëm në kafene pas një gote verë, por nuk i dëgjonte askush. Tani kanë të drejtën e barabartë të flasin me një laureat Nobel.!

Përballë këtyre realiteteve, misioni i intelektualit nuk mund të mbetet i njëjtë si më parë. Ai nuk mund të kufizohet në botime akademike apo konference elitare, por duhet të gjejë forma të reja komunikimi dhe angazhimi publik. Ndërgjegja kritike sot duhet të jetë edhe digjitale, edhe e përfshirë. Janë të paktë ata intelektualë, akademikë të profilit të lartë, të cilët kanë dalë nga kulla e fildishtë dhe përmes blogjeve, platformave digjitale dhe statuseve në agorën virtuale-në fb- shpërfaqin ndërgjegjen kritike, si roje të interesit publik.  

Në një botë ku mbizotëron konsumerizmi, kultura e argëtimi (jeta osht qef), kulti mallrave dhe imazhi prfomativ, detyra e intelektualit është të rikthejë vëmendjen tek diskursi dhe mendimi kritik, si një akt qytetar dhe etik. Në këtë kuptim, intelektuali nuk duhet të jetë thjesht kritik i rrjeteve sociale, por përdorues strategjik i tyre – duke krijuar hapësira për reflektim, dialog dhe debat të thelluar edhe në mjedise digjitale.

3.Intelektuali - një mision i pamundur?

Përballë populizmit që kërkon të dominojë mbi çdo autoritet shkencor dhe intelektual dhe rrjeteve sociale që fragmentojnë mendimin, intelektuali nuk mund të tërhiqet në heshtje apo të qëndrojë i mbështjellë me pelerinën e elitizmit. Roli i tij është më i rëndësishëm se kurrë: të jetë filtër ndaj manipulimit, dritë në terrin e shpërndarjes së lajmeve të rreme dhe zë që kujton se e vërteta nuk është gjithmonë ajo që është më e klikueshme.

Nëse demokracia është e mbështetur mbi qytetarë që mendojnë, atëherë intelektuali është aleati i saj më i rëndësishëm – edhe kur fjala e tij humbet mes algoritmeve dhe zhurmës mediatike të spektaklit dhe llafollogjisë sugjestive. Në këtë kuptim, intelektuali sot është më shumë se figurë kulturore – ai është një akt rezistence përballë furisë së populizmit dhe nihilizmit të vlerave.

Në epokën postmoderne, shoqëria duket se vuan nga një krizë e thellë e vlerave, ku nocione si e vërteta, drejtësia, solidariteti apo morali janë relativizuar, deformuar apo thjesht shpërfillur.

Në këtë kontekst, lind pyetja: a ka ende vend për intelektualin si zë kritik dhe udhërrëfyes etik? A është misioni i tij për të ruajtur dhe promovuar vlera, në një shoqëri që i sheh idealet si të vjetruara apo të panevojshme? Ndonëse sfidat janë të mëdha, misioni i intelektualit mbetet jo vetëm i mundur, por i domosdoshëm, sepse, siç shprehet Zygmunt Bauman, “në një botë ku gjithçka lëviz me shpejtësi marramendëse, kemi më shumë se kurrë nevojë për ata që dinë të ndalen e të mendojnë”.

Në shoqërinë postmoderne, vlerat nuk përçohen më përmes institucioneve tradicionale si familja, shkolla apo religjioni, por përmes medias, tregut dhe rrjeteve sociale. Ky realitet ka zbehur ndikimin e figurave që dikur kishin autoritet moral, përfshirë dhe intelektualët. Diskursi postmodern ka sjellë "shkërmoqjen e qendrës" si mbajtëse e monopolit të dijes dhe ka krijuar një klimë mosbesimi, ku çdo autoritet shpërbëhet në shumësinë e zërave, ku e vërteta nuk është më e vetme, por thjesht një ndër narrativat e mundshme. Në këtë kontekst të fragmentarizuar, zëri i intelektualit shpesh humbet mes zhurmës, relativizmit dhe preferencës për opinionin e shpejtë ndaj mendimit të thelluar. Ndaj, për shumëkënd, roli i tij duket si një mision i pamundur.

Në një botë ku realiteti shpesh maskohet nga narrativat e pushtetit dhe të tregut, roli i intelektualit është të mbajë të gjallë ndërgjegjen kritike dhe të sfidojë konformizmin. Ai nuk është thjesht një komentues i ngjarjeve, por një ndërgjegje që vë në pikëpyetje vetë themelet e mënyrës si mendojmë dhe jetojmë. Në këtë drejtim, edhe pse mund të mos ketë më autoritetin që gëzonte në traditën moderne, ai mund të veprojë në mënyrë të re – jo si profet që flet nga maja e kullës së fildishtë, por si qytetar aktiv që angazhohet me realitetin.

Pra, edhe pse sfidat e epokës postmoderne janë të jashtëzakonshme dhe ndikimi i intelektualëve shpesh zbehet përballë forcave të tregut dhe medias, misioni i tyre mbetet i pazëvendësueshëm. Intelektuali i vërtetë nuk dorëzohet përballë heshtjes, por kërkon të mbajë gjallë pyetjet, të ruajë kujtesën, të ndriçojë rrugët që të tjerët refuzojnë t’i shohin. Misioni i tij nuk është i pamundur – është i vështirë, ndoshta më shumë se kurrë, por është po aq jetik sa vetë vetëdija jonë si shoqëri.

Eshtë koha kur intelektuali akademik nuk duhet të prodhojë vetëm libra që zënë myk në rafte bibliotekash, por të dalë nga kulla e fildishtë dhe pa humbur integritetin epistemik, të angazhohet me problemet konkrete të shoqërisë, si intelektual reflektiv dhe jo si aktor spektakolar.

Roli i intelektualit në kohën tonë është bërë më i vështirë, më kompleks dhe më kontradiktor se kurrë më parë. Ai duhet të operojë në një terren të ndotur nga relativizmi, zhurma digjitale, populizmi epistemik dhe kultura e spektaklit. Ndërsa autoriteti i tij klasik është zbehur, shpresa që ai të bëhet ndërgjegje e shoqërisë nuk është shuar.

Megjithatë, vetë ekzistenca e krizës e bën më të nevojshëm se kurrë angazhimin e intelektualëve. Në një botë ku gjithçka relativizohet dhe, për më tepër, në botën post-truth, misioni i intelektualit mbetet ai që ka qënë-mik i të vërtetës, edhe pse thënia e të vërtetës ka kosto dhe nuk pëlqehet për veshët e turmës të ushqyer me mite, manipulime dhe gënjeshtra të ëmbla. 

Por siç thotë edhe George Orwell: “Në kohëra mashtrimi universal, të thuash të vërtetën bëhet një akt revolucionar.” Kjo është ndoshta thirrja më e qartë për një ringjallje të vërtetë të figurës së intelektualit, përtej rojeve të pushtetit dhe spektaklit të gjithologëve.

Lini një Përgjigje