
Në Shqipëri, prej vitesh tashmë kemi kultivuar mes nesh besimin se përmasat e vogla gjeografike e politike të shtetit, na përjashtojnë nga barra morale e përgjegjësisë, sikur ndërgjegjia politike të ishte një luks i rezervuar vetëm për kombet më të mëdha. Në fakt, është diçka që shkon përtej shtetit dhe kombit, e që përkthehet në jetët tona të përditshme ku, nëse nuk je i pushtetshëm a i pasur ose të paktën sadopak i njohur, atëherë çdo përpjekje për të shprehur njëfarë ndërgjegjësimi etik apo social, shërben vetëm si shenjestër talljeje dhe përqeshjesh. Kjo nuk bëhet askund tjetër më e qartë dhe therëse se sa kur tenton të shprehësh qoftë edhe solidaritetin më të vogël kundër gjenocidit që po ndodh në Gaza dhe që duket se po tregon gropën e thellë dhe të pafundme të ligësisë që mund të mbajë shpirti njerëzor.
Megjithatë, tek ne, sa herë përmendet Gaza – ende pa mbaruar fjalinë – mund të parandiesh vërshimin e të njëjtave reagime që shpluhurosen si mobilie të vjetra, gati të shpërbëhen me prekjen më të parë. Jemi tepër të vegjël, dëgjon të thuhet, për të mbajtur anë në një konflikt që ka përfshirë fuqi shumë më të mëdha se ne. Nuk e kemi luksin të bëjmë armiq. Duhet të tregohemi të kujdesshëm. Me sa duket, mbijetesa e kombit mund të garantohet vetëm nga memecëria e tij. Një heshtje e përllogaritur e një shoqërie që, nëse do të huazonim fjalët e Kalvinos, “vetëm kur është duke dhierë nuk është mjerane, dorështrënguar dhe e pangopur."
Do të qe më e lehtë të pranohej kjo lloj ndrojtjeje për të folur, sikur ne si shoqëri të mos ishim njëherazi kaq të etur për t’u krenuar me çastet një guximi të shkuar. Shpëtimi i hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore përsëritet pafundësisht si të qe një lloj shlyerjeje nga çdo detyrim moral i kohëve në të cilët jetojmë. Me sa duket, i vetmi mësim që kemi nxjerrë nga e shkuara, nuk është përgjegjësia morale, por komforti i nostalgjisë.
Kështu, sa herë që në publik ngrihet çështja e Palestinës dhe asaj çfarë po ndodh sot në Gaza, cinizmi vjen si një shpullë e fortë dhe e ftohtë që duhet të na kthejë menjëherë me këmbë në tokë, pasi po fole për to, je ëndërrimtar, radikal, ekstremist komunist dhe çdo “-ist” tjetër që në hapësirën tonë mendohen si ofendimet më të mëdha. Edhe tek ofendimet, sikurse në shumë gjëra të tjera, kreativiteti nuk është arma jonë më e fortë.
Disa këmbëngulin se Palestina nuk ka njohur Kosovën dhe për rrjedhojë, nuk i detyrohemi asgjë, duke e reduktuar solidaritetin në çështje pazari: na mbështet, që të të mbështesim. Sipas kësaj logjike, trupat e fëmijëve që nxirren nga rrënojat në Gaza, do ta meritonin dhimbsurinë tonë vetëm nëse udhëheqësit palestinezë do të firmosnin një copë letër para kamerave në Prishtinë. Të tjerë ndërkaq, paraljmërojnë se çdo shenjë simpatie ndaj viktimave në Gaza, përbën rrezik importimi të urrejtjes së një populli tjetër, a thua se dhimbsuria është ndonjë sëmundje ngjitëse. Në të vërtetë, e vetmja gjë e rrezikshme që jemi duke importuar mes nesh, është ideja se indiferenca dhe heshtja janë të vetmet rrugë të sigurta për shtetet e vogla si ne. Por, historia na thotë të kundërtën. Nëse Shqipëria ekziston sot si shtet, kjo është sepse ata të cilët shpallën pavarësinë më 1912, nuk mendonin se përmasat e një kombi dhe të një populli përcaktonin legjitimitetin e tij. Nëse ata atëherë do të mendonin si ne sot, atëhere nuk do të kishim as pavarësi, as flamur dhe as një shtet që ngre supet sa herë është fjala për të marrë përgjegjësi.
Të pretendosh se Gaza është e parëndësishme për ne sepse është shumë larg, apo sepse na komplikon aleancat, do të thotë të harrosh se injorimi i bën fatkeqësitë më të lehta që të përsëriten tjetërkund, ndoshta më afër, aty ku kujtimet të një të kaluare të trazuar vazhdojnë të na japin ankth. Edhe pse jemi të pafuqishëm për të ndryshuar rrjedhën e luftës dhe të gjenocidit, kjo nuk do të thotë që s’kemi zë për të folur dhe kjo e fundit – e folura – ka rëndësi, pasi heshtja është diçka që ngulitet në mendjen e viktimave po aq sa edhe të agresorëve të ardhshëm.
Zgjedhja është e qartë: ose të mbahemi fort pas rehatisë që na ofrojnë përmasat, duke përsëritur slogane rraskapitëse, ose të pranojmë se përgjegjësia morale nuk është diçka që përcaktohet nga kilometrat katrorë. E shkuara jonë dhe historia e shpëtimit të hebrenjve nuk mund të mbetet një objekt muzeal që ua shfaqim turistëve sa herë na leverdis t’iu shesim imazhin ekzotik të një vendi të vogël dhe heroik, por një kujtesë se edhe kombet e vogla mund të tregojnë dinjitet, pikërisht kur dinjiteti bëhet tipari më i rrezikshëm dhe vetëshkatërrues që mund të kesh.
PRAPE ME PROPAGANDEN E TERTORISTEVE, SIKUR "IZRAELITET PO BEJNE GENOCID NE GAZA"?! E VERTETA ESHTE SE POPULLSIA PALESTINEZE PO VUAN VETEM NGA KEQADMINISTRIMI
S'na the gje per ato pengjet Izrealite. Populli palestinez do qe Izreali te mos ekzistoj si komb, ju jeni dakort me ta ? Gjysma e te vertetes eshte me keq se genjeshtra.
Ne e kemi bere zgjedhjen...Jemi meUSA,.USA eshte me Izraelin. E moralshmexapo jo pak rendesi ka ajo diskutohet brenda shtepise,prapa kuintave jo ne publik.Pastaj ti haron qe kunder Iranit na ndihmuan Izraelitetjo palestinezet.A mund te peshtyjme ne buke qe hame?
"Veza pulën apo pula vezën" dhe të tjera si kjo "gjë a gjëzë", janë në themel të konfliktit 'biblik' mijra vjeçar në atë zonë ku, sa historikisht porç aq dhe politikisht ka qenë dhe mbetet tepër e komplikuar. Të dy etnitë që fati i ka detyruar të bashkëjetojnë, janë në të drejtën legjitime të ekzistencës së tyre. Qëndrimet kategorike të palëve për të kundërtën kanë kosto të lartë, ku barra i rëndon banorëve të pafajshëm, përfshirë më të pafajëshmit e tyre, fëmijtë. Ndaj për të gjetur zgjidhjen, le të sjellim ndër mend fabulën me "vezën e Kolombit", apo "nyjen Gordiane", mënyra se si Kolombi bëri të mundur qëndrimin vertikal të vezës së zier dhe si Aleksandri i Madh e zgjidhi nyjen gordiane. Që në këtë rast do të thotë se duhet pranuar nga të dy palët njohja reciproke e bashkëekzistencës paqësore, dhe pra, formimin e një shtetit palestinez. Asgjë e re mund të thuhet, sepse i është afruar disa herë kësaj, por rezultati ka qenë thjesht njohja e Autoritetit Palestinez, bile dhe nga OKB, por jo dhe i shtetit përkatës. Ka lëvizje në këtë drejtim, por mesa duket, larg zgjidhjes përfundimtare dhe afatgjatë, kësisoj dhe vendosjes e një paqe të qëndrueshme në gjithë rajonin e Lindjes së Mesme. Kjo pa harruar se, sipas Kon Fucit: "Paqja kushton", dhe kosto më të lartë se ajo që është paguar nga të dy popujt arabë dhe izraelitë, së paku qysh nga viti 1948, vit kur u krijua Shteti i Izraelit, nuk besoj se do të ketë. U takon 'burrave të shtetit', veçanërisht të atyre shteteve me ndikim botëror, të marrin përgjegjësitë, duke dhënë zgjidhjet që historia ju imponon, qofshin ato zgjidhje edhe me kosto, por ato kursesi nuk do jenë jo më të larta se ato që po shohim aktualisht në Gaza.
Mua nuk më intereson as historia, as politika, as marrëdhëniet ndërkombëtare, as opinionet e të tjerëve. Unë kam thjesht mendimin tim të pakushtëzuar nga asgjë tjetër, përveç ndërgjegjes sime. Që më thotë se tash e 70 vjet palestinezët janë viktima të terrorit izraelit. Që edhe ata kanë të drejtë të kenë atdheun e tyre që shteti sionist dhe racist izraelit jua mohon.
Me ç'e kon grepin nuk dime. Bjeri kembes mbase korani kafshoi.
Bën shumë mirë që e prek këtë problem, të mangësitë apo mungesës së shtyllës kurrizore të shoqërisë për çështje të tilla madhore, morale. Mesa lexoj shtypin e huaj, lëvizjet pro Gazës vihen në lëvizje: 1. Nga figura të larta shtetërore dhe politike të këtyre vendeve (tek ne s'kanë ndërmend të prononcohen, as pozita, as opozita). 2. Është shoqëria civile aq e fuqishme sa nuk e ndalojnë dot as ligjet, as arrestimet, as gazi lotsjellës. Tek ne s'ka për të pasur nisma të tilla dhe disa arsye. Puna është që jemi në mes të një procesi për anëtarësim në BE dhe s'ia kemi ngenë heroizmave. U sakrifikuam një herë 500 vjet më parë (ndërsa Evropa bënte tregti me sulltanin) dhe e paguam shumë shtrenjtë. Tani do të shohim punën tonë. Kështu duket mendojnë shqiptarët. Dhe nuk mund t'u vësh shumë faj.