
Tomislav Markoviç, poet serb
Ukraina po sulmon Rusinë!
Ky ishte titulli sureal i një raportimi në edicionin e 22 shkurtit të tabloidit më të shitur në Serbi, “Informer”.
Ky titull nuk ishte vetëm shkronja, por një shprehje e Putino-filisë që ka qenë e fortë në Serbi prej vitesh.
Në një kohë kur pjesa më e madhe e botës e dënoi agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, shumica e mediave në Serbi iu drejtuan glorifikimit të veprimeve ruse.
Tabloidët, portalet në internet, të përditshmet, të përjavshmet dhe kanalet televizive mbarëkombëtare festuan shkatërrimin e qyteteve të Ukrainës dhe i dhanë mbështetje me gjithë zemër forcave të armatosura ruse.
Vrasja e civilëve, rrafshimi i qyteteve dhe shkatërrimi i monumenteve të kulturës u duk se i mbushi disa nga redaktorët e Serbisë me entuziazëm.
Në Beograd u zhvilluan tubime pro-ruse, në të cilat turma brohoriste emrin e Putin-it dhe shkronja “Z” u shkarravit në asfalt.
Pjesa tjetër e botës dridhej teksa shikonte mbulimin në kohë reale të kufomave në rrugët e Bucha-s, civilët që strehoheshin nga predhat ruse në stacionet e nëndheshme dhe miliona refugjatë që largoheshin nga vendi i tyre.
Por, në vend të dhembshurisë për viktimat e pafajshme, në Serbi kishte mirëkuptim për kriminelët rusë.
Nëse aleatët e presidentit, Aleksandar Vuçiç, në mediat serbe duken të dëshpëruar për vdekjen dhe shkatërrimin në Ukrainë, ai pretendonte se vendi është politikisht neutral.
Serbia ka votuar pa dëshirë në favor të rezolutave të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që dënojnë përdorimin e forcës nga Rusia dhe aneksimin e paligjshëm të territorit ukrainas.
Por qeveria Vuçiç ka refuzuar vazhdimisht të mbështesë sanksionet perëndimore kundër Rusisë.
Zyrtarë evropianë, senatorë amerikanë dhe të dërguar të ndryshëm janë dyndur te Vuçiç, duke i thënë se ishte koha për të zgjedhur nëse Serbia do të ishte pjesë e Evropës apo aleate e Rusisë?
Me gjithë presionin, Vuçiç po e mban Serbinë “në harresë”.
Por nuk mund të ketë asnjë neutralitet kur bëhet fjalë për fushatën e Rusisë kundër Ukrainës.
Të mbetesh asnjanës ndërkohë që një xhelat ther një viktimë do të thotë moralisht të anashkalosh xhelatin.
Qëndrimi i Serbisë ndaj luftës në Ukrainë kërkon një kontekst shtesë.
Ndërsa në vende të tjera, agjencia shtetërore ruse e lajmeve, “Sputnik”, dhe kanali televiziv rus “RT” shpërndajnë propagandën e Kremlinit, në Serbi shumica e mediave vendase veprojnë sikur ata vetë janë pjesë e makinerisë ruse nën komandën e Kremlinit.
Problemi nuk kufizohet vetëm në media.
Serbia kurrë nuk ka hequr dorë nga ideologjia nacionaliste e Serbisë së Madhe që çoi në luftërat e ish-Jugosllavisë.
Përjashtimi i vetëm ishte kryeministri jetëshkurtër, Zoran Djindjiç-it, por ai u vra në vitin 2003.
Udhëheqësit politikë të sotëm serbë ishin pjesëmarrës në luftërat e viteve 1990.
Vuçiç ishte një zyrtar i lartë i partisë Radikale Serbe, të të dënuarit për kriminel lufte Vojislav Seselj.
Partneri i tij i koalicionit, Ivica Daçiç, lider i Partisë Socialiste të Serbisë, ishte zëdhënës i Slobodan Millosheviçit.
Një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Vuçiç-it, ministri i Brendshëm, Aleksandar Vulin, filloi karrierën e tij si funksionar i së Majtës Jugosllave, partia e themeluar nga gruaja e ndjerë e Millosheviçit, Mirjana Markoviç.
Ministrja e sotme për Integrime Evropiane, Jadranka Joksimoviç, ka punuar në revistën e partisë Radikale Serbe, “Velika Srbija”, titulli i së cilës (Serbia e Madhe) flet vetë.
Udhëheqësit politikë serbë ende nuk e pranojnë publikisht Srebrenicën si gjenocid.
Elitat politike, mediatike, kulturore, kishtare dhe sociale vazhdojnë të mohojnë përgjegjësinë serbe për krimet e luftës.
Revizionizmi historik i kohëve të fundit i Serbisë sugjeron se ishin serbët ata që ishin viktima, asnjëherë kriminelët.
Kriminelët serbë të luftës të dënuar ndërkombëtarisht kthehen në shtëpi pas vuajtjes së dënimit dhe iu jepen mirëseardhjet, sinekurat dhe hapësira mediatike sikur të ishin heronj.
Kjo, për të shpjeguar versionin e tyre të së vërtetës, të cilën gjykata e Hagës, natyrisht, nuk ishte në gjendje ta kuptonte.
Muralet në qytete anembanë Serbisë kanë imazhin e Ratko Mlladiç-it shpesh me sloganin “heroi serb”.
Kushdo që flet për krimet serbe, njolloset si tradhtar.
Në zyrën e Prokurorisë serbe për krimet e luftës, 2 mijë e 500 raste kanë mbetur në fazën e hetimeve paraprake për vite me radhë.
Sipas vlerësimeve të Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, të paktën 6 mijë kriminelë të padënuar lufte ecin lirisht nëpër rrugët e qyteteve serbe.
Për nacionalistët serbë të ekstremit të djathtë, gjendja aktuale e paqes në Ballkan është e përkohshme, ashtu si kufijtë.
Ata ende ëndërrojnë për një shtet të madh serb që do të përfshijë Kosovën, Malin e Zi, Republikën Srpska dhe pjesë të Kroacisë.
Realizimi i asaj ëndrre nuk është i mundur siç janë gjërat, por nacionalistët janë të duruar.
Pas humbjes në luftërat jugosllave, ata u tërhoqën për të lëpirë plagët e tyre, për të ushqyer urrejtjen ndaj fqinjëve të tyre dhe për ta mbajtur popullatën në një gjendje gatishmërie luftarake nëpërmjet mediave.
Që ata duhet të presin kohën e tyre derisa të ndryshojnë rrethanat ndërkombëtare, ka qenë një nga narrativat kryesore të propagandës ruse për tregun serb të filtruar nëpër pjesë të mediave serbe për më shumë se dy dekada.
Ultra-nacionalistët serbë kanë pritur që Rusia të hyjë në një konflikt vendimtar me antikrishtin perëndimor, për të mposhtur Evropën e pafe dhe SHBA-të.
Kjo për të vendosur një rend tjetër botëror.
Ata e kanë vendosur besimin e tyre te Putin-i si një Mesia dhe e imagjinojnë atë si një version të përmirësuar të Slobodan Millosheviçit: sundimtar i një perandorie të fuqishme me një arsenal bërthamor në dispozicion.
Kur Rusia pushtoi Ukrainën, ndjekësit e Putin-it në Serbi menduan se ora e tyre kishte ardhur.
Ky ishte fillimi i përmbysjes së madhe në të cilën rendi i vjetër do të rrafshohej dhe nga rrënojat e tij do të lindte një botë ku sovraniteti, kufijtë dhe traktatet ndërkombëtare nuk kishin asnjë rëndësi.
Në vend të ligjit ndërkombëtar dhe gjërave të tjera perëndimore, ligji i xhunglës do të mbizotëronte, siç e dikton tradita autoritare.
Lavdërimi i agresionit kriminal të Rusisë kundër një vendi sovran mund të duket i çuditshëm për të painformuarit.
Por për ne që jetojmë në zemër të errësirës, një vend heronjtë e të cilit janë Slobodan Millosheviç, Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç, nuk presim asgjë më të mirë.
Ata ende besojnë në teoritë e konspiracionit rreth masakrës së vitit 1994 në Markale të Sarajevës se ajo ishte inskenuar.
Nëse hienat e medias mund të tallen me viktimat e gjenocidit të Srebrenicës në TV primetime, pse do të pikëlloheshin për viktimat e krimeve të Putinit?
Siç ka thënë shkrimtari dhe mendimtari i madh serb Radomir Konstantinoviç në vitin 1991: Ne jetojmë në një botë në të cilën monstruozja po bëhet e natyrshme, dhe e natyrshme monstruoze.
Diagnoza e tij ndaj Serbisë, për fat të keq, nuk ka humbur asnjë nga saktësia e saj.
Bravo, ka edhe Serbe me kembe ne toke..Fatkeqesisht nuk jane shume.
Ku e ka vendin Rama...në këtë Serbi
Po Kim, më shqiptarë se shumë shiptarella, si shembull kryetari i P së të Gjelbërve, që i thoshte egërsirë moderatorit të "kirilica" kur akuzonte kryeministrin Kurti dhe... targat