Meditim me “Ullirin” e mjeshtrit Viktor Bullgari në shtëpinë time…

2 Nëntor 2022, 16:29Blog Nga Kristo MËRTIRI

Një punë e bukur është më e dobishme se një mijë fjalë të bukura ! Kështu shprehej e shkruante shpesh Rilindasi i madh i viseve të mija, Sami Frashëri mencuria. E kam mërmëritur jo rrallë me veten dhe të tjerët atë postulat të patundur, këtu në metropol. Vecanërisht gjatë dy viteve të fundit. Dy vite të shuarjes nga Covidi të piktorit të madh fierak, Viktor Bullgari ! Dy vite që nuk ulesha dot të hidhja ca fjalë zemre në kartë. Pikëllimi dhe dëshpërimi për mikun më të ri (ishim njohur personalisht nga afër, në ceremoninë e papërsëritshme të organizuar gati një vit e gjysëm më parë, në Përmetin tim të dashur),tashmë ka pushtuar mjaft shokë e miq nëpër Shqipëri, mjaft dashamirës e adhurues të Artit të tij. U sëmur dhe brenda dy javësh, iku. Iku në atë botë ! Ndërsa media vazhdon të mbytet e përmbytet nga Polit(h)ika sherrmadhe e nepsmadhe për pushtet e bereqet të pamerituar. Për favore e privilegje të panginjura dhe pa pikë djerse e mundimi të ndershëm…

Por unë gdhihem e ngrysem përballë një ulliri të mrekullueshëm nga Myzeqeja, ulli që 3 vjet e ca më parë mori udhën për në Përmet, bashkë me Viktorin, Petritin, dy Alfredët,njëri poet e tjetri mësues. Një dhuratë(më saktë: thesar)e pacmuar publike, që u përkund për ca orë nën tingujt e sazeve të famshme dhe të valëve urtësiplota të Vjosës në atë 24 Maj 2019 ! Peneli jo dosido në duart e piktorit të talentuar e origjinal, kishte bërë  më së miri punën e vet. Pjesmarrësve në sallë (më tepër në këmbë se sa ulur nëpër karrige!) u mbeti syri te ajo pikturë meditimndjellëse. Një  ulli shekullor që u ka mbijetuar stuhive e stihive të vetëtimave dhe cmendurive njerëzore të kohës pluraliste shpesh pa shtet të vërtetë ligjor. i rrahur nga erërat ulëritëse të natyrës dhe i goditur brinjë më brinjë nga rrufetë qiellore, ashtu shpatullcarë e i papërkulur, nuk ia rrëmbyen dot shpirtin poetik e biblik dhe nuk e thanë e as e përthanë plotësisht. Por mua shpesh më prish gjumin: Më shëmbëllen shumë me ullirin vesëpikuar të parajsës sime të humbur, Fëmijërisë, që ka gati 100 vjet që pret e përcjell brezat në oborrin e shkollës fillore “Llukan Ceka” në vendlindje, në Peshtanin e shenjtë të ulur mbi gjunjët e malit Golik. Pas 60 e kusur vjetësh, erdhi një ditë që nën degët e tij të thinjura ia mora këngës së mocme “Thëllëzat kur shkojnë përpjetë, moj thëllëzoo…”. Ah, mungonte Mjaftonia e xha Jonuzit të paharruar, martuar diku përgjatë Shkumbinit. E këndova me Josifin, Zoicën, Alioshën, Violetën…Vecse mungonte mësuesi ynë, Stathi Kume ballëlari. Por në këngë sikur mbanin iso të gjithë, të vdekur e të gjallë. Mungonte fluturimi e ndalesa në pravaz të penxheresë e një gushkuqi të bukur; e një mëllenje nazemadhe nën flokët e butë të dëborës; cukitja drithëronjëse e bishtatundësit apo arratia stinore e zogut të dallëndyshes. Rrallë ndonjë cinxami i pakapshëm e trazovac derdhte pëshpërimat përmes ferrave te Currega a te Përroi i Faros. Vecse Ulliri i Fëmijërisë dinte t’i ftonte e mbante ngrohtë nën strehët e degëve, sidomos bilbilat dhe cicërimat e një kori masiv që rrokulliseshin hareshëm mbi brigjet e Vjosës mes grykave të Këlcyrë-Mezhgoranit. Dhe piktura e Viktorit sikur më flet ngadalë te veshi:-Këtu i ke të gjitha, miku im !...Dhe mbylli sytë e iku sapo trokiti vjeshta e tretë. Iku “piktori poet”, sic e thërriste plot dashuri  vlonjati ynë i mirë, Prof. Bardhosh Gace që e nisi udhën e krijimtarisë nëpër bjeshkët e Veriut dhe jo në asfaltet e Tiranës e as nëpër palmat e qytetit të Vlorës… Viktori iku kur po mbaronte vjelja e ullinjve. Fiks dy vjet më parë…Nuk di gjë akoma se c’po bën Bashkia e Fierit për atë artist origjinal në jetë e në profesion, që i fali aq shumë vepra asaj treve të bekuar (?!)…

Por pikturat e tij dritëdhënëse nuk do i ulin qepallat kurrë, brenda e jashtë trojeve shqiptare. Unë mendoj se ato nuk kanë nevojë për ciceron. Në cdo gjurmë peneli rreh një zemër e kulluar shqiptare, tepër njerëzore e tepër bujare. Kurorat e ndritura të ullinjve nuk shqiten kollaj nga bebja e syrit dhe kujtesa e cdo vizitori. Sot mund t’i gjesh të ekspozuara gjer në Australi, Amerikë, Kanada, Angli, Greqi, Itali, Gjermani, Zvicër etj. Dhe nuk bëhet fjalë thjesht për një “piktor province”. Modestia e tij e pakufi fliste shumë. Në prag të Covidit të zi, e lamë të takoheshim në studion e tij në Fier. Por nuk thonë kot: Në këtë botë të trazuar ka shumë sëmundje, por ama ka vetëm një shëndet !...S’mund të harrohet, fjala vjen, një nga ekspozitat e tij që la gjurmë dinjitoze në Kryeqytet, dy dekada më parë. S’harrohen as ca fjalë të Dritëroit të pavdekshëm në hollin e Muzeut Historik Kombëtar: “…Kjo është një ekspozitë ku Viktori pasqyron të parët, banorët e tokës. Dhe ne njerëzit jemi emigrant në këtë tokë. Të parët janë pemët, bari dhe qëniet e tjera. Ai i bën të gjallë që llafosen, i bën qënie që tregojnë forcën, që nuk mund të zhduken, do të jetojnë përjetë. P.sh. nuk mund të zhduken nga një korrupsion a terrorizëm…Të gjitha ato lëshojnë ushtrinë e bacilieve që ne na bëjnë hi fare, me sëmundjet etj. Këto qënie ai i bën të fjalosen, të kuvendojnë, por i bën edhe që të na joshë apo të na thonë që të kemi aleancë me natyrën, të jeni aleatë e jo armiq. Prandaj është i fortë Viktori…”. Dhe i shtrëngoi fort dorën e u përqafuan. Ose, nuk ishte rastësi që kokëploti Moikom Zeqo e përcaktoi “midis një shartimi të Van Gogut me Mion tonë”, “është një lloj murgu i vecantë i Pikturës, i ka kushtuar jetën…me origjinalitetin e tij është jashtë perversiteteve të artit, që na janë bërë të neveritshme”. Piktori i Popullit, Skënder Kamberi, ia adhuronte koloritin tepër të ngrohtë me ngjyrat e Atdheut tonë, e sidomos të Myzeqesë. Ndërsa Xhevahir Spahiu e mbylli ceremoninë me një fjali që ndezi natyrshëm duartrokitjet:-Atë dritë që kanë pikturat e Viktorit, ta fitojë edhe zemra juaj këtu dhe jeta shqiptare !...Ka të drejtë skulptori i mirënjohur Haxhi Kalluci, kur thekson se ai mbi penelin, telajot dhe ngjyrat, kishte dashurinë për njerëzinë. Ishte me humor e zemër të madhe. Na ka lënë një thesar…(Portretin e tij në një bust të vogël mermeri, tani nuk e ledhaton vetëm Haxhiu si autor e mik, por edhe shokë e miq të shumtë, vizitorë të njohur e të panjohur).”Na ke ringjallur dashurinë kombëtare për natyrën”, kaq i thoshin qytetarët e thjeshtë. Ndërsa Viktorit i pëlqente të citonte shpesh fjalinë e një regjisori të madh japonez me famë botërore: -Unë filmat i ndërtoj me ngjyrat e Van Gogut ! Dhe nuk la pak, por mbi 1000 vepra arti ! E donte tallazin e detit dhe ngjyrën poetike të ullinjve, donte edhe rrymën realiste-impresioniste. “Ai përfaqëson vetveten…Ka mënyra origjinale koloristike të të menduarit”, theksonte studiuesi serioz Abdulla Tafa nga Kavaja, i cili ia vlerësonte shumë edhe kultin e drurëve.

Veprat e Viktor Bullgarit nuk kanë lindur vetëm nga gëzimet e mëdha, por edhe nga dhimbjet e mëdha. Përshembull, vite më parë, ikjen e papritur e aksidentale në atë botë të vëllait të vogël, e përjetoi shumë rëndë. Kënga e penelit heshti për ca kohë ! Në studio ruajti deri në fund lapsin dhe gomën e kohës së fëmijërisë, vizatimet e para si shkëndijat e një zjarri të ardhshëm. Ruajti edhe punime të gjyshit, drugdhendësit të shquar fierak, bashkë me disa skulptura të vëllait Leonidha…”Po të kisha parë vetëm leverdinë vetiake, do i kisha vrarë me dorën time pikturat, jeta është uragan”, rrëfen syrrëmbushur e zemërplagosur, miku ynë i përbashkët, Petrit Zani. Ky djalë trim dhe i mencur i Camërisë , që reciton para publikut qindra e mijëra vargje përmendësh nga autorë të shquar, dikur ishte refugjat e në ballë të protestave shqiptare në mes të Athinës, tani vonë po piqte kazanin e fundit të rakisë. Dhe shton vargje zemre për Viktorin, mikun e rrallë që e përcolli me lotë të nxehtë e pikëllim të pasosur sot e kësaj dite. “Më mungon shumë vëlla, më mungon!”, u thotë të gjithëve në telefon e ballë për ballë. Ah, mëmëzeza Asije, nuk besoj ta ketë tretur dheu me dy plagë të mëdha e të pashërueshme, atje, në dheun e Myzeqesë: Dy djem në lule të jetës, ia vranë pabesisht në kohët zezona të pluralizmit ! Tregojnë se atje edhe qeparisat shpesh të duken se pikojnë lotë e helm…

Duke hedhur plot dhimbje e mirënjhoje këto shënime të thjeshta, më bëhet se dëgjoj pëshpërimat e “Ullirit” mbi murin e kuzhinës time në Tiranë, por edhe fëshfërimën magjike të penelit. Por cuditërisht dëgjoj edhe 4 vargjet fare pak të njohura të Zef Serembes:” Kur lodhja nis të rëndojë hapin,/ Nën hije bujarisht më fton Ulliri,/ Posi suvarat që Arbërinë lagin,/ E vinë më puthin me buzë të njoma Prilli…”.Dhe në fund të librit, 125 vite më parë,atje, në Buonos Aires, bën këtë sqarim të përkryer për fjalën Ulli, të cilën e shkruante gjithmonë me “U” të madhe ! “Gjithë trojet e vendit tim janë të hijëshme me ullinj të lulëzuar, të fuqishëm dhe madhështorë që i bëjnë cuditërisht piktorike dhe magjepëse ato vise vetmitare të lindjes sime, të ngazëllyera prej buzëqeshjeve të vetëtimta dhe të ëmbla të detit Jon”. Le të jenë këto shënime në vend të një buqete me lule por edhe në vend të një interviste në studion e tij në Fier, që mjerisht nuk arritëm ta bënim dot !... 

2 Komente

  1. N
    Natasha

    Me shume emocione sa lexova kete shkrim te Kristo Mertirit. Dhe ndjej jo vetem penelin e piktorit Viktor Bullgari por dhe penen e mprehte te nje shpirti te madh e te ndjeshem te gazetarit te njohur. Eshte kjo arsyja qe pres vazhdimisht shkrimet e tua. Intelektuale te pàharruar si piktori i shkrimit nuk duhet ti mbuloj pluhuri i harrimit. Shteti ne forma te ndryshme permes institucioneve te tij duhet ti perjetesoje per veprat qe lene, per punen e sakrificat ne fusha te ndryshme.

    1. E
      Eva Pipi

      Shkrimet e gazetarit Kristo Mertiri i lexoj me shume deshire,pasi flet per ngjarje reale,te jetuara ,pa filtra e zbukurime.I vlereson dhe i larteson emrat e atyre te cilet nuk duhen harruar…e ne kete rast piktorin e nderuar Viktor Bullgari.

      Lini një Përgjigje