…Kësaj dite shkova nga lagjia “San Mishel”, një vendthet e bukura të Parisit. Ka kafe të mira aty. Edhe pse në Francë, nuk rri dot pa ndjekur lajmet se “ç’bëhet andej nga dheu ynë”. Denduria i lajmeve të zeza, edhe në këto ditë vere, nuk rresht. Këndej është freskët, herë-herë bie dhe shi, ndërsa nga Shqipëria rishtazi ka plasur djegësira sahariane, vapë, zheg. Vetëm vapa, zhegu i verës është vallë? Apo është edhe ajo djegësira e matrapazëve të politikës që nuk pushojnë me sherrnajat e tyre, madje udhqejnë paranojat për bëma e gjëma, doemos nën sloganet e lirisë, luftës kundër korrupsionit, shkretimit të vendit nga emigracioni etj, etj. Të plas koka, nuk duron dot, uuuffff! Dhe kështu, u çova nga tavolina me kafen si të gëlltitur dhe jo të pirë për qejfin tim.
Aty përballë, impozant, më doli shtatorja e atij, San Mishelit (apo Mikaelit, Mëhillit, Mihalit), i ngrirë në bronz, me shpatën prej luftëtari. Ej, ti kapiten i Zotit, komandanti i Parajsës, që me shpatën tënde ua pret kryet gjithë demonëve të Satanait, pse nuk e vringëllin njëherë mbi ca shqiptarë të krisur, të lojtur mendç e budallenj që kemi ne në vendit tonë! Eja San Mishel dhe prejua kokat hajdutëve, kriminelëve, pushtetarëve të pashpirt, gjithë këtij harakiri që e ka pushtuar vendin tim si një kolerë dhe nuk i lë njerëzit në hallet e tyre, në paqen e tyre, në varfërinë e tyre dëshpëruese. Bëje San Mishel që këta të pangopur e këta të pashpirt të qërrohen nga ky dhe´ i vuajtur e në lëngatë. Bëje!
-Ti i beson miteve? - lëvizi shpatën dhe rrahu krahët prej ëngjëlli San Misheli duke më shpotitur haptazi. Ironia e tij më ra shpinës si bryma në verë. Sigurisht që nuk i besoja miteve, as atyre biblike. Janë thjesht ëndrra, fantazi, dëshira, vullnete të heshtura, hakmarrje të fshehura. Dhe doja t’ia ktheja përgjigjen kapitenit të Zotit për mbrojtjen e Parajsës: “Ej, San Mishel, afërmendsh e di se nuk je i vërtet, je i sajuar nga njeriu për ta mbrojtur nga e keqja.
Por metafora e ndëshkimit, e ngritur mbi shpatën tënde dhe krahët e tu prej krye-engjëlli dhe kapiteni, ka marrë konotacione të ndryshme historike në kohëra të ndryshme. Unë sot, në atdheun tim të lodhur, dua të të quaj SPAK. Sepse SPAKU është shpresa që ta çajë qiellin e zi dhe të sjellë më në fund pakëz dritë. Po, po, ti San Mishel je SPAKU, je drejtësia, ç’rëndësi ka, je e Zotit apo je e Njeriut. Ndëshikimi yt duhet të jetë i pamëshirshëm. Ti i ke rrasur një kope hajdutësh nëpër qeli burgjesh dhe dyer gjykatash. Të tjerë presin radhën. U është futur dridhma. Por dije, o San Mishel, kopeja e ujqërve, çakejve dhe rinocerontëve është e madhe dhe e fuqishme këtu ndër ne. Prandaj ngrije shpatën dhe bjeru, bëji copë e çikë ata që e kanë zhvatur këtë popull, ata që ia kanë zënë burimet si kuçedra. Në skulpturë, te kjo kishëz, ti po u bie përbindshave me trup dragoi, bisht gjarpri dhe kokë luani. Përbindshat tanë janë dhe më të tmerrshëm se këta, i fshehin thonjtë, gjurmët, dhëmbët helmatisës, qëllimet, motivet. Bjeru San Mishel, për hir të Zotit, bjeru në kokë dhe bëjua trupin copë e grimë, që të shpëtojë ky vend!...”
·
...Me këtë duf çapova më tutje drejt katedrales së famshme të Notre Dame. Paçka se kanë kaluar katër vjet qysh kur u dogj, ende nuk është hapur për vizitorët. Ata janë të shumtë. Fotografojnë. Puthen. Mbi një shkallare ka mbi 100 vetë që rrinë dhe sodisin madhështinë e saj. Po e kundroja dhe unë këtë katedrale madhështore pariziene dhe në beft të sekondës, aty lart, në ballkonin që bashkon dy kullat e kambanoreve, m’u faneps figura e Kuazimodos e luajtur nga Anthoni Quin në filmin “Katedralja e Parisit”, sipas romanit homonim të Viktor Hygosë. Ai naiv e budalla, i shëmtuar në fytyrë por i bukur në shpirt, u vërviste që andej kolona gurësh turmës aty poshtë që kishin ardhur të të shqyenin derën dhe të shpëtonin Esmeraldën (smeraldin) e tyre. Turma e shkundulluar, plot zhele e dhëmbëkrimbur, i binin portës së Notre Dame për ta shqyer, të hynin brenda dhe ta shkatërronin. Dhe ulërinin...
Rishtazi mendja ime iku prej katedrales dhe fluturoi drejt godinës së Bashkisë në Tiranë. Një grusht njerëzish, thuajse të njëjtët, sepse më ngjanin si ata të romanit të Hygoit, mbledhur gjithë skutave të errta të Parisit dhe donin ta shqyenin portën e madhe të katedrales. Edhe këta digjnin para bashkisë një pirg gomash dhe e bëin pis ajrin, pastaj qëllonin me bomba molotov drejt dyerve të saj. Një herë, dy herë, njëmbëdhjetë herë. Diku dëgjohej zëri i çjerrë i një gruaje, e cila bënte thirrje t’i vërsuleshin ambasadës amerikane dhe ta bënin hi. Njësoj si ajo gruaja-plakë e filmit. Po çfarë kërkonin këta njerëz? Cilën Esmeraldë do të lironin? Nga kush nxiteshin? Ata nuk donin të lironin Esmeraldën (smeraldin) e tyre, le ta quajmë lirinë, bukurinë, pafajësinë. Ata e kishin hallin me priftin Frollo, me kryebashkiakun. Po ky prifti aty brenda në katedrale kush qe, kryebashkiaku apo dikush tjetër, tinëzar dhe i fshehur, që rrinte ngujuar si plaku Mere Fizi diku në dritaren e një pallati, që dërdëronte çdo mbrëmje dhe ëndërronte ta bënte sërish e sërish tym e flakë vendin. Dhe lutej: “O Haku i madh, tunde një herë nga themelet!” Mirëpo tespiqet këtij plaku të zi i qenë këputur. Ushkurët nuk mbanin më. Dhe mendja ime ma kthente: “Vallë me ato djegie gomash plot tym të zi dhe me ato flakë shishesh me benzinë do t’i nxirrnin jashtë atyre mureve priftërinjtë me veladon të zi? Ajo godinë, o njerëz, është për të hyrë aty qytetarët të qajnë e zgjidhin hallet e tyre, është vendi ku organizohet puna. Mos u bëni si Kuazimodoja. Godina e bashkisë nuk është tuaja, është tona, “katedralja” e qytetarëve të Tiranës. Ata që vjedhin, tjetër kush i kap për veshi dhe i çon ku duhet. Nuk u lodhët me zjarre, me zërat e prishur, me kryengritje qesharake, me gjeste “heroike”?! Apo s’keni ç’i bëni gomarit, domethënë votës, dhe i bini samarit, domethënë rrenës, siç thotë dhe fjala e urtë. Merreni pushtetin me votë, jo me zjarre!...”
Dhe s’di pse në tru ma behu një tjetër batutë e njohur e filmit: “Po me urën ç’patën, xhanëm!...” Dhe zvarrita këmbët, e lash katedralen e Notre Dame rrethuar nga muret metalike të rikonstruksionit, me turistët e shumtë që fotografonin, putheshin...
Josif Mamagjoni a Papajoani si e ka ky i shkalafituri, duhet keshilluar te mos rrije shumë ne diell. Vapë e madhe.
Cife ...bmylle porten e kosheres sa s'eshte vone
Gjepura per te treguar se ke vajtur ne Paris!
jo nuk jane gjepura dhe tashme nuk mburret njeri se ku shkon por po thote se sa budallenj i ka bere Saliu njerzit e tije qe do te mari pushtetin duke djegur bashkine apo kryeministrine. Ato godina jane te shqiptareve as te Veliajt as te Rames .Bloza dhe djegjet do rregullohen me parate tona dhe te atyre qe i prishen.Prandaj mos pranoni te ju hedhin trute e gomarit.