Mirësevini në "The Trading Game"

24 Qershor 2025, 13:22Blog Bjorn Runa

Mirësevini në "The Trading Game"

Ndërsa botonte librin e tij “The Trading Game” në 2024-ën, ekonomisti britanik Gary Stevenson nuk synonte të na sillte një manifest ekonomiko-politik. Siç shprehet edhe vetë në disa intervista dhe dalje publike, donte vetëm të tregonte historinë e tij, nisur edhe nga pasioni për letërsinë dhe kinemanë. Në fakt, nuk e kishte imagjinuar dhe as ia kishte uruar vetes që një ditë të kthehej në një nga ekonomistët më të suksesshëm të botës.

Megjithatë, pavarësisht kësaj, “The Trading Game” arrin diçka edhe më të rrallë, pasi përmes stilit të thjeshtë të rrëfimit dhe hollësive me një precision të frikshëm, ia del të ekspozojë mekanikën e një sistemi, i cili shpërblen thuajse gjatë gjithë kohës krizat dhe katastrofat. Është memuari një prej njerëzve më të suksesshëm në tregtinë financiare të viteve të fundit, por edhe një autopsi precise e një bote, e cila i sheh krizat ekonomike dhe pasurinë si mundësi, ndonëse jo për këdo.

I rritur në një familje punëtorësh në Londrën lindore, Stevenson e gjen papritur veten në zemër të sistemit bankar botëror, ndërsa fillon të punojë për Citibank, i rrethuar nga njerëz jo vetëm të pasur, por thuajse krejtësisht të shkëputur nga ekonomia reale. Libri tregon se si ai shndërrohet gradualisht në një nga tregtuesit më të suksesshëm të Citibank, duke spekuluar se pabarazia do të vinte duke u rritur. Thënë ndryshe, ishte strategjia e tij financiare të spekulonte, praktikisht të vinte bast, se ekonomia globale do të mbetej në gjendje të keqe, pasi kjo sillte fitime mjaft të mëdha për shtresën e pasur të shoqërisë.

Në thelb të “Thë Trading Game” qëndron një e vërtetë gati-gati empirike, sipas të cilës, pabarazia nuk është simptomë e një ekonomie jofunksionale, por vetë mekanizmi që mban gjallë pjesën dërrmuese të ekonomive neoliberale. Të pasurit, lë të kuptohet Stevenson, nuk kontribuojnë në qarkullimin e parasë dhe mbajtjes së ekonomisë në lëvizje. Ata nuk blejnë më shumë ushqime, rroba, apo këpucë, por ‘zhvatin’ asete publike. Të pasurit nuk blejnë për të konsumuar apo për të përdorur, duke çuar në inflacion të aseteve. Kjo ndodh me shtëpitë (strehimin), tokën, veprat e artit, të dhëna dhe praktikisht me gjithçka që mund të hiqet nga aksesi publik, për ta shndërruar në avantazh dhe pushtet ekonoomik, ndërkohë që pjesës tjetër të shoqërisë i mbahen leksione rreth rëndësisë së investimit, ndërsa njëkohësisht iu pamundësohet pjesëmarrja në të njëjtën lojë.

Në këtë peizazh financiar, rrogëtarët nuk konkurrojnë më vetëm me njëri-tjetrin, por iu duhet të garojnë me entitete që nuk luajnë të njëjtën lojë. Një punëtor që kërkon të blejë një shtëpi, nuk është më në garë vetëm me një familje tjetër që synon të blejë të njëjtën pronë, por tashmë i duhet të konkurrojë me kompani dhe fonde investimesh që manaxhojnë pronat. I duhet të konkurrojë me fantazmën e kredive me zero për qind interes dhe portofole investimesh që zotërojnë gjysmën e rrugës në të cilën ai (unë, ti dhe shumica prej nesh) duam të kemi një shtëpi.

Loja, sepse e tillë është ekonomia sot na thotë Stevenson, është e padrejtë sepse nuk supozohet ta luajmë të gjithë. Por, ai shkon edhe më tej, teksa na tregon diçka edhe më të zymtë. Më e ligë se rrjedha e kapitalit, është logjika e egoizmit. Ky lloj përditësimi i softuerit tonë moral, që ka shoqëruar zhvillimin e neoliberalizmit, ia ka dalë mbanë ta kthejë pabarazinë në diçka që na duket krejt normale. Veç grumbullimit dhe konsolidimit të parasë në një shtresë të caktuar dhe gjithmonë e më të vogël të shoqërisë, të pasurit kanë arritur të na ndryshojën edhe kuptimin e domethënies. “Puno fort dhe do t’ia dalësh”, “mos i beso askujt”, “mbështetu vetëm në forcat e tua,” janë sloganet që fshehin strategjinë e izolimit në të cilin shumica e shoqërive e gjenë sot veten.

Ky normalizim i egoizimit ka arritur atë konspiracioni më i madh nuk do të mund ta arrinte, duke e kthyer rezistencën në turp. Sot, të kërkuarit ndihmë shihet thuajse gjithmonë si dobësi; të besosh në zgjidhje të përbashkëta konsiderohet naivitet; t’iu besosh të tjerëve është e rrezikshme. Praktikisht kemi të bëjmë me një sabotim strukturor të mënyrës së të menduarit, nën bindjen se sa më e atomizuar një shoqëri, aq më të pamundur e ka që të luftojë. Por, nga ana tjetër, mund të mbahet në një gjendje konstante konkurrimi për thërrime.

Këtu ndoshta qëndron edhe gjenialiteti i sistemit që Stevenson ekspozon në librin e tij. Ai është një sistema që nuk ka nevojë për mjete të dhunshme apo censurë për të na kontrolluar, por i mjaftojnë algoritmet dhe incentivat. Ata të cilët përfitojnë prej tij, nuk iu duhet të gënjejnë për ndonjë gjë. Mjafton të bëjnë pjesën që iu takon: të blejnë apartamentin e radhës, të shmangin taksat dhe të na kujtojnë herë pas here se edhe ne të tjerët mund të arrijmë aty ku janë ata nëse përpiqemi pak më shumë.

“Thë  trading Game” na tegon se në kohën tonë, pasuria arrihet duke parashikuar shkatërrim dhe kriza, jo duke ndërtuar dhe krijuar. Ndërsa punonte për Citibank, Stevenson spekuloi se sistemi do të dështonte dhe u pasurua për shkak të parashikimit të tij të saktë. Por, nëse ai hoqi dorë për shkak të kostos morale, tregu vazhdon të shpërblejë ata të cilët përfitojnë nga krizat dhe kolapsi ekonomik. Pabarazia është pikërisht ajo që e mban gjallë makinerinë, ndërsa ata që gjenden më pranë motorrit të saj, nuk janë të interesuar që ajo të ndreqet. Përse t’iu interesojë në fund të fundit, kur kriza dhe rënia shërbejnë si modele biznesi mjaft fitimprurëse për ta?

Lini një Përgjigje