Moda e njerëzve pa biografi, pa moral dhe pa dinjitet!

15 Nëntor 2025, 17:25Blog Ardi Stefa

 

Moda e njerëzve pa biografi, pa moral dhe pa dinjitet!

Ka një ligj të pashkruar në politikë: sa më e turbullt të jetë biografia, aq më e madhe është gjasa të të ftojnë në rrethin e ngushtë të pushtetit. Jo sepse ke talent, integritet apo vizion, por pikërisht se nuk i ke.

Pushteti, ka një aftësi të çuditshme për të nuhatur njerëzit pa shtyllë kurrizore dhe për t’i ngjitur lart, shumë lart. Pse? Sepse njerëzit e ndershëm janë të rrezikshëm, ndërsa njerëzit e dyshimtë janë të bindur.

Ndaj karriera politike shpesh ndërtohet jo mbi vlera. Njerëzit me integritet kanë një problem të madh: nuk komandohen. Kërkojnë rregulla, transparencë, profesionalizëm. Ndërsa pushtetit i duhet e kundërta: ushtarë të gatshëm, njerëz pa biografi ose me biografi të dyshimtë që të pengojnë, pa parime që të kundërshtojnë, pa moral që t’i bëjë rezistencë. Njerëz që, po t’ua kërkosh, ndryshojnë mendim brenda ditës, parti brenda natës dhe parime brenda një minute.

Pushteti kërkon njerëz të brishtë, sepse të brishtët nuk ka frikë t’i lëshojë. Ata varen nga pushteti. Pa bekimin e pushtetit nuk janë askush, prandaj bëhen gjithçka për ta kënaqur. Shkelin ligje, firmosin marrëzira, justifikojnë krime dhe, kur duhet, marrin edhe fajin mbi vete. Pushteti ka zbuluar se njerëzit me moral të dyshimtë kanë një fuqi unike: nuk kanë turp! Turpi është pengesë! Turpi të mban pas! Të ndalon të firmosësh, të grabisësh, të tradhtosh! Ndërsa pa turp çdo gjë është e mundur.

Pushteti do njerëz pa biografi, sepse biografia e pastër dhe e pasur të bën të pavarur. Kush ka histori të pastër, ka edhe emër; kush ka emër, ka dinjitet; kush ka dinjitet, nuk e ul kokën. Kur i kërkon të heshtë, ai flet. Kur i kërkon të gënjejë, ai refuzon. Njeriu me biografi ka ç’humb. Ky njeri është i rrezikshëm për pushtetin, sepse nuk ka frikë nga dita e nesërme: e ka të garantuar nga historia e vet. Njeriu me karakter të fortë është i rrezikshëm, sepse karakteri nuk blihet, nuk tjetërsohet, nuk riformatohet.

Ndërsa njeriu pa biografi është si fletë e bardhë që pushteti e shkruan sipas qejfit. Dhe ndërron formë sipas shishes ku e hedh pushteti.
Nuk ka histori për të mbrojtur, nuk ka integritet për të ruajtur. E gjithë ekzistenca e tij politike është dhuratë. Prandaj, ai e di: po t’i kthehet “shefit”, zhduket po aq shpejt sa u shfaq. Prandaj pushteti preferon njerëz me dosje, me borxhe, me njolla.
Këta janë idealët, sepse janë të shantazhueshëm. Kush është i shantazhueshëm, është i përdorshëm.
Nuk guxojnë të kundërshtojnë. Nuk guxojnë të japin dorëheqje. Nuk guxojnë as të mendojnë ndryshe. Një fjalë e vetme u sjell ndër mend se karriera e tyre është një tullumbace që mund të plasë brenda sekondës.

Pushteti e di: njerëzit e pamoralshëm, njerëzit pa turp janë thesar; kurrë nuk ndihen fajtorë, as tërhiqen, as nuk kanë dilema morale e etike dhe u binden përherë urdhrave.
Nuk kanë identitet politik, profesional apo personal. Në çdo sistem, karriera e shpejtë bëhet pikërisht me këtë recetë: shërbe, hesht, prano, justifiko, përfito e shërbe edhe më shumë.

Dhe ja pse, brez pas brezi, pushteti mbështetet te mediokrit, servilët, njerëzit që nuk i rezistojnë asnjë tundimi. Pushteti nuk ka nevojë për personalitete, sepse personalitetet krijojnë konflikt. Pushteti ka nevojë për buratinë.

Arsyeja është e thjeshtë: një njeri me karakter është i parashikueshëm, një njeri pa karakter është i kontrollueshëm. Pushtetit i duhet kontrolli absolut. I duhet bindja, jo mendimi i pavarur. I duhen butakët pa integritet. I duhen ata që, kur flet shefi heshtin, vrasin mendimin.

Kështu ndërtohet e mbahet në këmbë pushteti: me njerëz pa biografi, pa moral, pa dinjitet.
Prandaj pushteti investon tek individët që sistemi që i prodhon, i rrit dhe i shpërblen.

4 Komente

  1. a
    astrit

    Me pelqeu e bukur.

    Përgjigjjuni
    1. k
      kacidhja

      TE LUMTE ARDIT. ARDIT JE ISAKTE DHE I QARTE NE CDO FJALE QE SHKRUAN .TE LUMTE.

      Përgjigjjuni
      1. K
        Kiri

        Bravo shkrim i persosur

        Përgjigjjuni
        1. P
          Pipi

          Kur lexojmë të tilla konstatime kujtohemi se sa të vërteta janë, por nuk kujtohemi t'i realizojmë këto në jetën reale...

          Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje