
…Dikush nga kupola drejtuese e rrethit dha urdhër të pushohej nga puna babai, që kartën e Antifashistit të orëve të para dhe më vonë atë të komunistit, nuk i tundi e i shkundi kurrë nëpër zyra partie e pushteti. Ai besonte shumë dhe dyshonte fare pak. Por shpesh absurditeti dhe ligësia nuk paskan kufi. Ai që urdhëroi prerë e me një fodullëk provincial nga kolltuku i “pashait”, rreth një muaj më parë kishte vajtur si i deleguari kryesor në vendlindjen tonë të bekuar. Haber jo i vogël në atë kohë. Po bënte këmbë sefte i bëjshmi(i madhi). Atë ditë do të zgjidhej për transport kafsha më e mirë, më pa naze, jo xanxare e pa rreziqe për të deleguarin më të rëndësishëm të rrethit. Dhe zgjodhën Kuqen tonë(me këtë emër e thërrisnim mushkën e dashur). Se “mikun” me spaleta sipërore partiake, zyrtarët e kooperativës duhej ta nderonin sa më mirë!
Mirëpo, gjatë rrugës së përpjetë, nga mbipesha e rëndë e zyrtarit tregojnë se Kuqja kish bërë edhe gabime e “mëkate” nga prapanica. Dhe “i bëshmi”(I madhi) qe fyer e irrituar jo pak për këtë “mikpritje” të papritur ! Ishte nxirë e sterrosur në fytyrë, derëziu e punëziu !...
Pas ca ditësh, në një mbledhje Byroje a Sekretariati, po diskutohej për “qarkullimin” e kuadrove dhe specialistëve nga qyteti në fshat. “-Ja, për shembull, ky duhet të shkojë e të punojë menjëherë, në kooperativë ! Atje paska edhe shtëpi, edhe mushkë…”. Muharremit sikur po i lëvizte karrigia e nervozuar. Nuk priti dhe foli i pari kundër asaj mendësie e padrejtësie anadollake. Madje doli më shpejt se herët e tjera nga mbledhja. Me një tendosje të brendshme mbuluar nga fytyra pakëz e qeshur, po zbriste shkallët e Komitetit bashkë me një instruktor të vjetër. Vëllai im, duke ngjitur shkallët, i përshëndeti normalisht. Instruktori e prezantoi te Sekretari i ri. Kur dëgjoi mbiemrin, Muharremi vuri buzën në gaz dhe njërën dorë mbi sup: “Uaa, po ti duhet të jesh nga ata të zotët e mushkës në Peshtan ?! Kujdes djalo, mos të shpallin edhe ty “kulak”… Humor i hidhur , por me ngarkesë revolte të sinqertë e të drejtë.
Intelektualët e vërtetë të Tepelenës, kur u largua ky burrë i ditur, i shkolluar shkëlqyeshëm brenda e jashtë vendit dhe kurdoherë modest e dinjitoz, po ndjenin një lloj boshllëku real përballë memurëve burokratë e sakatë të pandreqshëm në dituri e karakter.
Zyrtarë tepër të dëmshëm, gjer në marramendje e turbullirë ujem ! Dhe nuk qeshim kur kujtojmë episodin tragjikomik të Kuqes. Dhe as i shkonte mendja se një ditë do të bëhej objekt bisede e thekur në majën e kupolës partiake të rrethit !
Për ndonjë drejtues të katandisur si mos më keq, jo më kot pyetej:”-Ku e con mushka vallë ?!”. Sot e përdorin edhe në kuptime të tjera…Tani qeshim hidhur edhe kur flitet nga pushtetet për “ndihmat sociale” shtetërore me kushte mjaft qesharake për fukaranë, ku ky i fundit mund të mos e përfitojë nëse ka frigorifer, lavatrice a televizor me ngjyra (!). Cudira burokratësh që e shohin Shqipërinë nga shpellat e Ndroqit në kryeqytet. O tempora, o mores !
...Krejt pa pritur e pa kujtuar, gati 30 vjet më parë, një mëngjes në dhomën redaksi të “Kombit” trokiti dhe hyri një burrë me origjinë nga nahija ime. Nëpër duar po vërtiste librin e ri “Mbi historikun e Progonatit”. Kur pashë emrin e autorit Muharrem Xhufi, sinqerisht u befasova. Dhe iu luta të ma linte gjer të nesërmen. E përpiva kryesisht natën, se dita u rrokullis nëpër shkrimet e të tjerëve për redaktim dhe në mbrëmje vonë në shtypshkronjë…
Të nesërmen, një burrë I thinjur e trupdrejtë, pa huqe dhe i veshur shik e plot sqimë, po më priste në këmbë para derës së Redaksisë. Ishin vitet e mbrapshta 1995,’96, ’97. Daktilografistja : “-Ja, ky zotëria ka rreth një orë që do të takohet me ty…Më tha se nuk të njeh ende nga afër”. Ishte Muharrem Xhufi. Gati një cerek shekulli që nuk e kisha parë dhe as takuar. Kisha moshën e Pëllumbit, djalit me cika stërralli, historianit tonë kokëplotë që nuk iu dridh kurrë qerpiku për mbrojtjen e të vërtetave historike që sahanlëpirësit pinjollë të shërbëtorëve të pushtuesve nazifashistë donin t’i zhysnin e mbysnin nëpër llagëmet erërënda të Pluralizmit rrokullimë. Më falënderoi me zemër për shkrimin e pa porositur e të pa urdhëruar nga askush dhe dëshironte të më qeraste me dicka. Vetë nuk pinte asgjë, As kafe, as cigare, as alkool ! U detyrua të na shoqëronte me një shishe ujë. “Më ke bërë një nder jo të vogël, o vëllai i Leonidhës ! Të jam shumë mirënjohës. Vec në këtë kohë pa kohë, ruaju nga i ligu…”, kaq tha kur u ndamë. Portreti i këtij njeriu të bukur, mëndjehapur e me karakter të fortë, nuk u fshi kurrë nga kujtesa ime.
Pas pak kohësh do nisja kalvarin e gjyqeve me akuzën e drejtpërdrejtë të Gazidedes, ish kryetar i Shërbimit Informativ Kombëtar. Do më hetonte një prokuror, djali i një ish instruktori në aparatin e KQ të PPSH-së(!). Dhe do më gjykonte një ish teknike ndërtimi, që u kallais e u stolis si juriste në atë kursin shkallmëtar e famëkeq të Plepave në Durrës. “-Të rroftë Fakulteti i Drejtësisë dhe Shkencave Politike, ku ke studiuar e je diplomuar pas disa viteve ! Piju lëngun…”, më cingëriste “plagën” një vërsniku im i Universitetit, sa herë paraqitesha në dyert e gjykatës së Tiranës. Do të përgjigjesha penalisht për të vetmin “faj” se përse isha dakord edhe unë që shkrimi i iks autori të botohej ?! Liria e Shtypit, trumbetuar aq fort me daulle e me gërnetë, po merrte arratinë nga ata që sot shahen e qahen me kuje për Edi Ramën. ..
I pari që reagoi publikisht, ishte Dritëroi ynë i madh, duke më mbrojtur me emër e mbiemër në emër të Lirisë së Fjalës. Por veladonët e rinj e të zinj të Plepave, ushtarë besnikë të partisë në pushtet (1996), nuk dëgjonin hic nga ky vesh. “-Kur dëgjoi për gjyqin tënd nën akuzën e rëndë të SHIK-ut, Muharremin nuk e mbante vendi,-më tregonte një miku ynë i përbashkët.-Disa mëngjese rresht, zbriste nga Sauku dhe mbante hapin rreth Gjykatës së Lartë e asaj të Tiranës. Me gazetën në duar ku shkruhej për hallin tënd, donte të takonte djemtë e dy miqve të vjetër në ato dy gjykata. Njërin e pashë me sytë e mi kur e takoi dhe bisedoi tepër i shqetësuar për ty. Në fund mu duk sikur i tha shkurt :” Do të bëj lanet, po nuk e ndihmove atë djalë të pafajshëm !”…
Ishin kohëra zezona me gjyqe, me pranga, gjoba e byzylyqe qelish mbi gazetarët e vërtetë profesionistë. Kaq shpejt i harruan liderët hipokritë të sotëm, që ulërasin e gajasin të gjallë e të vdekur për Lirinë e Medias ?! Se Muharrem Xhufi me shokë, nuk e matën asnjëherë veten me hijen e mëngjesi. Dhe nuk ia zunë kurrë kokën me derë. Me idealin e kulluar partizan luftuan e punuan për një Shqipëri të Re, pa dallkaukë e kopukë që edhe zilet e mushkave i tundnin nëpër mbledhje, bashkë me vendimet arbitrare e ligërshane. Dhe përrallisnin gjithnjë në emër të partisë, derëzinjtë ! Por Muharremi i mirë e pa vese, ishte dhe mbeti “derë oxhaku, jo buxhaku”…………………………..............
komplimente per shkrimin
Faleminderit Kristo. Mirenjohja eshte virtut i fisnikeve!
Do te qe i sakte ky shkrim po taa kishe titulluar "Progonati i Muharem Xhufit"!
Bukur Kristo. Shkruar me ndjenje. Njerzit e mencur e me zemer nuk mund ti lien harreses. Ata qe si kane njohur keto figura si njeriu per te cilin shkruhet kane cfar te mesojne prej tyre.
I miri Muharrem Xhufi. E kujtoj si tani kur vinte ne mbledhje ndonjeher te keshillit pedagogjik. Na bente pershtypje fjala e tij qe nuk e duronte mediokritetin, fliste shkurt dhe gjera esenciale e ne dobi te eduñimit te nxensve. I kish zet parrullat ne diskutime, ndaj kishe qejf ta degjoje. Pergezime dhe ty z.Mertiri qe i njeh lezusit me vlera si keto te z.Xhufi.
Respekte Kristo Gjithmonë kështu ka qenë. Të paaftët na kanë qeverisë, të mençurit nuk i durojnë dot dhe luftohen.
e di sa vet te pagan ka vrar muharrem xhufi?
Te lumte pena Kristo! Gje e bukur te kujtosh burrat e vertete ne keto kohe kur legenat jane bere te modes.
Të lumtë dora je i madhë Kiço me këto shkrime nostalgjike.
Brilant je Kristo, te lumte pena, respekte per M. Xhufi, gjithashtu dhe per ate qe ti e quan me te drejte, historiani kokeplote Pellumb Xhufi.