Në kërkim të bashkëpunimit për zgjedhje të reja në Kosovë

6 Nëntor 2025, 18:37Blog Leonidha Mertiri

 

Partitë opozitare në Kosovë prej ditësh i kanë kërkuar Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani që vendi të kalojë në zgjedhje të reja. Pavarësisht kërkesave të tyre, ajo mandatoi po nga Lëvizja Vetëvendosja Glauk Konjufcën për të krijuar qeverinë, propozim i bërë nga Albin Kurti, veshur kjo me retorikën e “besimit të madh që ai ka te Konjufca, por dhe që Kosova të mos shkojë në zgjedhje të reja(!)”. Vetëm një javë përpara këtij propozimi, kryeministri në detyrë nuk mundi të ketë shumicën parlamentare. Refreni “i kemi votat e duhura” do të përsëritej bezdisshëm, edhe pse ato dihej që nuk ishin dhe vështirë të jenë. Dhe, nëse do të mundej, në situata të njëjta, “i kemi votat e duhura”, do të vinte sërish, duke iu bërë njerëzve, siç thotë shprehja popullore, “ferra Brahim”. Dhe kjo i shërbeu dhe i shërben Albin Kurtit për të mos u ndarë nga karrikja e kryeministrit në detyrë. Periudhë jo e shkurtër pa kryeministër, për të qënë dhe kështu një shëmbull i rrallë(!).

Kësaj i thonë të luash me nervat e njerëzve. Dhe mbi të gjitha- t’i kushtojë jo pak Kosovës: Ngërçi politik t’i rrijë asaj si karakoll, duke bërë që aleati më i rëndësishëm strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pa ndimën e pakursyer të së cilës nuk do të gëzonte atë çka u arrit, të pezullojnë pa afat dialogun strategjik me Kosovën, si mosdakordësi me qëndrimet e papërgjegjshme të qeverisë në detyrë të Albin Kurtit, që kanë çuar në zgjim tensionesh dhe pafuqishmëri të institucioneve të ndryshme, duke filluar me procesin, për t’u mbajtur mend, të konstituimit të Kuvendit të Republikës. Kjo situatë e bëri dhe Bashkimin Europian të marrë disa masa ndëshkuese. Qysh nga viti 2023 Kosova është ndën sanksionet e BE-së. Madje, ditë më parë Zyra e Bashkimit Europian njoftonte se dhe takimet me Albin Kurtin nuk do të bëheshin me të si kryeministër, duke evituar përkohësisht takimet në qeveri, por dhe ato me anëtarët e tjerë të qeverisë. Vendi i takimit dypalësh, disa ditë më parë, me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës në kuadër të një turneu në vendet ballkanike, u organizua në ndërtesën e Kuvendit, deri në funksionimin e një qeverie me mandat të plotë.

Të gjitha këto nuk vënë kërkënd në vend para përgjegjësisë, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, duke i kaluar në heshtje e zvarritje. Kësaj i thonë, fol o gur, fol o mur. Një situatë të tillë vetëm Sërbia e duartroket. Dhe në këto kushte, për të tërhequr vëmendjen dhe për të fshehur dorën e saj të zgjatur, ajo vazhdon avazin e Mukes, të akuzojë Kosovën, siç shprehet këto ditë Petar Petkoviç, drejtues i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, si “kërcënimi më i madh për stabilitetin në rajon…, se për vite me radhë ajo po ushtron ndaj serbëve një regjim frike”.

Dhe përsëri vorbulla e fjalëve “i kemi votat e duhura”, që deri tani nuk i ka patur asnjëherë, vazhdon të lakohet në të gjitha rasat, mjafton që loja të vazhdojë, të shtyhet koha për të shkuar në zgjedhjet e reja. Ndërkohë, një përçarje e opozitës ushqen shpresat e humbura tashmë. Por, sikurse duket, Kosova është më pranë këtyre zgjedhjeve. Krahas manovrave të Kurtit për “zvarritje të panevojshme”, edhe partitë opozitare bashkohen te mungesa e shumicës së nevojshme. Ato, siç thamë, nuk janë të gatshme të bashkohen për krijimin e qeverisë, gjë që do ta zgjidhte fillin e lëmshit të kokolepsur, që Kosova të mos shkojë në dy palë zgjedhje, meqë në prillin e ardhshëm do të jenë dhe zgjedhjet presidenciale.

Gjasat, për të cilat flet presidentja e Kosovës, nuk anojnë deri tani nga zgjidhja e problemit dhe për rrjedhojë, loja me paraqitjen e kabinetit dhe programit të qeverisjes do të vazhdojë. Pas dy javësh, duke mos arritur shumicën e nevojshme, parlamentin e pret shpërndarja e tij. Në këtë turli “shpresash” dhe interesash gjithashtu, Kurti dhe Vetëvendosja e tij shpresojnë që në zgjedhjet e reja të kenë një rritje të numrit të sotëm prej 48 deputetësh që u arrit në zgjedhjet e fundit. Por kjo më shumë i ngjan një dëshire përballë “gjunjëve” të këputur të tyre. E njëjta ndodh dhe me partitë e sotme opozitare, të cilat shikojnë ëndrra me më shumë deputetë nga radhët e partive të tyre. Duke shfrytëzuar dobësitë e deritanishme të njohura të qeverisë Kurti dhe Vetëvendosjes së tij, ato vazhdojnë t’i bëjnë jehonë “të vetmes zgjidhje” për shmangien e krizës në vend – zgjedhjeve të reja.

Këto qëndrime vetëm i largohen bashkëpunimit midis partive politike, shtojnë problemet dhe Kosovës nuk i shërbejnë për stabilitetin e qendrueshëm të saj.Një vit i humbur në integrimin europian të Kosvës për shkak të ngërçit politik, shprehet ambasadori i Bashkimit Europian, Aivo Orav. Do të duhej një qeveri me shumicën në parlament, me të cilën dhe partnerët e njohur të saj do të kishin marrëdhënie konkrete besimi dhe bashkëpunimi.

 

1 Komente

  1. a
    astrit

    Kesaj i thone qe per inat te sime vjerre do fleje me mullixhine! Pika e analistit! Pse nuk na pelqen surati i Kurtit do i veme flaken Kosoves!

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje