Nga Kristaq Xharo*
Wyryki është një lokalitet në lindje të Polonisë, relativisht afër kufirit me Bjellorusinë. Ai tashmë u bë lajmi i parë në mediat botërore, pasi në orët e para të mëngjesit, 19 dronë rusë u rrëzuan mbi këtë fshat. Reuters dhe AP raportuan për rrënoja mbi një shtëpi civile në Wyryki – një shenjë e qartë se qetësia që Europa kishte ngritur mbi traktate ishte më e brishtë se kurrë. Moska u përpoq ta quante “gabim navigimi”, por kur gabimi përsëritet 19 herë, duket më shumë si skenar sesa aksident. Incidenti nuk u lexua si rastësi, por si provokim i qëllimshëm, një test për nervat e NATO-s dhe për besueshmërinë e ‘artikullit 5’, i njohur si më i shenjti, në 14 të tillë që gjenden në Traktatit të Washingtonit.
Kryeministri polak Donald Tusk e quajti hyrjen e dronëve rusë në hapësirën ajrore të Polonisë “provokimi më i rëndë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore”, duke paralajmëruar se situata është tejet serioze dhe kërkon përgatitje për çdo skenar. Në të njëjtën linjë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte e përshkroi incidentin si “të papërgjegjshëm e të rrezikshëm”, ndërsa Donald Trump reagoi shkurt me një “Here we go!”, duke shtuar më shumë mjegull se qartësi. Emmanuel Macron e quajti ngjarjen një “eskalim të papranueshëm”, kurse Keir Starmer e përshkroi si “jashtëzakonisht pa përgjegjësi”, duke nënvizuar se solidariteti me Poloninë nuk mund të vihet në dyshim.
Aleanca, e krijuar mbi idenë e reagimit të menjëhershëm, dikur i mjaftonte edhe një incident të vogël për tu kundërpërgjigjur urgjentisht me veprime të koordinuara. Sot duket sikur këto reflekse janë zëvendësuar nga kalkulimet e gjata. Dhe ndërsa anëtarët lindorë kërkojnë forcë, perëndimorët matin faturën politike e ekonomike, e më pas përgjigjet dalin më shumë në formë deklaratash se sa veprimesh. Duket se solidariteti i menjëhershëm është shndërruar në luksin e hezitimit, që duket se po e ushtron rregullisht.
Nga ana tjetër, Rusia vazhdon të luajë mjeshtërisht në “zonat gri” me dronët që nuk janë thjesht armë, por mesazhe të koduara. “Gabimet teknike” janë pretekste të stërpërdorura për të testuar durimin e Perëndimit. Moska e di se është më e dobët ushtarakisht, por më e vendosur politikisht. Çdo kalim mbi kufijtë e NATO-s është një pyetje e heshtur: a do të guxoni ta shtypni butonin? Derisa përgjigjja të mbetet e paqartë, Rusia fiton, jo me tanke, por me perceptim, duke i bërë aleatët të duken më të frikësuar nga vetë nenet e tyre sesa nga kundërshtari.
Ndërkohë, Europa dhe fuqitë e saj të mëdha kalkulojnë me kujdes ku disa përpiqen të balancojnë forcën me dialogun, e disa të tjerë preferojnë distancën. Jashtë kontinentit, Kina e India i japin Putinit oksigjen politik e ekonomik. Duket që fuqitë e mëdha më tepër sillen si tregtarë në pazare historike: matin çdo hap, shesin siguri me porosi dhe presin që të tjerët të marrin rrezikun. Ndërkohë NATO po i përngjan më shumë një orkestre të madhe ku secili luan për vete...
Metafora e orkestrës së Titanikut i shkon për shtat vendeve të vogla, anëtarë te NATO-s, të cilat vazhdojnë duke përsëritur “jemi në NATO, jemi të mbrojtur”, ndërsa anija e madhe e rendit ndërkombëtar po merr ujë nga të gjitha anët. Kontributet tona në misione janë të vërteta, por kapacitetet mbrojtëse janë aq modeste saqë shpesh duken më shumë simbolike se reale. Pyetja mbetet e thjeshtë: nëse një dron prek qiellin e Tiranës, a do të ngrihen avionët e aleancës apo do të dëgjojmë një tjetër melodi qetësuese? Dhe ndërkohë që retorika vazhdon, realiteti është se lufta moderne nuk pyet për fqinjësi: raketat, dronët dhe sulmet kibernetike shkojnë ku të duan, duke mos pasur nevojë për kufij fqinjësie dhe limite distancash.
Ngjarja e Polonisë dëshmon qartë se fqinjësia nuk është edhe më tej kriter për luftën. Një raketë hipersonike nga oqeani, një dron nga një shkretëtirë, apo një sulm kibernetik nga një laborator anonim mund të godasë çdo vend. Iran, Izrael, Jemen, Katar provuan që kufijtë fqinjësor nuk janë kufizime për të shkuar më larg. Distanca është zhdukur dhe siguria nuk matet më me kilometra, por me kapacitete. Pikërisht këtu vendet e vogla janë më të ekspozuara: nuk kanë instrumentet e duhura për t’u mbrojtur, por vetëm shpresën se dikush tjetër do ta bëjë këtë në vend të tyre.
Artikulli 5 mbetet simboli më i madh i NATO-s, por, në perceptim, është kthyer më shumë në metaforë, ironi apo paradoks që po mbulon një mekanizëm.
Nëse aktivizohet, rrezikon spirale të pakontrollueshme; nëse nuk aktivizohet, shihet si dobësi. Rusia e shfrytëzon këtë dilemë, duke e kthyer nenin nga mburojë në një mekanizëm që po tremb më shumë ata që e zotërojnë se sa ata që ndodhen përballë. Shqipëria dhe vendet e tjera të vogla po mbesin në dilemën: të mbeten orkestrantë në Titanik, apo edhe të ndërtojnë kapacitetet e tyre... Ironia e hidhur është se sa më shumë përmendet Artikulli 5 si garanci, aq më shumë ngjan me një partiturë qetësuese, që luhet mbi skenën e një bote që po lëkundet. Dhe Wyryki, një fshat i vogël polak, përsëri na kujton se butoni i kuq, për artikullin 5 nuk është aq larg – është aty, mbi tavolinë, por askush nuk guxon ta shtypë...
*Kristaq Xharo, lektor në UET për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Çështjet e Sigurisë
U rezuan vetem kater drone, o Xharo bylmezi, qe je dhe lektor, pa le... Ptuuuuu...., zvarranike te ndyre...!!!
O lektor leshi. Si mendon ti se per nje gabim teknik te Rusise dhe per me teper pa ndonje pasoje, te konftontohert Nato me Rusine ? kaq ta pret radakja jote e vogel ?