Nga Dr. Patris Poshnjari
Edhe një herë, një tjetër paralajmërim. Kësaj here për platformën mashtruese TXEX. Por a mjafton? A mësojmë ndonjëherë nga gabimet? Apo thjesht i ripërsërisim me teknologji të reja?
Me rastin e paralajmërimit më të fundit ndaj qytetarëve shqiptarë për mashtrimin e platformës TXEX, nuk mund të mos ndalemi për të reflektuar më thellë mbi një pyetje thelbësore: Pse njerëzit bien vazhdimisht në të njëjtin kurth, dekadë pas dekade? Pas fakteve dhe shifrave, fshihet një model emocional që përsëritet me këmbëngulje, një cikël sjelljeje njerëzore sa i qëndrueshëm dhe i parashikueshëm.
Asnjë paralajmërim, asnjë ligj, asnjë ndalim nuk mund të mbrojë plotësisht dikë që është i vendosur të besojë në pasurimin e lehtë.
Në vitin 1997, Shqipëria përjetoi një prej traumave më të mëdha kombëtare, kur skemat piramidale rrënuan ekonominë dhe zhdukën kursimet e qindra mijëra qytetarëve. Ato u përhapën përmes besimit, shpresës, dhe emocioneve.
Sot nuk është ndryshe, dallimi i vetëm është që piramida ka Wi-Fi dhe një grup në Telegram.
Njerëzit në natyrën e tyre nuk janë qenie racionale apo homo oeconomicus. Nuk jemi makineri që marrim vendime vetëm me arsyetim të ftohtë. Jemi emocionalë, impulsivë, optimistë dhe plot shpresë. Vuajmë nga mekanizma të sjelljes që ekonomistët i quajnë sjellje në grup, tepria e vetëbesimit
apo çfarë është më e rrezikshmja sindroma “Nuk do më ndodhë mua”. Shpesh flasim për sjellje emocionale dhe kongnitive, dhe impulse që na largojnë nga vendimmarrja e arsyeshme.
Mendojmë se mjafton të informosh dikë, dhe ai do të marrë vendimin e duhur dhe çfarë është më e mira për të. Por ky është një iluzion i rrezikshëm. Emocioni nuk korrigjohet përmes edukimit. Jo sepse njerëzit janë të paditur, përkundrazi. Shumë prej viktimave të mashtrimeve financiare janë të arsimuar dhe të informuar. Por emocioni nuk pyet për dije. Premtimi për "fitime të garantuara" janë si muzika, ndërsa paralajmërimet ndaj publikut kthehen thjesht në një zhurmë në sfond.
Bazuar në fjalët e filozofit Schopenhauer:
“Paraja është lumturia njerëzore në formë abstrakte.” Dhe në nxitimin për të kapur lumturinë, shumë harrojnë se abstraksionet mund të jenë kurthe.
Ne mund të rregullojmë, paralajmërojmë, hetojmë, por gjithmonë do të përballemi me një faktor që nuk mund ta kontrollojmë plotësisht: natyra njerëzore.
Ky nuk është dështim i rregullimit, është pikërisht një përballje me natyrën njerëzore. Sot, vetëm emrat kanë ndryshuar; teknologjia ka përparuar, por mekanizmat themelorë mbeten po ata. Mashtruesit premtojnë “fitime të garantuara” dhe njerëzit zgjedhin të besojnë.
Në mbështetje të misionit për të mbrojtur investitorët nga mashtrimet financiare vazhdimisht dalin paralajmërime:
“Mos investoni paratë tuaja në platforma si TXEX apo të tjera që premtojnë fitime të shpejta, pa rrezik dhe kthime jashtëzakonisht të larta. Këto nuk janë subjekte financiare të licencuara dhe nuk janë nën mbikëqyrjen e asnjë autoriteti rregullator.
Këto nuk janë subjekte të licencuara financiare, nuk janë të mbikëqyrura nga ndonjë autoritet. Veprimtaria e tyre është e paligjshme.
Mesazhi i vetëm që duhet të mbani mend përpara investimit:
Bëni pyetje. Prisni para se të klikoni. Dyshoni tek premtimet përpara se të besoni në mundësi.
Nëse nuk mund t’i përgjigjeni me siguri një oferte, zgjedhja më e mençur është të mos përfshiheni.
Sepse ndërsa tregjet rregullohen, vetëm ju mund të rregulloni emocionet tuaja!!!
Lini një Përgjigje