Një ditë premtuese në Bruksel, që duhet të pasojë me ditë joeuforike

28 Shkurt 2023, 17:31Blog TEMA

Një ditë premtuese në Bruksel, që duhet të pasojë

Mbi kryeministrin që duhet të mësohet të ecën rrafshit dhe opozitën që shpreson se duke hedhur mjegull mund ta zhbëjë të kaluarën. E kaluara ka qenë kështu: nënshkruheshin “marrëveshje historike” dhe pastaj shpalleshin marrëveshje antihistorike. Brenda dy-tri vitesh! E ardhmja mund të jetë ndryshe vetëm nëse pushteti dhe opozita në Kosovë e kuptojnë se marrëveshja me Serbinë arrihet me angazhim të përbashkët për kufizimin e dëmit të shkaktuar më 2013 dhe 2015. Propozimi gjermano-francez nuk është ideal, por as për t’u hedhur poshtë me arrogancë. Ndoshta kjo qeveri e nënshkruan me një dorë, ndërsa opozita po të ishte në pushtet do e nënshkruante me të dy duart. Dhe të dyja palët është mirë ta kuptojnë se ra lufta e Ukrainës dhe bota perëndimore nisi t’i bëjë presion Serbisë që Kosovën ta pranojë si fqinj duke u bazuar në “barazinë sovrane të të gjitha shteteve, respektimit të pavarësisë së tyre, autonomisë dhe integritetit territorial”. Megjithatë, për tone triumfaliste nuk ka vend sepse pilulat e hidhura tek duhet përpirë. Në interpretimin e marrëveshjes së propozuar nga BE janë jokredibilë edhe nihilistët, edhe triumfalistët.

Nga Enver Robelli

1.

Këta që në të kaluarën e kanë nënshkruar asociacionin e komunave serbe, i kanë thënë popullit: kjo është marrëveshje historike, na integron në BE dhe në NATO dhe na siguron liberalizimin e vizave. Pra, marrëveshje historike e patën quajtur nënshkrimin e vitit 2013 dhe 2015.

Tri vjet më vonë kanë thënë: kuku, asociacioni qenka “republika srpska”. Dhe si të evitohet “republika srpska”? Hajde t’i japim tash territor Serbisë. Çfarë quhej historike sot, të nesërmen shpallej antihistorike. Këtë e ka bërë opozita e sotme kur ka qenë në pushtet. Tash janë të dëshpëruar që nuk arritën ta shesin një pjesë të Kosovës për interesa personale. Tash flasin dokrra.

2.

Siç e kam shkruar disa herë dhe ndonëse e urrej të citoj shkrimet e mëhershme, por kësaj radhe duhet ta bëj: një formë asociacioni për komunitetin serb është e pashmangshme. Sepse Kosova ka hyrë në obligime ndërkombëtare (ashtu siç ka hyrë edhe me Gjykatën Speciale, të cilën miratuesit njëherë e lavdëruan sepse “heq retë e zeza mbi Kosovë”, pastaj deshën ta zhbëjnë dhe nxitën reagim të ashpër të ndërkombëtarëve). Mund të themi çfarë të duam për Ramush Haradinajn, por ai e ka kuptuar më së miri se kur merr përsipër obligime ndërkombëtare, kjo është rrugë e pakthyeshme. Është mirë ta kuptojë këtë edhe kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti. Duket se është në rrugë për ta kuptuar nëse bazohemi në atë që tha në Bruksel.

Ata që e kanë hedhur nënshkrimin më 2013 dhe 2015, këtë e kanë bërë në emër të Kosovës. Albin Kurti e ka trashëguar asociacionin dhe nuk mund të sillet si person privat që e refuzon atë, sepse, siç u tha, Hashim Thaçi e Isa Mustafa nuk kanë nënshkruar si persona privatë, por si politikanë të zgjedhur dhe në emër të Kosovës. Është e padobishme të humbet kohë në mallkimin e asaj që ka ndodhur. Është e dobishme që për aq sa është e mundur të kufizohet dëmi i shkaktuar të cilin e ka konstatuar vetë Gjykata Kushtetuese.

Këtu opozita mund të luajë rol konstruktiv sepse Gjykata Kushtetuese e ka dënuar këtë opozitë për vendimet që ka marrë kur ka qenë në pushtet. Ose opozita mund të vazhdojë retorikën boshe duke synuar të thellojë dëmin me shpresë se kështu vjen në pushtet, por shumica e qytetarëve të Kosovës nuk do t’i besojnë një opozite të tillë. Sado që qytetarët – me të drejtë - mund të jenë të dëshpëruar me qeverisjen e dobët të ekipit të Albin Kurtit, për asociacionin ata nuk ia ngarkojnë fajin atij që nuk e ka bërë fajin.

3.

Është e vërtetë që Kurti ka ardhur në pushtet edhe me premtimin se nuk e themelon bashkësinë e komunave serbe. Edhe Joschka Fischeri kur ka hyrë në Partinë e Gjelbër të Gjermanisë është përbetuar në pacifizëm dhe në fund, në krah të Madeleine Albrightit, është bërë përkrahës i madh i bombardimit të Serbisë për çlirimin e Kosovës. Ka paguar çmim për këtë: një militant ia pati lënduar veshin me një konservë me ngjyrë ndërsa fliste kundër kriminelit të luftës Sllobodan Millosheviq.

Albin Kurti mund të paguajë një çmim elektoral nëse e pranon asociacionin. Por politikanët e guximshëm e paguajnë çmimin elektoral për interesat e larta të shtetit. Në fakt çmimi që pat paguar Joschka Fischer nuk qe aq i lartë, sepse partia e tij edhe pas luftës së Kosovës mbeti në pushtet edhe për një mandat. Kur më 1972 u nënshkrua marrëveshja për normalizimin e raporteve mes dy Gjermanive, kreu i delegacionit gjermanoperëndimor Egon Bahr tha: “S’ka marrëveshje që i jep diçka vetëm njërës palë”.

Si çdo politikan pasionant edhe Albin Kurti nuk është imun ndaj parullave populliste. Ardhja në pushtet edhe atij i ka treguar se mes përbetimeve moraliste dhe realpolitikës është një hendek i madh. Duhet ta kapërcejë hendekun. Përpjekjet për të vendosur rend në veri dhe rezistenca e grupeve kriminale që kontrollojnë pakicën serbe i treguan edhe Kurtit se sovraniteti i Kosovës është i kufizuar.

4.

Marrëveshja e prezantuar nga BE nuk është ideale, por është e pranueshme si gjysmëhap drejt cakut final dhe nuk duhet të refuzohet me arrogancë. Serbia e pranon integritetin territorial të Kosovës. Mos të presim që Serbia edhe e mbron atë integritet. Duhet ta mbrojnë qytetarët e Kosovës. Qeveria e tyre. Kjo qeveri dhe të tjerat që vijnë pas saj. Disa duket se janë të traumatizuar dhe po tuten që Albin Kurti qeveris deri në vitin 2050. Shoqëria kosovare është e re dhe dinamike dhe e aftë të bëjë korrigjime të duhura: e kemi parë këtë në zgjedhjet e kaluara lokale.

Serbia, sipas marrëveshjes, pranon simbolet e Kosovës. Obligohet që të mos pengojë hyrjen e Kosovës në organizata ndërkombëtare. 27 shtetet anëtare të BE-së dhe SHBA-të e përkrahin planin. Pra, edhe 5 shtetet që nuk e njohin Kosovën. Disa prej tyre pritet ta pranojnë Kosovën, të tjerat mund të vazhdojnë të refuzojnë, por pozicioni i tyre do të jetë më i dobët. Ka shumë çështje që ia vlen të veçohen në favor të Kosovës, për shembull neni 2 i marrëveshjes: “Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato të barazisë sovrane të të gjitha shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën e vetëvendosjes, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimit”. Mes dy vendeve do të ketë shkëmbim të misioneve të përhershme, një sinonim për ambasada.

Por ka shumë pilula të hidhura që Kosova duhet t’i përpijë dhe për këtë nuk duhet pasur iluzione. Dokumenti përmban brenda vetes disa “ura” që secilës palë ia mundëson të lexojë sipas dëshirës dhe jo sipas realitetit.

Brohoritjet nga tribuna se “Kurti nuk e pranoi asociacionin” janë për konsum të brendshëm. Siç janë për konsum të brendshëm edhe “dëftesat e tradhtisë” që po i lëshojnë disa eksponentë të opozitës në mediat sociale. Se si do të dizajnohet asociacioni, mbetet enigmë. Këtu do të përplasen heshtat. Në dokument thuhet se komuniteti serb do të gëzojë një shkallë vetëmenaxhimi (self-management), ndërsa fjala self-governance (vetëqeverisje) nuk përmendet. Por kjo mund të jetë vetëm lojë fjalësh dhe mbetet të shihet epilogu. Edhe çështja e mbrojtjes së kishës serbe mbetet projekt misterioz dhe potencialisht me rreziqe.

5.

Kosova i ka humbur 10 vjet me bisedime pa cak final. Me negociata sot për nesër. Dhe ky trend do të vazhdonte po të mos ndodhte agresioni rus kundër Ukrainës një vit më parë. Ra lufta në Ukrainë dhe shtetet perëndimore nisën t’i bëjnë presion Serbisë. Meritat për këtë – sado paradoksale të tingëllojë – i takojnë Vlladimir Putinit. Përveç interesit që kanë për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës, BE dhe SHBA-të duan ta shkëpusin Serbinë sa më shumë nga ndikimi rus. Kjo synohet të arrihet duke mos i kërkuar Serbisë që pavarësinë e Kosovës ta pranojë në mënyrë eksplicite. Dikush mund ta shoh këtë si padrejtësi ndaj Kosovës. Në të vërtetë është realpolitikë që niset nga e mundshmja duke injoruar postulatet ideale. Synohet arritja e një caku dhe jo realizimi i një ideje të madhe. Me këtë rast duhet pasur parasysh se shtetet e tjera, sado miqësore të jenë ndaj Kosovës, kanë edhe interesat e tyre.

2 Komente

  1. A
    Alphazeta

    Një nga analizat më të sakta të Robellit. Asosacioni është vepër e Thaçit dhe Mustafës.Njëlloj si Gjykata për krimet e luftës. Tani Thaçi jep llogari para kësaj gjykate gjasme për krime! Mënyra më e mirë për t'ia futur vetes. Vajti si cjapi te kasapi. Kjo tregon se Kosova nuk ka pasur udhëheqës për të qënë që pas çlirimit të saj! Kurti është ndryshe. Por i ka duart e lidhura. Se asosiacioni është aprovuar nga shteti i Kosovës më 2013 dhe 2015! Atëhere kur Albini gjuante me shashka në parlament kundër tij! Pra opozita e tashme, pushteti i djeshëm, duhet ta mbylli squpin. Është ajo fajtorja e vetme dhe kryesore. Tani Kurti duhet ta firmosë draftin. Se i ka të gjithë kundër. Ramën, LDK-në, PDK-në,Vuçiçin, Europën, Amerikën, Kinën, Rusinë, Indinë etj etj. Ai nuk është fajtor. Por për Kosovën po vijnë kohë të këqija. Kështu ngjan kur e vret gjarpërin me dorën e tjetrit, sepse nuk ishe i zoti ta vrisnje me dorën tënde.

    Përgjigjjuni
    1. A
      Ashtu Kot

      Per mua eshte e cudicme se sa bashkohem me Robertin dhe se sa ndahem nga ai per keto shkrim. Bashkohem me te sepse mendoj se eshte veprim i drejte qe Kurti me ne fund e "kuptoi", sic tha Eskobar, qe asociacioni duhet bere. Nuk bashkohem me te sepse ne te njejten kohe akuzon Thacin me shoke qe e kishin "kuptuar" kete 10 vjete me pare kur firmosen per asociacionin. Eshte e para here qe ju Z. Robert je shume konfjuz. Ndoshta ke te drejte te jesh konfjuz, por ndoshta dhe ti Robert ke ndryshuar si Kurti! Kurtit ju deshen 10 vjete te ndryshonte, kurse ty tu desh vetem nje dite nga dita qe Kurti ndryshoi... Ti Robert tregohesh shume hipokrit dhe thua: Sado që qytetarët – me të drejtë - mund të jenë të dëshpëruar me qeverisjen e dobët të ekipit të Albin Kurtit, për asociacionin ata nuk ia ngarkojnë fajin atij që nuk e ka bërë fajin. Pra perseri ke rene ne dilemen e Makbethit :Te rrosh, apo mos te rrosh! Une po te pyes or Z. Robert: A eshte faj qe Kurti pranoi te beje asociacionin, apo nuk eshte faj!!!??? Ne kete kontekst me djallezi ti le te kuptohet se Kurti po mundohet te "laje mutin" e te tjereve me "shurren e vet" dhe kjo Robert te ben ty hipokrit. Per mua Kurti ka bere mire! Pranimi i asoociacionit ka qene levizje e duhur qe ne marreveshjet e shkuar para 10 vjetesh. Gabimi ka qene se Kurti nuk e ka kuptuar kete asociacion si gje te mire per Kosoven dhe sipas ideve te perenedimit por si tradheti sepse mendonte sipas ideve te Vuciqit. Pra "beteja" per ta kutuar idene e asociacionit ka qene ne koken e Kurtit. Per te tjeret ky problem ka qene i qarte qe ne fillim. Kurti me qellim (ose pa qellim) fliste per asociacion kunder Kosoves kur ne te vertete fjala ka qene per asociacion ne kuader te Kushtetutes se Kosoves dhe sipas ideve evropiane per te drejtat e pakicave. Ne i dashur Robert do na duhen edhe 10 vjete te tjera te kuptojme ne se Kurti vertet ka qene idjot apo eshte shitur si idjot....

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje