Paaftësia jonë për të mos u marrë vesh siç duhet

9 Maj 2026, 17:46Blog Bjorn Runa

Në fillim të kësaj jave, publikova një shkrim i cili argumentonte se patenta, në aspektin ligjor, është një privilegj që shteti ia jep individit në emër të shoqërisë, pasi ai ka përmbushur disa kushte dhe, po në mënyrë të kushtëzuar, mund të hiqet. Reagimet ishin të menjëhershme. Dukej se fjalët “makinë/patentë” dhe “privilegj”, të përdorura në të njëjtën fjali, zgjuan tek shumica e lexuesve ankthin e diktaturës. Një traumë e kuptueshme dhe që meriton analiza më të thelluara nga ata që merren seriozisht me studimin e traumave historike. Shqetësimi im është tjetërkund.

Kjo që ndodhi me mua ndodh çdo ditë në debatin publik shqiptar dhe nuk do t’ia vlente as të mbahej mend në morinë e ngjarjeve që pasuan gjatë javës. Por, ajo që në fakt më shqetësoi është se kemi të bëjmë me një fenomen më të gjerë të mungesës së aftësisë për të mos u marrë vesh si duhet. 

Ne jemi përgjithësisht një shoqëri kundërshtuese, ku për arsye krenarie askush nuk bie dakort me asgjë dhe kjo më shumë se sa shprehje individualiteti dhe dëshire për auotonomi, është tregues i paaftësisë tonë për të pranuar se mund të ketë mbi këtë tokë edhe hapësira të përbashkëta (jo vetëm fizike, por edhe shoqërore dhe kulturore). Megjithatë, problemi është se koha në të cilën jetojmë duket se e ka amplifikuar shumë më tepër këtë fenomen.

Hanah Arendt argumenton tek “Gjendja Njerëzore” se një nga kërkesat bazë të politikëbërjes është ekzistenca e një realiteti të përbashkët, ku individë me interesa dhe opinione sado të ndryshme, mund të takohen. Metafora që ajo jep, është ajo e një tryeze që i ndan dhe bashkon njerëzit në të njëjtën kohë. Pra, tryeza është realiteti i përbashkët që edhe pse qëndron mes njerëzve dhe i ndan ata, shërben njëkohësisht edhe si objekti rreth të cilit ulen dhe në mungesë të së cilës do të përplaseshin me njëri-tjetrin.

Por metafora e tryezës funksionon vetëm nëse të gjithë biem dakort se ajo ekziston. Problemi ynë, nga ana tjetër, është se të gjithë sjellim tryezat tona me vete, teksa secili nga ne komunikon brenda kornizës së tij. Duket sikur, jo vetëm e kemi të pamundur të biem dakort me njëri-tjetrin, por kemi humbur edhe aftësinë për të mos u marrë vesh. Kjo është ndoshta edhe një nga arsyet përse çalojmë në llogaridhënie, apo për të arsyetuar së bashku. Demokracia e ka sigurisht parakusht fjalën e lirë, por pa aq ka edhe aftësinë për të kuptuar atë që thuhet, pa e përkthyer menjëherë në melodinë e preferuar të veshëve të marrësit.

Unë shkruajta se patenta është një privilegj ligjor dhe e kisha fjalën për diçka konkrete. Shumëkush e lexoi si provokim apo sinjal politik. Hendeku i madh mes të dyjave, asaj që thuhet dhe asaj që kuptohet, na tregon edhe një herë se ajo që shpesh e quajmë debat publik, në të vërtetë s’janë veçse njerëz që reagojnë ndaj asaj që presin të dëgjojnë. Edhe unë vetë, duke shkruar këtë, duhet ta pranoj se ndoshta nuk e bëra të qartë mjaftueshëm argumentin fillestar. Ndoshta kjo është frika më e madhe: jo që nuk biem dakord me njëri-tjetrin, por që gradualisht po humbasim vetë hapësirën ku mosmarrëveshja bëhet e mundur. 

Lini një Përgjigje