Nga Rigels Seliman
Ditët e fundit, bulevardet e Tiranës, por edhe qyetet të tjera në Shqipëri, si dhe në vende të ndryshme të botës ku jetojnë shqiptarë, janë mbushur me pankarta, ndërsa imazhi elegant i flamingos është kthyer në simbolin e një kauze që pretendon të mbrojë Zvërnecin nga “thundra” e zhvillimit ekonomik. Shqiptarët kanë dalë në protestë kundër planeve të dhëndrit të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, Jared Kushner, për të zhvilluar një resort luksoz në ishullin e paprekur të Sazanit dhe në bregdetin e Zvërnecit pranë Vlorës, investim ky që do të mbështet edhe nga investitorë nga Katari dhe investitorë vendas, dhe që mund të përfshijë deri në 10 mijë dhoma hoteli dhe vila,
Lëvizja është quajtur nga shoqëria civile dhe media ndërkombëtare si “revolucioni i flamingove”, pasi zona përbën një habitat të rëndësishëm për këta zogj karakteristikë.
Slogane emocionale, thirrje për apokalips mjedisor dhe një alarm i përgjithshëm se çdo investim në zonën e Zvërnecit (Vjosë-Nartës) do të sjellë fundin e faunës. Por, pas këtij tymnaje sentimentalizmi ekologjik, fshihet një paradoks i madh shoqëror dhe ekonomik që meriton një përgjigje të ftohtë: Pse Franca dhe Spanja kanë arritur të kenë edhe industri turistike të nivelit të lartë, edhe koloni gjigante flamingosh, ndërsa Shqipërisë i kërkohet të zgjedhë vetëm njërën?
Përgjigja ndaj këtij ekuacioni nuk gjendet te ligjësitë e natyrës, por te një hipokrizi e thellë shoqërore që po tenton të mbajë peng të ardhmen ekonomike të vendit.
Miti i “natyres së paprekur”, shembulli i Europës
Argumenti se prania e investimeve dhe turizmit elitar eliminon automatikisht speciet e mbrojtura është një gënjeshtër shkencore dhe historike. Kolonitë më të mëdha të flamingove në Europë nuk jetojnë në xhungla të izoluara nga njerëzimi, por në shtete që përfaqësojnë superfuqitë e turizmit dhe industrisë botërore.
Camargue (Francë): Shtëpia e njërës prej kolonive më të famshme të flamingove në Mesdhe ndodhet në një rajon ku industria e kripës, bujqësia intensive dhe miliona turistë ndajnë të njëjtën hapësirë çdo vit.
Doñana dhe Delta e Ebro-s (Spanjë): Spanja, vendi që pret mbi 80 milionë turistë në vit dhe që ka transformuar bregdetin e saj në një motor ekonomik, ka arritur të ruajë popullatat e flamingove duke ndërtuar paralelisht resorte të përmasave globale.
Këto vende nuk zgjodhën të mbeten muze të hapur të varfërisë për të shpëtuar zogjtë. Ata aplikuan inxhinieri mjedisore, rregulla të rrepta dhe, mbi të gjitha, kapitalizuan mbi bukuritë e tyre. Atëherë, mbi çfarë logjike pretendojnë “shpëtimtarët” tanë se Shqipëria nuk e ka kapacitetin intelektual dhe ligjor për të bërë saktësisht të njëjtën gjë?
Hipokrizia e resorteve të jashtme dhe “kopshtit zoologjik” shqiptar
Ajo që e bën këtë valë protestash jo vetëm të pabazë, por edhe thellësisht irrituese, është profili i vetë njerëzve që e udhëheqin apo e mbështesin atë nga kafenetë e kryeqytetit. Kemi të bëjmë me një elitë apo pseudo-elitë që pushimet e veta luksoze i kalon pikërisht në resortet e strukturuara të Greqisë, në hotelet me pesë yje të Spanjës apo në plazhet e Italisë. Ata nuk e kanë problem të shpenzojnë mijëra euro në struktura turistike jashtë vendit, të cilat janë ndërtuar saktësisht mbi të njëjtat parime zhvillimi që sot po mallkohen në Tiranë. Por, kur vjen puna për Shqipërinë, të njëjtët njerëz kërkojnë që bregdeti ynë të mbetet i egër, i pashkelur, i prapambetur dhe pa asnjë investim.
Ky është një snobizëm i rrezikshëm: dëshira për ta parë Shqipërinë si një “kopsht zoologjik” ekologjik, ku ata mund të bëjnë ndonjë foto ekzotike fundjave për rrjetet sociale, ndërsa pjesën tjetër të vitit jetojnë në komoditetin e botës moderne.
Ata që protestojnë me aq zell duket se nuk e duan zhvillimin e Shqipërisë sepse vetë nuk “vuajnë për bukën e gojës”. Ata nuk e dinë se çfarë do të thotë mungesë e vendeve të punës për banorët e zonave bregdetare, të cilët prej dekadash kanë parë vetëm emigrimin si të vetmen rrugë shpëtimi.
Zhvillim që respekton natyrën, jo izolim nga frika
Asnjë mendje normale nuk kërkon shkatërrimin e Zvërnecit dhe zonës Vjosë-Nartës, apo betonizimin pa kriter. Nëse ka shkelje ligjore, ato duhen ndëshkuar me rreptësi. Nëse studimet mjedisore kërkojnë rishikim të projekteve, kjo duhet bërë me rigorozitet shkencor. Por, të thuash “jo” apriori për çdo investim strategjik, vetëm sepse po përdoret flamingoja si mburojë emocionale, është thjesht budallallëk dhe sabotim i hapur ekonomik.
Shqipëria ka një avantazh të qartë konkurrues në turizëm. Brezat e rinj kanë nevojë për vende pune dinjitoze, industri të mikpritjes së nivelit të lartë dhe infrastrukturë moderne që thith kapital të huaj. Ne nuk mund të ushqejmë ekonominë e vendit dhe as të mbajmë rininë këtu duke u mjaftuar thjesht me numërimin e flamingove në kënetë.
Sfida e vërtetë e një shteti serioz nuk është të ndalojë zhvillimin për të ruajtur natyrën, por të jetë aq i zgjuar sa t’i bëjë të dyja bashkë, siç ka bërë e gjithë Europa Perëndimore. Sloganet e sotme në bulevard nuk po mbrojnë natyrën; ato po mbrojnë status-quo-në e një vendi që disa preferojnë ta shohin të prapambetur, mjaft që të mbetet “autentik” për sytë e tyre të ngopur me luks jashtë shtetit. Është koha të ndajmë ekologjinë reale nga hipokrizia urbane: Shqipëria ka të drejtë të zhvillohet, ndërkohë që flamingot do të vazhdojnë të fluturojnë, saktësisht ashtu siç bëjnë në çdo cep të zhvilluar të Mesdheut.
Qeverite tona ne keto 35 vite, kane treguar qe nuk jane dashamires ndaj natyres. Prandaj duhet qe per 30 vite te ndalohen ndertimet ne keto zona . Pas 30 vitesh shpresojme qe brezi tjeter qeverises te jene me dashamires ndaj natyres. NE FUND TE FUNDIT DUHET TE KUPTOJME QE NE NUK JEMI PRONAR TE TOKES, por thjesht ua ruajme brezave te mevonshem.
Pse Spanja dhe Franca kane Flamimgo dhe turizem elitar?? Po pse ca jane ata majmuna sipuna jone?? Jane ngritur pa arsye kudo bile edhe neper bote duke organizuar protesta te dirigjuara nga te ashtuquajturat shoqeri civile qe po na rruajn trapin me bemat e tyre te sponsorizuara nga armiqte e Shqiperise nder shekuj. Sado ata dhe sponsorat e tyre te hane M*T perdite projekti do behet dhe pasi ta shohin do hane akoma me shume nga qejfi.