Pse ftesa e Trump për Edi Ramën nuk është as rastësi dhe as kompliment

19 Janar 2026, 11:01Blog TEMA
Pse ftesa e Trump për Edi Ramën nuk është as rastësi

Ftesa e Trump për Ramën pasqyron jo karizmën e tij, por një rreshtim strategjik që u kuptua më shpejt në Uashington sesa në Tiranë.

Nga Albatros Rexhaj

Në politikën ndërkombëtare, ftesat serioze nuk bëhen për mirësjellje. Ato bëhen për arsye. Dhe arsyeja pse Presidenti amerikan Donald Trump i ka bërë ftesë Kryeministrit Edi Rama nuk ka të bëjë as me stilin personal, as me aftësinë për të dominuar skenën publike, por me diçka shumë më pak spektakolare dhe shumë më të rrallë: parashikueshmërinë politike.

Në Uashington, Shqipëria sot shihet si një vend që mund të lexohet. Kjo mund të duket një standard i ulët, por nuk është. Në një rajon ku deklaratat ndryshojnë sipas audiencës dhe pozicionimet sipas javës, të qenit i lexueshëm është avantazh strategjik.

Ky perceptim nuk u ndërtua rastësisht. Dhe, ndryshe nga sa u sugjerua në disa studio televizive në Tiranë, nuk ishte produkt i ndonjë “show”-u diplomatik.

Pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, Edi Rama bëri diçka që një pjesë e elitës politike dhe mediatike shqiptare e lexoi keq – ose nuk u lodh ta lexonte fare. Ai dënoi pa ekuivok krimet terroriste të Hamasit, pa relativizime morale dhe pa gjuhë të mjegullt, por njëkohësisht artikuloi qartë një qëndrim politik për Gazën: një territor i lirë, i çliruar nga Hamasi dhe jo i nënshtruar ndaj një pushtimi të përhershëm.

Në Tiranë, reagimi ishte i parashikueshëm. Komentet u përqendruan te forma, jo te përmbajtja; te fakti që Rama “po fliste shumë”, jo te ajo që po thoshte. Disa e quajtën servilizëm ndaj Amerikës. Të tjerë, protagonizëm personal. Ishte një debat i zhurmshëm, por intelektualisht i varfër.

Sepse ajo që po ndodhte nuk ishte retorikë morale për konsum të brendshëm. Ishte rreshtim strategjik.

Në politikën perëndimore, dhe veçanërisht në Uashington, dallimi midis një aleati të rastësishëm dhe një partneri serioz qëndron pikërisht këtu: aftësia për të mbajtur një vijë të qartë edhe kur ajo nuk është komode, edhe kur ajo nuk prodhon duartrokitje të menjëhershme. Ky pozicionim u vlerësua nga administrata Biden si shenjë stabiliteti dhe serioziteti institucional. Por ai u lexua edhe më drejtpërdrejt nga administrata Trump, e cila — përtej retorikës — e çmon qartësinë e pushtetit dhe mosluajtjen me dy standarde.

Që nga pranvera e vitit 2023, Shqipëria ka investuar realisht në një rreshtim strategjik afatgjatë me Shtetet e Bashkuara. Ky nuk ka qenë një proces i qetë. Ka pasur kosto politike të brendshme dhe sulme personale. Por pikërisht këtu shfaqet dallimi mes taktikës dhe strategjisë. Rama nuk ka ndryshuar qëndrim sipas ciklit të lajmeve apo sipas presionit të komenteve në prime time. Ai ka qëndruar konsistent.

Në politikën ndërkombëtare, konsistenca nuk është virtyt moral. Është kapital.

Por ky kapital nuk është çek i bardhë. Dhe këtu fillon pjesa më pak e rehatshme e historisë.

Të shihet si partner i besueshëm nuk do të thotë që Shqipëria ka përmbushur detyrat e saj. Përkundrazi, kjo e rrit faturën. Besueshmëria ndërkombëtare nuk të fal; ajo të ekspozon. Nëse Tirana dëshiron që kjo marrëdhënie të mos mbetet simbolike, por të shndërrohet në ndikim real, atëherë duhet të përballet me problemet që prej vitesh minojnë shtetin nga brenda — dhe që shpesh relativizohen me një lehtësi shqetësuese.

Shqipëria duhet të shpallë një luftë të hapur dhe të qëndrueshme kundër karteleve të drogës. Jo si narrativë për partnerët ndërkombëtarë, por si politikë shtetërore afatgjatë. Krimi i organizuar nuk është më një problem periferik; ai është një kërcënim direkt për funksionalitetin e shtetit.

Po aq seriozisht duhet trajtuar infiltrimi i strukturave shtetërore nga elementë të lidhur me krimin. Kjo nuk është çështje imazhi, por çështje sigurie kombëtare. Dhe lufta kundër korrupsionit nuk mund të mbetet një seri deklaratash periodike; ajo duhet të matet me rikthimin e besimit, brenda dhe jashtë vendit.

Ftesa e Trump për Edi Ramën nuk është shpërblim. Është një provë. Një provë nëse Shqipëria është gati të kalojë nga roli i partnerit të disiplinuar në atë të shtetit serioz.

Historia e Evropës Lindore është plot me shembuj vendesh që u rreshtuan drejt, por nuk reformuan veten. Rezultati ishte zhgënjim, jo konsolidim. Shqipëria ka tani një dritare të rrallë për të mos e përsëritur këtë gabim.

Pyetja reale nuk është pse Rama u ftua.
Pyetja është nëse Shqipëria është gati të mbajë peshën e asaj ftese.

14 Komente

  1. V
    Vetë Edi

    O kok tenxhere Është për kryeministrin nuk është për Edin mos mashtroni njërëz që nuk kuptojnë Për këdo që të ishte kryeministër do vinte ftesa Koçidoji që është zoti Rama Kjo është e gjitha Suksese në mashtrime

    Përgjigjjuni
    1. B
      Bureto

      Megjithë mend e ke? Vërtet do vinte pardje kjo ftesë nga Tramp, sikur sot kryeministër të ishte Berisha apo Meta, sot ?!...Sikur, domethënë, që ata të mos ishin në kushtet që janë sot, njëri kandidat dhe tjetri në burg?

      Përgjigjjuni
    2. K
      Klimax

      Kombet e të gjitha vendeve të botës mbas Luftës II Botërore krijuan Organizatën e Kombeve të Bashkuara, një organizatë që do punonte për paqen dhe stabilitetin në botë në të cilën është anëtare edhe Shqipëria. Sot , papritur del një sharlatan që kërkon të jetë kryetar i përhershëm i një Bordi të Paqes dhe lëshon ftesa gjithandej kryetarëve të shteteve që të jenë anëtarë të këtij bordi. Ky tip nga ana tjetër kërkon shkrirjen e OKB-së!!!! Çuditërisht, Edi Rama dhe bythëlëpirësit e tij e shikojnë si një triumf të Shqipërisë dhe në veçanti të kryeministrit për të qënë krahë Amerikës dhe në anën e duhur të historisë!!! Po të shikosh më me kujdes vërteton se në këtë krahë ka marrë ftesë edhe diktatori Putin dhe shumë diktatorë të tjerë!!! Po shpërbëjmë OKB-në për të kaluar në një "bord të paqes" të drejtuar nga një familje që nuk i intereson fare paqja në botë, që është kundra pavarësisë territoriale, kundra sistemeve demokratike, kundra respektit të të drejtave të njeriut, kundra mbrojtjes së ambientit, kundra ndihmës të popullsive të goditura nga fatkeqësitë natyrore, sëmundjeve, luftës civile, ........?!!!!! Për këtë organizatë ndihet krenar shkëlqesia e tij Rama?!!!! Ku ju çon mushka more sharlatanër?!!!

      Përgjigjjuni
      1. B
        Bureto

        @Klimax! Pozicioni i Shqipërisë mund të shikohet nga çdo këndvështrim! Ajo është vend i vogël, i dobët ekonomikisht dhe ushtarakisht, dhe njëherazi e rrethuar nga fqinj që nuk ia duan të mirën. Në këto kushte historike dhe gjeopolitike, ka shpallur se Aleati më i Madh strategjik i saj mbeten SHBA. Nëse kjo nuk është 'ana e duhur' e historisë, atëhere sipas teje, cila do duhej të ishte ajo...?! ShBA-të nuk janë Presidenti i saj, ashtu si Shqipëria nuk është Kryeministri i saj. Në një moment të caktuar historik, me një mandat të kufizuar, ata thjesht përfaqësojnë shtetet e tyre respektive. Sepse ka një ndryshim të madh midis 'strategjisë' dhe 'politikës', apo 'taktikës', siç quhet ndryshe në lëmin ushtarak.

        Përgjigjjuni
        1. P
          Papagalli

          Ajo OKB e dënonte me letra Serbinë ndërkohë që Slloboja i vriste dhe ky beu i viçidolit i funrizonte me naftë. kosovën ashtu që serbët dhunonin shqiptarët. Dhe këta Amerikanët sharlatanë pa lejen e OKBsë i futën europianët në llogore që ti binin beogradit. Por shqiptarët rrota palle si puna jote që papagallisin idjotlliqet e telekazanit këto gjëra nuk i kuptojnë se e kanë trurin si aeroport për gomerët që fluturojnë darkë më darkë.

          Përgjigjjuni
        2. H
          Haka Tekizoti

          Po t'i shihnit gjërat shumë më thjesht do të kishit interpretim krejt tjetër.

          Përgjigjjuni
          1. T
            Timi

            Shqipëria u ftua thjesht sepse ka marrëdhënie të mira me Izraelin por mund të ndikojë edhe tek palestinezët përmes lidhjeve fetare. Kaq.

            Përgjigjjuni
            1. A
              Alfred

              Po ky eksperti nga mbiu?! E thirri Rama nga "stoli"?! Sic duket i ka dhene minuta pushim Batonit, Milaimit e disa te tjereve qe kane shume "minuta" ne loje!!!... Arsyeja pse Edvini eshte "thirrur" ne kete te famshmin bordi i paqes eshte nje dhe e vetme: Kur amerikanet moren vesh se vetem njeres "agjensi" qeveritare te Edvinit, nje fature-ajo e cokollatave i ka kushtuar 10 milione euro, atehere nuk jane menduar dy here! Menjehere kane vendosur ta kene ne liste si kontribuese financiare!!! ..... Na rrofsh o Edvin!!!!.....

              Përgjigjjuni
              1. a
                analist

                ALBATROS REXHAJ me pelqejne shkrimet e tua po ashtu edhe komentet e tua.Bravo .Nje pergjigje se a do e mbajne suoet e Rames peshen e pergjegjesise po ra jap une po Ed Rama do e perballoje me sukses jete peshe dhe do i sjelle nder me te madh Shqiperise se vogel pasi Ed Rama e thote fjalen e tij gjithmone me drejtesi dhe sic duhet .Kjo gje e bderon ate dhe vendin.

                Përgjigjjuni
                1. M
                  Much ado about nothing

                  Ftesa duhet te jete personale per liderin global Rama dhe jo per Shqiperine sepse dihet boterisht qe Trump se ka idene se ku ndodhet Shqiperia...Sazanin ndoshta ja ka treguar vajza.

                  Përgjigjjuni
                  1. A
                    Agron xhekmarkaj

                    O vet Edi mēso njēher shqip pastaj komento nuk thuhet koçidoi por thuhet konçidoj or zotnia analfabet.

                    Përgjigjjuni
                    1. G
                      Gjuhëtari

                      Shkruhet KOINÇIDENCË , mësoni gjuhën shqipe !

                      Përgjigjjuni
                    2. a
                      alma nga tirana

                      o bytyc stralli mbeti ky vend ti japesh mendime ti ??

                      Përgjigjjuni
                      1. i
                        iliri tirane

                        ndaj si donte Tito kosovaret kane te gjitha te ligat e botes ndaj dhe ne nuk e duam bashkimin me ata gdhetë

                        Përgjigjjuni

                        Lini një Përgjigje