Pse KLP nuk hap konkurimin për kryeprokuror në Tiranë?

15 Shtator 2025, 10:56Blog TEMA

Pse KLP nuk hap konkurimin për kryeprokuror në Tiranë?

Vetëm pak prokurori rrethesh si Dibra, Fieri, Korça, Gjirokastra kanë drejtues me mandat të rregullt, pra kreu i tyre funksionon. Të tjerat janë lënë me drejtues të përkohshëm ose edhe me zëvendësdrejtues të komanduar. Shkodra, Elbasani, Vlora, Durrësi, Berati, Lezha, Saranda, Kukësi – të gjitha sot funksionojnë me “pilot automatik”. Dhe ndërkohë që këto prokurori mbajnë mbi supe 95% të çështjeve penale në vend, nuk kanë në krye një drejtues të zgjedhur me garë të hapur e të ligjshme.

Kryeprokurorit të Tiranës i mbaron mandat në fund të shtatorit, por KLP nuk hap konkurimin e hapur publik për kryeprokuror.

Përpjekja e KLP për ta paraqitur situatën si “dinamike, dhe normale proceduriale” është thjesht justifikim, por i pagëlltitshëm. Fakti që KLP si në një tender bashkie periferike, hap një konkurs e shpall, e rishpall, e mbyll pa kandidat procesin dhe pastaj, e rihapet sërish dhe përsëri kreu mbetet bosh, tregon dështim sistematik. Reforma nuk u bë që të prodhojë “drejtues tё përkohshëm”, por për të sjellë standarde të reja, bashkë me drejtësinë e re.

Nëse drejtuesit e prokurorive, ata që kanë boshatisur qytetet e Shqipërisë nga të rinjtë që vetëm drejtësi nuk gjejnë, emërohen pa garë; nëse mandati i mbaruar nuk sjell rrotacion me “fytyra” të besueshme; nëse prokuroritë e mëdha të vendit si Tirana, Shkodra, Durrësi apo Elbasani mbeten me “drejtues në rikandidim hileqar”, atëherë ku është ndryshimi nga e djeshmja? Ku është besimi i publikut se drejtësia nuk është më e kapur nga emra e interesa të ngulura diku në murin e korrupsionit endemik?

Kjo është pyetja që duhet bërë sot: a është kjo reforma që donim, apo thjesht një dekor i ri mbi një skenë të vjetër?

Në letër, ligji është i qartë: kur një drejtues prokurorie përfundon mandatin, ai mund të rikandidojë, por vetëm pasi të kalojë një verifikim të plotë të pasurisë, figurës dhe performancës.

Në praktikë, ky “rikandidim” është kthyer në një derë të mbyllur për të tjerët: nëse rikandidon drejtuesi aktual (sikur është kryetar partie politike), konkursi nuk hapet më, nuk ka garë, nuk ka konkurencë, atëherë, Transparenca sakrifikohet në emër të Status Quos-ë së korrupsionit.

Kjo nuk është as reformë dhe as drejtësi. Është thjesht riciklim i të njëjtëve emra, i të njëjtave skema, i të njëjtave zakone. E gjithë fryma e ligjit – garë e hapur, meritokraci, besim i publikut – shuhet brenda një procedure që “zgjatet në kohë” dhe që në fund të fundit mban prokuroritë pa drejtues të rregullt për muaj e vite.

Çfarë interesash fshihen nga KLP që nuk e hap konkurimin në Tiranë apo që në disa rrethe mban të “komanduar”, kur duhet të kishte zgjedhur kryeprokuror me mandate të rregullt?

Disa herë kryeministri Rama ka kritikuar prokurorë apo gjyqtarë që shkelin ligjin dhe interesat e publikut në këmbim të interesave të privatëve.

As KLP dhe as KLGJ nuk e kanë në konsideratë shqetsimin e kryeministrit, por veçanërisht  KLP në emër të “pavarësisë” nuk vepron.

Mu në Tiranë, hapur dhe pa frikë, KLP shkel ligjin duke mos hapur konkurimin për kreun e Prokurorisë, por luan lojën për disa interesa të disa grupeve të biznesit.

KLP duhet të hap garën dhe le të rikandidojë nëse do përsëri kryeprokurori actual, por ama bëhet emërim me votim e konkurim e jo skutave se gjoja nuk ka nevojë konkurimi sepse e ka marrë mandatin njëherë para tre vitesh.

Fakti që KLP nuk hap garën për Tiranën si dhe për disa rrethe të tjera tregon se ky organ drejtësie fsheh interesa të tjera dhe jo ato ligjore.

Kryeministri Rama flet hapur se si gjyqtarë e prokurorë të caktuar shkelin ligjin hapur, ndërsa KLP del dhe i mbron ata se gjoja ekzekutivi po ndërhyn në kompetencat e pushtetit të drejtësisë!

1 Komente

  1. M
    Mara emigrante ne Itali

    Z Rama populli do drejtesi mos degjo te huajt degjo popullin qe te dha voten , qerroi KLP dĥe KLGJ .Ministri i drejtesise duhet te nderhyje te keto institucione antiligjore .

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje