Pse Kosovën e pret udhë e vështirë në BE dhe paradokset e Serbisë!?

14 Shtator 2022, 17:00Blog Nga Ben Andoni

Pse Kosovën e pret udhë e vështirë në BE dhe paradokset

Kosova është dhe do mbetet një argument i mirë në Serbi për politikanët. Të paktën edhe për disa kohë. Nëse një politikan serb do t’i rrisë pikët në sondazhet parazgjedhore, mundohet të përshtati një narracion ndryshe për Kosovën por me titullin final: Do mbetet pjesë integrale e Republikës së Serbisë. E nëse do të heqë vëmendjen nga problematikat, që një politikan vendas has në mjedisin serb, normal do shprehet se: Po, Kosova po na merr energji dhe zbatimi i marrëveshjeve vështirësohen nga lidërshipi kosovar,…që ne po i tolerojmë!

Është e vërtetë se Kosova po e bjerr seriozisht energjinë serbe. Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë është aq e ngarkuar me çështjen e Kosovës, sa të paktën 75 për qind e kapacitetit të saj shpenzohet për dialogun dhe kundërshtitë ndaj Prishtinës, shkruhet në një analizë.

Në Kushtetutën e Serbisë të vitit 2006, Kosova është e përmendur tre herë. Fillimisht në preambulë, ku thuhet se Republika e Serbisë ka në përbërjen e saj dy krahina autonome: Vojvodinën dhe Kosovën, e më pas në nenet për organizimin territorial, në të cilat përcaktohet pozita e krahinave autonome, referuar atyre. Por, kujdes: Preambula në të cilën përmendet Kosova, nuk është pjesë detyruese e Kushtetutës. Dhe, një “kleçkë” ende më e madhe. Në nenin 8 të Kushtetutës së Serbisë thuhet që territori i Serbisë është “unik dhe i pandashëm”, ndërkaq që kufiri është “i paprekshëm”. Anipse Kosova është e ndarë nga Republika e Serbisë dhe e njohur në territorin e saj nga më shumë se 100 vende. Kuptohet se përcaktimi i kufijve nuk është pjesë e Kushtetutës dhe momenti kur Kosova e Serbia të ulen për demarkacionin e kufijve do jetë përfundimisht momenti i njohjes nga Beogradi.

Ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka dy momente që konsiderohen si të vështira dhe gati të pakalueshme për retorikën e Beogradit: Marrëveshja e Kumanovës, ku serbët u detyruan të tërhiqen në vitin 1998 dhe Njohja e vlefshmërisë së Pavarësisë nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare së Drejtësisë në Hagë me kërkesën e vetë autoriteteve serbe. Dihet se kufijtë përcaktohen me marrëveshje ndërkombëtare dhe precizohen me komisione të përziera, kuptohet kur nuk ka kundërshtime të mëdha. Duke ditur këtë amulli dhe konjukturat ndërkombëtare, pala kosovare nuk ka humbur kohë për të rendur drejt strukturave evropiane. Pak javë më parë kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje se së shpejti Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Partnerin e Paqes në kuadër të NATO-s, si dhe në Bashkimin Evropian.

“Kemi aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Anëtarësimi ynë në Këshillin e Evropës është vlerë e shtuar për Këshillin dhe mundësi për Kosovën që të përparojë më shumë në fushën e drejtësisë. Jemi duke i bërë përgatitjet për aplikim për anëtarësim në Partneritetin e Paqes në kuadër të NATO-s, e do të aplikojmë edhe për anëtarësim në BE”, u shpreh Kurti.

Në një aspekt më pragmatist, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në një takim të ditëve të fundit në Pragë ka njoftuar zyrtarisht ministrin çek për Çështje Evropiane, Mikulas Bek, vendi i të cilit kryeson BE-në, se Kosova synon të aplikojë për anëtarësim në BE qysh në këtë vit. A mundet që kjo përpjekje dhe retorikë ta ndihë Kosovën? Vështirë të thuhet. Aplikimi për anëtarësim në BE konsiderohet si hapi i parë në rrugën e gjatë drejt anëtarësimit të plotë. Por, kujdes: pesë nga njëzet e shtatë shtetet anëtare nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe është e vështirë të pritet që Këshilli i Bashkimit Evropian të mund të kërkojë njëzëri mendimin e Komisionit Evropian për aplikimin për anëtarësim. Ky konsiderohet hapi i dytë. Nëse kjo pengesë do kalohej dhe Spanja, Qipro dhe Greqia, shtuar me Sllovakinë dhe Rumaninë do të dakordësoheshin me vendet e tjera, atëherë mbushja e dokumentacionit do të kërkonte dy vjet, siç ka ndodhur në rastin e Serbisë. Për fatin e keq, Kosova e ka të vështirë këtë udhë, ashtu si Serbia me gjithë zhurmën që bën e di mirë se ka ende një avantazh të vockël prej përçarjes evropiane. Ka një matricë, e cila bën me dije se anëtarët e BE-së presin që Beogradi dhe Prishtina duhet të zbatojnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme, por edhe këtu ka një mëdyshje. Për Serbinë, Kosova është kanonike pjesë e saj e padiskutueshme. Fatkeqësisht, edhe këtu ka probleme. Kjo pasi ka të ngjarë, që edhe pas kësaj marrëveshje, pesë vendet e BE-së që nuk e njohin Kosovën të mos jenë sërish dakord. Fati i Serbisë do të jetë, ashtu si u shpreh me të drejtë një politolog, Drejtori i Institutit për Çështje Evropiane Naim Leo Beshiri për “Danas: ”Në çdo skenar ku ka konsensus në Bruksel, Serbia humbet. Nëse mund të sigurojë që të paktën një anëtar të kundërshtojë, nuk ka konsensus”. Sipas tij, një qasje më e mirë do të ishte që Serbia të mbështesë synimet e Kosovës dhe të avokojë realisht për një projekt paqeje në të cilin të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë anëtarë të BE-së.

Në “Ballkan Open”, Serbia është duke luajtur me kartën e një vendi miqësor dhe që do jetë pranë fqinjëve të saj, madje ka qenë e hapur dhe për Kosovën! Logjikisht, kjo ndodh nëse “burimet njerëzore dhe financiare të Serbisë do të mund të drejtoheshin drejt reformave shumë të nevojshme për anëtarësim. Siç janë gjërat aktualisht, anëtarësimi i Kosovës në rastin më të mirë do të ishte dhjetë vjet prapa Serbisë” – përfundon Beshiri.

Por a është kaq i lehtë anëtarësimi? Duke pasur parasysh rastin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, duket pak si shumë i vështirë. Shqipëria aplikoi në vitin 2009, e mori statusin e vendit kandidat në vitin 2014 dhe iu dha drita e gjelbër nga Komisioni për t’i nisur negociatat në vitin 2018. Vetëm në vitin 2022 iu hap porta për kapitujt. Para të gjithë vendeve të tjera në Ballkan ishte Maqedonia e Veriut. Vendi i vogël me dy milionë banorë, mbytur në tallazet e ndryshimit të emrit, aplikoi për herë të parë në vitin 2005, kurse Komisioni rekomandoi që negociatat të nisin në vitin 2009. Më në fund, iu hapën negociatat në një ditë me Shqipërinë. Dy ballkanasit, që deri para pak vitesh, ishin brenda një kornize shtetërore: Serbia dhe Malin e Zi i kaluan të gjithë, por tashmë janë në valën e hapjes së kapitujve. Serbët aplikuan në vitin 2009, morën statusin e kandidatit në vitin 2012 dhe filluan negociatat në vitin 2014. Kurse Mali i Zi aplikoi një vit më parë në vitin 2008, siguroi statusin e kandidatit në vitin 2010 dhe negociatat e anëtarësimit u filluan në verën e vitit 2012.

E fundit ka mbetur Bosnja dhe Hercegovina që aplikoi për t’u bashkuar me bllokun e BE-së në vitin 2016 dhe ende nuk e ka marrë statusin e kandidatit, pavarësisht se Komisioni i dha një dritë jeshile në vitin 2019!!!

Ka pasur një paradoks dhe ky lidhet me vendimin e Komisionit Evropian që miratoi dhënien e statusit të kandidatit për Ukrainën dhe Moldavinë, e që nga ana tjetër ua bëri të qartë se nuk do të kenë të drejtë për më shumë fonde të BE-së dhe pak a shumë u është bërë e qartë se negociatat s’do mund të fillojnë së shpejti. Komisioni dhe udhëheqësit e BE-së do u tregojnë udhën e kalvarit, ku të dyja vendet duhet të shënojnë përparim në reformat për ta forcuar pavarësinë e gjyqësorit, mediave dhe shoqërisë civile, si dhe institucioneve të pavarura që luftojnë kundër korrupsionit dhe nepotizmit.

Po sa mundësi ka Kosova? Duke parë udhën e vështirë për liberalizimin e vizave dhe mungesën e konjukturave të duhura, duket se Kosova do të vuajë ende në burokracinë e Brukselit, një fakt që i bën shumë mirë autoriteteve serbe për të hequr vëmendjen nga problematikat e brendshme me justifikimin e zakonshëm për dialogun me përfaqësuesit e “Krahinës së Jugut”. Kjo e fundit por si e pavarur, tashmë, i duhet të ketë vija të kuqe ndaj Serbisë nga i gjithë faktori politik dhe vazhdimi me kujdes i reciprocitetit, që do të thotë njohje de facto centimetër pas centimetri nga Serbia. Sa më e qëndrueshme të jetë në këtë betejë diplomatike dhe me të Drejtën Ndërkombëtare aq më e sigurt do të vazhdojë drejt ulëses së merituar në Kombet e Bashkuara. E Serbisë? Mbase do t’i mjaftonte dhe ideja e dy Gjermanive…për të larë atë që bënë ndaj “krahinës së tyre autonome”. Anipse duket se vështirësia nuk ndalet. Këtë e dinë mirë në Beograd dhe duket se duhet ta kuptojnë edhe më mirë në Prishtinë. (Homo Albanicus)

Lini një Përgjigje