Si demokracitë mësojnë të ecin me "hap rreshtor"

24 Nëntor 2025, 12:00Blog TEMA

Si demokracitë mësojnë të ecin me "hap rreshtor"

Nga Kaushik Basu, Project Syndicate

Në janar të 1934-ës, gazeta New York Times botoi një ese të gazetarit Harold Callender, në lidhje me një fenomen të ri që atëherë po përfshinte masivisht Gjermaninë naziste: Gleichschaltung. E përkthyer fjalë-për-fjalë si “sinkronizim”, termi kishte marrë një kuptim shumë më të errët – nazifikimi sistemik i shoqërisë gjermane. Artikulli i Callender-it do të rezultonte një nga paraljmërimet më domethënëse në lidhje me rënien e demokracisë dhe rritjen e totalitarizmit.

Demokracia, e cila lindi fillimisht në Athinën e shek. të pestë para Krishtit, shenjoi një kapërcim radikal për njerëzimin. Në formën e saj bashkëkohore, ajo kapërceu koninente, duke hedhur rrënjë fillimisht në shekujt e 18-të dhe 19-të në fuqi që do të lindnin më pas si SHBA-të, ndërsa në vende të sapodala nga zgjedha koloniale, në atë të 20-in. Megjithatë, pavarësisht përhapjes dhe rezistencës së saj, demokracia ka mbetur gjithnjë një sistem mjaft i brishtë.

Ne hamendësojmë gjithmonë se kërcënimi më i madh për demokracinë janë luftërat, grushtet e shtetit, apo kriza të tjera dramatike. Por, siç na kujton eseja e Callender-it, dobësimi i saj nuk ka nevojë për tronditje të befta. Një demokraci elektorale mund të rrëshqasë gradualisht drejt diktaturës, hap pas hapi, gjersa mbërrin në pikën pa kthim.

Sipas Callender-it, termi Gleichschaltung përshkruante më së miri procesin e ngadaltë dhe tinëzar të rritjes së autoritarizmit. Ndërsa përkthimi në anglisht nuk arriti të kapte implikimet më të zymta të fjalës, fraza në frënge mettre au pas – “të vendosësh në rresht” – i afrohej shumë më tepër domethënies së origjinalit në gjermanisht. Gleichschaltung, shkruate Callender, ishte “vënia në praktikë  mendërisht, moralisht, si edhe fizikisht, e parimit të hapit rreshtor.” Kuptimi i saj ishte thelbësor për të kuptuar se ç’po ndodhte në Gjermaninë e Hitlerit.

Në 1934-ën, procesi i “sinkronizimit” kishte arritur tashmë një pikë të dukshme. Fillimisht u zhduk autonomia rajonale, teksa shtetet federale të Gjermanisë u zhveshën nga sovraniteti që gëzonin, për t’u vendosur nën kontrollin e pushtetit Nazist. Më pas erdhi heshtja e opozitës dhe çdo zëri kundërshtar.

Pa kaluar shumë kohë, Gleichschaltung u përhap në sferën intelektuale gjermane, duke depërtuar në universitete dhe qendra kërkimore. Callender tregon se sa lehtësisht imponuan nazistët uniformitetin ndaj institucioneve kulturore – duke hedhur poshtë shumicën e artit modern si “të degjeneruar” – por hezituan kur ishte koha për të sjellë edhe shkencën nën programin e tyre të unifikimit ideologjik. Tek e fundit, a mund të flitej realisht për një matematikë “Gjermane”, apo “Ariane?” Në fund, një grup matematicienësh servilë në Unviersitetin e Berlinit ia dolën të bindnin veten se diçka e tillë mund të ekzistonte realisht.

Kështu u ndërtua skena për tragjedinë gjermane që erdhi më pas. Callender e mbylli esenë e tij duke shkruar se, ndërsa Gleichschaltung, sikundër forma të tjera të misticizmit, mund të mbetej e pakuptueshme për jobesimtarët, ndihmonte megjithatë për të shpjeguar shumë nga sjelljet më të çuditshme të regjimit.

Paralajmërimet e Callender-it tingëllojnë tmerrësisht të afërta sot, teksa demokracitë e globit po rrëshqasin drejt sundimeve autoritare. Për shembull, kryeminstri hungarez Viktor Orbán dhe presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, kanë ardhur në pushtet përmes zgjedhjeve të lira e demokratike dhe më pas nisën të minojnë kornizat mbrojtëse kushtetuese që iu kufizonin pushtetin. Madje, edhe demokraci vibrante si SHBA-të dhe India nuk janë immune ndaj kësaj. Siç mund ta shohim nga përvoja e kohëve të fundit, udhëheqësit politikë, së bashku me aleatët e tyre më besnikë, mund të shfrytëzojnë nacionalizmin për të përqëndruar pushtetin.

Rrëshqitja drejt autoritarizmit nuk nis me dhunën shtetërore. Në librin tim të botuar në 2018-ën, “The Republic of Beliefs,” argumentoj se shtypja nis me akte individuale që më vete duken të parëndësishme, por që kanë pasoja të rënda në momentin kur trysnitë shoqërore i detyrojnë njerëzit të futen në rresht, duke iu lejuar sunduesve të veprojnë pa frikën e ndëshkimit. Siç shkruajnë Sergei Guriev dhe Daniel Treisman në librin e tyre, “Spin Dictator,” botuar më 2022-in, diktatori rumun Nicolae Ceaușescu i pat thënë dikur shefit të tij të sigurisë: “Mund të gjejmë pafundësisht mënyra për të eleminuar kriminelët politikë… Mnd t’i arrestojmë si mashtrues ose spekulantë, mund t’i akuzojmë për shpërdorim të detyrave të tyre profesionale, apo çfarëdo gjëje që përputhet me secalin rast.”

Dobësimi i institucioneve demokratike shumëfishohet kur kombinohet me rritjen e pabarazisë. Një raport i kohëve të fundit i Komitetit të Jashtëzakonshëm të Ekspertëve të Pavarur për Pabarazinë Globale, i vendeve të G20-ës, arriti në përfundimin se shtetet me pabarazinë më të madhe kanë shtatë herë më shumë gjasa që të përjetojnë gërryerje të demokracisë. Studimi tregon gjithashtu se në një botë të dominuar nga rrjetet sociale, pabarazia ekonomike shpesh përkthehet edhe në pabarazi të zërit dhe vëmendjes. Nuk është çudi atëherë që, të pasurit po kapin platformat e mediave sociale dhe rrjetet televizive për të ngushtuar kontrollin e tyre mbi diskursin publik.

Rezistenca ndaj rrëshqitjes drejt autoritarizmit duhet të nisë me ekzaminimin e episodeve të mëhershme të krizave demokratike, veçanërisht ato që janë shpalosur në kohën mes dy luftërave botërore dhe në Republikën e Vajmarit. Dhe, ashtu sikurse Adam Smith tregonte se si zgjedhjet e vogla individuale formësojnë ekonomi të tëra, edhe ne duhet të studiojmë se si vendime të vogla e të përditshme ndikojnë në ndryshime të mëdha politike. Vetëm duke kuptuar mekanizmat që e mundësojnë Gleichschaltung, mund të krijojmë mekanizma që i parandalojnë shoqëritë tona nga marshimi me hap rreshtor drejt greminës së totalitarizmit. /b.r

* Kaushik Basu, ish-kryeekonomist i Bankës Botëtore dhe kryekëshilltar për ekonominë i Qeverisë së Indisë, është Profesor i Ekonomisë në Universitetin Cornell.

Lini një Përgjigje