SPAK mund ta zhdukë “leninizmin” nga klasa politike

3 Nëntor 2024, 21:10Blog TEMA

SPAK mund ta zhdukë “leninizmin” nga klasa politike

Nga Martin Leka

Ai, SPAK-u, ka në dorë ligjin dhe terma rreth tij. Por përtej kësaj, ky organizëm kushtetues duket se ka në dorë edhe të ardhmen prosperitive të vendit.

Në shkollën e mesme, një ndër lëndët, që quheshin shoqërore, kishim dhe lëndën “marksizëm-leninizëm”. Ishte një libër i kuq. Ajo që na kishte mbetur në mendje nga ky libër, ishte postulati i famshëm që përbënte gjithë doktrinën bolshevike, leninizmin: “Kur themi Partia, nënkuptojmë Lenini, kur themi Lenini, nënkuptojmë Partia”.

Siç mund ta shikoni, fjala “partia” është shkruar me të madhe dhe është gabim. Atëherë, nëse do ta shkruaje me “p” të vogël, mësuesi do ta rrethonte “P” me laps të kuq dhe përveçse do të ishte gabim drejtshkrimor, do të ishte dhe gabim parimor. Sepse partia atëherë ishte emër i përveçëm.

Pa u futur në terma të politikës akademike, po thjeshtohemi në terrenin praktik shqiptar, të njohur nga të gjithë qytetarët shqiptarë, pavarësisht intelektit të tyre.

Partitë kryesore shqiptare janë kthyer praktikisht parti leniniste. Janë parti të liderëve të tyre.

Partia Demokratike është parti berishiste. Leniniste. Eshtë parti e Sali Berishës. Pa atë, edhe aq sa është rrudhur, do të ishte minore, po aq sa partia e Nard Ndokës. Edhe vetë demokratët, kush nën zë e kush me zë, e dinë dhe e thonë. Në protestën kundër krimit të shtunen në Shkodër, pyetjes së një gazetari anëtar i strukturave të Partisë Demokratike se pse ke dalë sot në protestë, një grua ju përgjigj: “kam dalë se jam demokrate e flaktë, nuk ju tradhëtoj ju kurrë”, ndërkohë që në sfond dëgjoheshin dy zëra si të cjerrë që bërtisnin emrin Berisha. Për më tepër, në një protestë që ishte një marshim kundër krimit makabër të pak ditëve më parë e që duhej të kishte mesazhe të forta, mesazhi më i artikuluar ishte lirimi i Sali Berishës. Partia dhe “Lenini” janë një!

Partia e Lirisë, ish- Lëvizja Socialiste për Integrim, është parti e atij që e themeloi. Leniniste. Eshtë parti e Ilir Metës. E themeloi dhe ndikoi politikën jo vetëm në atë pak anëtarësi, por edhe më tepër se kaq, falë pragmatizmit në bazë interesi (jo politik) në politikën qeveritare. Herë me Berishën kundër Nanos e herë me Ramën kundër Berishës e herë kundër Ramës me Saliun, kjo parti është bërë lavjerrësi që e luan lideri sipas oreksit e midesë së tij. Meta e krijoi, iku president e ja la gruas, la presidencën e i mori gruas partinë. “Lenini” dhe partia janë një!

Partia “Socialiste” sot është partia e Edi Ramës. Leniniste. Në forume flet Rama e pas tij mbledhja mbyllet. Në debate, me ndonjë përjashtim të rrallë, nuk del asnjë ministër. Ministrat janë mbyllur në një tunel e dëgjojnë liderin. Presin, më kot, ndonjë lajmës tu thotë ndonjë porosi nga shefi nëse duhet të flasin. Dhe nëse flasin, nuk ka shans të mos e kenë një fjali për prolog e epilog “nën udhëheqjen e Edi Ramës apo sic ka thënë Edi Rama”… Pra, bëhen kopje e keqe e liderit të tyre. Sepse partia dhe “Lenini” janë në simbiozë e nuk ka shans të jenë njëri pa tjetrin.

Përtej këtyre partive, në skenën politike shqiptare janë shfaqur disa parti që drejtohen nga disa të rinj. Këto parti, edhe pse ndaj tyre ka një nihilizëm të theksuar, edhe pse sot janë të reja e të vogla, mund të bëjnë një ndryshim të madh e të jenë një shembull kundër doktrinës leniniste.

Në ndihmë të një ndryshimi të madh e të pritshëm, na shfaqet SPAK, I votuar edhe nga “leninistët”,  i cili nuk ka lidhje me doktrinat politike, por vetëm më ligjin. Po si dhe në ç’mënyrë?

SPAK ka nën arrest shtëpiak e akuzë për korrupsion kryetarin e PD, politikan e lider partie prej më shumë se 30 vitesh, Sali Berisha. SPAK ka nën arrest me burg për korrupsion ish-presidentin e kryetarin e ish-Lëvizjes Socialiste per Integrim, sot partia e Lirisë, Ilir Meta, politikan prej më shumë se 30 vitesh. SPAK ka të dënuar me burg, në arrest dhe nën akuzë dhjetra bashkëpunëtorë të kryeministrit Rama përfshirë ish-zëvëndësin e tij, ministra, deputetë, kryetarë bashkishë e dhjetëra zyrtarë të tjerë, për të cilët Rama ka përgjegjësi, në mos juridike, morale e politike padiskutim.

SPAK, duke përdorur vetëm gjuhën dhe forcën e ligjit, do mund t’i heqë opozitës së Berishës e Metës, (përfshirë Adriana Kalanë) arësyen e protestës së përjavëshme para Bashkisë së Tiranës…

SPAK mund ti heqë protestuesve të përnatshëm arësyen për të dalë në rrugicë poshtë ballkonit të Salës…

SPAK vetëm me forcën e ligjit mund të shkulë leninizmin nga politika shqiptare.

V.O (Nuk është çudi që vetë Edi Rama, para zgjedhjeve, mund ti heqë opozitës kauzën e saj, atë të mosbindjes (të ashtuquajtur) civile)

4 Komente

  1. L
    L.Xh

    Sipas mësimeve të Partisë e të Shokut Enver, si dhe në bazë e për zbatim të orientimeve shteruese të Kongresit të….(pordhi kali)…. Si gjithmonë e njëjta klishé, e njejta stampë, i njejti servilizëm burokratik, partiak e shtetëtor…. vetëm emrin dryshon. Të tjerat njesoj.

    Përgjigjjuni
    1. f
      fredi

      kemi pak kokrra qe e thone te verteten kaq thjesht e kaq hapur .perfekt

      Përgjigjjuni
      1. M
        Murgu

        O Martin, 1. Libri i marksizëm-leninizmit, kur bënim shkollë ne, nuk quhej i tillë; e aq në shumë, të qe i kuq. 2. Kur themi Partia, nënkuptojmë Leninin... nuk thuhet në asnjë faqe të asaj, që ti i thua marksizëm-leninizmi, por është një letrarizim shkruajtur nga Majakovski, për të treguar lidhjen e partisë me atë të Leninit, me rastin e vdekjes; besoj se këtë ta kanë thënë në shkollën ku, dikur të mësonin librin e kuq të marksizmit-leniniznit dhe letërsinë e realizmit socialist, (me gjasa edhe këto, të gjitha të kuq, si citatet e Maos, dhe me drapër e çekanin e sllavo-komunistëve), që ti i urreje jashtë mase, që kur ishe 5 vjeç; ndryshe do të dyshohej në sinqeritetin tuaj. Sa i përket drejtëshkrimit, nuk mund të të kundërshtoj, se je i duhuri, por unë sikur e kam mësuar ndryshe: ndryshe kur shpreh institucion dhe ndryshe kur ka kuptimin e përgjithshëm; partitë janë institucione. Por bën mirë që i shmangesh. E, jo, partitë leniniste, nëse janë vërtet të tilla, nuk shkërmoqen me largimin e liderëve të tyre, qoftë dhe themelues, ndërsa të tjerat, si ato të Berishës dhe Metës, po, sepse nuk janë të tilla, të anëtarëve, por të familjarëve dhe klaneve afër tyre. Nëse edhe Partia Socisliste kthehet e tillë, familjare dhe klanore, do të ketë fatin e dy të parave me largimin e liderit. 3. Edhe pse leniniste, sipas pikëpamjes tuaj përgjithësuese, Partia Socisliste e ka ndërruar liderin e saj themelues, me sa di unë, gjë që nuk përputhet si argument i marrë për bazë. 4. Unë nuk di, ju ndodhta po, por ndonjë parti pa lider, që njëri i bije gozhdës e tjetri oatkoit, nuk ka, si në një ndeshje futbolli: ka një trajner; lojtari që nuk luan mirë, nuk futet në ndeshjen tjetër. Pastaj, ç'ka sikur një parti të jetë leniniste?, kjo ka të bëjë me organizimin e brendshëm të partive. Votuesit vlerësojnë programin dhe punën, kur ajo merr qeverinë. Ç'punë ka SPAK-u me organizimin e partive, qoftë dhe leniniste. Anamani more, se na hapët barkun me këto vulgarizma. SPAKU-u bën punën e tij si pushtet i tretë, ndaj qeveritarëve që kanë shkelur dhe shkelin ligjet; s'kanë punë me partitë, nëse po, do të verifikoheshin se kishin ushtruar aktivitet kriminal (partitë), do të dilnin jashtë ligjit. Mos na e kthe SPAK-un në një parti-shtet leninist, që sulet të zhdukë partitë leniniste. Me partitë, në sistemin që kemi zgjedhur nuk ka punë SPAK-u; me partitë ka punë vetëm elektorati: i pëlqen leniniste, a i pëlqen liberale. Ndryshimi, ngatërrimi dhe shtembërimi i kategorive filozofike, gjoja për të abstraguar, e për ta bërë më të kuptueshme për "lexuesin injorant, që s'merr vesh nga filozofia" nëse është me qëllim, është denigruese dhe jo profesionale, për të manipuluar lexuesit dhe quhet shkrim i shitur; nëse, jo tregon mosnjohje, ndaj duhet shkruar ndryshe në lidhje me SPAK-un dhe marrëdhëniet e tij me shkelësit e ligjit dhe mardhënjet e partive me këta të fundit; tjetër janë marrëdhëniet brenda partive, me anëtarësinë. Për ato mund të japësh opinione por jo imponime botkuptimore dhe letrare. Dy fjalë për partitë e reja. Ato duhen respektuar dhe u duhet dhënë hapësirë për tu njohur, që të mbledhin anëtarësi dhe elektorat, duhet të piqen në beteja elektorale, deri në marrjen e pushtetit, por gjithsesi nuk duhen ushqyer iluzione se ato janë ndryshe nga të vjetrat dhe në s'janë, do të bëhen si ato. Qëllimi final: marrja e qeverisjes dhe vazhdimi i programit politik, po aty shfaqet i gjithë problemi... Si lubi shfaqet administrata e vjetër ("e korruptuar"), ç'do të bëjmë(?), do ta zhdukim me themel dhe në vend të tyre do të vëmë llagarët tanë?, apo do të vazhdojmë kështu, dhe drejtësia të vazhdojë punën e saj. Askush nuk jep siguri, që kjo parti e llagarëve, nesër të mos ketë të korruptuarit e saj. Ku ishim, asgjëkundi! Pra edhe Partia e re joleniniste, që ka ndërruar njëmijë herë drejtuesin e saj, që nxjerr nëpër TV gjithfarsoj zyrtarësh, që llomotisin një simfoni të pa dirigjuar, ose me dirigjent të paditur, ose me disa dirigjentë, po të duash, mund të ketë anëtarë ose të emëruar në administratën e saj, që mund të korruptohen. Karakteri i fortë jokorruptiv është çështje formimi dhe është shumë e rrallë në shoqërinë që kemi zgjedhur, që mëton drejt fitimit me ç'do mënyrë dhe maksimalisht.

        Përgjigjjuni
        1. R
          RUBIKU

          Braaaaaavooo Murgu. Ke shkruar argumenta shterues jo vetem per shkrimin pa bosht te Agronomit gazetar Martin Leka....por edhe per temen qe trajton.

          Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje