Të inkurajosh të keqen dhe të presësh nga e mira! 

29 Korrik 2025, 19:13Blog TEMA
Të inkurajosh të keqen dhe të presësh nga e mira! 

Nga Namir Lapardhaja

Si shoqëri, kemi inkurajuar të keqen dhe dekurajuar të mirën. Kemi dështuar në të gjithë hallkat e arsimimit dhe të shkollimit, duke u dhënë fëmijëve tanë modelin e më të fortit, duke i folur për pasurim të shpejtë në rrugë të paligjshme dhe duke e bombarduar përditë nëpërmjet ekranit me modele që promovojnë jetën e luksit pa punuar një ditë në jetën e tyre.
Vite më parë, kur pyesja nxënësit e mi se çfarë profesioni do të zgjidhni kur të rriteni, përgjigjja e njërit prej tyre ishte epike: “Spaçiatore (shpërndarës droge)”. Ishte viti 2016-2017, kulmi i kanabizimit të vendit, ku në Shqipëri flitej vetëm për bimë narkotike dhe kanabizim. 
Shkolla vijon dështimet e sukseshme, ndërsa flitet vetëm për arritje dhe suksese. Pa një reflektim të thellë, duke transformuar të gjithë sistemin tonë arsimor, nuk do jetë e largët dita e falimentit të saj. Por nuk mund të ketë ndryshim në jetën tonë, pa ndodhur më parë në mënyrën tonë të të menduarit. Kërkojmë drejtësi, ndërkojëhë që jemi pjesëtarë të një mendësie që prej rojes më të humbur të një institucioni dhe tek drejtuesi më i lartë i qeverisë, e kemi mendjen si të bëjmë ndonjë lekë, kush me dy mijë lekëshe, kush me 2 milionë euro.
As dyqind burgje nuk do të mjaftonin për të ndëshkuar mentalitetin e korruptuar. Kërkojmë ndershmëri, ndërkohë jemi pjesë e një tradite që mes të ndershmit dhe hajdutit, zgjedhim lehtësisht këtë të dytin.
Kërkojmë që të mos na bëhet padrejtësi, ndërsa, sapo na jepet rasti, e kemi më të lehtë të zgjedhim të padrejtin se sa të drejtin. Kërkojmë politikanë të iluminuar dhe, sapo na jepet rasti, vemë votojmë për injorantin. Kërkojmë urtësi, ndërsa urtësinë te tjetri e marrim për dobësi.
Ankohemi nga brutaliteti, kurse maturinë e marrim për mefshtësi.
Ankohemi se na shkelmojnë si të dobët, ndërkohë admirojmë “të fortin” deri në adhurim.
Ankohemi se na gënjejnë, nga ana tjetër, vrapojmë të votojmë për ata që na gënjejnë më bukur.
Që ndryshimi të ndodhë, ai duhet të fillojë më parë nga ne, nga mënyra jonë e të menduarit dhe të arsyetuarit. Nëse vetë të mungon morali, si mund të të çudisin politikanët e pamoralshëm!
Nëse vetë noton në dallgët e gënjeshtrës, patjetër që e vërteta do ta humbasë kuptimin! Nëse virtyti sheh turpin në sy dhe skuqet, ç’mund të thuash për ata njerëz që e kanë më për mbarë t’i gënjesh se sa t’u thuash të vërtetën.
Edhe pse e kuptojnë, të thonë: “Aman, na gënje!”
Që punët të ecin mirë në këtë vend, politikën nuk duhet ta bëjnë harbutët, injorantët dhe dallkaukët. Si përfaqësues nuk duhet zgjedhur ai që gënjen më bukur, ai që vjedh më me lezet apo ai që na lë edhe ne të vjedhim.
Shqipërinë e shpëton vetëm inkurajimi i së mirës dhe dekurajimi i së keqes. Përndryshe, e keqja do vijojë të fitojë terren dhe të na mbysë në të zezën e saj.

2 Komente

  1. L
    Loni (i vërteti)

    Lapardhaja, e ke zgjatur kot, or vëlla, ç'mund të presësh nga një popull, i cili ndërton kisha dhe xhamia dhe kurrë nuk shkel këmba e njeriut brënda tyre? Ku do të dëgjojë njeriu i shkretë një fjalë të ngrohtë mbushur me dashuri për të ngjashmit e tij të një race dhe një kombi, nëse nuk beson në zot, nëse nuk shkon brënda kishës të dëgjojë predikimet e tij për dashuri dhe jo urrejtje? Berisha (e marr si shëmbull sepse këtë kemi tani për etalon të së ligës) në raste festash fetare shkon në institucionet e kultit jo për nevojë shpirtërore, por si vet zoti në tokë, sikur po ju bënë nder klerikëve me prezencën e tij. Kur nga Maja e Minares ku qëndroi për muaj të tërë, ulërinte gjer në kup të qiellit:"Për t'a, (fjalën e kish për socialistët) duhet të kemi urrejtje, urrejtje, urrejtje dhe vetëm urrejtje"!! Të rrënqethej trupi kur e dëgjoje. Dhe ne presim të kemi urtësi, dashuri dhe shpresë në gjirin e shoqërisë tonë, kur në krye vendosim kanibal, pjella të së keqes. Mjerë ne thuaj!....

    Përgjigjjuni
    1. R
      Rolandi

      Z. Lapardhaja, E ke pasqyruar aq bukur sa me shume prishet. 100% te verteta ato qe thua. Se si do te rregullohen keto gjera nuk e di...por di qe po vazhduam gjate keshtu do falimentojme se shoqeri e si shtet. Njerez si ti, Kajsiu qe jeni simbole te mendimit intelektual, te pergjegjshmerise, te te vertetes...dhe me beso qe ka shume e shume te tjere qe nuk dalin ne media, te majte, te djathte, te paangazhuar...po te dalin ne votime nuk votohen. Votohet hajduti, i pandershmi, injoranti....njerezit e ndershem nuk ecin. Ju jeni te djathte me sa kutoj nga shkrimet, por me kete te djathte qe eshte opozite nuk ka asnje shprese se keto gjera rregullohen...perderisa njerez si ju nuk gjejne vend ne ate parti, perderisa atje injoranti e servili sundon, si mund te rregullohen gjerat.... . Po mar nje rast (por qe ka shume e shume te tjere), te shkoje me i miri i gjithe Shqiperise ne Lezhe, me i ndershmi, me intelektuali, me i afti, me i paperfoluri dhe te konkuroje me Gjin Gjonin, njerezit Gjinin do votojne. Nuk e kam vetem per Lezhen se Gjin ka kudo nga Saranda ne Tropoje. Eshte mallkim ky apo cfare? Kemi vendin me te bukur ne bote shumica derrmuese e shqiptareve jane njerez te mbrekullueshem....po pse i nenshtrohemi nje pakice...po pse po e braktisim? Pse ikim? Kaq te pazote jemi sa nuk mund te vendosim pak drejtesi, pak rregull...nuk po flas per perfeksion por te pakten punetorin ta vleresojme para dembelit, te diturin para injorantit, te sinqertin para mashtruesit. te korruptuarit me vila e ora e resorte e salltanete ta perbuzim..... Ne si shqiptare duhet ti rregullojme vete keto gjera, mos presim komshiun te na ndreqe familjen... Por se si nuk e di Ky mallkim duhet hequr me cdo kusht, ndryshe do vuajme shume por shume ama....

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje