Viktimizimi si formë e trishtuar e hakmarrjes

22 Janar 2024, 17:26Blog TEMA
Viktimizimi si formë e trishtuar e hakmarrjes

Nga Ilir Yzeiri

Rituali i përkujtimit të viktimave që u vranë në Bulevardin « Dëshmorët e Kombit » më 21 janar ka trembëdhjetë vjet që përsëritet jo si një rit përshpirtjeje apo rikujtimi i aktit të atyre që u vranë ditën për diell, me duar në xhepa, siç thuhet rëndom në zhargonin gazetaresk për të ndjerin Ziver Veizi, (sepse ai, siç e tregojnë pamjet e kamerave ishte vërtet me duar në xhepa në momentin kur e qëllojnë me plumb dhe shembet në tokë), por është një aktakuzë e qeverisë ndaj atyre që dhanë urdhër për të vrarë në Bulevard protestuesit, pra, për të qëlluar mbi turmat e pambrojtura.

Më 21 janar jo vetëm që u vranë katër protestues, por edhe u plagosën dhjetëra e dhjetëra të tjerë. Ndaj edhe rituali i rikujtimit të asaj ditë nuk është përshpirtja për të rikujtuar katër viktimat, sepse, në vend të tyre, mund të ishte secili prej nesh, pwrkundrazi, rituali i përkujtimit çdo 21 janar me tufa lulesh që vendosen në vendin ku u vranë katër protestues dhe me fjalime nw Kryeministri është një formë e tejzgjatur vajtimi e qeverisë e cila, në një farë mënyre, tregon dobësinë dhe brishtësinë e saj përballë këtij krimi. Viktimizimi është një kulturë e sjelljes së shqiptarëve dhe, nëse e vëren, ky fenomen shfaqet thuajse në gjithë hapësirën shqiptare dhe përfshin një pjesë të madhe të memories sonë kolektive.

Viktimat dhe xhelatët, heronjtë dhe antiheronjtë, të shtypurit dhe shtypësit, kështu janë përjetuar në rrymë të historisë të gjitha qeveritë që kanë pasur shqiptarët që nga krijimi i shtetit të tyre e deri më sot. Edhe në narrativën më të përgjithshme, në atë që rrok historinë tonë që nga vdekja e Skënderbeut e këtej, viktimizimi shfaqet si një stereotipi dhe një klishe e ndërtimit të narrativës historike. Fraza që shenjon këtë periudhë është ajo që nis me « 500 vjet nën turkun », pastaj, « nën serbin », pastaj « nën Zogun » e pastaj « nën Enver Hoxhën » e tani, ashtu të ndarë si gjithnjë, në vetëdijen tonë përplasen dy narrativa.

Gjëja e parë që të vjen ndërmend kur sheh se viktimizimi është bërë një normë dhe një stereotipi e rikujtimit apo rindërtimit të së shkuarës është se shoqëria shqiptare nuk ka institucione të vërteta të besimit. Pra nuk ka ndërtuar ende të tilla modele që të vendosin drejtësinë dhe të sqarojnë me objektivitet se cila është viktima dhe cili është agresori. Në rastin e epokave historike, siç ishte periudha e Zogut apo ajo e diktaturës, shoqëria shqiptare nuk është çliruar ende nga sindromat e revanshit dhe nga viktimizimi. Problemi ynë më i madh është se nuk dimë dhe nuk kemi instrumente se si të ndahemi me të kaluarën dhe se si të ndërpresim lidhjen me to. Komunistët pas ardhjes në pushtet i ndërprenë marrëdhëniet me epokën para tyre në mënyrë të egër e me gjakderdhje.

Pas rënies së komunizmit, elitat postkomuniste nuk arritën të ndërtonin instrumente dhe institucione të tilla që të ndaheshin me të shkuarën në mënyrë dinjitoze duke zbuluar krimet dhe shkaktarët e tyre dhe duke bërë katarsisin e domosdoshëm, por edhe duke dënuar ata që kishin shkelur ligjet dhe kishin kryer krime. Logjika e mosndëshkimit politik dhe ndarja në viktima dhe agresorë shoqëroi historinë e re të Shqipërisë për shkak se enverizmi dhe shteti i ndërtuar si imitim i dhunës së një pjese mbi një tjetër vijoi dhe u shfaq sidomos në luftën civile të vitit 1997 dhe në masakrën e 21 janarit.

Qeveria e sotme ka bërë hapa të mëdhenj për të ndërtuar instrumente që gjykojnë krimin dhe kriminelët, por jemi ende larg nga vendosja e drejtësisë. Nëse familjarët e viktimave të 21 janarit nuk i kanë ndërprerë përpjekjet asnjëherë për të dënuar fajtorët dhe ata që shkaktuan masakrën e 21 janarit, qeveria e sotme më shumë është mjaftuar me ceremonialin e përkujtimeve dhe me rolin e viktimës dhe nuk i ka shfrytëzuar instrumentet e saj për të mbledhur prova ose për të rigjetur provat e shkatërruara e për të vënë në lëvizje drejtësinë edhe me instrumente parlamentare.

Është krijuar një perceptim jo i drejtë për pavarësinë e gjyqësorit dhe të sistemit të drejtësisë te ne. Është e vërtetë se pushtetet janë të ndara, por Shqipëria është Republikë Parlamentare dhe mbi Parlamentin nuk duhet të ketë asnjë pushtet tjetër. Parlamenti që drejtohet nga mazhoranca i ka të gjitha të drejtat që të vërë në lëvizje sistemin e drejtësisë duke miratuar ligje apo duke bërë amendime që nxisin sistemin e drejtësisë për të zhbllokuar çëshjte me interes të madh publik.

5 Komente

  1. A
    Altin Pellumbi

    Nje pyetje! A ka mundesi ligjore mazhoranca e sotme te ngreje komision hetimor parlamentar per ngjarjen e 21Janarit?

    Përgjigjjuni
    1. B
      Bureto

      Jo @Altin, sepse kur nje çeshtje eshe nen hetim nga prokuroria kyshtettua nuk lejon paralelisht me to komisione parlamentare. Ajo qe mund te behen dhe duhet te behen jane ndryshimet në Kodin e Procedurave Penale, ku ka shume dispozita te paqarta me te cilat sidomos spekullojne rendom avokatet në favor te klienteve te tyre. Por dhe kjo qe te behet kerkon 84 vota, pra konsesusin parlamentar i pamundur ky. Pse? Nuk i duan ato ndryshime, mbasi me to jane mbrohtur dhe po mbrohen pushtetaret dhe politikanet vetë. Po te kujtoj vetem dy: Ilir Meta per historine e "Vidios" dhe Bashen me "Rrugen e Kombit", e sa e sa te tjera....

      Përgjigjjuni
    2. N
      Narrativa

      Zoti Yzeiri. Më duket se ke kopjuar kolegun tënd Minxhozin kur fajëson qeverinë dhe Edi Ramën për 21 janarin. Mos vallë ju kërkoni që Rama të japë pretencën dhe vendimin për të dënuar fajtorët e masakres së 21 janarit?! Ndërkohë që prokuroria e Tiranës me urdhër të Berishës e mban dosjen në sirtar dhe aq më keq SPAK tregoi moskopetencë për këtë dosje të krimit shtetëror.

      Përgjigjjuni
      1. k
        kirurg

        Përkujtimi i vrasjes së katër protestuesve më 21 janar, duke vendosur lule në vendin e krimit shtetëror, qenka "viktimizim"?! Nuk është mbajtje gjallë e akuzës ndaj shtetit të Berishës?, e kauzës për zbardhjen e së vërtetës dhe dënimin e kriminelëve? Çudi...

        Përgjigjjuni
        1. x
          xhemal

          Yzua ...eshte gjindur ne Pune...merren gjithe diten me lexime e nuk mesojne kushtetuten e vendit.,eshte salizmi qe Ka zene rrenje ne koken e shume shqipetareve prandaj cdo gje ecen ngadale,Hera heres ben prapa...politika udheheq ,ben ligje ndersa drejtesia i ve ne zbatim ...gjerat Jane te komplikuara prandaj kerkohet kohe,durim,vendosmeri,guxim..drejtesia vetem sa eshte vene ne levizje ,akoma gjindet ne hapat e para..pastaj Jane te njejtit qe Jo shume kohe prepara peruleshin para pushtetit te saliut..Jane ne gjendje shoku Kane Dale nga erresira ne drite...50% Jane salinj ne formim,militante kokebosh ,interesaxhinj,servil,frikacake....saliu edhe ne kotec i kercenon,poshteron,ofendon,akuzon...reagimi i tyre..zero...nje superkreminel e lene te lire te propogandoje ideollogjine e tij te dhunes,percarjes,shpifjes,urrejtjes...prandaj te kritikosh politiken ne cdo rast ndihmon te fuqizohen forca anarkike,jashte sistemit e neser mund te vene ne rrezik vendin,sigurine,paqen sociale

          Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje