Nga Lucy Williamson*
Ajo që forcat izraelite do të bëjnë tani në Liban mund të vërë në provë armëpushimin e ndërmjetësuar nga SHBA-ja me Iranin, si edhe aleancën SHBA-Izrael. Megjithatë, që nga nënshkrimi i armëpushimit, kryeministri izraelit ka qëndruar në heshtje.
Kjo heshtje bie në sy përballë kërkesave në rritje nga i gjithë spektri politik izraelit që ai të sfidojë Donald Trumpin dhe të vazhdojë luftimet kundër Hezbollahut në Liban.
Ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, një aleat i ngushtë i Netanyahut, e ka përshkruar marrëveshjen e armëpushimit si “shumë të keqe për Izraelin”.
Marrëveshja angazhon SHBA-në dhe aleatët e saj për t’i dhënë fund luftimeve në Liban dhe për të respektuar integritetin territorial të Libanit. Forcat izraelite aktualisht po mbajnë nën kontroll një pjesë të madhe të territorit të vendit.
“Ne duhet të shkatërrojmë kapacitetin ushtarak të Hezbollahut para se dikush të na thotë se ka një armëpushim”, tha Michael Biton, deputet i partisë opozitare Blue & White.
“Ne duhet të mbrojmë veten. Ata ende na sulmojnë. Ata ende po ndërtojnë kapacitete për të na sulmuar. Dhe kjo është diçka me të cilën nuk mund të jetojmë të qetë.”
Benjamin Netanyahu e ka lidhur të ardhmen e tij politike me luftën kundër Iranit dhe vazhdon të këmbëngulë se kjo fushatë ka qenë e suksesshme, edhe pse kritikët e tij rendisin mënyrat se si Irani ka dalë më i fortë nga ky konflikt.
Përfshirja e Libanit në marrëveshjen e armëpushimit është një tjetër shenjë e ndikimit të ri të Teheranit.
Ndërsa përçarja aktuale me aleatin e tij amerikan përbën një tjetër goditje ndaj besueshmërisë së Netanyahut.
* Korrespondente për Lindjen e Mesme, duke raportuar nga Jerusalemi
Lini një Përgjigje