Marrëveshja SHBA-Iran qetëson tregjet, nafta bie dhe bursat globale rriten

18 Qershor 2026, 08:10Bota TEMA
Marrëveshja SHBA-Iran qetëson tregjet, nafta bie dhe bursat globale

Tregjet ndërkombëtare reaguan menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes kornizë mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme.

Zhvillimi u prit pozitivisht nga investitorët, ndërsa çmimet e naftës shënuan rënie dhe bursat kryesore botërore u ngjitën në nivele më të larta.

Në tregtimin e hershëm të së enjtes, nafta Brent ra me 1.12%, duke zbritur në 78.66 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane WTI humbi 1.28% dhe u tregtua me 75.81 dollarë për fuçi. Analistët e lidhin këtë rënie me uljen e rrezikut gjeopolitik në rajon dhe pritshmëritë për rikthimin gradual të eksporteve iraniane të naftës në tregjet ndërkombëtare.

Optimzimi u reflektua edhe në tregjet financiare. Indeksi japonez Nikkei 225 u rrit me rreth 5%, duke arritur nivele rekord, ndërsa Kospi i Koresë së Jugut fitoi 5.2%. Rritje shënuan edhe indekset e tjera aziatike, pasi investitorët vlerësuan se marrëveshja do të reduktojë rrezikun e ndërprerjeve në furnizimin global me energji dhe në zinxhirët ndërkombëtarë të tregtisë.

Një nga elementët kryesorë të marrëveshjes është rihapja e Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme detare për transportin e naftës në botë. Kryeministri pakistanez Shahbaz Sharif deklaroi se ngushtica do të hapet plotësisht pa vonesë, ndërsa SHBA do të nisë menjëherë heqjen e bllokadës detare ndaj porteve iraniane.

Ndërkohë, Presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi se ka nënshkruar marrëveshjen gjatë një darke zyrtare në Pallatin e Versajës, pas samitit të G7. “U nënshkrua. Sapo e firmosa në Versajë”, deklaroi Trump para gazetarëve.

Edhe Teherani konfirmoi zyrtarisht finalizimin e dokumentit. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghai, bëri të ditur se memorandumi është nënshkruar nga presidentët e të dy vendeve dhe se tashmë mund të nisë faza e zbatimit të tij.

Marrëveshja përfshin 14 pika dhe parashikon që Irani të mos pajiset kurrë me armë bërthamore, si dhe krijimin e një fondi prej 300 miliardë dollarësh për rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Dokumenti parashikon gjithashtu një periudhë 60-ditore negociatash për finalizimin e kushteve përfundimtare, lehtësimin gradual të sanksioneve dhe rifillimin e lundrimit normal në Ngushticën e Hormuzit.

Megjithatë, mbeten ende disa çështje të hapura, përfshirë negociatat teknike mbi programin bërthamor iranian, heqjen e kufizimeve mbi eksportet e naftës dhe mënyrën e administrimit të Ngushticës së Hormuzit pas periudhës kalimtare 60-ditore.

Pavarësisht këtyre paqartësive, tregjet globale e kanë interpretuar marrëveshjen si një sinjal të fortë stabiliteti, duke ulur frikën për një krizë të re energjetike dhe përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve në Lindjen e Mesme.

Lini një Përgjigje