
Gjashtë muaj pasi shpërtheu revolucioni i Pranverës Arabe në Siri, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan – në atë kohë kryeministër i vendit – lëshoi një deklaratë të ashpër dhe dramatike në të cilën ai ndërpreu të gjitha lidhjet me Damaskun. “Ne nuk donim të arrinim në këtë pikë, por regjimi sirian na shtyu në këtë vendim duke nisur një fushatë të errët propagandistike kundër Turqisë,” tha ai. “Kjo është një fushatë revoltuese dhe ne nuk kemi besim te ky regjim”.
Kjo shënoi një përçarje të madhe midis dy liderëve që për vite kishin qenë miq të ngushtë, madje edhe “vëllezër”, për të përdorur termin e Erdogan-it. Ata flisnin shpesh dhe mbanin lidhje të ngushta mes familjeve të tyre.
Erdogan kishte menduar se mund ta bindte presidentin sirian Bashar Assad të ndalonte masakrimin e qytetarëve të tij dhe t’i jepte fund luftës civile. Ai madje sugjeroi zbatimin e disa reformave që do të siguronin vazhdimësinë e Asad-it në pushtet duke shuar gjithashtu flakët vdekjeprurëse në Siri.
Fatkeqësisht, ai zbuloi se miqësia e tyre e mrekullueshme nuk ishte e mjaftueshme për të ndaluar një luftë që përfundimisht vrau rreth 500 mijë njerëz.
Prandaj Erdogan i ktheu shpinën mikut të tij dhe nisi një fushatë retorike dhe diplomatike që synonte rrëzimin e Assad-it. Turqia përqafoi Ushtrinë e Lirë Siriane, grupi i parë dhe më i fortë ushtarak që kundërshtoi Asad-in.
Ajo gjithashtu financoi dhe trajnoi milicitë rebele islamiste. Për më tepër, Turqia ka pushtuar Sirinë katër herë që nga viti 2016 dhe ka marrë kontrollin e zonave të gjera të vendit pranë kufirit turko-sirian. Dhe kohët e fundit ajo njoftoi se planifikon të pushtojë edhe një herë për të pastruar ato që i quan “organizata terroriste” – domethënë, milicitë kurde siriane.
Është e vështirë të imagjinohet një armiqësi më e hidhur se ajo mes Asad-it dhe Erdogan-it gjatë dekadës së fundit. Por tashmë, duket se edhe hasmëria ka një datë skadence. “Dialogu politik apo diplomacia mes shteteve nuk mund të ndërpritet kurrë”, tha Erdogan javën e kaluar pasi u kthye nga vizita e tij në Ukrainë. “Ne nuk kemi një çështje të tillë nëse ta mposhtim Asad-in apo jo”.
Pak më parë, ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavuşoğlu befasoi publikun duke zbuluar se ishte takuar me kolegun e tij sirian, Faisal Mekdad, në një konferencë në Beograd tetorin e kaluar. “Ne duhet të bashkojmë opozitën dhe regjimin për pajtim disi,” tha ai.
Mediat turke filluan të raportojnë se një takim mes Erdogan-it dhe Asad-it mund të jetë afër. Dhe ndërsa ishte ende duke diskutuar këtë mundësi, aleati i koalicionit të Erdogan-it, Devlet Bahçeli kreu i Partisë Lëvizja Nacionaliste, shtroi kushtet për një pajtim siriano-turk.
Këto përfshinin një luftë të përbashkët për të penguar krijimin e një zone autonome kurde në Siri, përfshirja e milicive proturke në qeverinë siriane, mohimi i legjitimitetit për milicitë kurde dhe kthimin e refugjatëve sirianë që jetojnë në Turqi, duke përfshirë zonat e kontrolluara nga qeveria e Asad-it.
Ky njoftimi publik i këtyre kushteve tregon se dy vendet kanë nisur tashmë bisedimet sekrete për rivendosjen e marrëdhënieve. Dhe tashmë po zhvillohet bashkëpunimi i inteligjencës, të cilin Erdogan e justifikoi për shkak të nevojës për të luftuar “terrorin kurd”.
Ka edhe disa arsye të tjera të forta për pajtim. Njoftimet publike të Erdogan-it për qëllimin e tij për të pushtuar Sirinë i bënë udhëheqësit kurdë sirianë të konsiderojnë paqen me Asad-in, për të patur mbështetjen e tij kundër këtij kërcënimi pushtimi.
Bashkëpunimi ekonomik midis kurdëve dhe regjimit ekziston tashmë prej disa kohësh, pasi kurdët i shesin naftë dhe grurë qeverisë së Asad-it. Por një bashkim i forcave ushtarake kurde dhe siriane do të ishte një histori tjetër dhe do të vinte në pikëpyetje realizueshmërinë e një pushtimi turk.
Një pajtim turko-sirian mund të jetë një zgjidhje e vlefshme për këtë problem. Ai madje mund ta bënte vetë pushtimin turk të panevojshëm, nëse Assad do të tregohej i gatshëm dhe i aftë për të mbyllur operacionet ushtarake të kurdëve.
Pajtimi do t’u mundësonte gjithashtu afro 1 milion refugjatëve sirianë në Turqi të kthehen në vend. Kjo është diçka për të cilën Erdogan ka nevojë, në mënyrë që të mund të zgjidhë të paktën disa nga problemet ekonomike me të cilat përballet Turqia tani dhe t’u provojë bashkatdhetarëve të tij se të paktën po bën diçka për të lehtësuar shqetësimin e tyre.
Turqia nuk do të ishte as i pari dhe as i vetmi vend që “thyen radhët” dhe pajtohet me Sirinë, duke supozuar se ai do e bëjë këtë. Bahreini dhe Emiratet e Bashkuara Arabe rifilluan marrëdhëniet diplomatike me Damaskun rreth një vit më parë. Egjipti nuk e kundërshton kthimin e Sirisë në Ligën Arabe, nga e cila u përjashtua në vitin 2011, dhe as Algjeria, e cila do të presë samitin e ligës në nëntor. Gjithçka që i duhet tani është një vendim nga Arabia Saudite.
Në dhjetor, ambasadori i Mbretërisë Saudite në OKB, Abdallah al-Mouallimi, sulmoi Assad-in me një gjuhë veçanërisht të ashpër. “Mos i besoni. Lideri i tyre qëndron në një piramidë të ndërtuar nga kafkat e njerëzve të pafajshëm dhe shpalli fitoren e madhe”, tha ai.
“Mos u besoni se po luftojnë terrorin. Ata ishin të parët që hapën portat e tyre ndaj terrorit kur sollën Hezbollah-un terrorist në vendin e tyre.”
Megjithatë ai menjëherë shtoi se vetëm një zgjidhje politike e dakordësuar mund ta nxjerrë Sirinë nga lufta e saj civile. Që atëherë, Arabia Saudite e ka legjitimuar Turqinë duke rinovuar marrëdhëniet diplomatike me të.
Riadi ka mbështetur gjithashtu presidentin amerikan Joe Biden dhe ka zhvilluar bisedime me Teheranin për rivendosjen e marrëdhënieve të tyre diplomatike. Dhe tani, duket se nuk ka gjasa të kundërshtojë kthimin e Sirisë në gjirin e botës arabe.
Kështu, 11 vjet pasi filloi të masakrojë tmerrësisht popullin e tij, Assad, i vetmi lider që i mbijetoi revolucioneve të Pranverës Arabe, me sa duket mund të shpallë edhe fitoren diplomatike.
Marrë nga Haaretz, AP
Lini një Përgjigje