Basti i madh i Mamdanit

11 Nëntor 2025, 12:05Bota TEMA

Basti i madh i Mamdanit

Nga Slavoj Žižek, Project Syndicate

Nga një sistem politik dypartiak, Shtetet e Bashkuara po shndërrohen në një sistem që përfshin establishmentin republikan, establishmentin demokrat, populistët e djathtë dhe socialistët demokratë. Teksa përballet me të gjithhë ata, të cilët do të përpiqen ta bëjnë të dështojë, krybeashkiakut të  zgjedhur të Nju Jorkut do t’i duhet ta ketë parasysh tablonë e gjerë.

Lëvizjet emancipuese kudo në botë, me të drejtë u ngazëllyen nga fitorja e Zohran Mamdanit në garën elektorale për bashkinë e Nju Jorkut. Është tashmë e qartë se populistët e djathtë nuk janë të vetmit që kanë monopolin e mobilizimit të turmave dhe tërheqjes së votuesve të rinj apo atyre të zhgënjyer. Edhe socialistët demokratë mund ta bëjnë një gjë të tillë.

Por, siç Mamdani është mëse i vetëdijshëm, fitorja e tij do të përballet me përpjekje sabotimi ekonomik dhe financiar. Establishmenti politik amerikan – “deep state” republikan dhe demokrat – është thellësisht i interesuar ta shohë atë të dështojë në drejtimin e bashkisë së Nju Jorkut. Vetë presidenti Donald Trump iu bëri thirrje njujorkezëve të votonin kundërshtarin kryesor të Mamdanit, ish-guvernatorin demokrat të Nju Juorkut, Endrju Kuomo. Me Mamdanin në pushtet, populistët e Trumpit dhe establishment demokrat, do të gjejnë papritur veten duke folur të njëjtën gjuhë. Ata do të provojnë gjithçka munden, që ta bëjnë Mamdani të duket si një dështim. Në rastin e Trumpit, kjo mund të përfshijë shpalljen e një tjetër deklarate “emergjence” për të justifikuar dërgimin e Gardës Kombëtare në Nju Jork.

Për të majtën atëherë, ky nuk është vetëm një moment për të vepruar, por gjithashtu për të menduar në lidhje e tablonë e gjerë. Shtetet e Bashkuara, nga një sistem politik me dy parti kryesore, po shndërrohet në një sistem ku ekzistojnë establishmenti republikan, ai demokrat, populistët e djathtë dhe socialistët demokratë. Është tanimë e dukshme mundësia e koalicioneve të reja që shkojnë përtej vijave të dikurshme të partisë. Në 2020-ën, Joe Biden la të kuptohej se mund të nominonte si zv. president një republikan të moderuar, ndërsa Steve Banon, ish-shefi i strategjisë së Trumpit, kur demokratët nominuan Bidenin si kandidat, nxiti mbështetësit e Berni Sandersit, senatorit të pavarur socialist demokrat nga Vermonti, që të votonin për Donald Trump.

Dallimi i madh qëndron se, ndërsa populizmi i stilit të Trumpit arriti hegjemoninë përkundër establishmentit republikan (provë e qartë, nëse nevojitej, që shqetësimi i tij për punëtorët ishte mashtrim), brenda demokratëve përçarja sa vjen dhe bëhet më e fortë. Me të vërtetë , lufta mes establishmentit demkroat dhe krahut të Bernie Sanders mbetet e vetmja betejë e vërtetë politike në SHBA sot. Siç shkruan Emma Brockes për “The Guardian”: Kërcënimi më i madh për Mamdanin nuk është Donald Trump, por garda e vjetër e Partisë Demokratike.”

Pra, gjendemi përballë dy antagonizmave (“kontradiktave”): e para, ajo mes Trumpit dhe establishmentit liberal dhe tjetra, ajo mes krahut të Sandersit brenda Partisë Demokratike dhe gjithë forcave të tjera politike. Procesi i impeachment-it kundër Trumpit, gjatë mandatit të tij të parë, s’ishin veçse përpjekje të dëshpëruara të establishmentit për të rimarrë një lidership moral dhe për të fituar besueshmëri; por e gjitha kulmoi në një ushtrim qesharak hipokrizie, pasi zbuloi mangësitë e vetë establishmentit. Paturpësia e Trumpit vetëm sa nxorri në pah atë që kishte qenë gjithmonë aty.

Kampi i Sandersit e sheh qartësisht këtë. E dinë se nuk ka kthim pas dhe se jeta politike amerikane duhet rishpikur në mënyrë radikale. Mamdani fitoi, pasi ai bëri për të majtën pikërisht atë çfarë Trump pati bërë për të djathtën. Ai e artikuloi qëndrimin e tij radikal pa u shqetësuar se do të humbte mbështetjen e qendrës.

Por, katër forcat që ekzistojnë tani brenda politikës amerikane, nuk janë në të njëtin nivel. Dy partitë që po japin shpirt (establishmentet e vjetra brenda republikanëve dhe demokratëve), janë kapluar nga inercia dhe iu mungon plotësisht vizioni serioz për vendin, ndërsa populistët Trumpianë dhe demokratët socialistë përfaqsojnë lëvizje politike reale. Në këtë kontekst, i vetmi proces zgjedhor domethënës do të qe një mes Donald Trump dhe një socialisti demokrat.

Po atëherë, a duhet të ndahen zyrtarisht demokratët socialistë nga Partia Demokratike? Personalisht do të këshilloja  një pragmatizëm parimor: përqendrim tek synimet kryesore në lidhje me mbijetesën politike dhe më pas t’i lejojnë vetes gjithçka që premton përmbushjen e atyre qëillimeve. Kjo nënkupton përqafimin e demokracisë zgjedhore kur kjo e fundit funksionon, por gjithashtu mobilizim gjithnjë e më të lartë të metodave radikale kur kërkojnë rrethanat.

Për ta konkretizuar atë çfarë dua të them, kujtoni një shembull të kohëve të fundit. Në korrik, pas ndarjes dramatike me Trumpin, Elon Musk njoftoi se do të themelonte “Partinë Amerika.” Musk, i cili nuk ka lindur në SHBA e për rrjedhojë nuk mund të kandidojë për president, u përpoq të mposhtte Trumpin duke i dhënë prioritet teknofeudalizmit përkunddrejt populizmit. Në fund, projekti nuk mundi kurrë as të niste.

Në dallim me këtë, partia e re majtiste e Zarah Sultana dhe Jeremy Corbin në Mbretërinë e Bashkuar duket premtuese, me disa sondazhe që tregojn se një e treta e të rinjve dhe votuesve të Partisë Laburiste, janë të gatshëm të ndryshojnë kah. Megjithatë, ekziston gjithnjë pasiguri dhe, siç i takon një partie të majtë, nuk u desh shumë kohë që dy drejtuesit të përfundonin në një sherr public.

Kësisoj, të vetmet zgjedhje domethënëse në Mbretërine e Bashkuar, do të ishin midis së djathtës ekstreme të Nigel Farage, “Reform UK” dhe të majtës së re, ndërkohë që Partia Laburiste i bashkohet agonisë së Konservatorëve. Është e vërtetë se mund të parashikohet me siguri që në një përballje e tillë, kaq të drejtpërdrejtë, Farage do të fitonte, ashtu sikurse Boris Johnson mposhti Corbynin në 2019-ën. Megjithatë, Corbyn ia doli të merrte kontrollin e Laburistëve për njëfarë kohe, duke drithëruar establishmentin.

Në fund, nuk ka asnjë përgjigje parimore kur është fjala për të vendosur se cila është strategjia më e mirë. Ndonjëherë, është më mirë të përpiqesh të marrësh kontrollin e një partie të madhe; në raste të tjera, thyerja është e nevojshme. Mendoj se Mamdani zgjodhi me të drejtë të qëndronte brenda Partisë Demokratike për momentin, duke qenë se kjo e lejoi të mobilizonte bazën e saj kundër establishmentit. Nëse do të qe përpjekur të përballej i vetëm me tri forcat e tjera politike, do të kishte humbur.

Por, tani që ka fituar, Mamdani duhet të kërkojë me vendosmëri që të marrë në kontroll Partinë Demokratike në nivelin e shtetit të Nju Jorkut, ndërkohë që njëkohësisht duhet të krijojë një rrjet lidhjesh me socialistët demokratë kudo në SHBA dhe – duke ndjekur këshillën e Sandersit – të tërheq punëtorët e keqpaguar dhe fermerët e zhgënjyer që kanë votuar për Trumpin. E ardhmja e projektit që Mamdani përfaqëson, qëndron tek tërheqja graduale e votuesve të Trumpit dhe jo tek fitimi i qendrës së ngurtë. Vetëm një i majtë radikal mund t’i fitojë votuesit e Trumpit nga klasa punëtore – votues, mobsesimi i të cilëve ndaj establishmentit mbetet krejtësisht i justifikuar. /b.r

1 Komente

  1. R
    Real

    Pirdh se lirohesh. Nuk mundet kurrsesi qe socializmi te triumfoje ne Amerike.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje