Diplomacia e shkelur nga bombat, tashmë Putini nuk bën më sikur po negocion

8 Shtator 2025, 17:03Bota TEMA
Diplomacia e shkelur nga bombat, tashmë Putini nuk bën më sikur

Nga Anna Zafesova, La Stampa

Në zhargonin e propagandistëve rusë ekziston një klishe shumë e dashur për drejtuesit televizivë, blogerët-Z dhe korrespondentët e luftës: Të goditen qendrat ku merren vendimet. Ndonjëherë përdoret si kërcënim, më shpesh si dëshirë, si thirrje.

I përkthyer nga gjuha e koduar e politikanëve putinianë, kjo do të thotë “sulm ndaj institucioneve të pushtetit ukrainas”, civilë dhe ushtarakë, sidomos në Kyiv. Edhe më qartë. “Të vritet Volodymyr Zelensky dhe qeveria e tij”.

Ky slogan “të goditen qendrat vendimmarrëse” është bërë refren që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt 2022. Përdoret për të justifikuar idenë se deri tani Vladimir Putin i ka trajtuar “nazistët e Kievit” me “doreza të bardha”, për t’i kërcënuar ukrainasit se duhet të bëjnë marrëveshje me Moskën përpara se Kremlini të humbasë durimin dhe për t’i premtuar publikut se forcat ruse një ditë do t’i japin armikut goditjen fatale.

Por mbi të gjitha, këto thirrje për sulme ndaj “pallateve të pushtetit” bëhen para kamerave, duke i kërkuar komandës supreme, pra vetë presidentit rus, të lërë mënjanë çdo hezitim, çdo kod lufte, çdo rregull të shkruar ose të pashkruar të qytetërimit.


Shtëllunga e tymit dhe flakëve që u ngrit dje në mëngjes mbi lagjen Pechersk, pika më e lartë dhe më e rëndësishme politike e Kyivit, shënoi një fazë të re të ofensivës ruse. Droni që goditi katet e sipërme të godinës së qeverisë nuk shkaktoi viktima, por dëmet ishin të mëdha, siç tregoi edhe kryeministrja e re, Yulia Svyrydenko, në një video të xhiruar mes zyrave të shkatërruara dhe të djegura.

Sidoqoftë, sulmi ndaj një “qendre vendimmarrëse” si selia e ekzekutivit, një ndërtesë monumentale gjysmë-rrethore e epokës sovjetike, pranë presidencës në rrugën Bankova dhe parlamentit, ishte një paralajmërim, Nuk ka më tabu, nuk ka më të burgosur. Ky ishte sulmi më i madh me dronë që nga fillimi i luftës, 805 mjete ajrore pa pilot, i cili arriti të depërtojë në mbrojtjen ajrore të kryeqytetit, që deri tani kishte shpëtuar nga goditjet më të rënda.

Sigurisht, “qendrat vendimmarrëse” strategjike ndodhen gjetkë dhe janë të mbrojtura, e ministrat apo gjeneralët nuk rrinë në katet e sipërme të ndërtesave gjatë alarmit ajror. Në një qytet të bombarduar rregullisht prej gati katër vitesh, nuk mungojnë bunkerët dhe qendrat operative rezervë. Për më tepër, rusët nuk kanë hezituar të godasin godina qeveritare edhe në qytete si Kharkiv, Mykolaiv apo Sumy që në fillim të luftës. Mesazhi ishte simbolik dhe aspak i rastësishëm.

Shpesh thuhet, me të drejtë, se ta quash pushtimin e Ukrainës “lufta e Putinit” është e pasaktë, sepse janë mijëra e miliona rusë që jo vetëm e mbështesin me “like” në rrjete sociale, por që ndërtojnë dronët, drejtojnë raketat, hedhin bombat dhe, falë teknologjisë, shpesh shohin fytyrat e viktimave të tyre pak para se të shtypin butonin.

Por është gjithashtu e vërtetë që nuk janë ushtarët ata që zgjedhin objektivat. Edhe nëse do ta bënin, do të tërhiqeshin menjëherë nëse Kremlini nuk do të donte të dukej si përgjegjësi kryesor i përshkallëzimit. Goditjet precize të ukrainasve ndaj rafinerive dhe aeroporteve ushtarake ruse tregojnë se është e mundur të sulmohen objektivat pa masakruar civilët. Pra, ose ushtria ruse nuk di të godasë, ose e bën me qëllim për të vrarë dhe për të terrorizuar.

Nga ky këndvështrim, më e rëndë se dëmtimi i çatisë së Këshillit të Ministrave është goditja e radhës ndaj banesave civile. Një nënë dhe foshnja e saj u shtuan dje në listën e pafundme të viktimave të sulmeve ruse, së bashku me dy civilë të tjerë.

Ministria ruse e Mbrojtjes mohoi se kishte goditur selinë e qeverisë në Kiev, duke pretenduar se shënjestra ishin fabrika dhe qendra logjistike, por nuk e hodhi poshtë bombardimin e banesave. Kjo është përgjigja e Putin-it ndaj diplomacisë, thirrjeve dhe negociatave të propozuara nga Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë.

Diktatori rus as që përpiqet të bëjë gjeste paqeje, ndonëse i thotë Donald Trump-it se e dëshiron atë. Madje edhe ftesa për Zelensky-n për të shkuar në Moskë është bërë me qëllim që të refuzohet: Putin nuk hezitoi të fluturojë për orë të tëra deri në Pekin për t’i bërë nder Xi Jinping-ut, apo deri në Alaskë për të biseduar me Trump-in, por presidentin ukrainas e thërret në kryeqytetin e armikut, si një vasal i thirrur për të dorëzuar kapitullimin e tij.

2 Komente

  1. A
    Atdheu

    O z mero sa me qejf te math boton gjepura te tilla nga individë apo agjensi te degjeneruar.

    Përgjigjjuni
    1. Z
      Z

      Shume e sakte, te goditen qendrat qe jane vendim=marrese ne kete lufte, ku qendron gabimi? Apo kete te drejte e ka vetem Zhelja Zelensky iurdheruar nga NAATO dhe BE.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje