Draghi shkund liderët e BE-së në Alden Biesen: Ekonomia po përkeqësohet

12 Shkurt 2026, 20:10Bota TEMA
Draghi shkund liderët e BE-së në Alden Biesen: Ekonomia po

“Veprimi është urgjent.” Kjo ishte fraza lapidare me të cilën Mario Draghi, ish-kreu i BQE-së dhe ish-kryeministri italian, iu drejtua krerëve të shteteve të Bashkimit Evropian në kështjellën e Alden Biesen. Në një samit të dominuar nga pasiguria ekonomike, Draghi lëshoi një alarm të ri: mjedisi ekonomik është përkeqësuar ndjeshëm që nga prezantimi i raportit të tij të fundit dhe Evropa nuk ka më luks të presë.

Diagnoza e Draghit: Tregu unik dhe investimet

Burime diplomatike bëjnë me dije se Draghi e vuri theksin te nevoja jetike për të eliminuar barrierat në tregun e vetëm dhe për të ulur kostot e energjisë, të cilat po gërryejnë konkurrueshmërinë e kontinentit.

Për të paktën 15 minuta, ai foli me forcë për “sfidën e investimeve”, duke nënkuptuar se pa një mobilizim masiv të kapitaleve – qoftë përmes kursimeve evropiane apo borxhit të përbashkët – BE rrezikon të mbetet pas fuqive globale. Antonio Costa, Presidenti i Këshillit Evropian, e vlerësoi këtë qasje si një “perspektivë të re” për bllokun.

Boshti i ri dhe “Evropa me dy shpejtësi”

Dinamika politike e samitit u diktua nga një takim paraprak (para-samit) i organizuar nga Italia, Gjermania dhe Belgjika. Kancelari gjerman Friedrich Merz dhe Presidenti francez Emmanuel Macron shfaqën një sintoni të plotë, duke bërë thirrje për vendime konkrete brenda qershorit. Macron lëshoi një paralajmërim të qartë: “Nëse ecim përpara me 27 vende, do të kemi mundësinë të forcojmë bashkëpunimin për të ecur më shpejt,” duke sinjalizuar rikthimin e idesë së një Evrope me shumë shpejtësi.

Meloni: Konkurrueshmëri, por jo në kurriz të Jugut

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, luajti një rol kyç në balancimin e debatit. Ndërsa mbështeti nevojën për thjeshtim burokratik dhe tregti të lirë (me kushtin e reciprocitetit), ajo vendosi një vijë të kuqe te politika e kohezionit.

“Nuk duhet të bëjmë gabimin ta konsiderojmë konkurrueshmërinë si alternativë ndaj kohezionit,” theksoi Meloni, duke paralajmëruar se pa zhvillimin e rajoneve jugore, e gjithë infrastruktura evropiane do të çalonte. Lidhur me Eurobondet (borxhin e përbashkët), ajo u shpreh personalisht pro, por pranoi se kjo mbetet një temë përçarëse në Bruksel.

Spanja bojkoton “para-samitin”, Orban kundër ndihmave për Kievin

Jo gjithçka shkoi vaj në fasadën e unitetit evropian. Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez zgjodhi të mos merrte pjesë në takimin e ngushtë të thirrur nga Roma dhe Berlini, duke sinjalizuar pakënaqësi ndaj formateve ekskluzive. Madridi zyrtar kërkon me ngulm Eurobonde dhe politika të forta “blini evropiane”.

Nga ana tjetër, Viktor Orban i Hungarisë solli një qasje diametralisht të kundërt, duke lidhur krizën ekonomike me luftën në Ukrainë.

“Mos i dërgoni para Ukrainës nëse doni konkurrueshmëri,” deklaroi ai, duke bërë thirrje për uljen e çmimeve të energjisë përmes ndryshimit të politikave gjeopolitike.

Dreka e punës në kështjellën mesjetare përfundoi me një dakordësi parimore: Liderët do të takohen sërish në mars për të vendosur objektiva konkrete.

Por, mes thirrjes së Draghit për “veprim urgjent” dhe ritmit të ngadaltë të kompromiseve politike, mbetet për t’u parë nëse Brukseli do të arrijë ta shmangë “hemorragjinë” ekonomike për të cilën u paralajmërua sot.

1 Komente

  1. B
    BE ka mbaruar, shqiptareve tu rroje Usa

    Ne takimin tjeter ne mars z.Dragi do tu thote udheheqesve te BE se kot te lodhen duke biseduar pa fund, se puna ka mbaruar, nuk ka me kohe. Treni ka iku dhe BE tash po shkon me kembet e saj drejt gremines.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje