Nga Jonathan Levy, Project Syndicate
Në vitin 1878, shkrimtari kinez Zhang Changjia botoi librin “Opium Talk,” kujtime mbi varësinë, ku përshkroi pasojat e përfshirjes forcërisht të Kinës në tregtinë botërore të opiumit. Deri në shekullin e 19-të, Kina kishte patur shumë pak përvojë me këtë drogë, por e gjitha ndryshoi kur tregtarët britanikë e futën atë fshehurazi në vend dhe akoma më tepër pasi Luftërat e Opiumit të mesit të shekullit e detyruan Perandorinë Qing ta legalizonte tregtinë e kësaj droge. Kur libri i Zhang-ut u botua, rreth 40 milionbë kinezë – afërsisht 10% e popullsisë – ishin përdorues të opiumit.
Epidemitë e varësisë ndaj opiumit, historikisht shfaqen në momentet e rënies së perandroive. Siç shkruante autori indian Amitav Ghosh në librin e tij “Smoke and Ashes”, botuar më 2024-ën, opiumi i tregoi Zhang-ut atë çfarë “jopërdoruesit nuk ishin në gjendje të vlerësonin siç duhej: një epokë kishte përfunduar dhe historia kish hyrë në një fazë të re, ku mësimet e dijetarëve të vjetër kinezë nuk vlenin më.”
Paralelet mes krizës së opiumit në Kinën e shek. të 19-të dhe epidemisë opioidëve në SHBA sot janë të habitshme. Mes viteve 1999 dhe 2023, rreth 800.000 amerikanë vdiqën për shkak të mbidozës, 160.000 prej të cilëve vetëm në periudhën 2022-2023. Sot raportohet se rreth 11% e popullsisë së SHBA-ve janë përdorues të opioidëve pa recetë. Në të dy rastet varësia – e nxitur nga korrupsioni qeveritar dhe lakmia e korporatave – e përshpejtuan dekompozimin e shoqërisë. Zhang ia atribuonte “adhurimit të tepërt të Zotit të Parasë” shtimin e përdorimit të opiumit në Kinë. Në SHBA, kriza e opioidëve mori hov në vitet 1990-të, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe përqafimit triumphalist të kapitalizmit të tregut të lirë.
Ndërsa literature e gjerë e shkencave sociale rreth aryseve se përse amerikanët zgjodhën Donald Trump-in në 2016 dhe më pas në 2024, priret të përqëndrohet tek racizmi, ankthi ekonomik, apo një kombinim i të dyjave, çuditërisht opioidëd marrin pak vëmendje. Ato pak studime ekzistuese tregojnë një lidhje statistikore mes ritmit të varësisë ndaj opioidëve dhe një mbështetjeje më të fortë për Trump në lokalitete të caktuara.
Siç parashikoi Zhang, varësia mund të jetë parathënëse e ndryshimeve historike. Si Bufi i Minervës i Hegelit, ajo ngrihet në qiell në muzg të perandorive, duke sinjalizuar agimin e një epoke të re. Kjo ishte e vërtetë për Kinën në fundin e dinastisë Qing dhe mund të jetë e tillë për SHBA-në sot.
Sigurisht, është ende herët për të shpallur fundin e hegjemonisë amerikane; ngritja dhe rënia e fuqive të mëdha është një proces që zakonisht shpaloset në intervale të gjata kohore. Siç ka treguar literatura e fundit akademike, Perandoria Qing e shekullit 19 ishte shumë më rezistente sesa supozohej më parë, gjë që i mundësoi të mbijetonte deri në fillim të shekullit 20.
Megjithatë, kriza e opioideve në SHBA tregon si patologji të thellë shoqërore ashtu edhe disfunksion politik. Të paktën, SHBA po përjeton një tranzicion dramatik, pasojat e të cilit do të shtrihen shumë përtej kufijve të saj.
Kjo mund të mos jetë ende e qartë për shumëkënd. Shtyllat e hegjemonisë amerikane mbeten kryesisht të paprekura. SHBA ruan epërsinë e vet ushtarake; dollari mbetet monedha kryesore rezervë në botë; shumë nga korporatat më të fuqishme dhe teknologjikisht më të avancuara janë amerikane; dhe tregjet amerikane të bonove dhe aksioneve vazhdojnë të tërheqin kapital ndërkombëtar, me Dow Jones që së fundmi ka tejkaluar për herë të parë nivelin 50,000. Ndërkohë, kultura amerikane vijon të formësojë shijet globale.
Ndodhemi kështu në një moment tranzicioni ku është e vështirë të dihet nëse do të mbizotërojë vazhdimësia apo ndryshimi. Teoricienët e sistemeve-botërore kanë argumentuar prej kohësh se tranzicionet hegjemonike shoqërohen nga “pasiguri kaotike”, një tezë që duket se konfirmohet nga stili i paqëndrueshëm qeverisës i Trump.
Në kohën e shkrimit, është e pamundur të thuhet me siguri se si do të duket politika amerikane edhe në afatin më të afërt. Megjithatë, ndërsa diagnozat ndryshojnë nga njëra-tjetra, ekziston një konsensus i gjerë mes elitave politike, në të gjithë spektrin ideologjik, se Amerika po kalon një krizë të thellë që kërkon ndërhyrje qeveritare. Deri tani, megjithatë, vazhdimësitë e rëndësishme kanë mbizotëruar, pavarësisht sulmeve të përditshme trumpiane ndaj institucioneve demokratike. Kjo rezistencë zbulon diçka thellësisht shqetësuese mbi kapitalizmin amerikan dhe sistemin global të ndërtuar rreth tij. Kriza e opioideve sugjeron një sëmundje të shekullit 21 – një histori të afërt me të cilën duhet përballur, nëse tranzicioni aktual do të çojë drejt një bote më të mirë dhe jo diçkaje më të keqe.
Nga trauma te Trump
Për të kuptuar momentin aktual, duhen vlerësuar dy zhvillime historike madhore. Së pari, gjatë dy dekadave të fundit, regresi demokratik ka përmbysur valën e demokratizimit të fundit të shekullit XX, duke sjellë atë që politologu amerikan Larry Diamond e ka quajtur “recesion demokratik”. Së dyti, kriza financiare globale e viteve 2007-09 dhe pasojat e saj.
Në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024, komentatorët liberalë druheshin nga një skenar ku kandidati demokrat – fillimisht presidenti Joe Biden, më pas zëvendëspresidentja Kamala Harris – do të fitonte votën popullore por do të humbiste presidencën përmes Kolegjit Zgjedhor. Duke qenë se presidentët zgjidhen nga shumicat elektorale në nivel shtetesh, një rezultat i tillë do të varej nga një numërim i kontestuar në një shtet të lëkundur të kontrolluar nga republikanët, duke shkaktuar sfida ligjore dhe përfundimisht duke e dërguar çështjen në Gjykatën e Lartë. Aty, një shumicë konservatore do ta shpallte Trump-in fitues, duke i dhënë fund efektivisht demokracisë amerikane.
Ironia që shumëkush e humbi është se e gjithë kjo kishte ndodhur tashmë. Rrëshqitja demokratike e Amerikës filloi në fund të vitit 2000, pesë vjet përpara trendit global. Në zgjedhjet e atij viti, zëvendëspresidenti Al Gore fitoi votën popullore, por numërimi i kontestuar në Florida dhe “hanging chads” famëkeqë çuan në vendimin Bush v. Gore, me të cilin Gjykata e Lartë ia dha presidencën George Ë. Bush-it.
Traumat e papërpunuara priren të ripërsëriten, gjë që ndihmon në shpjegimin e familjaritetit të çuditshëm të trumpizmit. Më shumë sesa një devijim, ai përfaqëson një vazhdimësi historike, duke ringjallur frikëra të rrënjosura në ngjarje të së kaluarës me të cilat nuk u bë kurrë një përballje e plotë.
Një reagim i zakonshëm ndaj traumës është zhvendosja përmes asociimit pozitiv. Zgjedhjet e vitit 2000 ekspozuan brishtësinë e demokracisë amerikane, por në vend që të rregullohej sistemi zgjedhor i dëmtuar, elitat politike pranuan shpejt vendimin e Gjykatës në Bush v. Gore. Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, SHBA pushtoi Afganistanin dhe më pas Irakun – një vend pa lidhje me sulmet – nën pretekstin e “përhapjes së demokracisë”. Në realitet, demokracia amerikane kishte nevojë të rregullohej, jo të eksportohej me armë.
Ngritja e mëvonshme e Trump-it ishte pasojë direkte e luftërave katastrofike në Afganistan dhe Irak. Studimet tregojnë një korrelacion të fortë mes përdorimit të opioideve dhe qarqeve amerikane që dërguan disproporcionalisht shumë ushtarë në këto luftëra.
Në vitin 2003, një senator pak i njohur i Illinois-it, Barack Obama, ishte ndër të paktët që kundërshtoi luftën në Irak. Një vit më pas, ai mbajti një fjalim brilant në Konventën Kombëtare Demokrate që e katapultoi në skenën kombëtare.
Edhe pse Obama dhe Trump ndryshojnë pothuajse në çdo aspekt, ata kanë një gjë të përbashkët: të dy u zgjodhën falë votave protestuese të papritura. Në retrospektivë, është e vështirë të kuptohet sa tronditëse ishte fitorja e Obamës në 2008. Fitorja e tij në primare ndaj Hillary Clinton-it, e cila kishte votuar për luftën në Irak, dhe më pas ndaj senatorit republikan John McCain, gjithashtu mbështetës i luftës, përbënte një refuzim të qartë të establishmentit politik.
Obama kishte premtuar shërim, pajtim dhe një “politikë të re” që do të kapërcente ndarjet racore. Ekonomia nuk ishte në qendër të fushatës së tij derisa pothuajse u shemb. Dy muaj para zgjedhjeve, falimentimi i Lehman Brothers e la kapitalizmin amerikan të gjunjëzuar, duke kërkuar ndërhyrje të jashtëzakonshme qeveritare.
Me demokratët që kontrollonin të dyja dhomat e Kongresit, administrata Obama kishte një dritare të ngushtë për të transformuar ekonominë amerikane. Në vend të kësaj, ajo riparoi sistemin financiar, rivendosi lidhjet me ekonominë globale dhe e riktheu kapitalizmin amerikan në funksionim.
Një përballje e vonuar
Në kujtimet e tij të vitit 2020, "A Promised Land", Obama përshkruan se si, sapo mori detyrën, e kuptoi se ishte një “reformator”. Megjithëse “konservator në temperament”, ai u përball me opozitë të pakapërcyeshme, të nxitur pjesërisht nga animus racor dhe frikëra të ekzagjeruara mbi radikalizmin e tij. Bankat u shpëtuan, Rezerva Federale përmbyti sistemin financiar me likuiditet, dhe një paketë stimuluese fiskale në 2009 mbështeti një rimëkëmbje të dobët, e cila u përforcua nga një stimul shumë më ambicioz kinez.
Si president, Obama u pozicionua mes bankierëve dhe asaj që privatisht e quante populizëm me “pitchforks”. Ndërkohë, në emisionin e tij televiziv The Apprentice, Trump bëri atë që Obama nuk do ta bënte kurrë si president: u tha elitave të Ëall Street-it “Je i pushuar!”
Kriza financiare globale nuk solli një çarje të vërtetë. Kapitalizmi amerikan thjesht u kthye në formën që kishte marrë që prej vitit 1980. Gjatë asaj që autori e quan “Epoka e Kaosit”, zgjerimet ekonomike janë nxitur nga boom-e të aktiveve të financuara me borxh: aksione dhe obligacione korporative në vitet 1980; aksione interneti në vitet 1990; tregu i banesave në vitet 2000; dhe sërish aksione në vitet 2010.
Rritja e çmimeve të aktiveve përfiton në mënyrë disproporcionale pronarët e tyre, duke thelluar pabarazinë ndërkohë që të ardhurat nga puna stagnuan. Prosperiteti u përqendrua gjeografikisht. Që nga vitet 1980, pjesë të mëdha të SHBA-së – veçanërisht jashtë metropoleve – nuk përfituan nga rritja ekonomike. Varësia pasoi tronditjen ekonomike. Epidemia e opioideve goditi më fort zonat ekonomikisht të dëmtuara, sidomos ato më të ekspozuara ndaj konkurrencës nga prodhimi kinez me paga të ulëta. Në këto zona, zemërimi u grumbullua derisa Trump e kanalizoi atë drejt Shtëpisë së Bardhë në 2016.
Lufta në Irak dhe Recesioni i Madh pas 2008-s e kishin gërryer legjitimitetin e establishmentit politik, një realitet që elitat politike vazhdojnë ta nënvlerësojnë. Festimi demokrat i ekonomisë së epokës Obama i ngjante mashtrimeve të mëparshme elitare, si pretendimet e administratës Bush mbi armët e shkatërrimit në masë në Irak. Këto forma të politikës “post-truth” hapën rrugën për fabrikime edhe më ekstravagante nga Trump dhe lëvizja e tij MAGA.
Pavarësisht retorikës anti-establishment, Trump nuk ishte figura që do t’i jepte fund “Epokës së Kaosit” të kapitalizmit amerikan. Administrata e tij e parë arriti pak në terma politikash. Uljet e taksave në 2017 ricikluan recetën e epokës Reagan, ndërsa retorika anti-globaliste ishte kryesisht zhurmë.
Politikat anti-Kinë patën pasoja reale, duke shtyrë demokratët drejt një qëndrimi më konfrontues në tregti dhe siguri. Shumë prej tyre u rreshtuan pas Biden-it.
Pse dështoi “Bidenomics”
Kriza e vitit 2008 krijoi një mundësi të pashfrytëzuar për të transformuar kapitalizmin amerikan. Po ashtu edhe kriza e shkaktuar nga pandemia COVID-19. Pyetja ishte nëse kësaj here politikëbërësit do ta shfrytëzonin momentin.
Kur pandemia shpërtheu në mars 2020, Trump hoqi dorë nga udhëheqja, duke lënë burokracinë federale dhe qeveritë shtetërore të vendosnin politikat e izolimit. Ai nënshkroi rreth 2.2 trilionë dollarë ndihmë ekonomike, gati 30% në formë transfertash direkte. Operacioni Ëarp Speed prodhoi një vaksinë në kohë rekord, duke shpëtuar qindra mijëra jetë.
Administrata Biden shpalli se demokratët kishin mësuar nga 2008 dhe se nuk do të ktheheshin te kursimi fiskal. U miratuan paketa të mëdha, por lobet korporative i minuan ato sistematikisht. Reforma tatimore u tkurr në një normë minimale 15% për korporatat. Qindra miliarda u drejtuan drejt gjysmëpërçuesve dhe energjisë së gjelbër, kryesisht me justifikim sigurie kombëtare.
Pastaj erdhi pushtimi rus i Ukrainës në 2022 dhe rritja e inflacionit, që arriti 9.1%. Fed rriti agresivisht normat e interesit. Kursimi fiskal u rikthye.
Në fund, “Bidenomics” dështoi sepse i mungoi një lëvizje shoqërore masive që ta mbështeste dhe sepse elementët më të realizueshëm politikisht u lidhën me sigurinë kombëtare, jo me transformimin socio-ekonomik. Trump e përmbysi lehtësisht shumë prej tyre në mandatin e dytë.
Fuqia amerikane vazhdon – për momentin
Gjatë vitit të parë të mandatit të dytë të Trump-it, sulmet ndaj rendit ekonomik ndërkombëtar dhe fushata e deportimeve masive dominuan lajmet. Por pavarësisht trazirave, rendi financiar global mbeti kryesisht i paprekur.
Kritika trumpiste ndaj rendit pas 1980-s fokusohet te tregtia. Ndërsa obsesioni i tij me bilancet dypalëshe tregon kuptim të dobët makroekonomik, ai ka të drejtë që tregtia globale prodhon fitues dhe humbës.
Megjithatë, regjimi i tarifave të Trump-it shihet më shumë si përpjekje për ta shndërruar tregun konsumator amerikan në armë negocimi sesa si projekt rindërtimi global. Pyetja thelbësore mbetet nëse tregu amerikan do ta ruajë primatin global.
Ndërkohë, kapitali global vazhdon të rrjedhë drejt SHBA-së, pavarësisht sulmeve të Trump-it ndaj institucioneve. Nevojat globale janë të mëdha, por menaxherët e pasurisë ankohen për “shumë kapital” dhe “pak marrëveshje”, duke përforcuar ekonominë amerikane ndërsa sundimi i ligjit vihet në pikëpyetje.
Kjo sugjeron një fazë të re të hegjemonisë amerikane – një Hegjemoní 3.0 – e mbështetur nga investitorë jo-amerikanë. Çfarë do të duhej për një transformim të vërtetë historik? Një tjetër kolaps tregu, një recesion global, ose një emergjencë klimatike planetare.
Historikisht, tranzicionet madhore në kapitalizmin amerikan kanë ndodhur kur qeveria federale ka qenë përpara kapitalit dhe jo pas tij. Kësaj here, fati i hegjemonisë amerikane mund të varet po aq nga vendimet e marra jashtë vendit sa nga ato brenda tij.
Ndërkohë, kriza e opioideve – si epidemia e opiumit në Kinën Qing – duket më pak si paralajmërim transformimi dhe më shumë si simptomë e një krize më të thellë që mbetet e pazgjidhur.
Profesor i historisë në Sciences Po, Jonathan Levy është autor i librave "Ages of American Capitalism: A History of the United States" (Random House, 2021) dhe "The Real Economy: History and Theory" (Princeton University Press, 2025). Punimet e tij të ardhshme do të përfshijnë një histori globale të parasë dhe një histori të ndryshimeve klimatike të përqendruar në Houston, Texas.
Nē mandatin e dytē Presidenti i 47 i SHBA-ve ēshtē pasuruar me dy miliard USD ( deri mē tani) nga cryptovalutat, gjē qē ēshtė e anasjellta e shprehjes sē jf kennedy, mos shihni çmund tē bēn shteti pēr ju por çmund tē bēni ju pēr kombin, ashtu si Georges Washington qē u pasurua gjatē ushtrimit tē funksionit.Kjo bēn qē dhe politikanēt tanē tē ken kētē apetit vetjak.