Legjenda e shahut dhe aktivisti politik Garry Kasparov është shpallur sërish në arrest në mungesë nga një gjykatë ruse, për herë të dytë. Akuzat i mbështeten në nenin 205/2 të Kodit Penal rus, për “nxitje të terrorizmit”, që mund të sjellin deri në 7 vjet burg.
Ky është episodi më i fundit i një serie represionesh. Në mars 2024, Kremlini e shpalli Kasparovin “terrorist dhe ekstremist”, ndërsa një gjykatë në Komi, në veri të Rusisë, e shpalli të arrestuar për “krijimin dhe drejtimin e një organizate terroriste”.
62-vjeçari nuk ka qenë në Rusi prej më shumë se 12 vjetësh, pas disa arrestimeve të mëparshme në rrugët e Moskës. I njohur si kritiku i hapur më i madh i Putin-it, Kasparov ka paralajmëruar prej vitesh rrezikun që përbën presidenti rus, duke e krahasuar edhe me Adolf Hitlerin që në 2013 dhe duke paralajmëruar perëndimin për të ndalur Kremlinin, jo për ta kënaqur.
Aktiviteti politik i Kasparovit ka qenë gjithmonë agresiv dhe i vendosur, si loja e tij e shahut: Në 2022, kur Rusia pushtoi Ukrainën, ai ishte ndër mbështetësit më të vendosur të Kievit, duke propozuar sanksione të ashpra për Moskën.
Tani, duke qenë se nuk mund ta arrestojë fizikisht, Moska e shpall “virtualisht” të arrestuar, duke e kthyer legjendën e shahut në një nga personat më të kërkuar politikisht nga Kremlini.
Agjitacion e Propagande!