I izoluar prej 80 ditësh në burgun e tmerrshëm të Brooklyn-it, ja si duket jeta e Maduros pas hekurave

25 Mars 2026, 22:40Bota TEMA

I izoluar prej 80 ditësh në burgun e tmerrshëm të

Ndërsa ish-presidenti venezuelian Nicolás Maduro përgatitet për seancën e radhës gjyqësore në SHBA, djali i tij po përpiqet të projektojë një imazh optimist dhe sfidues rreth mënyrës se si babai dhe Zonja e Parë, Cilia Flores, po e përballojnë jetën pas hekurave. Megjithatë, persona me akses në burgun famëkeq të Brooklyn-it, ku mbahet Maduro, japin një tablo shumë më pak optimiste për realitetin e jetës brenda atyre mureve.

Maduro dhe Flores, të cilët u transferuan në Nju Jork në janar pasi u kapën nga forcat amerikane në Venezuelë, janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave për trafik droge, pastrim parash dhe korrupsion.

Të dy po mbahen në Metropolitan Detention Center (MDC) në Brooklyn, Nju Jork – një institucion i njohur si për kushtet e këqija, ashtu edhe për faktin se ka strehuar të burgosur të profilit të lartë, si bosi i drogës Joaquin “El Chapo” Guzman, shoqërorja dhe bashkëpunëtorja e Jeffrey Epstein, Ghislaine Maxwell, si dhe magnati i hip-hop-it Sean “Diddy” Combs.

Deputeti venezuelian Nicolás Maduro Guerra, i njohur si “Nicolasito”, tha të hënën se babai i tij mbetet “me moral të lartë” dhe “shumë i fortë”, se stërvitet çdo ditë dhe se mund të shfaqet sërish më “i dobët dhe më atletik”.

Ai e përshkroi Flores si një “luftëtare të parë, të qëndrueshme dhe vigjilente” përballë sfidave ligjore.

Por jeta brenda këtij institucioni federal është e njohur për vështirësinë e saj.

Ditë të tëra në izolim

Prej vitesh, burgu është kritikuar për kushtet e tij, shpesh të përshkruara si të rrezikshme dhe çnjerëzore. Disa avokatë dhe të arrestuar kanë arritur deri aty sa ta quajnë “ferr mbi tokë”, duke përmendur papastërtinë, pasigurinë dhe kohën e gjatë në izolim.

Një figurë si Maduro ka gjasa të përballet me kufizime edhe më të mëdha se të burgosurit e tjerë, pasi personat me profil të lartë zakonisht mbahen të ndarë nga pjesa tjetër për arsye sigurie.

“Do të prisja që si rregull, ata të mbahen 23 orë në ditë në izolim,” shpjegoi Cameron Lindsay, ish-drejtor i këtij institucioni. Kjo nënkupton pothuajse mbyllje totale në qeli, ushqim të dorëzuar përmes një hapësire në derë, pak ose aspak kontakt me të burgosur të tjerë dhe mundësi shumë të kufizuara për aktivitet fizik, zakonisht vetëm.

Byroja Federale e Burgjeve nuk konfirmoi se në cilën njësi specifike mbahet Maduro dhe as nuk ka dhënë detaje mbi kushtet e ndalimit. Megjithatë, ekspertët dhe avokatët thonë se të burgosurit e këtij profili zakonisht vendosen në Special Housing Unit.

“Është niveli më kufizues brenda institucionit,” shpjegoi avokati i të drejtave civile dhe penale Daniel McGuinness. Aty, të ndaluarit kalojnë pothuajse gjithë ditën vetëm në qelitë e tyre dhe, kur dalin, janë nën mbikëqyrje të rreptë dhe me komunikim shumë të kufizuar.

Edhe pse mund të duket si ndëshkim, qëllimi i këtij izolimi është të mbrojë si të ndaluarin, ashtu edhe stafin e burgut, sipas autoriteteve.

I ndarë nga bashkëshortja

Edhe nëse nuk do të ishte në izolim, Maduro do ta kishte gjithsesi të pamundur takimin me bashkëshorten.

Në këtë burg, burrat dhe gratë mbahen në njësi të ndara, edhe nëse janë të martuar. Për më tepër, në raste federale si ky, të bashkëpandehurve zakonisht u ndalohet të komunikojnë me njëri-tjetrin.

Në sistemin federal, gjykatat mund të vendosin urdhra për të mos patur kontakt mes të burgosurve,  për të parandaluar bashkëpunimin e paligjshëm, ndikimin mbi dëshmitarët apo ndërhyrjen në procesin gjyqësor.

Kjo do të thotë se, edhe brenda të njëjtit institucion, Maduro dhe Flores ka shumë të ngjarë të mos mund të takohen apo të komunikojnë drejtpërdrejt, përveç rasteve të mundshme të kontrolluara në prani të avokatëve.

Çdo kontakt tjetër me botën e jashtme është i mundur, por i kufizuar, i monitoruar dhe i rregulluar rreptësisht. Vizitat duhet të miratohen paraprakisht, telefonatat janë të shkurtra – dhe për disa mund të jenë të kufizuara deri në një herë në muaj – ndërsa qasja në internet nuk ekziston.

Ankesa për ushqimin

Nicolás Maduro Guerra e ka lidhur humbjen e dukshme në peshë të babait të tij me disiplinën dhe stërvitjen.

Por ekziston edhe një shpjegim tjetër i mundshëm: cilësia e ushqimit brenda institucionit.

Prej vitesh, avokatët pretendojnë se të burgosurve u jepet ushqim i skaduar, i papjekur mirë ose i kontaminuar, përfshirë mish të prishur dhe produkte bulmeti të dëmtuara.

Në një ankesë të paraqitur në gjykatë federale në vitin 2024, një i ndaluar pretendoi se kishte marrë ushqim, përfshirë fasule, “të mbushura me krimba”. I njëjti dokument tregon se, pas ankesës, stafi identifikoi praninë e insekteve në një thes me fasule.

Në një tjetër dokument gjyqësor vitin e kaluar, avokati i producentit muzikor dhe sipërmarrësit Sean “Diddy” Combs, gjithashtu i ndaluar në këtë burg, pretendoi se institucioni “shërben rregullisht ushqim të skaduar ose të infektuar me krimba”, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për raste të izoluara, por për një model të përsëritur.

“Që nga mungesa e kujdesit mjekësor deri te problemet serioze higjienike, madje edhe krimba në ushqim… gjithçka që mund të shkojë keq, shkon keq në MDC,” tha David Patton, ish-drejtor i organizatës Federal Defenders of New York.

Autoritetet federale kanë hedhur poshtë disa nga këto pretendime, duke deklaruar se në disa raste “nuk ka prova” për ushqim të kontaminuar. Megjithatë, ankesat vazhdojnë.

Aktivitet fizik i kufizuar

Maduro Guerra gjithashtu pretendoi se babai i tij stërvitet çdo ditë. Një skenar i tillë, ndonëse i mundur, ndodh me shumë kufizime.

Sipas raporteve të Departamentit të Drejtësisë, në kushte të tilla kufizuese, lëvizjet e të ndaluarve janë të kufizuara dhe ndërveprimi njerëzor minimal.

Në disa raste, të ndaluarve u lejohet të dalin nga qelia deri në një orë në ditë për aktivitet fizik, por këto zhvillohen zakonisht në hapësira të mbyllura ose zona shumë të kontrolluara, të përshkruara nga disa si “kafaze në ajër të hapur”.

Në shumë raste, ushtrimet bëhen brenda vetë qelisë: pompa, ushtrime barku apo thjesht ecje në rreth.

Avokatët thonë se këto rutina fizike jo vetëm që ndihmojnë në ruajtjen e formës, por bëhen edhe një nga mënyrat e pakta për të ruajtur një ndjesi kontrolli në një ambient ku pothuajse gjithçka përcaktohet nga të tjerët.

Raporte dhe dëshmi të mbledhura nga The Marshall Project tregojnë se, në mungesë të kujdesit të duhur mjekësor dhe psikologjik, aktiviteti fizik bëhet një nga mjetet e pakta për të menaxhuar stresin, ankthin dhe izolimin.

Një burg nën vëzhgim të vazhdueshëm

Metropolitan Detention Center është një institucion i madh federal me stil industrial, që sipas autoriteteve strehon mbi 1,300 të ndaluar dhe prej vitesh ka qenë objekt skandalesh dhe kritikash.

Sipas analistit ligjor të CNN, Elie Honig, i cili e ka vizituar disa herë, ai është i errët, i mbipopulluar dhe i zhurmshëm. Edhe pse të gjitha burgjet janë vende të vështira, ai e përshkroi MDC-në si “ndoshta më të mjerin” nga të gjithë ata që ka parë.

Raportet e Departamentit të Drejtësisë kanë dokumentuar probleme me dhunën, kontrabandën e armëve dhe izolimin e shpeshtë. Disa të ndaluar e përshkruajnë ambientin si të rrezikshëm, me incidente dhune dhe kushte që rrezikojnë sigurinë e tyre.

Janë evidentuar gjithashtu probleme konkrete, si vështirësi të zgjatura me ngrohjen dhe kontrollin e temperaturës, qeli me të ftohtë ose të nxehtë ekstrem, mungesë e kujdesit të duhur mjekësor dhe kufizime në vizita dhe komunikim me avokatët në momente kritike.

“Cilësia e shërbimeve mjekësore dhe të shëndetit mendor mbetet thellësisht e dobët,” tha avokatja e të drejtave civile Katie Rosenfeld, duke e përshkruar ambientin si realisht të tmerrshëm dhe të vështirë.

Në përgjigje të këtyre kritikave, autoritetet federale këmbëngulin se situata është përmirësuar. Në një raport të vitit 2024, u njoftua krijimi i një “Urgent Action Team” për të adresuar problemet, si dhe shtim i stafit dhe ulje e dhunës.

Megjithatë, avokatët dhe organizatat e të drejtave civile argumentojnë se këto përmirësime nuk kanë ndryshuar thelbësisht realitetin brenda institucionit, i cili vazhdon të funksionojë nën presion për shkak të mungesës së stafit të mjaftueshëm.

Çfarë pritet në seancën e radhës

Seanca e radhës për Maduro dhe Flores, e planifikuar për 26 mars, pritet të jetë një seancë procedurale mbi ecurinë e çështjes, megjithëse ka ende çështje të hapura që gjykatësi mund t’i trajtojë para ose gjatë saj.

Ndër to përfshihet një mosmarrëveshje mbi mënyrën e financimit të ekipit ligjor të të pandehurve në kushtet e sanksioneve, si dhe një vendim mbi trajtimin e provave të paraqitura nga prokuroria.

Nga Karakasi, djali i Maduro-s e përshkruan këtë si një “seancë procedurale”, ku ata shpresojnë “të vazhdojnë të nxjerrin në pah të vërtetën e Venezuelës dhe pafajësinë e Maduro-s dhe Cilia-s”.

Në çdo rast, kjo seancë do t’i japë publikut një mundësi të parë për të parë Maduro-n dhe Flores që nga ndalimi i tyre dhe për të krijuar një ide më të qartë mbi gjendjen e tyre. /CNN

 

1 Komente

  1. F
    Foni

    Të mos ankohet shume Maduro, atë të bëjë. T'a dijë ai se ç'po heqin Beqaj, Metaj, Velaj, do t'i ngriheshin leshtë e kokës përpjetë. Dhe ajo e shoqja të mos ankohet shume, në këtë botë shoqet e saj si psh. Monika Kryemadhi, Ajola Xoxe po heqin të zite e ullirit në paraburgimin që po bëjnë. Kushedi si kishte për të qenë fati i zonjës Balluku, por thuaj që Partia dhe shoku Edi vunë dorën në zemër dhe nuk i lejuan ata të pashpirtet e SPAKU-ut t'i merrnin frymën.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje