Ekrem İmamoğlu, pothuajse një vit pasi u burgos, deklaroi për Reuters se Recep Tayyip Erdoğan duhet të shpallë zgjedhje «tani», duke parashikuar madje se presidenti turk do të humbasë nëse kandidon sërish.
İmamoğlu është vitet e fundit kundërshtari kryesor i Erdoğanit dhe sondazhet tregojnë se, nëse arrin të jetë kandidat, mund ta mundë vërtet Erdoğanin, i cili drejton vendin prej më shumë se dy dekadash.
Megjithatë, ai u gjend në qendër të goditjes kundër partisë kryesore opozitare, e cila, sipas organizatave për të drejtat dhe vëzhguesve të huaj, ka minuar kredencialet demokratike të Turqisë.
Duke qenë se ka mundur partinë në pushtet AKP të Erdoğanit në tri përballje zgjedhore në Stamboll, 55-vjeçari İmamoğlu mbetet një figurë e fortë e opozitës, pavarësisht faktit se ndodhet në burg që nga marsi i vitit 2025 dhe pret gjykimin me akuza për korrupsion, të cilat i mohon.
"Duam zgjedhje të parakohshme tani. Por presidenti aktual e sheh humbjen që po vjen dhe ka frikë nga zgjedhjet", deklaron İmamoğlu në përgjigjet e tij ndaj pyetjeve të Reuters, të cilat iu përcollën nga ekipi i tij ligjor në burgun e Silivrisë.
"Do të jetë kandidat dhe do të humbasë. Dhe Turqia do të jetë fituesja", theksoi İmamoğlu, Partia Republikane Popullore (CHP) e të cilit kërkon prej muajsh zgjedhje të parakohshme.
Zgjedhjet presidenciale nuk janë planifikuar deri në vitin 2028, megjithatë, nëse Erdoğani dëshiron të kërkojë një mandat të tretë, është i detyruar t’i shpallë ato më herët, përveç nëse ndryshohen kufijtë e mandateve të parashikuara nga Kushtetuta e vendit.
Erdoğani, i cili drejton Turqinë si kryeministër ose president që nga viti 2003, do të ketë nevojë për votat e tre të pestave të deputetëve për të zhvilluar zgjedhje të parakohshme, çka do të thotë se do t’i duhej mbështetje përtej aleancës së tij qeverisëse. Shumica e analistëve besojnë se Erdoğani do të shpallë zgjedhje vitin e ardhshëm, vëren Reuters.
«Ata që janë në pushtet, pasi e kanë kuptuar se do të humbasin, mendojnë se do ta shmangin këtë duke më mbajtur në burg me akuza të rreme dhe duke i dhënë urdhra Drejtësisë», theksoi İmamoğlu.
I pyetur nëse beson se do të mund të jetë kandidat në zgjedhjet e ardhshme, İmamoğlu deklaroi se ruan besimin e tij te Drejtësia dhe se do të ushtrojë plotësisht të gjitha të drejtat e tij ligjore.
«Asnjë presion dhe asnjë pengesë nuk do të më ndalojë të punoj për ta bërë këtë vend më të drejtë, më të lirë dhe më të begatë», deklaroi ai./ kathimerini
Ky eshte me origjin grek pontiak dhe punon ne fshehtesi per Greqin prandaj sdo ta shikoj me driten e diellit me sy