Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, i ka dërguar një mesazh urimi presidentit rus Vladimir Putin përpara Vitit të Ri, duke i cilësuar marrëdhëniet mes dy vendeve si një “pasuri të çmuar të përbashkët”, njoftuan të shtunën mediat shtetërore të Phenianit.
Në mesazhin e tij, Kim e përshkroi këtë vit si “domethënës”, gjatë të cilit të dy vendet “kanë shkruar në mënyrë të qëndrueshme një biografi të madhe të aleancës”, përmes “mbështetjes së plotë reciproke dhe inkurajimit vetëmohues”, sipas Agjencisë Qendrore Koreane të Lajmeve (KCNA).
Urimi i Kim Jong-un erdhi pasi edhe vetë presidenti Putin i kishte dërguar një mesazh urimi për Vitin e Ri liderit të Koresë së Veriut më 18 dhjetor.
“Mendoj se aleanca e sotme mes Koresë së Veriut dhe Rusisë është një pasuri e çmuar e përbashkët që duhet të çojë përpara përgjithmonë, jo vetëm në epokën e tanishme, por edhe për brezat që do të vijnë, brez pas brezi”, tha Kim.
Ai theksoi se marrëdhëniet mes Koresë së Veriut dhe Rusisë janë forcuar më tej në një “aleancë më të sinqertë të ndarjes së gjakut, jetës dhe vdekjes në të njëjtën llogore”, duke iu referuar dërgimit të trupave koreano-veriore në Rusi për të mbështetur luftën kundër Ukrainës.
“Theksoj edhe një herë se unë, qeveria dhe i gjithë populli koreano-verior do të jemi gjithmonë në krah të popullit vëllazëror rus”, vijon mesazhi i shpërndarë nga KCNA.
“Tani askush nuk mund t’i thyejë marrëdhëniet mes popujve të dy vendeve dhe unitetin e tyre, të mbështetur fuqishëm nga vullneti i fortë dhe forca për të mbrojtur aspiratat e drejta të kohës dhe për ta vënë historinë në vend”, shtoi Kim.
Koreja e Veriut dhe Rusia kanë thelluar bashkëpunimin e tyre ushtarak që prej nënshkrimit të një traktati për “partneritet strategjik gjithëpërfshirës” nga Putin dhe Kim gjatë samitit të tyre në Phenian në qershor të vitit 2024. Që nga viti i kaluar, Koreja e Veriut ka dërguar rreth 15 mijë trupa luftarake për të mbështetur luftën e Moskës kundër Ukrainës.
Lini një Përgjigje