Ku shkuan gjithë aleatët?

26 Mars 2026, 22:55Bota TEMA
Ku shkuan gjithë aleatët?

Nga Stephen Holmes, Project Syndicate

Rendi multilateral, të cilin presidenti amerikan Donald Trump e ka çmontuar, nuk ishte - siç ai beson - një kurth i ngritur nga shtetet më të dobëta për të shfrytëzuar një superfuqi naive. Ai ishte një infrastrukturë që u deshën dekada për t’u ndërtuar, rrënojat e së cilës sot shtrihen në Ngushticën e Hormuzit.

BERLIN – Pasi shpalli se ushtria e Iranit ishte “shkatërruar”, presidenti amerikan Donald Trump u bëri thirrje Britanisë, Francës, Japonisë dhe Koresë së Jugut – si edhe Kinës, partnerit strategjik të Iranit – të dërgonin minaçmontues dhe forca detare për të rihapur Ngushticën e Hormuzit. Kur aleatët hezituan, kërkesa u kthye në paralajmërim: NATO do të përballej me një të ardhme “shumë të keqe” nëse refuzonte.

Urtësia konvencionale thotë se Trump ka një problem besueshmërie: pasi kaloi vite duke fyer aleatët, ai zbulon se ata nuk i përgjigjen kur u duhet. Kjo është e vërtetë, por sipërfaqësore, sikur një shembje strukturore të shkaktohej nga ndjenja të lënduara. Diçka më themelore është në lojë.

Mjafton të shohim çfarë nënkuptojnë refuzimet. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, e tha qartë: “Kjo nuk është lufta jonë; nuk e kemi nisur ne.” Franca, Spanja, Italia dhe Japonia reaguan në mënyrë të ngjashme. Këto qeveri nuk po mbajnë thjesht mëri. Ato po theksojnë se Trump nisi një luftë pa i konsultuar, një luftë që tashmë po u kushton shtrenjtë – nafta mbi 100 dollarë për fuçi, tregjet e sigurimeve të ngrira, zinxhirët e furnizimit të çrregulluar, forcat e ekspozuara ndaj hakmarrjes iraniane – dhe tani kërkon që të mbajnë edhe rreziqet ushtarake.

Është sikur Trump të mos kishte paguar sigurimin kundër zjarrit dhe më pas të kërkonte dëmshpërblim për një zjarr që vetë e ndezi, pa paralajmëruar lagjen. Tani fqinjët po zbatojnë logjikën e tij.

Kjo logjikë pasqyron kritikën e Trump ndaj sistemit të aleancave pas Luftës së Dytë Botërore. Kritika klasike – e njohur nga e majta, realistët dhe anti-imperialistët – thoshte se NATO dhe rendi liberal ndërkombëtar nuk i përmbushën kurrë premtimet. Gjuha e vlerave të përbashkëta ishte një mbulesë për dominimin amerikan.

Në versionin e Trump, megjithatë, SHBA-ja nuk ishte menaxheri i sistemit, por viktima e tij. Shtetet më të dobëta përfitonin mbrojtje, pasuri dhe rrezik ushtarak amerikan, ndërsa kontribuonin pak. “Rendi i bazuar në rregulla” nuk ishte mekanizëm për interesat amerikane, por një mashtrim. Dështimi fatal i luftërave në Irak dhe Afganistan nuk ishte paaftësia, por altruizmi: Amerika shpenzoi gjak dhe para pa marrë asgjë konkrete në këmbim. Strategjia e Trump në Venezuelë përfaqëson mësimin e nxjerrë: harro demokratizimin, mer naftën.

Kjo nuk është cinizëm në kuptimin klasik. Një cinik supozon se gjuha morale fsheh interesin vetjak. Trump sugjeron të kundërtën: sinqeriteti i Amerikës ishte vetë problemi. Rendi liberal nuk ishte maskë, por një iluzion që duhet hedhur poshtë. Disa komentues e kanë vlerësuar këtë si një sinqeritet radikal, një pranimi i hapur se politika është transaksionale dhe vlerat e përbashkëta kanë qenë gjithmonë një trillim i sjellshëm.

Kjo diagnozë nuk është plotësisht e gabuar. Por të thuash se Trump po heq hipokrizinë është të keqidentifikosh çfarë ai ka braktisur. Hipokriti ndjek interesin vetjak privatisht, ndërsa publikisht flet për vlera të përbashkëta. Ajo që Trump ka hedhur poshtë është më themelore: prirja për t’i trajtuar partnerët me drejtësi sepse bashkëpunimi i tyre do të nevojitet në të ardhmen.

Ky lloj reciprociteti nuk është maskë për interesin vetjak. Është një strategji afatgjatë për të siguruar bashkëpunim nga aktorë që nuk mund të detyrohen thjesht me forcë. Ajo që Trump ka braktisur nuk është një maskë, por një mënyrë veprimi. Ngushtica e mbyllur e Hormuzit është pamja e kësaj braktisjeje: një sistem që dikur e shndërronte fuqinë e papërpunuar ushtarake dhe ekonomike në bashkëpunim të organizuar midis shteteve.

Ndërtimi i aleancave, siç duhet kuptuar, është një formë përgatitjeje për emergjenca. Të jesh i pranishëm kur rreziku është i ulët, të ofrosh përfitime përpara se të bëhen urgjente, dhe t’i trajtosh partnerët si partnerë – jo si përfitues pa kontribut – krijon një rezervë besimi që mund të përdoret në krizë. Kjo logjikë nuk është sentimentale; është praktike. Ti paguan primet kur nuk ke nevojë për sigurim, sepse kur të të duhet, është tepër vonë.

Kur Britania sugjeroi se mund të dërgonte anije pasi të kalonte rreziku i menjëhershëm, Trump protestoi se i duheshin para fitores, jo pas saj. Ai ka të drejtë. Por nuk mund t’i kishte, sepse kishte shteruar prej kohësh “llogarinë” nga e cila vijnë këto angazhime. Kur shpërtheu kriza, ai iu kthye instinktivisht gjuhës së detyrimeve të aleancës – pikërisht fjalorit që kishte sulmuar për vite. Edhe vetë Trump e kupton, në njëfarë niveli, se fuqia ushtarake nuk mund të zëvendësojë bashkëpunimin e organizuar.

Mësimi që kanë nxjerrë aleatët është edhe më i rëndësishëm. Sistemi i aleancave funksiononte pjesërisht sepse krijonte norma që kufizonin të gjitha palët, përfshirë edhe ata që mund të përfitonin pa kontribuar. Sapo hegjemonia adopton hapur një logjikë thjesht shfrytëzuese, ajo u jep leje të gjithëve të mendojnë njësoj. Kur Pistorius thotë “ne nuk e kemi nisur”, ai nuk po e tradhton Trumpin. Ai ka mësuar prej tij. Aleatët nuk e kanë braktisur logjikën e mbështetjes reciproke; ata kanë përqafuar alternativën e Trump ndaj saj.

Kjo e bën edhe më zbuluese mënyrën si Trump trajton Rusinë. Ndërsa qortonte Francën dhe Gjermaninë për mosdërgimin e anijeve luftarake, ai u pyet për raportet se presidenti rus Vladimir Putin po i jep Iranit informacione për forcat amerikane. “Mendoj se mund t’i ndihmojë pak, po, ndoshta, dhe ai mendon se ne po ndihmojmë Ukrainën, apo jo?” u përgjigj Trump. “Është si: ata e bëjnë, ne e bëjmë, në mënyrë të drejtë.”

Këtu shfaqet arkitektura e fshehtë e botëkuptimit të Trump. Aleatët trajtohen si të detyruar pa kushte – të paraqiten, të binden, të paguajnë – ndërsa kundërshtarët justifikohen me të njëjtën logjikë reciprociteti që ai ua mohon miqve. Putini merr mirëkuptim; presidenti francez Emmanuel Macron merr kërcënime. Aleati është naivi. Kundërshtari, në një mënyrë të shtrembër, bëhet modeli.

Sistemi shumëpalësh që Trump ka shkatërruar nuk ishte një kurth i ngritur nga shtete të dobëta për të shfrytëzuar një superfuqi naive. Ishte infrastrukturë – një infrastrukturë që e shndërronte fuqinë ushtarake në veprim të koordinuar, duke i kthyer partnerët potencialë në partnerë realë dhe duke vendosur një përkufizim të përbashkët për atë që është “problemi ynë”.

SHBA-ja e kishte këtë infrastrukturë. Tani nuk e ka më, sepse Trump ka fshirë sistematikisht këtë përkufizim të përbashkët, duke e ngushtuar “tonën” në “timën”, kështu që çdo qeveri llogarit interesin e vet veçmas. Ajo që u ndërtua në dekada është rrënuar në muaj. Rrënojat e saj shtrihen në Ngushticën e Hormuzit.

4 Komente

  1. a
    american23al

    I gjithe ky artikull eshte per te treguar paaftesine e europianeve per te luftuar , kjo nuk ka te beje me fenomenin trump sic autori kerkon t'a paraqese por nje pasiguri dhe frike ndaj propogandes iraniane, sa per shkaterrimin e ushtrise Iraniane autori bene mire te shohe me mire televizionin me pamje reale edhe ato shtreter leshimi raketash qe vazhdojne eshte pone kohe qe do te asgjesohen , iranianet kane vetem A47 per tu mbrojtur....fale humanizmit american se Irani ashtu sic eshte tani mund te behet "parking lot" ne pak dite, zoteria autor do te laje fytyren e europianeve me shurre qe te duken me te mire, koha do te tregoje......aleatet e vertete......

    Përgjigjjuni
    1. S
      Saliu dora vetë

      Izraeli dhe Rusia kane materjale kompromentuse per Trampin dhe faktet tregojne si serviloset Trampi

      Përgjigjjuni
      1. I
        Igor

        Nato nuk ishte ne rezik nga Irani as Amerikanet nuk rezikoheshin nga Irani ky rezik vjen nga Izraeli me nji deshire qe te zgjerohet prej Nilit deri ne Eufrat qe eshte planifikuar me dekada nga llobeistet Hebrenje ne SHBA ku punojn se bashku me Washingtonin nxiten luften per tja mare pasurin Iranit por tani duan ta futin Naton ne lufte per ta zgjeruar Izraelin dhe te perdorin nenin 4ose 5 por pa i lexuar keto nene por ndegjon nji anetare qe nxit luftera dhe sulmon dikend por nuk ja del hajde ta perdorim nenin 5 keshtu veprojn vetem Fashistet por jo dikush qe e respekton ate ligj dhe ketu nuk shihet vec Spanjes qe e thote te verteten se kjo lufte eshte Ilegale kurse tjeret nuk guxojn Frikacaket .

        Përgjigjjuni
        1. m
          me ne fund

          shkrim fantastik

          Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje