Një burrë nga Washington-i është arrestuar dhe akuzuar për drejtimin e një lazeri ndaj helikopterit presidencial Marine One, në të cilin ndodhej presidenti amerikan Donald Trump.
Ngjarja ndodhi të shtunën, ndërsa helikopteri ishte në ajër pasi ishte larguar nga Shtëpia e Bardhë, raporton NBC News.
I arrestuari është Jacob Samuel Winkler, 33 vjeç, nga Washington D.C. Ai përballet me një akuzë federale për drejtimin e lazerit ndaj një aeroplani, një vepër penale që mund të dënohet me deri në pesë vjet burg.
Sipas një raporti të oficerit të Shërbimit Sekret, Winkler u vu re në rrugë, duke ecur pa bluzë dhe duke folur me vete me zë të lartë. Oficeri thotë se i bëri shenjë me dritë dore, por Winkler iu kundërpërgjigj me një lazer të kuq në fytyrë.
Në atë moment, Marine One po fluturonte mbi ta, dhe Winkler, sipas oficerit, e drejtoi lazerin edhe ndaj helikopterit presidencial. Kjo solli rrezik serioz për sigurinë në ajër, pasi rrezja e lazerit mund të kishte verbuar përkohësisht pilotin dhe të shkaktonte një përplasje me helikopterë të tjerë në zonë.
Pas arrestimit, Winkler thuhet se ka shprehur pendesë, duke përsëritur disa herë: “Duhet t’i kërkoj falje Donald Trump-it”.
Ai u justifikua para hetuesve duke thënë se përdorte lazerin për të ndriçuar “gjëra të ndryshme si tabelat e ndalimit” dhe se nuk e dinte që ishte e ndaluar ta drejtonte ndaj Marine One.
Lini një Përgjigje