Flet Gianni Criveller, prift dhe drejtor i ri i qendrës PIME: «Sot aktiviteti misionar nuk ka kufij. Nuk ka kuptim të dallohet midis vendeve katolike dhe jokatolike. Ky vend, midis kriminalitetit dhe konflikteve botërore, është gjithmonë larg nga ungjilli».
Termi mision duket se mbijeton sot vetëm në formën e misionit të kompanive ku votohen bizneset. Në Qendrën e Kulturës dhe Animimit Misionar të Institutit Papnor të Misioneve të Huaja(PIME), në fakt përpunohet dhe praktikohet një alternativë. Në ndërtesën historike milaneze të Via Monte Rosa dhe në 19 vendet ku operojnë 425 misionarët e PIME, misioni kristian rinovohet për t’ju përgjigjur pyetjeve të kohës tonë. Nga 1 shtatori Gianni Criveller ka marrë drejtimin e PIME, që do të mirëpresë eventet e ndryshme të BookCity dhe koordinon ndërmarrjet e shumëfishta kulturore. 62 vjeçar, me origjinë venete, Criveller ka jetuar dhe dhënë mësim në Hong Kong, Taivan, Makao dhe Republikën Popullore të Kinës nga 1991 deri më 2017.
Pas rreth 30 vjetësh në Kinë, jeni kthyer në Milano më 2017.
«Për hir të së vërtetës jam kthyer shumë herë në Hong Kong. Vazhdoj të jap mësim aty dhe në Makao».
Çfarë sillni me vete nga Kina?
«Pasionin për ndodhinë e demokracisë dhe të lirisë, sidomos në Hong Kong. Lëvizjet e 2014 dhe të 2019 fatkeqësisht kanë përfunduar në më të keqen e çdo mënyre. Kam marrë pjesë në lëvizje. Shumë miq kanë qenë protagonistë. Në 2019 kam qenë dy herë në Hong Kong përpara se të fillonte protesta dhe më pas kam marrë pjesë në manifestimin e 8 dhjetorit. Sjell me vete vetëdijen e kësaj lëvizjeje popullore».
Katolikët marrin pjesë?
«Po. Jo se kjo e bën më të çmuar lëvizjen, por duhet konsideruar se pavarësisht që janë një pakicë — në Hong Kong kristianët janë 10%, gjysma katolikë — kanë një vetëdije të madhe të rolit të tyre social për të mirën e përbashkët dhe fatin e popullit të tyre. Këtë e kanë fituar edhe falë impenjimit të misionarëve».
Rreziku për kë merr pjesë në lëvizje është shumë e lartë.
«Pas ligjit mbi sigurinë kombëtare të 1 korrikut 2020, kemi pasur më shumë se 10000 të arrestuar, 1000 persona janë ende në burg, edhe me dënime të mëdha, persona jo të dhunshëm, njerëz të impenjuar në radhën e parë të lëvizjeve bazë për demokracinë. Këtë vit kam qenë 2 muaj në Hong Kong. Bart me vete vetëdijen e këtij populli, të këtyre njerëzve, për të cilat flitet shumë pak».
Vlen edhe për Kinën në përgjithësi?
«Po. Në Kinë ekziston dëshira për liri nga ana e shumë njerëzve, edhe pse ndoshta nuk mund të shprehen».
Nuk keni frikë të denonconi shtypjen?
«Nëse të gjithë rrimë me gojën mbyllur, pushteti e ka fituar tashmë betejën pa shumë lodhje. Të paktën dikush duhet t’i thotë gjërat që në vetëdije ndjen se duhet t’i thotë».
Ju jeni prift?
«Po. Jam prift dhe misionar. I përkas Institutit Papnor të Misioneve të Huaja. Me të drejtën kanonike është një shoqëri me jetë apostullore».
Le të ndalemi mbi termin mision. Çfarë domethënie ka për një si ju?
«Është një term i hyrë në krizë të thellë në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar pasi i asociuar me kolonializmin dhe me paskolonializmin. Politika fetare e qeverisë kineze e adopton këtë linjë interpretimi».
Por ju nuk jeni dakord.
«Ka dy gjëra për t’u thënë, parasëgjithash misioni ka qenë burim progresi. Shpesh liderët lokale që kanë luftuar kolonializmin dhe kanë bërë të pavarur vendet e tyre kanë studiuar në shkollat kristiane dhe katolike. Ndjehem i detyruar t’ju pohoj se misioni ka qenë një agjent progresi, emancipimi e çlirimi, politike, sociale dheantropologjike, për shembull gra dhe fëmijë».
Gjëja e dytë?
«Misioni sot nënkuptohet si zemra e përvojës kristiane. Kisha ekziston për të njoftuar ungjillin, që është një ungjill paqeje,drejtësie dhe çlirimi. Misioni nuk ka më një kufi gjeografik. Është pikërisht qenia e kishës. Nuk është kisha që bën misionin, por misioni që vjen nga Zoti ai që e bën kishën. Sepse kisha ekziston derikur ekziston ungjilli që u njoftohet të gjithëve».
Në çfarë kuptimi nuk ekziston më një kufi gjeografik?
«Dallimi midis vendeve kristiane dhe jokristiane është tejkaluar. Nga pikëpamja e zhvillimit të vendeve, por edhe nga pikëpamja teologjike. Nuk ekzistojnë vende kristiane. Personalisht mendoj se nuk kanë ekzistuar kurrë».
Është një pohim i rëndë.
«Italia nuk ka qenë kurrë kristiane dhe nuk ka nevojë që të jetë kristiane. Ka komunitete kristiane, njerëz që kërkojnë të jetojnë ungjillin, por kombi… nuk do të dija të thoja në çfarë kuptimi është kristian. Një vend që merr pjesë në luftëra botërore, që prodhon fenomene krimialiteti dhe i eksporton në të gjithë botën, në çfarë kuptimi mund të ndjehet kristian?».
Çfarë sjell në drejtimin tuaj të qendrës së PIME?
«Parasëgjithash veten time. Jo se unë vlej diçka. Vlej më pak se asgjë, e them me sinqeritet. Ama sjell historinë time misionare. Sidomos kontakti me popullin kinez dhe të Azisë Jugpre dhe të vëmendjes për kulturat e këtyre popujve. Pastaj sjell interesin tim për teologjinë, jam i formuar si teolog. Kam një vizion teologjik të botës. Gjëja e tretë është vëmendja ime ndaj kulturës, artit, si forma bukurie».
Ku është lidhja?
«Gjuha me të cilën Zoti na flet ësht gjuha e bukurisë. Arti, kultura, poezia, letërsia, janë gjuha me anë të cilit Zoti ju fëet grave dhe burrave të kohës tonë».
Më këta që nuk e dëgjojnë, do të thuhej.
«Çfarë është lufta, çfarë është dhuna përveç shkatërrimit të gjërave të bukura? Çfarë mund të jetë realiteti ynë i përditshëm në rast se njeriu të mos vinte në mes kapacitetetin destruktiv të tij».
Në punën tuaj për bukurinë ju jeni shumë i interesuar për femëroren.
«Jam shumë i lidhur me disa autorë. Nga Antonia Pozzi tek Grazia Deledda, nga Edith Stein tek Sophie Scholl, nga Simone Veil tekEtty Hillesum».
Më që në nëntor pranë teatrit tuaj ka pasur një spektakël kushtuar poetes Antonia Pozzi.
«Kishte një shije intimiste, një vëmendje ndaj krijimit, natyrës,ndjenjave, të tjerëve, në një kohë ku mbizotëronte diskutimi heroik apo i arësyes. Faktikisht ka mbetur e panjohur për dekada me radhë».
Antonia Pozzi vdiq e vetëvrarë në dhjetorin e 1938.
«Jam bindur për këtë duke lexuar poezitë, letrat e saj: ajo vdiq në vetëdijen tragjike të katastrofës në ardhje që po përplasej mbi Europën dhe mbi botën. Është një viktimë e parakohëshme e Luftës së Dytë Botërore. Nuk është vrarë sepse ishte në depresion. Ishte një alpiniste, fotografe, jetonte intensivisht. Ka vdekur e dëshpëruar për të keqen e botës. E thotë në biletën e lamtumirës ku flet për një shtypje të ushtruar mbi jetët njerëzore, që ishte opresioni i pushtetit.Kjo vetëdije e tragjicitetit të kohës është shumë aktuale».
Antonia Pozzi u vra e dëshpëruar. Kurse të rinjtë e Hong Kongut rezistojnë.
«Edhe në Hong Kong ka raste vetëvrasjeje, si tjetërkund në Azinë Lindore. Të rinjtë janë të heshtur, shumë janë në burg, shumë të tjerë presin që të arrestohen, më shumë të tjerë akoma ia kanë mbathur».
Etty Hillesum, e vdekur në Auschwitz pa i mbushur akoma të 30tat, është një tjetër rezistente për të cilën ju jeni interesuar.
«Hillesum është një hebreje jopraktikuese, jobesimtare. Përpara persekutimit nazist qe një rrugë kundërkrah. Ndërsa populli dëshpërohet, vetëvritet, humb besimin tek Zoti, ajo bëhet vullnetare, asiston ata shkon në kampet e përqëndrimit dhe zbulon Zotin brenda vetes, zbulon sesa e bukur është jeta. Shkruan për gjëra shumë të çmuara. Fal Zotin pse e ka braktisur popullin e saj. To Zot nuk mund të bësh asgjë për ne. Jemi ne që duhet ta ndihmojmë me qëllim që ti të mos zhdukesh nga zemra jonë. Vetëm një grua me një fe të madhe mund të flasë kështu».
Edhe instituti juaj ka pasur martirë.
«Gjithësej 19. Tre të fundit në Filipine. I njihja që të tre. Tullio Favali është vrarë në 1985 nga grupe paraushtarake të djathta që mbështesnin diktatorin Marcos. Salvatore Carzedda kishte filluar një dialog me myslimanët në ishullin Mindanao. Në 1992 ekstremistët islamikë e kanë vrarë pikërisht pse dialogonte me myslimanët. Fausto Tentorio ka vdekur në 2011, në thelb nga dora në shërbim të interesave të disa shumëkombësheve që blinin tokat e indigjenëve dhe fshatarëve për katër para për t’i shfrytëzuar më pas. Ai u thoshte njerëzve: mos i shisnin tokat tuaja».
Jeni të sigurtë se po i përgjigjeni dhunës me bukurinë?
«Zoti vazhdon të na flasë, në forma që i japin bukuri jetës tonë.Kundër dhunës së luftës, të raporteve personale, mbi natyrën.Bukuria na kthen faktin se jeta jonë është e bukur dhe ia vëen barra qiranë ta jetosh. Muzika, teatri, spektakli nuk janë hutim. Janë pjesë e misionit tonë».
(nga La Lettura)
Përgatiti
ARMIN TIRANA
Zoti të bekoftë për shërbimin tënd.